Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dita Shqiptare e Lirisë dhe Krimet e Komunizmit në Shqipëri
E hene, 25.04.2022, 07:55 PM
DITA SHQIPTARE E LIRISË NË UESTÇESTER TË NJU JORKUT DHE KRIMET E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI
Thirrje
qeverisë shqiptare dhe diplomacisë amerikane
Nga
Frank Shkreli
Ashtu
si në të kaluarën edhe sivjet, të Djelën me 24 Prill, 2022 u shënua “Dita Shqiptare
e Lirisë”, (Albanian Freedom Day) në Kensico Dam Plaza në qarkun Westçester të
Nju Jorkut, një ndër parqet më të bukura të këtij shteti.
Kjo
veprimtari, kushtuar lirisë shqiptare, organizohet çdo vit nga administrata e
qeverisë vendase, “Westchester County Executive’s Office”, në bashkpunim me
Shoqërinë Kulturore - Artistike Kelmendi dhe Familja Mernacaj, ku marrin pjesë
qindar shqiptaro-amerikanë dhe të tjerë. “Dita Shqiptare e Lirisë”, është
një veprimtari patriotike, sociale, kulturore dhe përkujtimore, që i kushtohet
simbolit të demonstratave antikomuniste -- birit të familjes Mërnaçaj nga
Kelmendi i Malësisë së Madhe, Nikë Mernacaj dhe lirisë shqiptare. Kjo
ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendari për Lirinë Shqiptare dhe
ngritjen e Flamurit Kuq e Zi -- bashkon në këtë datë përkujtimore, jo vetëm
komunitetin shqiptar të Nju Jorkut me rrethe, por edhe përfaqësues të pushtetit
lokal si dhe liderë politikë përtej kësaj zone administrative.
FJALA E AUTORIT NË
TUBIMIN PËRKUJTIMOR
Kjo
ditë e veçantë sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës, qëndresën e
nacionalistëve anti-komunistë shqiptaro-amerikanë të cilët ç’prej strehimit të
tyre në këtë vend të bekuar – të cilët si refugjatë të arratisur nga regjimi
barbar komunist i Enver Hoxhës në këtë vend të lirisë, në Amerikën tonë të
dashur -- ata nuk pushuan asnjëherë përpjekjet e tyre kundër diktaturës
komuniste në Atdheun e tyre. Për me
tepër, gjatë dekadave të luftës së ftohtë, nacionalistët shqiptaro-amerikanë,
sensibilizuan gjithashtu opinionin publik amerikan dhe politikën zyrtare në
Amerikë për persekutimin barbar që ushtronte shteti komunist shqiptar enverist
ndaj familjeve nacionaliste anti-komuniste shqiptare, siç është familja
Mrnaçaj. Kjo traditë vazhdon me takime
përkujtimore si ky sot. Për ne dhe për mijëra familje shqiptare, ato përpjekje
nuk kanë marrë fund ende, megjithse kanë kaluar mbi 30-vjetë nga shembja e
Murit të Berlinit.
Prandaj,
kjo ditë e shënuar si “Dita Shqiptare e Lirisë”, në këtë zonë të Nju Jorkut,
është një vazhdimësi e përpjekjeve të mëhershme të brezit të kaluar të
shqiptaro-amerikanëve, tek brezi i sotëm i këtij komuniteti, për të
sensibilizuar opinionin amerikan dhe atë shqiptaro-amerikan, për tu kujtuar të
gjithëve se regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës, në formën e tij, mund
të mos jetë më, por trashëgimia e tij mbijeton me nostalgjikët e tij në detyrat
më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar. Krimet e atij regjimi kanë lenë pas një
trashëgimi dhe gjurmë të tmershme dhe të pashërueshme në shoqërinë e sotëme
shqiptare, në sistemin ligjor dhe në politikën e ditës.
Liria
e plotë dhe demokracia e vërtetë, në Atdheun e të parëve tanë kanë qenë, janë
dhe mbeten një mision i shenjtë për ne. Prandaj jemi këtu për të imformuar të
gjithë ata që mund të mos e dinë se Shqipëria e sotëme -- megjithse anëtare e
Aleancës Euro-Atlantike, NATO, që aspiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit
Evropian -- është i vetmi vend ish-komunist i Evropës Lindore/Qendrore që:
--
Nuk është distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste.
--Nuk
është përballur, seriozisht, me të kaluarën e mjeruar komuniste.
--Tirana
zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar zyrtarisht, krimet e regjimit barbar
komunist të Enver Hoxhës.
--Dhe
Kuvendi nuk ka caktuar ende një ditë përkujtimore, kushtuar viktimave të
komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës, me
përjashtim të Rusisë.
Arsyeja
që jemi sot këtu është t’u bejmë thirrje enteve qevritare dhe shtetërore të
Shqipërisë si dhe përfaqsuesve të perëndimit në Tiranë të dënojnë krimet e
komunizmit dhe të kujtohen viktimat e atij regjimi çnjerzor. Ky vazhdon të jetë
një mision i shenjtë për ne. Qeveritë e njëpasnjëshme – të dy partive kryesore
në Shqipëri, për 30-vjet tashti, nuk kanë pasur guximin moral as vullnetin
politik për t’u përballur me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, për të dënuar
krimet e komunizmit, madje as për të caktuar një ditë në vit – ashtu siç ka
bërë e gjithë Evropa – për të kujtuar viktimat e pafajshme të barbarizmit komunist
në Shqipëri. As përfaqsuesit ndërkombëtarë të vendeve perëndimore në Tiranë --
përfshir ambasadën tonë atje -- nuk mund ta ndjejnë veten krenarë se kanë bërë
aq sa kanë mundur dhe sa duhej të bënin -- sot e 30-vite më parë -- në lidhje
me viktimat e komunizmit: për dënimin e krimeve të komunizmit dhe për (mos)
kujtesën e tyre në Shqipëri. “Nëqoftse jeni asnjanës në raste të padrejtësisë,
ju jeni bërë palë me shtypsin.” (Desmond Tutu). U bëjmë thirrje ndërkombëtarve
në Tiranë që të ushtrojnë trysni ndaj qeverisë dhe klasës politike shqiptare që
të distancohen nga e kaluara komuniste, të dënojnë krimet e komunizmit dhe të
kujtojnë ato mijëra e mijëra viktima të pafajshme të njërit prej regjimeve më
barbare të shekullit të kaluar në Evropë.
Kjo klasë politike dhe mbështetsit e tyre ndërkombëtarë duhet të kenë
turp para popullit të vet dhe para botës që për 30-vjetë tashti, sillen në këtë
mënyrë të papërgjegjëshme dhe të pamoralshme me viktimat e diktaturës komuniste
në Shqipëri. Krimet e komunizmit në Shqipëri
janë më shumë se një çështje “kompensimi”.
Ato janë një çeshtje e rëndësishme e drejtësisë së mohuar viktimave të
komunizmit -- të gjallë e të vdekur -- në atë vend. Prandaj, sot, si shtetas
amerikanë që jemi, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike midis dy
vendeve tona, i bëjmë thirrje Departamentit të Shtetit që të ushtrojë trysni
ndaj qeverisë dhe klasës politike shqiptare që të distancohen nga e kaluara
komuniste, të dënojnë krimet e diktaturës komuniste dhe të kujtojnë viktimat e
pafajshme të njërit prej regjimeve më barbare të shekullit të kaluar në Evropë.
Të nderuar pjesëmarrës, kërkoni këtë edhe nga përfaqsuesit tuaj, vendorë,
shtetërorë dhe federalë.
Falënderës
Zotit, ne jetojmë në Amerikë dhe nuk heshtim dhe s’do të heshtim përball të
keqës së kaluar as të tashme, sado irritues të jetë qendrimi ynë për disa
njerëz në Shqipëri – përfshir diplomatët ndërkombëtarë -- por dhe për disa të
tjerë këtu në Amerikë, të cilët justifikojnë krimet e komunizmit duke thenë,
“Eh, po ashtu ishte sistemi…”. “Ata që
të tjerëve ua mohojnë lirinë, nuk e meritojnë as për veten”, ka thënë Abraham
Linkolni.
Lufta
jonë sot kundër komunizmit, vazhdon të jetë, siç është shprehur shkrimtari çek,
Milan Kundera, “Një luftë e kujtesës kundër harresës.” Prandaj jemi sot këtu, për të kujtuar krimet
e komunizmit në Shqipëri, me qëllim që të mos përsëriten më dhe për të festuar
lirinë dhe drejtësinë që na ofron Amerika, lirinë e vërtetë të cilën e
dëshirojmë dhe për të cilën luftojmë edhe për Shqipërinë, për Kosovën dhe për
të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në trevat e veta.
Deri
javët e fundit thuhej se kush merret me komunizmin 30-vjet pas shembjes së
Murit të Berlinit: Komunizmi nuk është
më! Unë them, shkoni pyesni ukrainasit
nëse komunizmi është a po nuk është më.
Lufta në Ukrainën e pushtuar me tankse që valvitin flamurin komunist
sovjetik na kujton se liria dhe demokracia nuk janë të garantuara asnjëherë dhe
për asnjë popull. Prandaj jemi këtu për të sensibilizuar opinionin amerikan dhe
brezin e ri të shqiptaro-amerikanëve mbi kërcënimet -- në rritje e sipër të
komunizmit dhe nostalgjikëve të asaj ideologjie vrasëse -- përfshir ata të
Tiranës zyrtare – kërcënime ndaj vlerave të vendeve të botës së lirë e
demokratike dhe sidomos kërcënimeve serioze ndaj lirisë dhe demokracisë së
brishtë në trojet shqiptare të Ballkanit Perëndimor.
Këtë
t’a bejmë nepërmjet organizimeve simbolike si ky sot dhe me kontakte të drejt
për drejta me amerikanë të rendomtë dhe me politikanë të gjitha niveleve –
vendorë, shtetërorë dhe federalë -- që janë të gatëshëm të dëgjojnë shqetësimet
tona. Ne, nga ana jonë, nuk do të
heshtim së foluri për krimet dhe për viktimat e komunizmit sllavo-aziatik në
Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet mbarëshqiptare -- ndërkohë që do vazhdojmë të
kujtojmë me nderim të thellë sakrificat e mijëra e mijëra viktima, brenda dhe
jashtë Shqipërisë, siç është rasti i birit të dashur të familjes anti-komuniste
Mërnaçaj -- simbolit të demonstratave anti-komuniste, Nikë Mërnaçaj, të cilin e
kujtojmë sot këtu në Westçester County.
I përhershëm qoftë kujtimi i tij” dhe i të gjithë viktimave të
komunizmit në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Po,
Shqipëria dhe Kosova kur do të njohin krimet e komunizmit dhe kur do të
kujtojnë viktimat shqiptare të atij regjimi barbar sllavo-aziatik -- anë e
mbanë trojeve shqiptare? “Ata që nuk
njohin historinë, janë të destinuar ta përsërisin”.
Po
diplomatët perëndimorë në Tiranë kur do të kërkojnë drejtësi për viktimat e
komunizmit barbar të Enver Hoxhës në Shqipëri? Mosndëshkimet e krimeve të
komunizmit në Shqipëri -- 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit -- do duhej
t’i përkisnin asaj periudhe të zezë komuniste për shqiptarët dhe për mbarë
Evropën – një periudhe që mendonim se nuk do të përsëritej më. Por, fatkeqësisht, ja ku jemi sot. Në vend të
ndëshkimit të krimeve të komunizmit dhe të kujtimit të viktimave të atij
sistemi terrorist, forcat nostalgjike të komunizmit në politikë dhe në sistemin
e të ashtuquajturës “drejtësi” shqiptare, me arrogancën dhe indiferencën e
tyre, po përpiqen të legjitimojnë krimet dhe të riabilitojnë figurën e regjimit
diktatorial komunist të Enver Hoxhës.
Ndërkohë, që diplomatët perëndimorë në Tiranë heshtin para një dukurie
të tillë, sikurë periudha komuniste në atë vend të ketë qenë një piknik për
shqiptarët dhe jo një skenë e vërtetë krimesh, për pothuaj një gjysëm shekulli.
Si ka mundësi që në qarqet më të larta të qeverisë shqiptare komunizmi gëzon
edhe sot respekt dhe si është e mundur që një gjë e tillë, të jetë një situatë,
moralisht, e pranueshme për vendet perendimore? Pa dënimin zyrtar të krimeve të
komunizmit dhe pa distancimin serioz të Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver
Hoxhës – aktualiteti politik në vend po tregon se -- rrugëtimi euro-atlantik i
Shqipërisë, jo vetëm që ka marrë një rrugë të gabuar, por nuk është më as i
sigurt dhe as i besueshëm.
Ju falemnderit!
Frank Shkreli