Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Zonja Kim, prej sot nuk je më ambasadorja ime!
E enjte, 02.12.2021, 09:01 PM
ZONJA KIM, PREJ SOT NUK
JE MË AMBASADORJA IME!
Kombi
shqiptar ka nevojë për pajtim, jo për provokime përçarëse!
Nga
Frank Shkreli
Po të drejtohem me
“Zonja Kim”, pasi prej sot, unë si shtetas dhe taksapagues amerikan me origjinë
shqiptare nuk të konsideroj si ambasadorja ime në atdheun e të parëve të mi –
as përfaqsuese e këtij vendi të madh të lirisë e demokracisë, që e quajmë
Amerika jonë e dashur, ku unë dhe familja ime, ashtu si edhe qindëra mijëra
shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trevat shqiptare kemi gjetur strehim dhe liri
për veten dhe familjet tona, ashtu siç kanë gjetur edhe miliona njerëz nga
mbarë bota, të arratisur nga komunizmi gjatë shekullit të kaluar.
Zonja Kim, për
pothuaj dy vite në krye të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ti ke
shkelur shumë vija të kuqe që një diplomat/e amerikane kurrë nuk do duhej t’i
shkelte. Kjo është puna jote dhe e mbikqyrësve tu në Departamentin Amerikan të
Shtetit (DASH). Por gjëja që nuk të
falet, të pakën nga pikëpamja ime, është deklarata jote provokuese e ditëve të
fundit në facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, me rastin e 29 nëntorit,
“Çlirimit” të Shqipërisë, sipas teje: “Shqipëria shënon sot përvjetorin e 77 të
Çlirimit. Në këtë festë zyrtare, shqiptarët nderojnë ata që sakrifikuan jetët
në luftë dhe kremtojnë lirinë. Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri”, është urimi
i ambasadës që ti kryeson, Zonja Kim.
Më duhet të sqaroj
që në fillim se këtu nuk bëhet fjalë për ata që luftuan për katër vjetë dhe që
vdiqën në luftë për çlirimin e atdheut nga nazizmi e fashizmi, por për
“çlirimin”, siç e quan përfaqsuesja Kim, që solli në pushtet një regjim
komunist gjakatar, me në krye qoftëlargun, Enver Hoxhën. Regjim i cili, përveç mijëra kundërshtarëve
të tij ideologjikë, përfshirë familje të tëra, gra e fëmij e pleq -- zhduku pa
mëshirë edhe bashkpuntorët e vet më të ngushtë, për pothuaj një gjysëm
shekulli. Ky “Çlirim”, në të vërtetë e këtheu Shqipërinë, për pothuaj 50-vjet,
në një skenë krimi. E gjithë Shqipëria ishte një burg telash me gjemba.
Respekt për të
renët e luftës! Ata luftuan për lirinë e atdheut por jo për robërimin e
shqiptarëve nga komunizmi ndërkombëtar sllavo-aziatik.
Unë nuk dua t’i
futem debatit se kush, si dhe kur është “çliruar” ose jo Shqipëria. Kjo nuk
është puna ime, as nuk do duhej të ishte as
shqetësimi i një ambsadoreje, e sidomos, jo e një përfaqsueseje të
Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, e cila me dije ose pa dije e quan
“Ditë Çlirimi”, ditën kur u përjashtuan nga Shqipëria e Enver Hoxhës,
para-ardhësit e saj në Tiranë, diplomatët amerikanë.
More Zonja Kim,
ç’dreqi të futi në këto punë të thella, sikur nuk ke probleme të tjera aty në
Tiranë. Ç’të duhet ty të urosh “ditën e
çlirimit”, kur vet shqiptarët nuk janë dakort nëse ishte e tillë ose kur ishte.
Sigurisht, që kjo nuk është aspak një çeshtje me të cilën duhet të merren
ambasadorët perëndimorë, me anë deklaratash personale, pa qenë të vetdijshëm të
pasojave serioze që kanë fjalët e tyre për shoqërinë shqiptare. Me këtë
deklaratë të papërgjegjshme, ti Zonja Kim po përpiqesh që – në përputhje dhe
pajtim të heshtur me Tiranën zyrtare -- të legjitimosh dhe të përjetësosh
trashëgiminë e nji regjimi komunist kriminal të përmasave botërore. Kjo nuk
është e drejtë, as morale, diplomatike jo se jo nga ana jote, zonjë dhe as
pjesë e misionit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! DASH bëri urimin, në rregull si çdo vit, me
rastin e 28 Nentorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ditë që festohet nga
të gjithë shqiptarët pa dallim – ndoshta Dita e vetme që në të vërtetë bashkon
të gjithë shqiptarët kudo që janë. Nga u erdhi kjo ide që të uronit “ditën e
çlirimit”?
Me sa dij unë, kjo
është hera e parë që një zyrtar/e amerikane i referohet 29 Nentorit si “Ditë
Çlirimi”. Veçse nëqoftse ka ndryshuar
diçka ditët e fundit, por me sa di unë, ç’prej vitit 1945 e deri më sot,
politika e Shteteve të Bashkuara ka qenë, vazhdimisht, që të njihej 28 Nentori
i 1912, si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë – dhe kurrë nuk bëhej fjalë,
zyrtarisht, nga Departamenti i Shtetit, për “Ditën e Çlirimit” të Shqipërisë,
të cilën uroi zonja Kim shqiptarëve, në emër të Shteteve të Bashkuara, për herë
të parë në histori, në mos qofsha i gabuar. Nuk përmendej as nuk bëheshin urime
për 29 Nentorin, “Ditën e Çlirimit” të Shqipërisë, sipas të zonjës Kim. Sepse
konsiderohej, si një ditë që regjimit komunist kriminal që erdhi në pushtet me
forcë, duke vrarë e prerë, burgosur e përndjekur e që ka zhdukur dhjetëra mijëra
shqiptarë të pafajshmëm me gjygj dhe pa gjygj.
Departamenti i Shtetit për çdo vit—madje edhe gjatë komunizmit kur nuk
kishte marrëdhënie SHBA-Shqipëri – kryesisht, nepërmjet intervistave me ndonjë
zyrtar të lartë të DASH, uronte Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe jo ardhjen
në fuqi të regjimit komunist enveristo-jugosllav me 29 nëntor, dita e
përbashkët e “çlirimit” Enver-Tito! Por,
pas shembjes së komunizmit, është traditë që DASH lëshon çdo vit një deklaratë me
rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë – dhe jo me rastin e “Ditës së
Çlirimit” -- Albania
Independence Day - United States Department of State -- ashtu siç ndodhi edhe sivjet. Kjo
është një praktikë që DASH bën me të gjitha shtetet e botës, me rastin e ditës
së pavarësisë së tyre. Unë nuk jam në dijeni që DASH të bëj ndonjë urim për
ardhjen në pushtet të ndonjë regjimi komunist kudo qoftë në botë.
Zonja Kim,
shqiptarëve kudo – përfshir ne shqiptaro-amerikanët, por sidomos qindëra mijëra
shqiptarëve të prekur nga krimet komuniste e për të cilët nuk ke thënë asnjë
fjalë në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të tyre, – të na shpjegosh se kur
ka ndryshuar politika amerikane në lidhje me “Ditën e Çlirimit” në Shqipëri. Unë nuk e di se kush të shtyri të marrësh
vendime të tilla “solo”. Ti ke shkelur shumë vija të kuqe deri tani, por ky
urim nga ana jote, vendim personal siç duket, është një ofendim tejet i rëndë
për të gjithë liridashësit, por sidomos ndaj të përndjekurve të regjimit
komunist të Enver Hoxhës, një prej regjimeve më kriminale të botës. Një ditë për të festuar një regjim
“çlirimtar”, si një ditë e bardhë për shqiptarët, një ditë kur sipas teje,
“shqiptarët të kremtojnë lirinë”, që u siguroi Enver Hoxha.
Për cilin “çlirim”
e ke fjalën dhe për cilën “liri” flet, ti Zonja Kim dhe në emër të kujt e bën
këtë urim? Për “lirinë” e Enver Hoxhës e ke fjalën? Megjithëse je në Tiranë për afër dy vjetë,
fatkeqësisht, ti ende nuk e di se çfarë krimesh ka bërë komunizmi në atë vend
dhe çfarë ka pësuar ajo shoqëri nga ai regjim “çlirimtar”. Ka ardhur koha që të
reflektosh, seriozisht, para se -- me deklarata të tilla -- të koritësh veten,
të abuzosh detyrën e lartë diplomatike që të është besuar dhe mbi të gjitha, të
poshtërosh vendin që përfaqëson për të gjithë ne taksapaguesit amerikanë --
Shtetet e Bashkuara të Amerikës – atdheun tonë të përbashkët, të adaptuar e të
dashur. Atdheun e adaptuar, timin dhe tëndin -- që na ka dhënë strehim dhe
liri, mua, ty dhe familjeve tona, ashtu si edhe miljona të vuajturve, viktima
të komunizmit, nga e gjithë bota, të ardhur në këtë vend të bekuar, për të
shpëtuar njëherë e mirë, nga “liria” e komunizmit gjakatar ndërkombëtar.
Krimet e regjimit
të Enver Hoxhës, zonja Kim, nuk e bejnë 29 nentorin, një ditë “çlirimtare”, por
një ditë të zezë për shqiptarët dhe mbarë Kombin shqiptar, ashtu siç
konsiderohet anë e mbanë Evropës edhe sot – ku pushtimi komunist pas Luftës së
II Botërore, kujtohet me shirita të zi, ndryshe nga Shqipëria komuniste/socialiste,
në karrocën e të cilës ke hypur edhe ti tani me deklaratën tënde, duke e
quajtur “fitoren” e komunizmit si, “Dita e Çlirimit”.
E turpshme, sido
që ta shikosh për një përfaqsuese që do duhej të reflektonte dhe të mbronte
parimet dhe vlerat e Shteteve të Bashkuara që nuk janë pajtuar kurrë me
robërimin e popujve nga komunizmi ndërkombëtar, përfshir regjimin komunist të
Enver Hoxhës. Por ja, kush do mendonte, sot një diplomate amerikane, madje
shefe e Ambasadës tonë në Tiranë – në kujtesën time, për herë të parë në
historinë e 70-viteve të kaluara -- i dërgon urimet shqiptarëve për njërën prej
ditëve më të zeza që ka shënuar historia e Kombit shqiptar – pushtimin e
Shqipërisë nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës. Ja deklarata e plotë e postuar në facebook të
ambasadës amerikane në Tiranë. Nuk i besove syve kur e lexova.
“|Shqipëria shënon sot përvjetorin e 77 të Çlirimit. Në këtë festë zyrtare,
shqiptarët nderojnë ata që sakrifikuan jetët në luftë dhe kremtojnë lirinë.
Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri!”
(Urim i postuar në Facebook të ambasadës së SHBA-ave në Tiranë nentor,
2021)
Si është e mundur,
more zonja Kim që – në një shikim të parë -- vetëm ambasada e Shteteve të
Bashkuara që ti kryeson, dhe ambasada e Rusisë së Putinit e ndoshta ajo e Kinës
komuniste në Tiranë – ndryshe nga të gjitha ambasadat e tjera me rëndësi në
Tiranë -- bëre një urim të tillë për “ditën e çlirimit” të Shqipërisë. Pas asaj dite që ti e quan si dita e
“çlirimit”, dita kur djalli vet solli një regjim që, jo vetëm zhdukte
kundërshtarët, por më në fund, shpalli edhe Zotin ilegal, si asnjë vend tjetër
në botë. Siç u shpreh në një shkrim këto
ditë në lidhje me këtë çeshtje edhe Akademiku i nderuar shqiptar Z. Artan Fuga:
“Dreq vajti puna pas lufte! Me të thatin iku edhe i njomi, sepse paranoja
diktatoriale bëri kërdinë, në fillim duke kapur pas qafe tradhëtarët, pastaj
duke u rënë në qafë të pafajshmëve dhe më në fund duke i këputur qafën gjithë
popullit.” Nëqoftse ti u bën thirrje
shqiptarëve që të “kremtojnë” këtë “liri” që i “këputi qafën gjithë
shqitarëve”, atëherë unë dhe shumë të tjerë kemi një mospajtim të madh me ty se
çfarë është liria e vërtetë.
Zonja Kim, nëqoftse më lejohet, këshilla ime me kët rast është që si përfaqsuese e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ti duhet të mprosh dhe të promovosh vlerat e përbashkëta dhe jo “fitoret” dhe “lirinë” komuniste – por të mbrosh vlerat, siç janë liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut, të drejtat universale – të cilat, shpresoj se bashkojnë shumicën e popullit shqiptar me amerikanët. Këto janë vlerat e vërteta që duhet të na bashkojnë, Zonja Kim. Enver Hoxha dhe regjimi i tij kriminal nuk na bashkon se pse me ‘të nuk kemi pasur kurrë asgjë të përbashkët, as gjatë sundimit të tij diktatorial – as nuk kemi as sot gjë të përbashkët me trashëgiminë e tij dhe as me nostalgjikët e tij aktualë, të cilët kanë kapur për fyti mbarë shoqërinë shqiptare. Janë ata që sundojnë sot Shqipërinë nga postet e tyre dominuese, sidomos në administratën shtetërore dhe qeveritare, por edhe në të gjitha fushat e shoqërisë shqiptare.
30-vjetë pas shembjes zyrtare të komunizmit, ti si kryediplomate amerikane në Tiranë, në vend që të glorifikosh ditën e pushtimit të Shqipërisë nga komunizmi – në përputhje me vlerat amerikane të cilat je betuar t’i mbrosh dhe t’i promovosh -- duhet të inkurajosh dënimin e krimeve të komunizmit enverist dhe distancimin e Shqipërisë nga trashëgimia komuniste dhe jo të inkurajosh, me deklarata të tilla, elementët më negativë e përçarës të shoqërisë shqiptare, nostalgjikë të Enver Hoxhës, duke u bërë palë me interpretimin e tyre pro-enverist të historisë shqiptare të shekullit të kaluar. Kësaj i thonë thjesht, mohim i krimeve dhe glorifikim i kriminelëve, Zonja Kim!
Tiranë, Nentor 2021 – Shqipëria “demokratike” socialiste! Një sulm i hapët zyrtar kundër lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut nga një deputet i Partisë Socialiste në pushtet, me në krye Kryeministrin Edi Rama. Ky nuk është sulmi i parë i tillë me foto dhe me fjalë nga udhëheqsit më të lartë të Partisë Socialiste. Pse nuk kërkon Zonja Kim që Kryeministri Rama dhe Partia e tij Socialiste të distancohen nga deputeti i tyre që përhapi, këtë foto-mesazh, me kolegët e tij deputetë në rrjetët sociale? Deputeti socialist është anëtar i Komisionit të Kuvendit të Shqipërisë që merret me sigurinë, një parlamenti i një vendi anëtar i Aleancës NATO, themeluar 72 vjet më parë për të mbrojtur demokracitë perëndimore nga komunizmi bolshevik. Çfarë hipokrizie, Zonja Kim!
Me heshtjen tënde
arrogante zonja Kim, ndaj kësaj çeshtjeje dhe të tjerave si këto, nuk arrinë
asgjë. Përkundrazi, Ambasada e Shteteve
të Bashkuara në Tiranë -- si asnjëherë më parë në këto 30-vite – për fat të
keq, po humb kredibilitetin dhe reputacionin ndër shqiptarët, brenda dhe jashtë
Shqipërisë, si mbrojtëse e lirisë, demokracisë dhe fjalës së lirë dhe të
drejtave të njeriut, duke rrezikuar kështu edhe marrëdhëniet afatgjata midis dy
popujve tanë! Deklarata jote, me këtë rast, zonja Kim është provokuese. Me këtë
deklaratë ti po bëhesh palë me ata të Tiranës zyrtare që ende mendojnë se
“komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.
Ti dhe ata jeni të gabuar historikisht dhe të korruptuar moralisht,
nëqoftse vërtetë mendoni kështu.
Miku dhe kolegu i
im, shqiptaro-amerikani i urtë, Prof. Sami Repishti, zëri i ndërgjegjës -- ish
i dënuar politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës, që sipas jush solli
“lirinë” për shqiptarët – do u këshillonte me këtë rast të mos provokoni me
deklarata të tilla: “Ju lutemi, mos lëndoni plagët tona të hapuna”, do të
shprehej burri i urtë i komunitetit tonë këtu në Amerikë, i nderuari Prof.
Repishti.
Shqiptarët kanë nevojë për pajtim kombëtar! | Gazeta Telegraf
Kombi shqiptar ka
nevojë për pajtim, jo për provokime përçarëse!