Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Senati kërkon më shumë transparencë dhe qartësi nga Presidenti Biden
E diele, 14.11.2021, 08:59 PM
SENATI KËRKON MË SHUMË TRANSPARENCË DHE QARTËSI NGA PRESIDENTI BAJDËN
Nga
Frank Shkreli
Javën që kaloi, Kryetari i Komisionit
të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Punët e Jashtme, Senatori Bob Menendez
dhe disa kolegë të tij i dërguan një letër Presidentit Xho Bajdën duke i
kërkuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara më shumë transparencë dhe qartësi
për “Takimin e lartë të Demokracive” -- takimi i parë në nivel botëror i këtij
lloji -- që do mbahet virtualisht, më 9-10 Dhjetor. The
Summit for Democracy - United States Department of State Ndonëse lista e
rreth 100-vendeve që thuhet se janë ftuar për të marrë pjesë, Republika e
Kosovës nuk ishte njëra prej atyre shteteve të ftuara, të pakën deri fund javën
që kaloi, kur Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi se tani, “Kosova pritet
të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti
amerikan, më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan
pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas
takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me zyrtarë amerikanë në
Uashington”, sipas portalit ë VOA-s.
Media të ndryshme në Kosovë dhe në
diasporë njoftuan takimin që Presidentja e Republikës së Kosovës, Z.nja Osmani
pati të ënjtën në Washington me Nën-Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara,
Z.njën Victoria Nuland. Njoftohet se në
atë takim u riafirmua përkushtimi i vazhdueshëm i dy vendeve për këtë
partneritet të fortë, si dhe u theksua angazhimi i palëkundur ndaj “vlerave të
përbashkëta”. Presidentja Osmani tha se
“Kosova është ndër vendet më demokratike në botë, një burim i vërtetë shprese
në rajon dhe më gjerë, si dhe një histori e vërtetë suksesi e politikës së
jashtme të SHBA-ve”. Ajo shtoi se Kosova është një “shëmbëlltyrë e vlerave
amerikane”, sipas informacionit të shpërndarë për mediat nga zyra e Presidencës
së Republikës së Kosovës. Ndërsa, sipas të njëjtit burim, Nën-Sekretarja
amerikane Victoria Nuland shprehu mirënjohjen e saj të thellë për Presidenten
Osmani dhe për “rolin instrumental të Kosovës në ofrimin e strehimit të
përkohëshëm për refugjatët afganë dhe tha se kjo është edhe një shfaqje e
përkushtimit të Kosovës ndaj kësaj miqësie dhe partneriteti të gjatë”. Zonja
Nuland theksoi se “administrata e re amerikane është e përkushtuar për paqën,
stabilitetin dhe zhvillim në Kosovë dhe gjithë në rajonin, si dhe për
mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet ndër
të tjera në njoftimin e Presidencës së Kosovës për takimin Osmani-Nuland në
Departamentin e Shtetit, të ënjtën që kaloi.
Bravo, Presidentes Vjosa Osmani, por çfarë ndodhi, në të
vërtetë, në këtë ndërkohë. Megjithëse mungesa nga lista dhe as përfshirja më në
fund e Republikës së Kosovës në listen e vendeve të ftuara në “Takimin e lartë
për Demokracinë”, të organizuar nga Presidenti Bajdën nuk përmendet në
deklaratën e Presidencës së Kosovës për takimin me Victoria Nuland, nuk ka
asnjë dyshim se ky subjekt duhet të ketë qenë çeshtja kryesore e takimit midis
këtyre dy zonjave. Një takim ky, që siç duket nuk ishte qenë në agjendën
origjinale të vizitës së Presidentes së Kosovës në Washington, por që sipas të gjitha
gjasave, pas disa trysnive, të brendshme dhe të jashtme, përfundoi me një “YES” për pjesëmarrjen e
Kosovës në “Takimin e lartë të Demokracive”, muajin që vjen.
Por, para këtij takimi dhe pasi Washingtoni zyrtar, në
këtë ndërkohë, “ndryshoi mendjen” sa i përket pjesmarrjes së Kosovës në këtë
takim muajin që vjen, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Z.
Bob Menendez dhe shtatë senatorë të tjerë i dërguan një letër Presidentit
Bajdën, me të cilën i kërkojnë atij “transparencë dhe qartësi”, në lidhje “me
kriteret që janë përdorur për të vendosur se cilat vende janë ftuar të marrin
pjesë në “Takimin e Lartë të Demokracive”. 11-08-21 Dems Letter to Biden re Summit for Democracies.pdf
(senate.gov) Duke thekësuar mëtej në letër
se, “Ke ftojmë, dërgon një mesazh të fortë mbi vlerat dhe praktikat në të cilat
besojmë se çfarë përbën një shtet demokratik”, i kanë shkruar senatorët
Presidentit Bajdën, duke shtuar se, “Elementi përcaktues i çdo sistemi
demokratik është pjesëmarrja e plotë e të gjithë qytetarëve, ndërsa shoqëria
civile anë e mbanë botës, luan një rol
përbërës në organizimin e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisjen e tyre”,
thuhet në letrën e senatorëve amerikanë dërguar Presidentit amerikan. “Takimi i ardhshëm për Demokraci përfaqëson
një mundësi të rëndësishme për të nxitur aleatët tanë që tu bashkohen përpjekjeve
tona për ta vendosur demokracinë në qendër të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Përparimi i parimeve demokratike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut është me
të vërtetë në interes të të gjithë aleatëve tanë”, thanë, ndër të tjera,
senatorët amerikanë. “Është detyrë e Shteteve të Bashkuara të jenë shëmbëll i
këtij vetë-reflektimi dhe përkushtimi duke qenë të vetdijshëm për mundësinë
unike të demokracisë për të identifikuar dhe pranuar dobësitë dhe të metat e
saj dhe, njëkohësisht, e aftë për t'i përballur ato sfida. në mënyrë transparente”.
Ndonëse, as letra
e senatorëve amerikanë drejtuar Presidentit Bajdën nuk përmend specifikisht
Republikën e Kosovës për mungesën e saj nga lista origjinale e vendeve
demokratike të ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive”, siç duket 2-3 jav;t
e fundit, ka patur disa prapaskena që ishin në lëvizje për të përfshir edhe
Republikën e Kosovës në listën e vendeve të ftuara në “Takimin e Lartë të
Demokracive”. Përveç thirrjeve nga Kosova javët e fundit-- përfshir grupet
jo-qeveritare të atij vendi, opozitën dhe vezhguesit e pavarur në atë vend –
edhe këtu në Amerikë pati reagime dhe përpjekje për të bindur administratën e
Presidentit Bajdën që të përfshij edhe Kosovën në listën e vendeve të ftuara në
takimin e demokracive, muajin që vjen. Një ndër organizatat lobiste ishte Liga
Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga ish-Kongresmeni me origjinë
abëreshe, Xho DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Në portalin e tyre ata njoftojnë miqtë dhe
mbështetsit për letrën e Kryetarit të Komisionit të Senatit për Punët e
Jashtme, Z. Menendez dhe kolegëve të tij, drejtuar Presidentit Bajdën, duke
thenë se ata kishin “alarmuar” Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, që
kryesohet nga Z. Menendez, duke shprehur shqetësimin e tyre se, “Shqipëria,
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ishin ftuar ndërsa Kosova jo,” në “Takimin e
Lartë të Demokracive”, thuhet në portalin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
“Ne thekësuam”, në komunkimin me Komisionin e Senatit, thuhet në njoftimin e
Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, “se veçanërisht Shqipëria është shumë
mbrapa Kosovës sa i përket demokracisë, sidomos kur të merret parasysh
përparimi dramatik që është bërë nën adminsitratën e Kryeminsitrit Albin Kurti
dhe Presidentes Vjosa Osmani”.
Nuk ka dyshim se
letra e Senatorit Menendez si Kryetar i Komisionit të fuqishëm për Punët e
Jashtme të Senatit amerikan dhe takimi i Presidentes së Republikës së Kosovës,
Z.njës Vjosa Osmani javën që kaloi me Nën-Sekretaren e Shtetit, Z.njën Victoria
Nuland, patën efektin e duhur për të bindur admnistratën e Z. Bajdën të
“ndërrojë mendje” ashtuqë edhe Kosova të përfshihet në listën e vendeve të
ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive” nga Presidenti Xho Bajdën. Zyrtarët amerikanë citohen të kenë thenë se
lista e vendeve të ftuara në takimin botëror muajin që vjen nuk nënkupton se
janë të ftuara vetëm vendet që, tradicionalisht, konsiderohen si demokratike,
por temat e takimit do të jenë zhvillimi dhe forcimi i mëtejshëm i demokracisë
në botë. Po të ishte se vetëm vendet
vendet, tradicionalisht, demokratike të jenë ftuar në takim, Shqipëria dhe
Kosova nuk do të ftoheshin, pasi as njëra as tjetra, nuk janë në nivelin e
duhur të demorkacisë. Për- kundrazi, konsiderohen ende si vende “pjesërisht të
lira”. Por, lind pyetja se pse Republika
e Kosovës u la jashtë listës origjinale të vendeve të ftuara në “Takimin e
Lartë të Demokracive” dhe kush, si dhe pse luajti rolin e standardit të
dyfishtë në krahasim të “demokracisë” së Kosovës me “demokracitë” e Shqipërisë,
Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, e madje edhe Serbisë. Për fat që kemi një degë të tretë të
qeverisë, atë legjislative – Kongresin e Shteteve të Bashkuara – që ngulë këmbë
të dijë të vërtetën, jo vetëm për vetë antarët e Kongresit por edhe për publikun
amerikan – se cilat janë kriteret e administratës Bajdën që vendosën se cilat
vende u ftuan e cilat jo dhe pse për një takim të tillë botëror.
Megjithëse, jam
dakort me përfshirjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në këtë takim botëror për
demokracinë, diçka brenda meje më thotë se nuk është e drejtë që shtetet
autoritare të Ballkanit Perëndimor dhe të tjera si ato, anë e mbanë botës, që
s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë e vërtetë perëndimore, të
konsiderohen në të njëjtin nivel si vendet vërtetë demokratike që zbatojnë dhe
mbrojnë demokracinë e vërtetë, për veten dhe për të tjerët. Kjo është edhe
arsyeja se pse Senatorët kërkojnë qartësi dhe transparencë në këtë proces, pasi
ftesa nga ana e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në një takim të tillë
botëror, sipas ligjvënsve amerikanë, “dërgon një mesazh të fortë mbi vlerat dhe praktikat në të cilat ne
besojmë dhe se çfarë përbën një shtet demokratik”.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me Zëvëndës Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Victoria Nuland në Departmentin Amerikan të Shtetit në Washington javën që kaloi.