E enjte, 07.11.2024, 06:22 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Ibrahim Rugova 'bashkon' politikën shqiptare

E hene, 24.01.2022, 09:43 PM


IBRAHIM RUGOVA “BASHKON” POLITIKËN SHQIPTARE

Për këtë lloj “vëllazërimi” ka nevojë Kombi Shqiptar!

Nga Frank Shkreli

A thua se tashti kah e vona mund të ketë ndryshuar diçka në diskursin politik të liderëve shqiptarë!?  A po mos ishte, thjeshtë, një rastësi. Një “rastësi”, si ajo e llojit të vizitës së Presidentit të Turqisë, Z. Erdogan në Shqipëri, mu në ditën e kalimit në amshim të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve me 17 Janar -- Gjergj Kastriotit - Skenderbe.  Nuk dua të flasë për vizitën e udhëheqsit turk në Shqipëri, javën që kaloi, në ditën e vdekjes së Skenderbeut – se më ngjallë neveri -- sikur nuk kishte ditë tjetër nga 365 ditët e vitit që ai të vizitonte Shqipërinë. A nuk i dinte qeveria shqiptare ndjenjat e Erdoganit karshi Skenderbeut, historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve?! Rastësi, thonë!

Javën që kaloi, Kombi shqiptar shënoi gjithashtu përvjetorin e kalimit në amshim të një të madhi tjetër të shqiptarëve, Presidentit historik të republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës me 21 Janar.  Ndonëse Gjergj Kastrioti-Skenderbeu -- të pakën deri më tani – është pranuar nga të gjithë shqiptarët pa dallim ideologjie, feje a krahine si Heroi i tyre Kombëtar i cili luftoi Perandorinë Osmane për një çerek shekulli, figura e presidentit Rugova -- njërit prej “burrave të rrallë të Kombit shqiptar”, do ta cilësonte At Zef Pllumi, i vuajturi i krimeve të regjimit të Enver Hoxhës --  nuk konsiderohej si i mbarë pranueshëm as nga armiqtë, as nga kundërshtarët politikë. Ibrahim Rugova sa ishte gjallë është sharë, kritikuar dhe kundërshtuar qoftë nga serbët, qoftë nga shqiptarët kudo, por edhe nga të vetët brenda Kosovës. Madje edhe nga liderët e ndryshëm politikë të shqiptarëve, të ashtuquajtur të “djathtë” e të “majtë” -- anë e mbanë trojeve -- nuk kishin një mendim të njëjtë e disa prej tyre as të favorshëm, për figurën e Ibrahim Rugovës as për kontributet e tija për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, përfshirë ndërkombëtarizimin e asaj që gjatë dekadave para çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, njihej si “çështja e Kosovës”.  Ishte një figurë e cila megjithë konributet e tija të konsiderueshme për arritjet që gëzon sot Kosova në liri dhe demokraci si shtet i pavarur, meritat e tija janë njohur më shumë nga bota perëndimore se sa nga të vetët.

Prandaj nuk e di nëse ishte vërtetë rastësi,  a po në këtë ndërkohë, diçka mund të ketë ndodhur në psikozën politiko-shpirtërore të shqiptarëve, të pakën sa i përket trashëgimisë dhe figurës së Ibrahim Rugovës. Cilado qoftë e vërteta, unë e konsideroj si diçka pozitive që sivjet, në këtë përvjetor të ndarjes nga kjo jetë e Presidentit Rugova (21 Janar, 2006), të gjithë liderët shqiptarë, nga të dy anët e kufirit, dhe të gjitha ngjyrave politike dhe ndryshe nga e kaluara – kujtuan Ibrahim Rugovën dhe kontributet e tija. Pasi shpeshëherë jam i ashpër me klasën politike shqiptare të këtyre 30-viteve “post-komunizëm”, e ndjejë vetën të detyruar që të shënohet ky rast solidariteti në kujtim të Ibrahim Rugovës. Është një rast që nuk më duket të jetë i bashkrenduar pasi disa prej këytre udhëheqsve as nuk komunikojnë me njëri tjetrin, por duket se kanë ardhur në të njëjtin përfundim, vetvetiu, se pa marrë parasysh se si janë sjellur dhe çfarë kanë thënë në të kaluarën për Ibrahim Rugovën -- në këtë përvjetor, ai duhet duhet të nderohet dhe të kujtohet, si një “shembull udhërrëfyes, se si punohet për shtetin”, siç është shprehur, me këtë rast, Presidentja e Kosovës, Zonja Vjosa Osmani.  Uroj të jetë një frymë e re në politikën shqiptare, megjithëse mbetet për tu parë, por sidoqftë, ia vlenë që kjo rastësi edhe e tillë në qoftë, ia vlenë të karakterizohet si diçka që duhet përshëndetur si një shenjë, ndoshta e një pjekurie politike, të cilës i ka ardhur koha.  Si ilustrim, po sjell komentet e liderëve politikë të  Kosovës dhe të Shqipërisë me rastin e 16-vjetorit të ndarjes prej nesh të Presidentit Ibrahim Rugova, duke filluar me Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit.  “Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet”, ka thekësuar Presidentja Osmani.

”Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet.Që të trija u bënë realitet bashkërisht me shtetin e Kosovës.  Sot, në 16-vjetorin e ikjes në amshim, e kujtojmë me respekt dhe përulësi atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova.

“Ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide. Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash.

“Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, të integruar në Bashkimin Evropian, NATO dhe t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë në një nga deklarimet e tij me bindjen e plotë se “pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet plotësisht”.  Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet”, është shprehur Presidentja e Republikës së Kosovës për meritat dhe figurën e Presidentit Rugova.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës Dr.Vjosa Osmani  Sadriu, benë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, në 16 – vjetorin e vdekjes së tijdhe vendosën një kurorë me lule të freskëta. Presidenti Ibrahim Rugova është Presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur me votë popullore, më 24 maj të vitit 1992 dhe mandej është sërish presidenti i parë i Kosovës së çliruar, i zgjedhur në Kuvend të Kosovës, më 4 mars të vitit 2002, thuhet në postimin e Kryeministrit Kurti. Doktor Ibrahim Rugova, para se të ishte President ishte intelektual i angazhuar, njëri paqësor dhe i qetë, racional dhe humanist, thaka thenë Kryeministri Kurti.  “Ai dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore dhe gjithashtu në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, deklaroi ai.  Më tej kryeministri Kurti tha se sivjet, kur ne shënojmë 16 – vjetorin e vdekjes së tij, në të njëjtën kohë, jemi në një vit kur do ta shënojmë edhe 20 vjetorin e tij si president në Kosovën e lirë, më 4 mars dhe gjithashtu 30 vjetorin e tij si president i parë, më 24 maj, përfundon Kryeministri Albin Kurti.

Ndërsa në portalin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta kujtoi gjithashtu Presidentin historik Ibrahim Rugova në 16-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke shkruar:

“Sot kujtojmë ditën kur Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova kaloi në përjetësi 16 vite më parë. Ideatori dhe vizionari i realizimit të projektit të lirisë, pavarësisë dhe përcaktimit euroatlantik të Kosovës, do kujtohet me nderim si modeli më i mirë i urtësisë, durimit dhe largpamësisë, në interesin më të mirë të popullit dhe vendit.”

Kurse, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi  Rama thekësoi me këtë rast, sipas një deklarate në portalin e tij, se “Në këtë ditë të ngarkuar emocionale të vitit, kujtojmë edhe njeriun e madh të historisë së Kosovës, udhëheqësin më atipik ndër të shquarit e historisë sonë, presidentin e parë të shtetit tjetër të pavarur të shqiptarëve, Ibrahim Rugovën, i cili u nda nga jeta sot e 16 vjet më parë, por në çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës sonë kombëtare.”Ish- Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha postoi këtë mesazh në 16-vjetorin e ndarjes nga kjo jetë e Ibrahim Rugovës. “Te dashur miq, 16 vite me parë familja, miqtë, bashkëpuntorët e tij, qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët i dhanë lumtumirën e fundit Presidentit Ibrahim Rugova, njërit prej burrave më të shquar të kombit tonë, intelektualit mendje ndritur, shtetarit dhe politikanit gjeni, misionarit vizionar e arqitektit te lirisë dhe pavaresisë së Kosovës.  Sot te gjithe shqiptaret kudo qe jane perulen me nderimin me te madh, mirenjohen me te thelle para kujtimit dhe vepres se pavdekshme te Presidentit te ndjere Dr Ibrahim per gjithçka beri ai per lirinë e shqiptarëve dhe dinjitetin e kombit tonë.  Por sot pas 16 vitesh Edvin Kristaq Rama, argati i Vuçiçit në një akt vasaliteti antikombëtar me urdher të Beogradit nuk lejon për të shtatin vit me radhë vendosjen në Tiranë të shtatores të Presidentit të ndjerë Dr. Ibrahim Rugova, duke harruar se ai ka fituar përgjithmonë perjetesinë në zemrat e shqiptarëve dhe panteonin e lirisë së tyre. Nderim per jetë të jetëve, kujtimit të ndritur dhe veprës së pavdekshme të presidentit, Dr Ibrahim Rugova”, ka përfunduar mesazhin e tij Dr. Sali Berisha.

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha përkujtoi ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në mesazhin e tij, Basha shprehu vlerësime për figurën e liderit historik të Kosovës, i cili mbushi 16 vite që është ndarë nga jeta.  “Ne përulemi me mirënjohje të thellë kombëtare në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, para emrit dhe veprës së përjetshme të Ibrahim Rugovës, simbolit të përpjekjeve të Kosovës për pavarësi dhe shqiptarit që udhëhoqi lëvizjen më të madhe paqësore të Evropës moderne. Arkitekti i pavarësisë së Kosovës mbetet frymëzim për çdo shqiptar që e ka të shenjtë interesin kombëtar. Trashëgimia e tij politike dhe intelektuale, shndrin si arritja më e madhe e një lëvizjeje politike paqësore, e mishëruar sot në shtetin e pavarur të Kosovës”, është shprehur Z. Basha në mesazhin e tij.

Dr. Ibrahim Rugova ka thenë se në jetën dhe veprimtarinë e tij ai është frymëzuar nga personalitete botërore dhe nga figura të njohura të historisë kombëtare të shqiptarëve, si ipeshkvi i madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani, Gandhi, Martin L. King, Vaclav Havel, Papa Shën Gjon Pali dhe Sh?n Nënë Tereza – Gonxhe Bojaxhiu, ndër të tjerë.

Gjatë tri dekadave të kaluara, kam kritikuar shpesh këtë klasë politike, sidomos për grindjet dhe konfliktet politike midis tyre, në dëm të interesave kombëtare dhe në mbrojtje të interesave personale e partiake të tyre. Shpesh na duket se liderët e sotëm të shqiptarëve me fjalët dhe veprimet e tyre, vërtetë, po i shterrin burimet e shpresës për një jetë më të mirë, për shqiptarët kudo. Duket sikur asgjë nuk ndryshon për më mirë, sidomos, në Shqipëri. Prandaj, rastësi ose jo, mu duk se kujtimi i Ibrahim Rugovës, në këtë përvjetor të vdekjes nga përfaqsuesit kryesorë politikë shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, ma mori mendja se ia vlen ta vemë në dukje si diçka pozitive. Shpresa se, ndoshta, gjithçka nuk është humbur, se Perëndia gjithnjë e do Shqipërinë dhe shqiptarët – siç ka thënë Fishta, për inat të djallit e të vet shqiptarëve -- dhe se shqiptarët vet kanë ende fuqi të reja në gjakun e tyre iliro-arbëror për t’i dhenë një flakë të re vëllazërimit të vërtetë midis shqiptarëve, për një Shqipëri më vëllazërore, më të drejtë e më moral – për një Shqipëri të denjë për të gjithë shqiptarët pa dallim. Të bashkuar rreth Ibrahim Rugovës në këtë përvjetor, shërben sot dhe në të ardhmen, si frymëzim për mbrojtjen e identitetit kombëtar, interesave kombëtare të shqiptarëve, të lirive dhe vlerave demokratike, shembull i qendrësës qytetare, si misionar i paqës, si vizionar dhe promovues i vlerave dhe i lidhjeve miqësore dhe të përhershme të kombit shqiptar me Shtetet e Bashkuara dhe me botën perëndimore.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora