Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Atdhe e fe!
E shtune, 29.01.2022, 08:40 PM
ATDHE E FE!
Nga
Frank Shkreli
Sipas një idiome,
një fotografi vlen sa një mijë fjalë. Edhe për këtë rast, fotografitë flasin
vet. Por kjo ngjarje flet shumë më shumë se vetëm për një takim, i pasqyruar në
disa foto që mund të shikoni më posht.
Të martën që
kaloi, Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH), në një
gjest njerëzor, atdhetar dhe fetar, vlerësoi Monsinjor Xhorxh Frendon –
ish-kreun e KNFSH-së dhe ish Arkipeshkvin e Tiranë Durrësit – me Çmimin e
“Mirënjohjes”, për vitin 2020. Antarët e Bordit të KNFSH-së u mblodhën këtë
javë për t’i dhenë lamtumirën Mon Frendos me rastin e daljes në pension dhe
largimin e tij nga Shqipëria, duke e vlerësuar atë dhe veprimtarinë e tij në
shërbim të Kishës Katolike Shqiptare, të dialogut, harmonisë fetare dhe të
shoqërisë në përgjithësi, me motivacionin: “Për kontributin e lartë në forcimin e
frymës së dialogut ndërfetar ndër shqiptarët gjatë shërbimit në Shqipëri dhe
për rolin e rëndësishëm në promovimin e vlerave universale, bashkëjetesës,
harmonisë dhe bashkëpunimit ndërfetar si Kryetar i Këshilli Ndërfetar të
Shqipërisë gjatë vitit 2020.”
Në njoftimin e
Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me këtër ast, thuhet se Drejtuesit e
komuniteteve fetare, sekretari i përgjithshëm dhe financierja e KNFSH-së kanë
vlerësuar lart të gjithë kontributin e Mons. Xhorxh Frendos në detyrat e tij
drejtuese, që ka mbajtur gjatë qëndrimit në Shqipëri, si dhe për kontributin
dhe bashkëpunimin gjatë drejtimit të KNFSH-së në vitin 2020. Mons. Frendo ka
shërbyer në Shqipëri për 25 vjetët e fundit dhe së fundmi si kreu i Kishës
Katolike në Shqipëri. Ndërkaq, me anë të
një ceremonie solemne, Presidenti Ilir Meta çmoi muajin e kaluar, Arqipeshkvin
Metropolitan Tiranë-Durrës, Imzot George Anthony Frendo O. P. me Dekoratën
“Nënë Tereza”, me motivacionin: “Në vlerësim
të kontributit dhe veprimtarisë së vyer për ringjalljen e besimit shpirtëror e
të shpresës për një të ardhme më të mirë, si dhe për pjesëmarrjen aktive në
Këshillin
Ndër-Fetar
e në shumë çështje sociale me rëndësi jetike. Me mirënjohje për konsolidimin e
institucioneve të kultit e të besimit fetar, si dhe për forcimin, pasurimin e
mëtejshëm dhe promovimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër fetare
të popullit shqiptar”, thuhet në njoftimin e Presidentit Meta.
Për këtë harmoni e
bashkjetesë midis feve në Shqipëri reagoi edhe Ambasadori Vincenzo Del
Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri -- Kundër panairit te intolerancës - Konferenca Ipeshkvore e
Shqipërisë (kish.al) – me rastin e inaugurimit të pasardhsit të Mons
Xhorxh Frendos, Monsinjorit Arjan Dodaj në postin e Arkipeshkvit të ri të
Tiranë-Durrësit. Siç duket, pjesëmarrja
e përfaqsuesve politikë dhe të komuniteteve fetar të Shqipërisë në ceremoninë e
inagurimit të udhëheqsit të ri të Arkipeshkvisë Tiranë-Durrës, Mons Arjan
Dodajt ka lenë një përshtypje të pashlyeshme në kujtesën e diplomatit të
OSBE-së në Tiranë. N[ sshkrimin e tij titulluar “Kundër Panairit të
Intolerancës”, ai shkruan: “Kontributi që dëshiroj të jap në mënyrë sintetike –
me një kokë të ftohtë – ka të bëjë me fuqinë e të pathënës dhe të imazheve.
Përqafimi i qetë në foto mes Arqipeshkvit dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë
të komuniteteve fetare është për mua po aq i denjë sa predikimet, nëse jo më
shumë. Nga njëra anë, kjo është një paraqitje e shkurtër e kulturës së Mons.
Arjanit, për të qëndruar së bashku në diversitet, për të bashkëpunuar, për të
ndjekur këtë të vërtetë që do që ne të jemi pjesë e të njëjtit mozaik njerëzor
si vëllezër. Sepse asnjë njeri nuk është i plotë në vetvete. Dhe, me besim,
njeriu ushqen krijimin, pa pritur reciprocitet.” Në katedralën e Shën Palit në Tiranë,
“ndjehej ngrohtësia e këtij populli të jashtëzakonshëm, ashtu si buqeta e
hedhur në pikturën e Banskit në Betlehem… na kujtuan madhështinë e popullit
shqiptar, i cili nuk sheh arsye për ndarje të thellë. Pyes veten nëse ky nuk
është një tipar i natyrshëm shqiptar, para ndonjë dimensioni fetar…Është një
shembull që meriton të lavdërohet me zë të lartë, pa e marrë kurrë si të
mirëqenë”, është shprehur Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i
Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Në fjalën e tij
shumë dashamirëse me këtë rast, Ambasadori Del Monaco pyet vetën nëse ky nuk
është një tipar i natyrshëm shqiptar. I nderuar Z. Ambasador harmonia dhe
bashkjetesa kanë qenë dhe janë një tipar shqiptar. Ishte regjimi i Enver Hoxhës
ai që zhduku tiparet më të mira të këtij Kombi të lashtë iliro-arbëror, duke
lënë pas një trashëgimi urrejtjeje të vëllait me vëlla, duke themeluara një
ambijent e atmosferë mos-tolerancë midis shqiptarëve, madje edhe duke shpalli
fenë dhe Zotin ilegal në Shqipërisë e tij komuniste. Është kjo mos-tolerancë
politike që po
shkatërron vendin dhe kombin -- e të cilës jemi sot dëshmitarë në Shqipëri -- trashëgimi
e Enver Hoxhës – që edhe sot shumë veta, përfshir ndërkombëtarët në atë vend,
nuk e shohin si një problem kryesor dhe pasojë e konflikeve të pafund të klasës
politike në atë vend. Shqipëria ka
nevojë të distancohet një herë e mirë nga krimet dhe urrejtjet që regjimi
komunist ka mbjellur thellë në atë vend – përfshir urrejtjet kundër fesë dhe të
Madhit Zot.
I nderuar
Ambasador Del Monaco, në shkrimin tuaj dashamirës, ju pyesni nëse harmonia
fetare ndër shqiptarë është tipike shqiptare.
Nesër, dita e
shtunë, 29 Janari, shënon 50-vjetorin e themelimit të Xhamisë Shqiptare në
lagjën Bruklin të Nju Jorkut. Po e
përmend këtë 50-vjetor (Janar 29, 1972) për të treguar se kishat dhe xhamitë,
sidomos, këtu në Shtetet e Bashkuara janë blerë ose ndërtuar me ndihmën e të
gjithë shqiptarëve të arratisur nga regjjimi komunist i Enver Hoxhës, pa dallim
feje a krahine. Shqiptarët e arratisur nga komunizmi ishin të vetedijshëm të
këtyre tipareve historike. Me atë rast, ish-Kryetari i Këshillit Qendrës Islame
Shqiptaro-Amerikane, Rexhep Kumbarçe, i kishte dërguar një thirrje Ernest
Koliqit që ta botonte në revisten “Shjezat”, drejtuar shqiptarëve kudo në botë
që të jepnin ndihmën e tyre për blerjen e xhamisë së re në Amerikë. Ishin këta
dy burra të Kombit, ndër të tjerë, që po bashkpunonin për të mbledhur fondet
për xhaminë e re në mërgim, sepse të dy këta – besonin në idetë dhe rolin e
“pazevëndsueshëm që luajnë besimet fetare në naltësimin e shpirtënor të
njerëzve dhe të kombeve. E përmend këtë rast sepse ilustron rolin e feve në
historinë e Kombit shqiptar dhe deri diku i përgjigjet pyetjes së Amb. Del
Monaco nëse harmonia dhe bashkjetesa fetare është një tipar historik i
shqiptarëve.
Në komentin e
Ernest Koliqit bashkangjitur thirrjes së Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në
Amerikë për të ndihmuar mbledhjen e fondeve për xhaminë, botuar në Revisit,n
Shejzat të vitit 1972, shkruan: “Përsa i përket fisit shqiptar, historia tregon
se në vërshim të pushtuesve të huaj, feja mbajti gjallë shqiptarizmin, si në
trojet shqiptare, ashtu edhe në diasporë. Feja shpëtoi Kosovën nga
çkombtarizimi, feja mbajti kufijt në veri të Shqipënisë nga turri pushtues i
pansllavizmit. Feja mbajti gjallë ndër Arbëreshët gjuhën e traditat e atdheut
të zanafillës. Feja vuri në gjëndje Fan Nolin, duke krijuar Kishën Autoqefale
Orthodokse Shqiptare, me ba të
dështojnë nënkambësat e anmiqësve
të emnit shqiptar. Natyrisht, në të gjitha këto raste, feja forconte ndjenjën kombëtare:
Atdhe e Fe. Rilindja shqiptare mori hov e zhvillim mbi platformën e besimeve të
bashkueme. Teqetë e Kuvendet qenë qendrat ma veprimtare të lëvizjes rilindëse
në kohën e robnisë”, ka shkruar Ernest Koliqi.
Ndërsa, në apelin
e tij, 50-vjet më parë, ish-Kryetari i Këshillit Qendrës Islame
Shqiptaro-Amerikane, Rexhep Kumbarçe, u bën thirrje të gjithë shqiptarëve pa
dallim feje që të kontribonin pasi siç shprehet, “Solidarsia dhe vëllazënia e
gjakut shqiptar, që në çdo rrethanë ka qenë e vetmja cilësi që ka sigurue, në
të kaluarën, mbijetesën e kombit tonë. Le të jetë e qartë për secilin, se çdo
ndihmë në këtë rast na lidhë, “shpirtnisht” të gjithëve dhe na ve në gjëndje të
ruajmë me vendosmëni të dy faktorët e
doemosdoshëm për një jetesë të lumtun e në paqë: Atdhe e Fe”, ka përfunduar thirrjen
e tij 50-vjet më parë, Rexhep Kumbarçe, ish-Kryetari i Këshillit të Qendrës
Islame Shqiptaro-Amerikane.
Z. Ambasador Del
Monaco të falënderojmë për fjalët tua fisnike, me ketë rast, dhe ju siguroj se
harmonia dhe bashkjetesa fetare në radhët e shqiptarëve, pa dallim, kanë qenë
dhe janë tipare historike të kombit.
“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”. Kjo thënie e poetit të madh të shqiptarëve,
At Gjergj Fishtës ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur
bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë, duke e përcjellë brez pas
brezi. Por urojmë, njëkohësisht, që influencat e
huaja, të mbështetura, fatkeqësisht, nga një pjesë e klasës së sotëme politike
shqiptare, të mos prishin, për qëllime personale, këtë harmoni dhe bashkjetesë
historike fetare ndër shqiptarët -- tipare këto shembullore në historinë e
njerëzimit dhe të doemosdoshme sot për lartësimin shpirtëror dhe
shoqëroro-politik të shqiptarëve dhe të kombit, në përgjithësi. Shumica e
shqiptarëve, qoftë në trojet shqiptare, qoftë në diasporë, jemi krenarë për
këto vlera tipike shqitare të harmonisë fetare, e të cilat u pasqyruan këto
ditë në Tiranë me rastin e ndryshimeve në hierarkinë e Kishës Katolike
Shqiptare dhe pjesëmarrjen e krerëve të
feve të tjera të shqiptarëve. “Është një shembull që meriton të lavdërohet me
zë të lartë”, por siç u shpreh edhe Ambasadori Vincenzo Del Monaco,
Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, “pa e marrë kurrë si të mirëqenë”.