Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Një fotografi vlen më shumë se 1000-fjalë
E marte, 17.05.2022, 07:55 PM
NJË FOTOGRAFI VLEN MË SHUMË SE 1000-FJALË
Vizita e Kryetarit të Komunitetit Mysliman
Shqiptar, H. Bujar Spahiut në Vatikan
Nga
Frank Shkreli
Thënja
“Një fotografi vlen më shumë se 1000-fjalë”, është një frazë në anglisht, por
që përdoret edhe në shumë gjuhë të tjera të botës, kur flitet për një ose më
shumë fotografi që pasqyrojnë të vërtetën e një ngjarjeje, takimi ose pritjeje
të ngrohtë, siç ishte rasti i vizitës në Vatikan i Kryetarit të Komunitetit
Mysliman Shqiptar, H. Bujar Spahiu në audiencë me Papa Franceskun, të premtën
që kaloi.
Vizitës
së udhësheqsit të lartë të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Vatikan dhe
audiencës së tij me Papa Françeskun iu kushtua pak rëndësi nga mediat
shqiptare, në përgjithësi, por që unë besoj se meriton që publiku i gjërë të
informohet për këtë vizitë, e cila pasqyron si gjithmonë, bashkjetesën midis
feve në Shqipëri, ndoshta si askund tjetër në botë, por edhe ndjenjat e
shqiptarëve, në përgjithësi, për Vatikanin - Selinë e Kishës Katolike. Takimit të H. Bujar Spahiut me Papa
Françeskun iu bë jehonë nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit
nga Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe nga mjetet mediatike të Vatikanit,
përfshir edhe Radio Vatikanin në gjuhën shqipe.
Sipas
këtyre burimeve, të premtën e kaluar më datë 6 maj 2022, Kryetari i Komunitetit
Mysliman Shqiptar H. Bujar Spahiu, u prit në audiencë private nga Ati i
Shenjtë, Papa Françesku. Kryetari i Komunitetit Mysliman KMSH) shoqërohej nga
Kreu i Misionit të Ambasadës së RSH-së Majlinda Dodaj, thuhej ndër të tjera, në
njoftimin e Ambasadës së Shqipërisë pranë Vatikanit.
Me
ftesë të Papa Françeskut -- thekësohet në njoftimin e Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë --se Kryetari H. Bujar Spahiu -- vizitoi shtetin e Vatikanit ku u
prit në një audiencë të veçantë nga Papa dhe zyrtarë të tjerë të hierarkisë së
Kishës Katolike. “Në qendër të bisedës
ishin edhe marrëdhëniet ndërmjet shtetit e feve dhe kontributi i tyre në
ruajtjen e vlerave njerëzore, sidomos në mbrojtjen e familjes si qelizë
themelore e shoqërisë”, thuhej në lajmin e dhënë nga Radio Vatikani. Sipas burimeve, të dy krerët e lartë fetarë
ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore
dhe për kontributin që ajo luan në ruajtjen e këtyre vlerave.
Takimi
kokë më kokë midis Papa Françeskut dhe Kryetarit Spahiu zgjati për më shumë se
30 minuta, thuhet në portalin e KMSH. Sipas këtij burimi, si dhe të tjerave që
raportuan për atë takim të rëndësishëm dhe të rrallë të javës së kaluar, temë
kryesore e bisedës midis dy udhëheqësve fetarë, ishte dhe bashkëjetesa paqësore
ndërmjet feve në Shqipëri dhe “Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore”, i
nënshkruar, para disa vitesh, midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib
dhe Papa Fançeskut, në Abu Dabi, mbi vëllazërimin njerëzor. Njoftohet se Haxhi
Bujar Spahiu i tha Papa Françeskut se këtë vlerë e provomon kudo në Shqipëri,
gjithnjë sipas burimeve të lartëpërmendura.
Në
njoftimin e KMSH thuhet gjithashtu se në takimin me Papa Françeskun, Kryetari i
KMSH, H. Bujar Spahiu i kërkoi atij mbështetjen e shtetit të Vatikanit për
pavarësinë e Kosovës. Një subjekt ky që ma merr mendja se do të jetë thekësuar
edhe në takimin e Kryetarit të KMSH-së që delegacioni -- i shoqëruar nga e
Ngarkuara me punë Znj. Dodaj, zhvilloi me Sekretarin e Vatikanit për
Marrëdhëniet me Shtetet (Ministër i Jashtëm) Imzot Paul Richard Gallagher dhe
me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, Kardinalin Miguel Angel
Ayuoso Guixot.
Kryetari
i KMSH, H. Bujar Spahiu përfundoi vizitën e tij në Vatikan me një intervistë
dhënë Radio Vatikanit në gjuhën shqipe ndërsa vizitoi edhe Bazilikën e Shën
Pjetrit.
Dhurata
mjaft simbolike e bashkjetesës fetare ndër shqiptarët e H. Bujar Spahiut,
Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar dorëzuar Papa Françeskut, gjatë
takimit në Vatikan, të premtën që kaloi: “Minarja e Xhamisë së Et’hem beut dhe
kambanorja e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër u bashkuan sot në
dhuratën, që iu dorëzua Papës Françesku nga kreu i Bashkësisë Myslimane të
Shqipërisë, për vizitë në Vatikan.
Simbol i asaj bashkëjetese paqësore ndërmjet feve, për të cilën u fol
gjerësisht gjatë audiencës së Atit të Shenjtë Bergoglio me Haxhi Bujar Spahiun,
sot paradite në Vatikan”, thuhej në njoftimin e Radio Vatikanit në gjuhën
shqipe lidhur me bisedimet e javës së kaluar, midis Papa Françeskut dhe
Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiut.
Fotografitë janë marrë nga burimet e lartëpërmendura