Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Përjetësohet emrin i Fan Nolit në Amerikë
E merkure, 06.04.2022, 09:09 PM
PËRJETËSOHET EMRI I FAN NOLIT NË AMERIKË
Në
kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve ameriano-shqiptare
Nga
Frank Shkreli
Aktivisti
i komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, Mark Gjonaj, para disa
ditësh, njoftoi komunitetin këtu në Nju Jork dhe anë e mbanë Amerikës se të
shtunën me 9 prill në ora 12, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461,
do të zhvillohet ceremonia e emërimit të një rruge në kujtim të Fan Nolit, në
adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461. Në njoftimin për këtë
ngjarje që më dërgoi Z. Mark Gjonaj, thuhet se ky është, vërtetë, “një rast i
jashtzakonshëm për komunitetin shqiptaro-amerikan, ndërsa festojmë trashëgiminë
tonë në këtë vend si edhe kontributet tona si qytetarë, në jetën dhe
veprimtarinë e Shteteve të Bashkuara”.
Njëri prej nesh, si emigrant në këtë vend, Fan Noli (1882-1965) ka qenë
një udhëheqës shqiptar, kryeministër, shkrimtar, akademik, diplomat, politikan,
historian, orator si dhe themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe
bashkthemelues i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Amerikë, thuhet në njoftimin
që më dërgoi Z. Gjonaj. Prandaj, është me vend që të zhvillojmë këtë ceremoni
për një individ i cili ka kontribuar aq shumë, jo vetëm për komunitetin tonë,
por dhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Atdheun tonë, thekson Mark Gjonaj në
njoftimin e tij.
Ceremonia
e emrimit të një rruge të Bronksit në emër të Fan Nolit – e mbështetur nga disa
dyzina organizatash shqiptaro-amerikano -- duhej të ishte zhvilluar fillim
muajin e kaluar, në përvjetorin e vdekjes së Nolit (13 Mars 1965), por për
arsye të disa çeshtjeve administrative u shty për këtë javë. Ishte caktuar
muaji i Marsit edhe për arsye të datës 15 Mars, 19991, data e rivendosjes së
marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe
për të shënuar gjithashtu edhe 100-vjetorin, këtë vit, të vendosjes së
marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Është me fat kjo koincidencë, sepse siç dihet,
Fan Noli ka qenë promovuesi dhe vazhdon të jetë simbol i këtyre
marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis dy kombeve tona. Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve
mbi të cilat ndërtuan e forcuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas
tij, por sidoqoftë, ato mbeten pjesë e trashëgimisë së tij. Këta dy
përvjetorë janë një rast që të mos harrohet roli dhe
kontributi që Fan Noli ka dhënë në fushën e diplomacisë midis dy kombeve
tona.
Ia
vlen të rikujtojmë, në kuadër të ceremonisë për emrimin e një rruge në nder të
tij të shtunen në në Nju Jork, rolin dhe përpjekjet e Nolit për të
bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson, që Amerika të mbështeste pavarësinë e
shtetit të ri shqiptar. Njihet tani gjerësisht fakti se Noli ia doli të
siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së
Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të
kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të
Shqipërisë”. Ishte ky një angazhim i fortë i Presidentit Uilson që
ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i
Fan Nolit, në fushën e diplomacisë, në mbrojtje të interesave shqiptare.
Arritjet
e Fan Nolit në fushën e historisë kombëtare dhe fetare të Kombit
shqiptar, janë gjithashtu të shumta dhe të mëdha. Rolin e tij
në fushën e diplomacisë, siç ishte ndërmjetësimi i tij me
Presidentin amerikan Uilson në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të
vendosur vetë fatin e saj, si dhe pjesëmarrjen që thuhet se e dalloi
atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në mbrojtje të interesave të
kombit të vet -- besoj se përbëjnë vepër kulminante të veprimtarisë së këtij
gjiganti të kombit shqiptar. Gazeta angleze ‘London Daily
Mail’ kishte venë re, në atë kohë, zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe
si rrjedhim e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë, jo vetëm ndër
shqiptarët, por të mbarë Ballkanit.
Suksesi
i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e
Lidhjes së Kombeve në Gjenevë e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat
të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të
dalluar të jetës politike dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha
kohërave. Ndërsa si anëtar i komunitetit
shqiptar në Shtetet e Bashkuara ai ka
shërbyer si zëdhënës dhe përfaqësues i denjë i të drejtave të
shqiptarëve kudo ndërkohë që vet emri i tij reflekton edhe sot promovuesin
e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, edhe në këtë 100-vjetor të vendosjes së
këtyre marrëdhënieve.
Të
shtunën me 9 prill, komuniteti shqiptaro-amerikan në Bronks të Nju Jorkut, me
emrimin e një rruge në nder të tij, do të kujtojë njërin prej shqiptarëve më të
njohur të këtij komuniteti, por edhe një burrështetas të dalluar dhe
diplomatin shqiptar, i cili me veprat e tij kombëtare në të kaluarën, në
vazhdimësi nderon edhe sot Kombin shqiptar në përgjithësi dhe komunitetin
shqiptar në Shtetet e Bashkuara, në veçanti.
Kjo është edhe arsyeja që Z. Mark Gjonaj ka punuar aq gjatë dhe me aq
vendosmëri për të nderuar këtë burrë të madh të Kombit shqiptar me emrimin e
një rruge në Nju Jork, në emër të këtij shqiptaro-amerikani të njohur të botës
shqiptare. “Të një burri me të cilin do krenohej çdo vend”, do
shkruante gazeta britanike, ‘Manchester Guardian në vitin 1924. Fan
Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë
të Kombit shqiptar. Është thënë se së bashku, Fan Noli dhe Faik Konica,
këta dy burra të mëdhej të Kombit shqiptar, kishin vendosur Bostonin si
kryeqendrën e veprimtarisë së atëhershme patriotike dhe diplomatike shqiptare
në të njëjtin nivel me qendrat e lëvizjeve patriotike shqiptare të trojeve
shqiptare, Vlorën dhe Prizrenin. Ata e dinin ku ta vjerrnin
pushkën e ku t’i kishin shpresat për të ardhmen e kombit të vet – në Amerikën e
Washingtonit, Xhefersonit dhe Wilsonit, vendit të lirisë dhe të demokracisë.
Rruga
me emrin e Fan Nolit në Nju Jork do ua kujtojë këtë fakt brezave të tanishëm
dhe të ardhëshëm të shqiptarëve në Amerikën tonë të dashur por edhe shqiptarëve
kudo, e sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork. Fan Noli citohet të ketë thënë se Shqipëria
dhe shqiptarët i kanë shumë borxhe Amerikës. Në kuadër të këtij 100-vjetori të
marrëdhënieve midis dy vendeve tona mike – të dyja të dashura shumë për të
gjithë ne -- komuniteti shqiptaro-amerikan, falë përpjekjeve të aktivistit të
dalluar të komunitetit tonë Mark Gjonaj – po i këthen një borxh sado të vogël
Fan Nolit për punën e tij si promovues i këtyre marrëdhënieve dhe i
veprimtarisë së tij kombëtare dhe fetare, në përgjithësi gjatë shekullit të
kaluar, këtu në Shtete e Bashkuara.
Fan
Noli me udhëheqës të tjerë botërorë, të ftuar nga Presidenti Woodrow Wilson,
për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara
më 4 Korrik, 1918.