Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Shqipëria - Një shembull tragjik i dështimit të demokracisë
E enjte, 16.12.2021, 08:30 PM
SHQIPËRIA: NJË SHEMBULL TRAGJIK I DËSHTIMIT TË DEMOKRACISË
Nga
Frank Shkreli
A e patë funeralin
e demokracisë shqiptare të martën? A e shikuat paradën e 6 ambasadorëve -- 6
vendeve më demokratike perëndimore, aleate të Shqipërisë -- duke shkuar tek
selia e Partisë Demokratike në Tiranë?
Nuk dua të merrem
më me subjektin e ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve në punët që nuk u takojnë,
sepse kam reaguar dyzina herë me shkrimet e mia modeste gjatë viteve të
fundit. Frank Shkreli: Diktatura më e rrezikshme, është ajo që, paraqitet me maskën e demokracisë! | Gazeta Telegraf
Për këtë, fajin e ka, kryesisht, klasa politike shqiptare e dështuar,
por edhe ndërkombëtarët duhen t’a dinë më mirë rolin e tyre. Se një shfaqje e
tillë si kjo e ditës së martë, nuk është diplomatike, se i kalon të gjitha
vijat e kuqe, se vërtetë përben një shkelje flagrante dhe është një ndërhyrje,
e paskrupullët, në punët e mbrendshme të një partie. Unë shpesh e kam shprehur
përbuzjen time ndaj klasës politike shqiptare, të periudhës, gjoja
“post-komunitse” të këtyre tre dekadave të fundit, pa dallim partie. Por, në saje të lirisë së fjalës që gëzoj si
shtetas amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam kritikuar, me arsye
besoj unë, shpesh edhe sjelljet e diplomatëve të huaj në Tiranë, përfshir
ambasadoren amerikane atje.
Prandaj në këtë
vijë, dua të them edhe kësaj heres se vizita e djeshëme e diplomatëve
përendimorë – të ftuar ose jo -- në selinë e Partisë Demokratike ishte
gjithashtu e papranueshme dhe e njëanshme.
Kjo shkelë të gjitha normat diplomatike! Në sytë e një personi si unë që
jetoj në Amerikë, një akt i tillë si ai, që u luajt në kryeqednrën e Partisë
Demokratike të Shqipërisë ditën e martë më bindi se ju të nderuar diplomatë,
përfaqsues të Amerikës dhe të Evropës në kryeqytetin e Shqipërisë, jeni në
përplasje dhe në konflikt të drejt për drejt me realitetin politik me të cilin
pëballet vendi ku ju shërbeni – në Shqipëri.
Një shfaqje e
tillë, nga ana e juaj, nuk ndihmon zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në
Shqipëri -- kredibilitetin tuaj si ndërmjetës të paanshëm midis palëve, jo se
jo, ndërsa në radhët e shqiptarëve,
qoftë përkrahësve të opozitës, qoftë edhe të pozitës keni humbur besueshmërinë
plotësisht. Kur humb kredibilitetin, ke humbë çdo gjë, thotë një fjalaë e
vjetër. “Nëqoftse humbë pasurinë, nuk ke humbur asgjë; nëqoftse humbë
shëndetin, ke humbur diçka; por nëqoftse humb karakterin, ke humbur gjithçka.” Woodrow Wilson
Prandaj të nderuar
diplomatë, një thënje tjetër, autori i të cilës nuk po më kujtohet, tani për
tani, por thotë përafërsisht: Kur njerzit nuk kanë asgjë për të humbur, pasi
kanë humbur çdo gjë, ata vërtetë e humbasin…Shumë shqiptarë, fatkeqësisht, po e
“humbasin”, dhe me përbuzje ndaj zhvillimeve të këtyre viteve në vendin e
lindjes, kryesisht, për arsye të mosaftësisë qeverisëse dhe konflikteve midis liderve
tyre, por edhe për shkak të sjelljeve të ndërkombëtareve ndaj kësaj klase
politike, shqiptarëve nuk u ka mbetur tjetër alterantivë veçse të largohen nga
dheu i të parëve.
Ambasadorët e
vendeve mike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve shkuan dje për të shprehur
“ngushëllimet” e rastit – një gozhdë tjetër në arkivolin e demokracisë së
vdekur në Shqipëri, sado e brishtë që ishte. Duket ambasadorët shkuan dhe dolën
prej andej pas një ore e pak minuta, duke mos bërë as një deklaratë se kush i
ftoi, se pse ishin aty, për çfarë u folë dhe kush ishte objektivi i takimit.
Aq, sa për transparencën e diplomatëve përendimorë në Tiranë, duke ngritur një
shkallë më lartë mosbesimin e shqiptarëve ndaj sjelljeve të diplomatëve të huaj
dhe marrëdhënive të tyre me përfaqsuesit e kësaj klase politike të dështuar, e
cila dita ditës por zbrazë atë vend, duke detyruar arratisjen e shqiptarëve nga
atdheu i tyre si në kohën e komunizmit, por me të vetmin ndryshim se tani numri
i të larguarve arrinë në qindra mijëra shqiptarë. Shqiptarët me të cilët unë
bisedoj, më thonë se shumë prej tyre janë të bindur se perëndimorët kanë
arritur në përfundimin e të pranuarit të Shqipërisë -- jo si një demokraci e
vërtetë – por si një shtet autoritar,
erdoganist ose putinist.
Ky takim i
ambasadorëve në selinë e PD-së, ashtu si edhe të tjera takime të kësaj natyre
në të kaluarën me politikanët shqiptarë, kaloi pa asnjë koment. Sidomos në këtë periudhë krize të madhe
politike në Shqipëri, shqiptarët duan të dinë se ç’po ndodhë në vendin e tyre,
dhe për ke po bien këmbanat, gjë që më kujtoi atë frazën anglisht, “For Whom
the bell tolls”, që i referohet kambanës
së kishës që bie kur vdes një njeri, por për të cilin nuk duhet të jemi aq kuriozë
se kush është njeriu i vdekur. Shqiptarët duan të dinë nëse kjo kambanë po bie
për të paralajmëruar “vdekjen” e demokracisë në Shqipëri, apo të ndonjë
personi. Por, ama, sipas predikuesit
anglez të shekullit XVI, "No man is an island, entire of itself;
every man is a piece of the Continent, a part of the main… Any man's death
diminishes me, for I am involved in mankind. Any therefore never send to know
for whom the bell tolls; it tolls for thee."
Që pak a shumë –
diplomatët perëndimorë duhet ta dinë domethënien e kësaj: mos pyet se për ke
bie kambana, mos pyet se kush ka “vdekur”, sepse kambana bie edhe për ty, pasi
edhe ju jeni pjesë e kësaj bote që e quajmë njerëzim, ashtuqë kur “vdes” dikush
ose diçka, siç është demokracia, edhe një pjesë e juaja vdes, edhe e
demokracisë tuaj. Ky është shpjegimi i kësaj thënjeje pra, se nëqoftse vdes
demokracia shqiptare, pa dyshim, se do vdes edhe një pjesë e demokracisë në
vendin që ju përfaqësoni në Republikën e Shqipërisë.
Atëherë, në
minimum, nëqoftse nuk mund të ndihmoni në zhvillimin e një demokracie të
vërtetë në Shqipëri, atëherë të pakën mos e pengoni një gjë të tillë.
Demokracia nuk
pret për shqiptarët, të nderuar diplomatë.
Demokracia e vërtetë në Shqipëri u lodh duke pritur, për 30-vjet. E destinuar të dështonte që nga fillimi, fatkeqësisht, pasi demokracia e vërtetë, nuk ka asgjë të përbashkët me trashëgiminë enveriste -- zhduke kundërshtarin -- që mbrohet edhe sot nga kjo klasë politike e cila refuzon të distancohet nga krimet e regjimit komunist, përballë heshtjeve arrogante të ndërkombëtarëve ndaj atyre krimeve. Shikoni pak më imësisht atë të kaluar dhe do të zbuloni shumë shpejt se pse Shqipëria gjëndet në situatën në të cilën është sot.