Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Prishtina përqafon të madhin Ernest Koliqi
E hene, 23.05.2022, 08:56 PM
PRISHTINA PËRQAFON TË MADHIN ERNEST KOLIQI
Inaugurohet
Biblioteka Ernest Koliqi
Nga
Frank Shkreli
Kam patur fatin që 52-vjet më parë të kem takuar Profesor Ernest Koliqin, gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1970. Si përfundim i kësaj njohjeje, kam qenë në kontakt me Profesorin e nderuar deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975. Shkëmbenim letra, të pakën, dy tre herë në vjet, para se të vdiste. Një nga letrat që Profesor Koliqi më ka dërguar në vitin 1972, tri vjet para se ai të shkonte në amshim, më ka mbetur në kujtesë të përhershme sepse përmbante një amanet. Letra e Ernestit erdhi pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar, në vitin 1972, një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim. Letra që më dërgonte Profesor Koliqi ishte plot këshilla -- tepër të nevojshme për mua në atë kohë -- nga një personalitet i njohur siç është Ernest Koliqi. Ai shkruante, ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr.1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaje mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që të mundesh. N’ ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky, pra, amaneti i tij, një amanet që jam munduar ta mbajë e ta ruaj, me atë kapacitetin tim të vogël, duke e kujtuar Koliqin, sa herë që kam patur rast e mundësi, si njërin prej atyre “auktorëve që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”- Frank Shkreli: Amanetin e mban toka- gëzuar ditëlindjen Prof. Ernest Koliqi | Gazeta Telegraf –
Sot është mundësia dhe rasti që më
jep Prishtina dhe Kosova për të kujtuar Ernest Koliqin – po e kujtoj me fjalët
e pjesëmarrësve të nderuar dhe personaliteteve në inaugurimin e Bibliotekës që
mban emrin e tij në Prishtinë.
Shkrimtari i madh Ernest Koliqi, nismëtari i arsimit shqip në Kosovë dhe
anë e mbanë trojeve shqiptare në fillim të 1940-ave, u kujtua në Prishtinë në
ditën e lindjes së tij (20-maj, 1903), me inaugurimin e “Bibliotekës Ernest
Koliqi”, në Qendrën “BogdaniPolis”, në Katedralen "Shën Nënë Tereza",
në Prishtinë.
Kryetari i Bashkisë - Prishtinë, Z. Përparim Rama duke prerë shiritin me rastin e inaugurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi”
Duke hapur
ceremoninë e inaugurimit të “Bibliotekës Ernest Koliqi”, fjalën përshëndetse
dhe mirëseardhëse për të pranishëmit e kumtoi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë
Gjergji, duke e cilësuar Bibliotekën Ernest Koliqi si, “një vend për të kujtuar
të kaluarën dhe për të kultivuar të ardhmen tonë”. Inaugurimi
i Biblotekës "Ernest Koliqi" Prishtinë - YouTube Të pranishëm ishin pjesëtarë të familjes së
gjërë të Ernest Koliqit të ardhur nga Shkodra e Tirana, si dhe shumë
personalitete të jetës së artit, shkencës e letërsisë, përfaqsues të klerit por
edhe perosnalitete të politikës. Një ndër perosnalitete e larta ishte Kryetari
i Bashkisë Prishtinë, Z. Përparim Rama i cili e kujtoi Ernest Koliqin me këto fjalë:
“Shkodrani Ernest Koliqi, shkrimtari i madh i letërsisë ishte siç e dini edhe
Ministër i Arsimit në Tiranë që, në kohën e Luftës së dytë Botërore, pruri mbi
200-mësimdhenës shqiptarë me hap shkollat shqipe anë e mbanë viseve të Kosovës.
Përndjekja e tij dhe ndalimi i veprës së tij nga Shqipëria komuniste e
për-rrjedhoi nga Kosova që aso kohe thjeshtë irritonte shtetin amë – nuk i kanë
berë aspak nder Kombit tonë. Prandaj përzgjedhja, pikërisht, e emrit të kolosit
Ernest Koliqi për bibliotekpn tuja dhe inaugurimi i saj, pikërisht, në
ditëlindjen e tij nderojnë jo veç këtë bibliotekë, as veç Ipeshkvinë, por
gjithë kryeqytetin tonë dhe gjithë Kombin tonë shqiptar. Kur jemi te
shskrimtarët dikurë të ndaluar uroj që kjo bibliotekë të forcojë sa më shumë
lidhjet me bibliotekën e Françeskanëve të Shkodrës të cilët me rënjen e
komunizmit po i ribotojnë me përkushtim të madh veprat e kolosëve të ndaluar
katolikë të letrave shqipe, që nga ajo e Shtjefën Gjeçovit, Gjergj Fishtës,
Anton Harapit, Donald Kurtit, Vinçenc Prenushit, Bernardin Palaj e deri tek ajo
e At Zef Pllumit. Të anatemuar padrejtësisht nga diktatura komuniste, vepra e
këtyre kolosëve është në fakt më e shëndosha e letërsisë kombëtare e për më
shumë është një opus që bibliotekën e Ipeshkvisë e pasuron dhe e nderon.
Bibliotekës i uroj fond gjithmonë e më të pasur librash, lexues gjithmonë e më
të shumtë dhe me që ambienti i bibliotekës qenka jashtëzakonisht i këndëshëm,
uroj sa më shumë organizime eventesh kulturore e letrare të këtij
ambienti...Urime për Bibliotekën e re “Ernest Koliqi”. Kryebashkiaku i Pristinës falënderoi
Ipeshkvinë e Kosovës për krijimin e kushteve -- për studentët dhe për gjithë
kulturën në qytetin tonë që të shkojmë përpara – kushte që ai i cilësoi si,
“fenomenale, fantastike”, duke premtuar se edhe ai vetë, do kalojë shumë kohë
në këtë bibliotekë.
Ndërsa, ambasadori
i Shqipërisë në Kosovë, Z. Minxhozi e cilësoi ceremoninë e ianugurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi, si
një ngjarje të jashtzakaonshme dhe shumë të veçantë. “Duke pasë përball këtë
korife të madh të historisë dhe kulturës shqiptare, Ernest Koliqin, me veprën e
tij tregoi dhe i tregon botës, pavarësisht sistemeve, pavarësisht represionit,
e drejta, arti dhe kultura që i shërbejnë popullit, nuk shuhet kurrë. Politika
është momentale, ndërsa veprat e kolosëve tanë janë të pavdekshme.” Ambasadori i Shqipërisë e ciclësoi
bibliotejkën si shumë interesante dhe krejt të veçantë në llojin e vet. “Shumë,
shumë e bukur, me një arkitekt fantastik që e ka bërë këtë”, por shtoi ai ,
“Ajo që e mbush më tepër, “Është vepra e të Madhit Ernest Koliqi”. Ambasadori i
Shqipërisë në Prishtinë, duke falënderuar ata që kishin ardhur nga Shkodra dhe
Tirana për të marrë pjesë në inauagurimin, tha se Ernest Koliqi, “ishte
shkodran, mbetet shkodran, ishte shqiptar, mbetet shqiptar dhe shumë i
madh.” Me shumë kënaqësi uroj që edhe
brezat e rinjë do të përcjellin veprën e tij të pavdekshme, përfundoi
fjalën ambasadori i Shqipërisë në
Republikën e Kosovës, Z. Qemal Minxhozi.
Ndërkaq, kumtesën kryesore e mbajti
Prof. Xhavit Beqiri i Universitetit të Prishtinës, i cili tha se, “Ernest
Koliqi është guri i
këndit në themelin e shkollës shqipe në Kosovë. Në një mjedis të shkretë
arsimor e kulturor, ai e hodhi i pari farën e sinapit, nga e cila
mbiu dhe hodhi shtat trungu i të gjithë sistemit edukativ, arsimor e kulturor
në këtë pjesë të etnisë. Përtej figurës: shkollën shqipe në Kosovë dhe në
hapësirat e tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë e krijuan gjatë viteve ’40 të
shekullit XX, afërsisht 200 mësues normalistë, të cilët me misionin e shenjtë
të përhapjes së shkronjës shqipe u ngarkuan nga vetë Ernest Koliqi, asokohe
ministër i Arsimit. Për mua, Koliqi është profeti, ndërsa ata normalistë të
zgjedhur prej tij, janë apostujt e shkollës shqipe në këto treva”, u tha, ndër
të tjera, të pranishëmve Prof. Xhavit Beqiri i Universitetit të Prishtinës.
Prof. Beqiri theksoi se, “Poeti, publicisti e studiuesi Ernest Koliqi, përveç
epitetit të themeluesit të shkollës shqipe në Kosovë, mori edhe epitetin e
nismëtarit të prozës moderne shqipe”.
Me ianugurimin e
Bibliotekës “Ernest Koliqi, Kosova po ia lanë një borxh të madh këtij burri të
madh të Kombit shqiptar. Amanetin e tij 50-vjet më parë -- që, të “mos
harrohen auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë
shqipe…” -- Kosova e çoi në vend me ianugurimin e Bibliotekës me
emrine tij në prishtinë, “në kujtim të së kaluarës dhe për kultivimin
e të ardhmes” tonë, siç u shpreh Imzot Dodë Gjergji.
Duke mos dashur të
jem kritik ndaj disave – sidomos në këtë ditë shumë të lumtur të inaugurimit të
Bibliotekës Ernest Koliqi në Prishtinë -- më duket se ka ardhur koha që Tirana
zyrtare politike dhe akademiko-historike, të heq dorë një herë e mirë nga
denigrimi e përjashtimi nga historia shqiptare e burrave të Kombit siç është
Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe shumë të tjerë. Mjaft është mjaft! Nga
çfarë kini frikë? Merrni shembëll Kosovën.
Fatbardhësisht, në rastin e Ernest Koliqit dhe të Gjergj Fishtës, sa më
fort që të urrehen këto figura dhe të tjera si këto të Kombit, nga Tirana
zyrtare dhe nga nostalgjikët e komunizimit sllavo-aziatik, madje edhe 30-vjet
pas shembjes së Murit të Berlinit -- aq më shumë ata adhurohen në Prishtinë, në
Kosovë dhe në anë e mbanë trojeve shqiptare.
Një nga hapësirat
e Bibliotekës së re “Ernest Koliqi” në Prishtinë
Një pamje nga
brendësia e Bibliotekës Ernest Koliqi në Prishtinë
Drejtori i
Institutit të Trashigimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup,
Prof. Dr. Skender Asani me bashkpuntorët – si dhe shumë organizata dhe ente të
ndryshme dhe individë të shumtë nga Kosova dhe Shqipëria -- i dhuroi Ipeshkvit
të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit tituj librash për Bibliotekën e re “Ernest
Koliqi” në Prishtinë – “ITSHKSH dhe Ipeshkvia e
Kosovës do të vazhdojnë të këmbejnë dije e përvoja në të ardhmen me qëllim të
avancimit të bashkëpunimit e mirëkuptimit ndërinstitucional, ku theks i posaçëm
do t’i vihet emancipimit të mëtejmë kulturor e shpirtëror të shoqërisë
shqiptare dhe komunikimit të saj me shoqëritë e tjera”. (ITSHKSH)
Profesor Xhavit
Beqiri i Universitetit të Prishtinës duke mbajtur kumtesën e tij me këtë rast
Ernest Koliqi me
kolosët e Kombit, Fishta, Asdreni e Poradeci
Biblioteka Ernest
Koliqi, Prishtinë, Republika e Kosovës
Ernest Koliqi në moshën kur e kisha njoftuar në Romë, në vitin 1970 – pesë vjetë më vonë ka ndërruar jetë.