E merkure, 09.10.2024, 08:00 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Një Ambasador Amerikan i cili ndërtoi ura të përhershme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës - ndërroi jetë

E marte, 29.03.2022, 09:49 PM


NJË AMBASADOR AMERIKAN I CILI NDËRTOI URA TË PËRHERSHME MIDIS SHTETEVE TË BASHKUARA DHE KOSOVËS – NDËRROI JETË

Nga Frank Shkreli

Ambasadori aktual i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Jeff Hovenier në portalin e Ambasadës amerikane në Prishtinë njoftoi lajmin e zi për kalimin e parakohëshëm në amshim të Ambasadorit dhe diplomatit të njohur amerikan, John Menzies, 1948-2022.

“Mbajmë zi për humbjen e një kolegu dhe diplomati të dalluar, Ambasadorit John Menzies. John, ishte një mbështetës besnik dhe i palëkundur i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Në detyrën e tij si diplomat dhe edukues ai preku aq shumë jetë njerzish dhe ndërtoi ura të përhershme midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme.”

Ambasadori Hovenier e ka fjalën për shërbimin me dinjitet të John Menzies në Bosnje, ku i ndjeri ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, por edhe në Kosovë në vitet 2001-2002 -- “Në vitet më të errëta të ditëve tona”, siç u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, me rastin e kalimit në amshim të këtij burri të madh të diplomacisë amerikane. Në ngushëllimin përcjellur familjes dhe miqëve të Ambasadorit Menzies, Presidentja e Kosovës shkroi se, “Ai shërbeu në Kosovë në ditët tona më të errëta dhe i përforcoi thirrjet tona për paqë dhe pavarësi”, ka thënë Presidentja Osmani. “Ambasadori John Menzies”, tha në vijim Presidentja e Kosovës, ishte, “mik i madh i vendit tonë dhe ish-Shef i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, në një kohë të vështirë për Kosovën.  “Ai shërbeu në Kosovë në ditët tona më të errëta dhe i përforcoi thirrjet tona për paqë dhe pavarësi”, përfundon Zonja Osmani mesazhin e saj të ngushëllimeve të sinqerta dërguar, në emër të Kosovës, familjes dhe miqëve të diplomatit John Menzies.

Të ndjerin John Menzies e kujtoj edhe unë nga vitet e shërbimit tim në Zërin e Amerikës, si dhe nga disa takime në Washington dhe më vonë në Nju Jork. Ai  vinte shpesh i ftuar në intervista, për të diskutuar gjëndjen në Ballkan, me shërbimet e programeve radio-televizive drejtuar vendeve ballkanike, sidomos shërbimit boshnjak por edhe të tjerave.  Diplomati Menzies ishte mjaft i lidhur edhe me komunitetet amerikano-ballkanike, sidomos me shqiptarët dhe me boshnjakët – ndërkohë që edhe merrte pjesë i ftuar edhe në takime me përfaqësues të këytre komuniteteve. Kishte marrëdhënie të mira me komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork – veçanërisht gjatë shërbimit të tij në Misionin e SHBA-ve pranë OKB-së --  ndërkohë që kishte lidhje të ngushta edhe me Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugovën.

Në një mesazh lamtumire, ish-përfaqësuesi i Ibrahim Rugovës në Zyrën e ish-Senatorit Robert Dole dhe aktualisht Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Z. Elmi Berisha -- Lamtumirë Ambasador John Menzies! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com) – e cilëson ish-diplomatin amerikan në Kosovë, si një “humanist dhe misionar që Zoti u dërgon kombeve të lashta dhe liridashëse”, siç ishin shqiptarët.

Kryetari i Vatrës, sikur po shprehej në emër të gjithë shqiptarëve që e kanë njohur dhe atyre që nuk e kanë njohur ish-diplomatin Menzies dhe veprën e tij në mbështetje të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve, lirisë dhe pavarësisë  që gëzon sot Kosova, duke thenë, ndër të tjera:   E deshte shumë Kosovën, Presidentin e saj historik, ishe më shumë se ambasador në Kosovën e pas luftës, na inkurajoje dhe na jipje shpresa reale se Kosova de fakto është shtet i pavarur, besove dhe punove shumë që kjo të jetësohet! Nga njerëzit e kalibrit Tuaj ndryshohen rrjedhat e politikës, ato shoqërore dhe të historisë. Kështu do të kujtoheni nga shqiptarët dhe Kosova, z. Ambasador”, ka shkruar Z. Elmi Berisha me rastin e kalimit në amshim të ish-përfaqsuesit amerikan në Kosovën e pas luftës.

Pas daljes në pension nga Departamenti Amerikan i Shtetit, John K, Menzies ka shërbyer në shumë detyra akademike të Shteteve të Bashkuara, përfshir dekan i Whitehead School of Diplomacy and International Relations at Seton Hall University; në University of California, Berkeley dhe në University of Arkansas.

Z. Menzies ka sshërbyer edhe si president i Graceland University in Lamoni, të shtetit Iowa, shtator 2002, gusht 2006.  Ish-Ambasadori Menzies ishte përgjegjës për regjistrimin e më shumë se 300-studentëve ndërkombëtarë në Graceland University, duke tërhequr shumicën e tyre nga vendet ballkanike.
Në janar të vitit 2006, Z. Menzies vizitoi Kosovën për këshillime në lidhje me bisedimet përfundimtare për pavarësinë e Kosovës, bisedime, që në atë kohë po mbaheshin në Vjenë.  Përveç Kosovës dhe Bosnjës, ai ka shërbyer si diplomat edhe në Hungari, ish-Gjermaninë Lindore dhe në Bullgari. Zyra e Presidentit të Kosovës, në vitin 2014 ka dekoruar Z. John Menzies me Medaljen Presidenciale, dekorata më e lartë e shtetit të Kosovës.

Fatkeqësisht, miqtë e Kombit Shqiptar të 50-viteve të kaluara duket sikurë po zhduken dal ngadalë – sidomos ata në radhët e diplomacisë dhe të politikës amerikane.  Po zhduken ata që, në të vërtetë, për pothuaj një gjysëm shekulli, ndërtuan ura midis dy kombeve tona dhe të cilët u qëndruan besnikë dhe të palëkundur lidhjeve historike midis dy popujve tanë.

Pushofsh në paqë, John K. Menzies!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora