Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Për kombin shqiptar rruga e Gjergj Kastriotit është rruga drejt perëndimit
E shtune, 14.05.2022, 07:58 PM
PËR KOMBIN SHQIPTAR RRUGA E GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – ËSHTË RRUGA DREJT PERËNDIMIT!
Nga
Frank Shkreli
Në fillim të
muajit që kaloi (9 Prill, 2022) në lagjën Bronks të Nju Jorkut është mbajtur
një ceremoni për emërimin e një rruge, në atë lagje të banuar nga shumë
shqiptaro-amerikanë, duke i dhënë emrin e Fan S. Nolit. Ishte, ndër të tjera, një zhvillim në kuadër
të 100-vjetorit, këtë vit, të lidhjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara
dhe Shqipërisë, për të nderuar njërin prej nesh, emigrantin, diplomatin,
poetin, shkrimtarin dhe themeluesin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare,
Fan Nolin.
Nismëtari,
promovuesi dhe realizuesi i kësaj ndërmarrjeje jo të lehtë – kur të merren
parasyshë pengesat administrative dhe burokratike të një metropoli siç është
Nju Jorku -- aktivisti i palodhëshëm i komunitetit shqiptaro-amerikan,
politikani i njohur shqiptaro-amerikan, i cili si anëtar i legjislaturës së
shtetit të Nju Jorkut dhe vitet e fundit si anëtar i Bashkisë së qytetit Nju
Jork -- Z. Mark Gjonaj ka realizuar për komunitetin tonë këtu një mori
projektesh në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Nga ceremonia e emrimit të rrugës “Fan Noli, me 9 Prill, 2022 –
Ceremonia për emrimin e rrugës “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu të djelën që vjen
në Bronks premton të jetë shumë më e madhërishme – ashtu siç e meriton figura e
Heroit Kombëtar.
Me Z. Mark Gjonaj, realizuesin e shumë projekteve në dobi të komunitetit
shqiptaro-amerikan dhe në interes të ruajtjes së gjuhës, historisë, traditave
dhe trashëgimisë së personaliteteve të mëdha të Kombit – si Gjergj
Kastrioti-Skenderbe, Shën Nenë Tereza dhe Fan Noli – edhe këtu në Amerikën e largët.
Me rastin e
emrimit të rrugës “Fan Noli”, muajin që kaloi në lagjën Bronks, në vetvete kjo,
një ngjarje me rëndësi për komunitetin tonë këtu në Nju Jork dhe në rrethe,
Mark Gjonaj njoftoi se projekti i radhës do të ishte emrimi i një rruge tjetër,
në njërën prej lagjeve të mëdha të banuar nga shqiptaro-amerikanët e që të
djel[n që vjen do marrë emrin e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj
Kastriotit – Skenderbeut. Ky premtim i
Z. Mark Gjonaj, sipas një njoftimi prej zyrës së tij që më arrijti sot në
kutinë postale, do bëhet realitet të djelën që vjen, me 15 Maj, gjatë një
ceremonie dhe festivalit ku do marrë pjesë edhe një grup folklorik nga
Arbëreshët e Italisë (Gjaku nuk prishet) prej orës 12 mesditës deri në ora 6
pas dreke në lagjen e Arthur Ave e Crescent Ave– një zonë kjo ku jetojnë shumë
shqiptarë dhe ku ata kanë me shumicë, dyqane, restaurante dhe lokale tregtishë
të ndryshme. Një rrugë aty do mbajë
emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti- Skenderbe, për t’u kujtuar mijëra
shqiptarëve vendas dhe të Amerikës që vizitojnë atë zonë, çdo ditë e javë, për
qëllime të ndryshme – se prej kah vijnë dhe ku duhet të shkojnë, por edhe duke
u lehtësuar sado pak edhe mallin për Atdhe.
I vetëdijshëm i
thenjës popullore ndër ne shqiptarët, “Burri i Mirë me shokë shumë” -- ndonëse
ai vet është motori i këtyre projekteve të papara deri tani në komunitetin
shqiptaro-amerikan -- Mark Gjonaj bën thirrje dhe falënderon me plot sinqeritet
e mirënjohje (si më poshtë në anglisht) të gjithë sponsorizuesit e këtij evenimenti
për ndihmën e tyre të pakursyer dhe plot bujari ashtuqë edhe ky projekt të
realizohet ashtu si i ka hije këtij komuniteti dhe në dobi të tij. Pa ndihmën e tyre, shprehet Z. Mark Gjonaj,
ky projekt dhe të tjerë si ky nuk do të mund të realizoheshin. Bashkimi benë
fuqinë.
“Friends,
As you are aware, on Sunday, May 15th, from 12pm - 6pm, we will be hosting
the Street Co-Naming Ceremony and Fair for our great hero, Gjergj Kastrioti
Skenderbeu on Crescent Ave and Arthur Ave in the Little Italy section of
the Bronx!
Attached, please find the flyer with the list of sponsors for the event.
Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street
Co-Naming and Fair Flyer[11500].pdf
Our sincerest gratitude goes to all our sponsors for their generosity.
Without your support, this event would not have been possible. Please support
those that support our community. Please
share this flyer with your loved ones, family and friends. Post on facebook and
other social media outlets. I am thankful for your continued friendship.
Looking forward to seeing you and your loved ones there. If you have any
questions, please do not hesitate to contact me at (917) 731-6850.
Sincerely,
Mark Gjonaj”
Dy rrugëve në
Bronks të Nju Jorkut ku tanimë u është dhënë emri “Mother Teresa Way” dhe “Fan
Noli Way”, këtë javë i shtohet edhe rruga, “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu
Way”. Ceremonia e emrimit të rrugës,
“Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” dhe festivali që e shoqëron – që sipas programit
të njoftuar të ditës 15 Maj 2022 do të zgjasë 6 orë të tëra -- premton të jetë
një ngjarje vërtetë me rëndësi historike për komunitetin shqiptaro-amerikan, në
rritje e sipër.
Vetëm Heroi i
Kombit, Gjergj Kastrioti -Skenderbeu i bashkon shqiptarët, mbrenda dhe jasht
Atdheut. Siç shihet edhe nga lista e
sponsorizuesve të kremtimeve me këtë rast, Mark Gjonaj ka mundur të sigurojë,
për këtë dhe për të gjitha nismat e tija në vazhdim, një shumicë mbështetsish
pa dallime politike, krahinore ose fetare, për projekte të tilla madhore, në
këtë vend të dashur për ne – Amerikën tonë të bekuar për ne dhe familjet tona.
Ky vend që na ka dhënë lirinë dhe mundësinë të festojmë dhe të kujtojmë
heronjtë e kombit, identitetin tonë kombëtar, traditat dhe historinë, që na
janë mohuar për një kohë të gjatë nga ideologjitë dhe pushtuesit e huaj në
trojet tona shekullore. Urime
komunitetit shqiptaro-amerikan, urime Mark Gjonajt, nismëtarit të këtyre
projekteve kombëtare, në Amerikën e lirë të George Washingtonit dhe Abraham
Linkolnit -- për këto shërbime të çmueshme që i bëjnë Atdheut të të parëve,
ruajtjes së identitetit tonë kombëtar, por edhe Atdheut tonë të dytë, të
adaptuar – Amerikës.
Frank Shkreli
Për Kombin Shqiptar ka vetëm një rrugë: One Way -- Rruga drejt
Perëndimit – Rruga e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut! – “Gjergj Kastrioti -- Skenderbeu Way”.
Lista e sponsorizuesve
Busti i të përgjithëmonshmit Gjergj Kastrioti-Skenderbe në Sallën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut, ku së shpejti në oborrin e saj, do të inaugurohet edhe përmendorja madhështore e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve – e përmasave të përmendores së Heroit në Krujën heroike.