Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Stalini i ri pushton Ukrainën, i vjetri ripushton Tiranën
E shtune, 19.03.2022, 10:06 PM
NDËRSA STALINI I RI NË MOSKË PUSHTON UKRAINËN, STALINI I VJETËR RIPUSHTON TIRANËN
Nga
Frank Shkreli
Më poshtë është
lajmi i rrjetit të televizionit të Tiranës, ABC News i datës 10 Janar, 2022.
Pothuaj, për tre muaj as nuk e përmendi kush më këtë lajm se busti i Stalinit
po rishfaqej në “mesin e Tiranës”. Por
mbrëmë në një program tek Syri TV u treguan fotografi aktuale të bustit të
Stalinit dhe të Leninit, rivendosur një hapësirë publike në Tiranë. Si është e mundur që për tre muaj nuk i vuri
re askush bustet e Stalinit dhe të Leninit në mes të Tiranës? ASshtu siç kishte
ndodhur me monumentin dedikuar “heronjëve” të Erdoganit, që u vendos në Tiranë
ashtu në hestje dhe pa publicitet. Punët e këqia ashtu bëhen gjithmonë, larg
szve të publikut. Ku është “media e lirë” në Shqipëri? A po nuk i bën askujt, asnjë përshtypje një shfaqje
e tillë e shëmtuar në kryeqytetin e shqiptarëve, një kombi që ka vuajtur më së
shumti nga komunizmi. I mrekullueshëm
është fakti që rinia shqiptare dhe element të tjerë të shoqërisë shqiptare, më
në fund, po zgjohen dhe po protestojnë padrejtsditë. Nuk mjafton të protestohet
për çmimet e larta, sado që keni të drejtë të protestoni, sidomos, nën kushtet
ekonomike të atij vendi. Ia vlen të protestohet edhe për vlera të tjera, për
vlerat kombëtare, për lirinë dhe demokracinë e vërtetë – jo për “lirinë dhe
demokracinë”, që simbolizojnë bustet e Stalinit dhe të Leninit, të rivendosura,
sipas disa lajmeve, në hapësirat publike të Tiranës.
Çfarë qeverie
është kjo dhe çfarë shteti është ky që lejon një gjë të tillë dhe me çfarë
shoqërie kemi të bëjmë pas 32 vjet të shembjes së Murit të Berlinit, që toleron
rishfaqjen dhe vendosjen e busteve të Stalinit dhe Leninit, mu në mes të
Tiranës. Ku janë përfaqësuesit
ndërkombëtarë në Tiranë, përfshir Ambasadën e Shteteve të Bashkuara që nuk
reagojnë ndaj dukurive të tilla në një shtet anëtar të NATO-s dhe aspirant për
antarësim në Bashkimin Evropian. More me Stalinin e Leninit do futeni ju në
Evropë?
Shoh se Ambasada
jonë, përmend shpesh dhe me krenari, se ky vit shënon 100-vjetorin e
marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Po çfarë të festojmë more të nderuar në këtë
100-vjetor, rivendosjen e busteve të Stalinit dhe të Leninit në mes të Tiranës,
në një kohë që stalini i ri në Moskë, Putini, adhurues i Stalinit të “madh”,
siç e quante Enver Hoxha, pushton një vend paqësor e demokratik dhe po kërcënon
botën me luftën e tretë botërore dhe me armë bërthamore. Do festoni me këtë
qeveri shqiptare që lejon rivendosjen e busteve të këtyre kriminelëve të huaj
komunistë në tokën shqiptare. 32 vjet
pas gjoja shembjes së komunizmit në Shqipëri – ju do të festoni 100-vjetorin e
marrëdhënieve amerikano-shqiptare me këta apologjetë të komunizmit
ndërkombëtar? “Krah për krah”, me këta
përfaqsues sot që pretendojnë të jenë të Kombit shqiptar, por që promovojnë
figura të tilla kriminale të historisë botërore dhe armiq të përbetuar të
shqiptarëve gjatë historisë, duke lejuar ose injoruar rishfaqjen e busteve të
baballarëve të komunizmit në Tiranë. Çfarë vlerash përfaqësojnë këta njerëz, si
liderë të shqiptarëve të vuajtur nga komunizmi, që meritojnë respektin tonë.
Dikush mund të
pyes, po çfarë ka të bëjë 100-vjetori i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane me
rivendosjen e busteve të Stalinit dhe Leninit në mes të Tiranës. Ka të bëjë
shumë! Ka të bëjë me vlerat e përbashkëta midis dy popujve, për të cilat shpesh
janë shprehur diplomatët tanë në Tiranë. Dy popujt tanë, shqiptarët dhe
amerikanët, kanë vlera të përbashkëta, por jo me këta politikanë shqiptarë që
lejojnë praninë e këtyre kriminelve komunistë, qoftë edhe bustet e tyre, mu në
qëndër të Tiranës. Për mua vlerat, që simbolizojnë Stalini dhe Lenini, si dhe
prania e busteve të tyre në mes të Tiranës -- si në kohën e Enver Hoxhës -- nuk
përbëjnë “vlera të përbashkëta” shqiptaro-amerikane që duhet të festohen, “krah
për krah”, me këtë klikë politike të papërgjegjëshme ndajë popullit të vet dhe
ndaj historisë kombëtare, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve
amerikano-shqiptare. Të pakën ne shqiptaro-amerikanët – taksapagues të këtij
vendi të dashur e të bekuar për ne -- meritojmë një konsideratë pak më të madhe
se kaq nga përfaqsuesit tonë diplomatikë, sidomos për ata mijëra
shqiptaro-amerikanë, familjet e të cilëve janë burgosur e pushkatuar, pikërisht
se pse kundërshtonin komunizmin ndërkombëtar që përfaqësonte Enver Hoxha me mikun
e tij të madh, Stalinin. Merreni me mend se si u duket atyre
shqiptaro-amerikanëve kur të vizitojnë Tiranën dhe të shohin bustet e Stalinit,
Leninit e ndoshta edhe të Enver Hoxhës, mund të mes të Tiranës?
Të nderuar
diplomatë amerikanë dhe evropiano-perëndimorë në Tiranë, mos heshtni përball
dukurive të tilla në Tiranë, siç është rivendosja e bustit të Stalinit,
dishepullit dhe mësuesit të Enver Hoxhës, i cili i shkaktoi aq vuajtje, dhimbje
e krime Kombit shqiptar. Rishfaqja e
busteve të Stalinit dhe Leninit në Tiranë të Shqipërisë, “post-komuniste”,
anëtare e NATO-s, janë rezultat i drejtë për drejtë i dështimit politik të
kësaj klase politike shqiptare “post-komuniste” për tu distancuar nga
komunizmi, por edhe dështim i diplomatëve perëndimorë në Tiranë gjatë këtyre
32- viteve, të cilët asnjëherë nuk kanë kërkuar – të pakën jo publikisht -- nga
kjo klasë politike “post-komuniste”, që të dënojnë krimet e komunizmit të Enver
Hoxhës në Shqipëri dhe të përballen njëherë e mirë me krimet e regjimit komunist
në atë vend. Siç e shihni, marrja e fotove “krah për krah” me këta përfaqsues
të qeverisë shqiptare sot – që lejojnë ringritjen e busteve të Stalinit dhe
Leninit në Tiranë -- fotot nga platformat e anijeve amerikane të ankoruara në
Durrës, disa muaj më parë -- nuk mjaftojnë. Shqiptarët meritojnë më shumë se
kaqë në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikano. Mos heshtni të
nderuar diplomatë! Mos u bëlni pjesë e sallës së turpit (Hall of shame) me ata
politikanë shqiptarë që refuzojnë për 32
vjet tani të dënojnë krimet e komunizmit dhe të përballen zyrtarisht dhe
seriozisht me të kaluarën e tmershme komuniste në Shqipëri. Flisni për vlerat e verteta perëndimore që
bashkojnë dy popujt tanë!