Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Lamtumirë nga Amerika e largët!
E diele, 29.05.2022, 09:15 PM
PAPRITMAS DHE PARA KOHE, NDËRROI JETË PRESIDENTI BUJAR NISHANI
LAMTUMIRË NGA AMERIKA E
LARGËT!
Nga
Frank Shkreli
Mjerisht, kohët e
fundit po na bjen shpesh herë që të marrim ose të japim lajme kalimi në amshim
të miqëve, kolegëve, dashamirësve ose personaliteteve me të cilët, në udhëtimet
e kësaj jete, kemi pasur rastin, nderin dhe privilegjin të njiheshim ose të
takoheshim. Lajmi i fundit për një vdekje të papritur, ishte njoftimi i hidhur
se ish-Ptresidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka ndërruar jetë. Ndonëse ishim në dijeni të disa problemeve të
tij shëndetsore, prap se prap, nuk mendojshim se Bujar Nishani do ndahej kaq
shpejt nga kjo botë, përgjithmonë. Me
kalimin e tij në amshim, ai la në mjerim bashkshorten e tij dhe dy fëmijtë,
familjen dhe farefisin më të gjerë, por edhe familjen e tij të madhe politike, Partinë
Demokratike të cilës i përkiste, pa përjashtuar, natyrisht, edhe partitë e
tjera dhe personalitetet politike shqiptare, si rrjedhim i të qenët president i
Republikës për 5 vjetë dhe falë pjesëmarrjes së tij në arenën politike të
30-viteve të fundit, të tranzicionit post-komunist në Shqipëri.
Me shkuarjen e tij
të papritur në amshim, përveç familjes së ngushtë dhe miqëve të shumtë në
Shqipëri, Presidenti Bujar Nishani varfëroi edhe shumë miqë e dashamirë edhe në
diasporë, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në mbarë diasporën shqiptare
të përhapur, anë e mbanë botës. Lajmi i
zi për vdekjen e tij që u përhap si rrufe, na pikëlloi të gjithë ne në Shtetet
e Bashkuara që e kishim njohur dhe që e donim dhe e çmonim President Nisahnin
për qëndrimet e tia, sidomos për respektin që kishte për diasporën shqiptare në
Amerikë, pa dallim, por sidomos për diasporën e vjetër të para vitit 1990, e
cila, me aq sa ka dijtur e sa ka patur mundësi, ka luftuar për dekada për një
Shqipëri, vërtetë të lirë e demokratike.
I ndjeri Nishani, takimet me diasporën shqiptaro-amerikane i kishte bërë
traditë kurdoherë që vinte në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Nishani nderon një numër shqiptaro-amerikanësh
(zeriamerikes.com).
E respektuam gjithashtu për qëndrimet e tija ndaj krimeve të komunizmit
dhe për deklaratat e tija, të herë-pas-hershme -- si asnjë tjetër politikan
shqiptar deri më sot -- për nevojën e doemosdoshme të Shqipërisë për t’u
ballafaquar me krimet e komunizmit—megjithëse si individ i vetëm nuk mund të
bënte shumë për këtë çeshtje pasi detyra e presidentit e kufizonte.
Mbi të gjitha, e
kujtojmë sot Presidentin Nishani për nderimin dhe respektin që ka treguar gjatë
viteve – sidomos kur ishte në detyrën e Presidentit -- për të gjithë ata
individë, shqiptaro-amerikanë, por sidomos për respektin ndaj një numër
personalitetesh të politikës dhe diplomacisë amerikane. Me fjalë dhe me vepra,
Presidenti Nishani ka njohur kontributin dhe rolin e tyre në promovimin dhe
fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike midis Kombit shqiptar dhe
Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vlen të kujtojmë dekorimin e ish-Senatorit të ndjerë
amerikan, Robert (Bob) Dole, me çmimin më të lartë të vendit, “Dekoratën e
Flamurit Kombëtar”, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si
“përkrahësin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.”
Ia vlen të
kujtojmë në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis
Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – rëndësinë që Bujar Nishani u kushtonte
këtyre marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe respektin që ai kishte për
diplomatët amerikanë -- si Ambasadori Christopher Hill – që ka shërbyer në
Shqipëri në fillim të 1990-ave. Presidenti Nishani, në mirënjohje të thellë për
punën e Ambasadorit Hill i ka dorëzuar atij, Dekoratën, “Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit
të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e
marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të
Bashkuara të Amerikës; për përkrahjen dhe inkurajimin e palëkundur ndaj
vendosjes së demokracisë në vendin tonë në fillim të viteve 1990-ta, si dhe për
ndihmesën e vyer në konsolidimin e marrëdhënieve historike, strategjike dhe
miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.
Më në fund, por jo me më pak rëndësi, unë dhe shumë
malësorë në trojet tona dhe në diasporë, nuk harrojmë respektin që Presidenti
Nishani -- kur ishte në detyrë dhe më vonë -- ka treguar ndaj trojeve shqiptare
jashtë kufijve të Shqipërisë londineze – sidomos nderimin dhe respektin që ai
ka treguar ndaj Malësisë së Madhe dhe sakrificave të atyre trojeve: “Malësia e Madhe ndoshta përbën
shembullin më të gjallë, më jetësor dhe më domethënës të rrugëtimit historik
përmes sakrificave, rezistencës dhe përmes ruajtjes së identitetit për gjithë
kombin shqiptar”, ka thënë me një rast Presidenti Nishani për qëndresën
historike të malësorëve ndaj pushtuesve shekullorë turko-sllav.
Për këto dhe shumë merita të tjera, kujtojmë sot
jetëshkurtin ish-Presidentin e ndjerë, Bujar Nishanin, me zemër thellësisht të
prekur nga rreziku i pashoq që preku familjen dhe farefisin Nishani. Largimi i
parakohëshëm nga kjo jetë e Presidentit Bujar Nishani, ka lënë një zbrastësi të
pazëvëndsueshme në gjirin e familjes së tij të ngusht e fisnike, farefisisn e
tij pore dhe në bashkësinë shqiptare në pëergjithësi, përfshir diasporën
shqiptaro-amerikane, pranë të cilës ai gjëndej shpesh. I prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe
-- miqësisht i paraqes familjes së ngusht të Bujar Nishanit, farefisit brenda
dhe jashtë Shqipërisë, si dhe të gjithë miqëve dhe dashamirësve të tij kudo –
përdhimtimet e mia më të sinqerta, duke iu lutur Perëndisë që t’ju japë forcë e
durim në këtë moment të vështirë të humbjes së njeriut më të dashur për
ju. Ngushëllimet e mia më të sinqerta,
Presidenti Nishani me ish-Senatorin e ndjerë dhe mikun e
madh të shqiptarëve, Robert (Bob) Dole -- Washington Maj, 2017 -- Frank Shkreli/ Një nderim i merituar: Presidenti Nishani
dekoron ish-senatorin Bob Dole | Gazeta Telegraf
Foto nga VOA - Presidenti Nishani me Ambasadorin
Christopher Hill -- Tiranë, Tetor, 2016
Autori me
Presidentin Nishani, New York City, Shtator, 2016
“Malësia e Madhe ndoshta përbën shembullin më të gjallë, më jetësor dhe më domethënës të rrugëtimit historik përmes sakrificave, rezistencës dhe përmes ruajtjes së identitetit për gjithë Kombin shqiptar”, ka thënë me një rast Presidenti Nishani. Në foto Presidenti Nishani me lahutarin e njohur shqiptaro-amerikan, Vasel Shkrelin, në Malësi të Madhe