Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet në nevojtore!
E shtune, 05.02.2022, 08:11 PM
MONUMENTI I HEROIT KOMBËTAR NË LEZHË KTHEHET NË NEVOJTORE!
Nga
Frank Shkreli
Nga i harruari i
Kombit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i harruari i kombit në ditëlindjen e tij | Gazeta Telegraf,
nga i mbuluari me çarçaf mu në qendër të Tiranës, e deri tek vizita provokuese e Presidentit turk, Erdogan në
Shqipëri kohët e fundit në ditën e vdekjes së Heroit të Kombëtar të
Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit -Skenderbe – mendonim se nuk mund të ketë
ofendime më të shëmtuara se këto nga qeveria dhe shteti shqiptar ndaj
Skenderbeut dhe kujtimit të tij.
Fatkeqsisht, ishim të gabuar -- ka edhe më keq.
E pabesueshme, por
e vërtetë. Jo, more jo, për këtë situatë, nuk ka faj Erdogani, i cili nuk e
fsheh kurrë urrejtjen e tij për Gjergj Kastriotin - Skenderbe. Fajin e kanë vetë shqiptarët, qeveria në
Tiranë, shteti shqiptar, Ministria e Kulturës, Bashkia, e ku ta di unë. Të
gjithë duhet të turpërohen, nëqoftse kanë fytyrë! Lexon njeriu një lajm të
tillë, se në çfarë gjëndje të shëmtuar gjëndet monumenti i Gjergj Kastriotit --
Skenderbe në Lezhë dhe bën pyetjen: Kush janë këta njerëz në krye të kombit
shqiptar që lejojnë një gjë të tillë në “ansamblin arkelogjik”, në vendvarrimin
e Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit - Skenderbe? Nga vinë këta njerëz,“liderë”
të kombi, nga e kanë origjinën, që lejojnë çkombtarizimin dhe zhdukjen
dalëngadalë të identitetit kombëtar. Interesave të kujt i shërbejnë këta njerëz
që nuk çajnë kokën për dukuri të tilla, si ajo në Lezhë? A ekziston ndonjë gjë e shenjtë për ta në
historinë dhe kulturën shqiptare, që duhet mbrojtur. Fati i keq i monumenteve
historike dhe kulturore, anë e mbanë Shqipërisë, dihet tanimë. Harroje Gjergj
Fishtën, Nënë Terezen e monumente të tjera, shumë prej tyre të shpallura
“monumente kulture”, të mbrojtura pra me ligj nga qeveria shqiptare, por që
mbrojtje nuk kanë.
Por se do i vinte
radha edhe ansamblit arkeologjik tek monumenti dhe vendvarrimi i Heroit
Kombëtar Gjergj Kastriotit - Skenderbeut në Lezhë, është vështirë të merret me
mend ose të besohet. Është vështirë, që nga larg. të mësohet e vërteta se në
çfarë gjëndje është dhe ç’po ndodhë rreth Memorialit të Skenderbeut në Lezhë,
pasi mediat e oborrit nuk flasin as nuk shkruajnë.
Por nga një
kronikë në Syri TV VIDEO-SYRI TV/ Memoriali i Skënderbeut në Lezhë - Syri | Lajmi i fundit
mësova se për vite tani, vizitorët vendas dhe të huaj si edhe vet banorët e
asaj zone, përdorin Memorialin e vendvarrimit të Kryeheroit Kombëtar, Gjergj
kastritoit -Skenderbeu, për nevoja personale, pasi ansambli arkeologjik për
rreth vendvarrimit të Skënderbeut nuk është i rrethuar. Sipas kronikës së Syri TV, asnjë ent
qeveritar nuk ka reaguar për këtë situatë të turpëshme në Memorialin e
Skënderbeut në Lezhë – përveç Avoktatit të Popullit, megjithëse kronika e Syri
TV nuk thotë se çfarë tha Zyra e Avokatit të Popullit për këtë situatë të
turpshme kombëtare as nuk pati ndonjë pasqyrim as reagim në media.
Por entet
qeveritare që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, siç
është Memoriali i Skenderbeut në Lezhë, sipas gazetarit të Syri TV, Martin
Markut, siç janë, “Bashkia apo Ministria e Kulturës nuk kanë marrë ende masa,
për të parandaluar atë që qytetarët e cilësojnë si turp për Lezhën”. Unë do të
shtoja se kjo gjëndje e krijuar atje, nuk është vetëm turp për Lezhën, por
eshtë turp për Shqipërinë, për qeverinë
e saj dhe për Ministrinë e ashtuquajtur të “Kulturës”, që nuk kujdeset as nuk
jep fondet, ndërkohë që as nuk tregon vullnetin as interesimin për tu kujdesur
për mirëmbajtjen e vednvarrimit të Shpëtimtarit të Kombit – Gjergj Kastriotit -
Skenderebut. Dihet se Monumenti i Gjergj
Kastriotit në Lezhë është një prej vendeve më të vizituara nga shqiptarët anë e
mbanë botës, por edhe nga evropianë dhe turistë të rajonit. Prandaj është
vështirë të merret me mend se kush janë ato mendje të ndritura të “kulturës” në
qeverinë shqiptare që kanë lejuar që ky monument, tërheqës i turistëve, të
bjeri në këtë gjëndje të turpshme dhe të mjerueshme. Kush janë ata njerëz përgjegjës për
mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës në Tiranë dhe në Lezhë dhe pse duan që
duke lenë në harresë vendin më të shenjtë të kombit, t’i tregojnë vizitorëve të
huaj këtë pasqyrë të shëmtuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve?
TV Syri njofton në
kronikën e para disa ditëve se edhe pas një kronike të transmetuar disa javë më parë nga Syri TV dhe pas vërejtjes së bërë
nga Avokati i Popullit, institucionet përgjegjëse, sidomos Ministria e
Kulturës, me qendrimet e saj arrogante për mos-përkujdesjen ndaj monumenteve
kulturore dhe historike --një arrogancë për të cilën ajo ministri është e
njohur tanimë për disa vite -- nuk kanë marrë asnjë masë, për të ndërhyrë.
Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi tregon edhe se e
kujt është përgjegjësia për këtë situatë. VIDEO-SYRI TV/ Memoriali i Skënderbeut në Lezhë - Syri | Lajmi i fundit
Sipas
një kronike tjetër mbi këtë subjekt, disa javë më parë të Syri TV, thuhet se
“Në mungesë të banjove (publike) qytetarët ju drejtohen mureve antikë për të
kryer nevojat e tyre personale, duke degjeneruar në këtë mënyrë vlerat
historike të këtij qyteti 2400-vjeçar. Ata thonë se mungesa e banjove në
qytet është problem mjaft shqetësues, ndaj bashkia duhet të ndërhyje për
zgjidhjen e kësaj maskarade.” Me të drejtë, sipas Syri TV, shumë turistë ngelin
të tmeruar me ato çfarë shikojnë në një zonë të tillë arkeologjike. Pavarësisht se ky problem vijon prej vitesh
ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare, thuhej në kronikën e
transmetuar në Syri TV, disa javë më parë. VIDEO-SYRI TV/ Varri i Skënderbeut kthehet në ba - Syri | Lajmi i fundit.
Në atë
kronikë të Syri TV theksohet se, “Si në rrallë zona të tilla, ansambli
arkeologjik i Lezhës është pa mure rrethues, duke i lënë mundësinë kujtdo të
futet në të, lehtësisht, për të kryer nevojat personale, por edhe duke i
shkaktuar dëmtime zonës historike,
ndërkohë që deri “në qartësimin se e kujt është përgjegjësia për mbrojtjen e
këtij monumenti si dhe ndërtimin e një banjo publike në Lezhë, memoriali i
Heroit tonë Kombëtar, duket se do të shërbejë ende si nevojtore”, ka përfunduar
kronikën nga Lezha, Syri TV.
I
gjithë kjo pasqyrë e shëmtuar për botën ndaj kujtesës së Heroit Kombëtar dhe
kulturës shqiptare, në përgjithsi, për mungesën e një muri rrethues dhe një nevojtorjeje
publike! Diçka vërtetë nuk është në rregull me atë vend. Ndërsa në Tiranë, shemben shtëpitë e
shqiptarëve duke i hedhur në rrugë të madhe në pikë të dimërit për t’i lënë
vend e hapësirë ndërtimit të pallateve të larta për interesa të errëta kriminale
financiare – qeveria e Shqipërisë nuk gjenë dot fondet për ndërtimin e një muri
të thjesht rrethues të Memorialit të Gjergj Kastriotit- Skenderbeut dhe të
ansamblit arkeologjik për rreth tij në qytetin e lashtë, Lezhë.
Turp e
marre të kini, kushdo qofshi ju – duke filluar nga Kryeministri, Ministria e
Kulturës, si dhe e ashtuquajtura opozita politike në parliament, shoqëria
civile, por sidomos mediat që duhet të jenë sytë dhe veshët e shoqërisë, që
heshtin përball një korije të tillë kombëtare. Ju të gjithë jeni përgjegjës për
këtë situatë të shëmtuar, për këtë koritje kombëtare! Është arroganca juaj, moskujdesja dhe mos
respekti i juaj ndaj Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit -Skenderbeut, ndaj
historisë, identitetit dhe kulturës kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi,
por eshtë edhe heshtja juaj ndaj dukurive të tilla -- që vendin më të shenjtë
të Shqipërisë dhe të shqiptarëve – kompleksin arkeologjik dhe vendvarrimin e
Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në Lezhë -- e keni kthyer në një nevojtore publike!
PS- Jo
se Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë nuk po punon. Njoftohet se
muaji i Janarit filloi me “punë të mira”, përfshir “Planin për menazhimin e
Pallatit të Brigadave”, e të tjera, si
më poshtë…