Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kryeministri Edi Rama tallet me Amerikën në prani të Yuri Kim
E shtune, 02.04.2022, 07:58 PM
KRYEMINISTRI RAMA TALLET ME AMERIKËN NË PRANI TË YURI KIM
Me aluzion e
cilësoi atë si Sekretare të Partisë së Punës
Nga Frank Shkreli
Heret ose vonë do
ndodhte edhe kjo në Shqipërinë e çudirave. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
është tallur publikisht, pa kursyer fjalë as inat ndaj Amerikës, madje edhe në
prani të Ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim. Rasti ishte një ceremoni që u zhvillua me 18
mars në një prej sallave të Universitetit Bujqësor në Tiranë për nënshkrimin e një marrveshje
midis Universitetit të Bujqësisë (UBT) dhe
Universitetit të Miçiganit të Shteteve të Bashkuara. Nëqoftse dikush mendonte se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane
-- 32 vjet pas rivendosjes së tyre me 15 Mars, 1991 dhe në prak të 100-vjetorit
të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës në
fillim të shekullit të kaluar – të pakën duke përjashtuar periudhën e zezë të
regjimit të Enver Hoxhës -- konsiderohen si diçka e shenjtë dhe se janë aq të
veçanta dhe të paprekshme për dy popujt tanë – mendoni mirë edhe njëherë –
Think again!
Sidoqoftë,
siç shihet nga videoja që pason-- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural | Facebooke – (Shikoni 5-minutat e
fundit të videos për subjektin e këtij shkrimi modest), çdo gjë duket se shkoi
mirë fillimisht, folën të gjithë që ishin në program të flisnin, përfaqsues të
dy universiteteve, si dhe Ambasadorja amerikane, Z. Kim dhe më në fund edhe
Kryeministri Rama. Ambasadorja e SHBA-ve
në Tiranë, duke e lidhur nënshkrimin e marrëveshjes midis dy universiteteve, me
100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, tha: “Nuk mendoj se ka mënyrë më të
përshtatshme për të festuar 100 vjet së bashku. Siç shumë prej jush e dinë,
janë bërë 100 vjet që kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën,
zyrtarisht, marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Dhe është shumë e përshtatshme
që, ndërsa festojmë 100 vjet së bashku, ne bëjmë diçka që mishëron vërtet
rritjen, aktin e punimit të tokës së bashku, kultivimin e ushqimit së bashku,
mbështetjen e njëri-tjetrit. Prandaj ne jemi shumë të kënaqur që shohim
nënshkrimin e këtij Memorandumi Mirëkuptimi sot”, është shprehur Zonja Kim.
Por, ndërsa Zonja
Kim po fliste me të gjitha tonet pozitive për marrëveshjen dhe për marrëdhëniet
dy palëshe, dukej se Kryeministri i Shqipërisë po vlonte brenda vetes, i
zemëruar për diçka, me Amerikën. Rama
nuk tregoi se pse ishte aq i trazuar dhe çfarë po e shqetësonte që të ishte aq
kritik dhe ironik, deri në tallje, ndaj Shteteve të Bashkuara, por më në fund u
“shfry”, nxorri inatin, duke folur rëndë dhe duke ofenduar Amerikën para trupit
akademik të universitetit shqiptar, (të cilët zgërthiheshin nga komentet e Edi
Ramës si dikur kur Enver Hoxha kritikonte Amerikën në Kongreset e Partisë
komuniste), studentëve afganë e shqiptarë, përfaqsuesëve të Universitetit të
Michiganit, zyrtarëve të USAID, të cilët sipas gjasave nënshkruan edhe çekun
për këtë marrëveshje. Kryeministrit shqiptar nuk ia ndiente fare! Ai, në fjalën e tij paralajmëroi afganët që
të mos “mërziteshin” se “përtej oqeanit”, (në Amerikë) “nuk do t’ju trajtojnë
kaq mirë sa ju trajtojnë këtu”. Se, “SHBA po marrin jo aq (afganë) sa premtuan, por
një pjesë, se e kanë një çikë të zakontë që premtojnë shumë dhe bëjnë më pak
seç premtojnë, por kur vjen puna tek gjërat konkrete. Por kur vjen puna tek
standardet dhe vlerat pastaj aty na japin pa pushim gjatë gjithë kohës dhe nga
ato kanë shumë. Ne i marrim me kënaqësi dhe po qe puna për standarde, për
vlera, për predikime, i kemi këtu. Nuk ka ditë natë, të na japin me bujari të
madhe, ça duhet të bëni dhe kur vjen puna tek gjërat konkrete japin, por një
çikë më me kujdes, se nuk kanë të shkretët, nuk janë në pozitë që të japin
shumë, s’ka problem. Na vjen shumë mirë që sot jemi të gjithë bashkë këtu, edhe
me ambasadoren. Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori, ju garantojmë zonja
ambasadore, m’u kujtua koha kur vinte sekretari i partisë dhe thoshte ai dekani
vjetër, ju garantojmë se do punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për
ne. Edhe ne ju garantojmë, patjetër. Faleminderit shumë, këto kisha unë dhe
suksese, rroftë miqësia shqiptaro-afgane”, ka uruar me ironi Rama, me këtë
rast.
Yuri
Kim: “Çfarë nuk shkon me ty?” (What’s wrong with you”), ka reaguar Zonja Kim,
shoqëruar me të qeshurat e saja, megjithëse nuk kishte asgjë për tu qeshur pas
ironizimit dhe kritikave të Edi Ramës ndaj marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
“Jam e sigurt që nuk ishte përkthimi korrekt. Dëgjova diçka të çuditshme”,
ishte reagimi i Zonjës Kim, në vend që të kundërshtonte fjalët ofenduese të Edi
Ramës kundër Amerikës dhe të mbronte nderin e vendit që ajo përfaqëson si dhe
ndihmat (financiare dhe të tjera) që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë dhe japin
për Shqipërinë, jo vetëm këto 30-vite tranzicion, por edhe gjatë 100-viteve të
vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Pasi siç është shprehur dikur
Fan Noli, Shqipëria është një vend që, “i ka aq shumë borxh Amerikës”.
Pa
asnjë përgjigje të mëtejshme nga Zonja Kim, këtu përfundoi ofendimi publik i
Kryeministrit Rama ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ndaj Zonjës Kim. Unë kam qenë
kritik i Zonjës Kim për shumë gjëra të veprimtarisë së saj në Tiranë gjatë dy
viteve të kaluara, sidomos për perceptimin e një numri të madh shqiptarësh, si
dhe të opozitës), e të qenit palë me qeverinë Rama për shumë çeshtje, përfshir
mos dënimin e krimeve të komunizmit dhe mospërballimin e Shqipërisë me të
kaluarën e sajë komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste
evropiane. Koha po e tregon se kisha të drejtë.
Bazuar në miqësinë e ngushtë që mund të kenë këta të dy si shokë ose
miq, mund të jetë që Edi Rama i justifikon këto ofendime ndaj Zonjës Kim dhe
SHBA-ave si diçka midis nesh, ose si bisedë kafeneshë. Por sa për kujtesë: Në atë tubim, Zonja Kim
ishte përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Zonja Kim nuk
ishte aty si, “Sekretare e Partisë së Punës”, së Shqipërisë, siç aludoi
Rama. Normalisht, në Shqipëri, ajo as
nuk duhet të flasë në emër të ndonjë partie, personi ose interesi tjetër,
përveç Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendit që
përfaqëson.
Prandaj,
si një shtetas shqiptaro-amerikan, -- në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane – i bëj thirrje Z. Rama, t’i kërkojë falje Zonjës Kim dhe
nepërmjet saj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjuha që përdori në takimin e 18 marsit 2022,
publikisht, kundër Shteteve të Bashkuara, nuk është e përashtatëshme,
diplomatikisht, as e denjë për një Kryeministër të Shqipërisë. Si udhëheqës i
Shqipërisë (një vend mike e Shteteve të Bashkuara), është turp të talleni dhe
të ironizoni me Amerikën, ashtu siç bëtë në tubimin e 18 marsit, në
Universitetin Bujqësor të Tiranës, gjatë nënshkrimit të marrveshjes së re midis dy
universiteteve në fjalë -- Shtetet e Bashkuara – Shqipëri -- sidomos kur bie në
përvjetorin e 100-të të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Me këtë rast mungonte, fatkeqësisht, edhe reagimi i duhur i Zonjës Kim.
“What’s wrong with you”, nuk mjaftonte me këtër rast.
Në
këtë ndërkohë, Ambasada amerikane në Tiranë dha një
lajm të mirë për marrëdhçniet amerikano-shqiptare, duke njoftuar këtë javë se
vlefshmëria e vizave për aplikantët shqiptarë të kualifikuar për viza të reja
turistike dhe biznesi në Amerikë do të zgjatet nga 3 vjet në 10 vjet, gjë që do
të thotë se vizat turistike dhe të biznesit të dhëna pas ditës së sotme, do të
jenë të vlefshme për udhëtime deri në vitin 2032. Jam dakort se, ashtu siç
thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ky është një lajm i
jashtëzakonshëm ndërsa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të
Bashkuara dhe Shqipërisë. Është ky një
lajm që u prit me kënaqësi edhe nga të gjithë shqiptarët kudo, përfshir
komunitetin shqiptaro-amerikan, në këtë 100-vjetor të vendosjes së
marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Por ky
lajm i mirë nuk largon aspak shijen e keqe që lanë në gojët tona kritikat dhe
ironia e Edi Ramës në llogari të Amerikës, në cedremoninë e nënshkrimit të
marrëveshjes midis
Universitetit Shtetëror të Miçiganit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës me
18 mars, 2022 – ku ishin të pranishëm Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri
Kim dhe Kryeministri Edi Rama.
Fatkeqësisht tubimi u shëndërrua në një skenë të turpshme dhe ofenduese
për marrëdhëniet midis dy vendeve tona në këtë 100-vjetor të vendosjes së tyre
në vitin 1922. Nuk më mbet tjetër veçse të bej thirrje: Mos u tallni me
marrëdhëniet amerikano-shqiptare, sidomos në një përvjetor si ky. Dhe mos ofendoni Shtetet e Bashkuara dhe
popullin amerikan me mosmirënjohjen tuaj arrogante ndaj të gjithave që Amerika
ka bërë për Kombin shqiptar gjatë më shumë se 100-viteve të kaluara. Mirënjohja është një virtyt civil dhe
shoqëror. Populli amerikan është i durueshëm -- duron dhe falë, por as nuk
harron.
Për shumicën e
shqiptarëve kudo – e sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan -- marrëdhëniet
midis popullit amerikan dhe shqiptar -- janë të shenjta për shumicën e
shqiptarëve kudo. Prandaj, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes midis
Universitetit Shtetëror të Miçiganit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës me
18 mars, 2022 -- me pjesëmarrjen e Kryeministri Rama dhe Ambasadores amerikane
në Tiranë – u këthye në një skenë të turpshme, ofenduese dhe jo diplomatike
ndaj Amerikës! E padenjë për dy kombet
tona mike që nuk krijon një atmosferë aspak të mirë në marrëdhëniet dypalëshe,
sidomos në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, një jubilar
historik që meriton të festohet nga të gjithë ne.
Por, njëkohësisht,
mos harroni se shumë shqiptarë kanë dhenë jetën për këto marrëdhënie midis dy
kombeve tona, shumë janë dënuar dhe ekzekutuar nga regjimi komunist i Enver
Hoxhës, vetëm e vetëm sepse mbronin vlerat, liritë dhe demokracinë amerikane,
ose thjeshtë, vetëm e vetëm se dëgjonin Zërin e Amerikës gjatë viteve. Të pakën
ndaj këtyre viktimave të komunizmit – për hir të së vërtetës – të tregohet pak
më shumë respekt për këto marrëdhënie, të pakën në publik dhe në këtë
100-vjetor!
Video e plotë e
ceremonisë e datës 18 mars, 2022
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural | Facebook
Logoja zyrtare me rastin e
100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare