E marte, 08.10.2024, 08:12 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Me rastin e 15-vjetorit të vizitës së Presidentit George Bush në Tiranë

E merkure, 29.06.2022, 07:58 PM


ME RASTIN E 15-VJETORIT TË VIZITËS SË PRESIDENTIT GEORGE BUSH NË TIRANË

NË KUADËR TË 100-VJETORIT TË VENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE*

Nga Frank Shkreli

Përshëndetjet e mia më të përzemërta ju Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë me rastin e këtyre dy përvjetorëve me rëndësi në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara: 15-vjetorin e vizitës së parë të një Presidenti amerikan -- në detyrë – që vizitonte Shqipërinë – Presidentit republikan, George W Bush në qershor të vitit 2007 dhe 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në vitin 1922.

Falënderoj thellësisht, mikun tim Besnik Mustafajn për ftesën, duke më bërë pjesë me ju sot, ndërsa kujtojmë këto dy përvjetorë me rëndësi, për dy popujt tanë. Megjithëse nuk mund të isha në person me ju – për arsyet që i shpjegova Z. Mustafaj -- e ndjejë veten se edhe nepërmjet videos, jam me ju në një bashkbisedim vëllazëror, pasi me shumë prej jush kam pas nderin të njihem e takohem gjatë 30-viteve të kaluara, qoftë në Washington, qoftë në Tiranë apo Prishtinë.

Më kënaqë fakti që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përfshinë si anëtarë edhe ish-diplomatët nga Kosova.   Mjaft domethënse!

Sa i përket shënimit të dy përvjetorëve të rëndësishëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane – 15-vjetorit të vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri dhe 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – dua të theksoj, të pakën sa na përket ne nga kjo anë e oqeanit -- Shtetet e Bashkuara, historikisht, këto marrëdhënie janë promovuar dhe janë mbështetur, pa dallim, nga i mbarë spektri politik amerikan – demokratë e republikanë -- duke filluar nga Presidenti Woodrow Wilson e deri në ditët e sotëme.

Gjithashtu, politika amerikane në terësi, ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, nuk është bazuar kurrë, duke mbështetur një parti politike ose një individ matanë oqeanit, por, mbështetja është përqëndruar në zhvillimin e proceseve demokratike perëndimore.  Mbi të gjitha, në përputhje me vlerat amerikane të lirisë dhe demokracisë, të normave ndërkombëtare të vetvendosjes së popujve dhe në mbështeteje të sigurimit të lirive dhe të drejta universale të njeriut – mohuar shqiptarëve për një kohë aq të gjatë.

Të veprohet ose të pretendohet ndryshe nga individë, parti politike shqiptare ose mbështetës të huaj të tyre, është një papërgjegjësi morale, politike, diplomatike dhe kombëtare që nuk i shërben interesave kombëtare të shqiptarëve -- e marrëdhënieve të ngushta shqiptaro-amerikane, jo se jo. Në këtë vit jubilar të marrëdhënieve amerikano-shqiptare, unë nuk njoh asnjë shqiptar që mund ta quaj anti-amerikan. Por, njoh mjaft asish që vet-quhen “pro-amerikanë”, por që nuk kanë të bejnë asgjë me vlerat amerikane.

Prandaj është e nevojshme që të reflektojmë, ndërsa festojmë sot, me plot të drejtë, këto dy përvjetore të rëndësishme, si dhe arritjet e shënuara deri më sot, në forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve, drejtë një miqësie të përherëshme të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës -- siç preferonte të shprehej i ndjeri President Ibrahim Rugova, kur fliste për marrëdhëniet e shqiptarëve me Amerikën.

Jo, se Amerika është një vend i përsosur, sepse edhe ajo i ka hallet e veta, por për ne shqiptarë është treguar, për më shumë se 100-vjet tani, si një “mik i mirë në kohë të vështira”, dhe mik i pa hile.

Në një periudhë historike, “për jetë a vdekje”, për ruajtjen e sovranitetit politik dhe territorial të Shqipërisë, një shekull më parë, Presidenti Amerikës, Woodrow Wilson, sipas Fan Nolit, i premtoi atij se, “Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”.

Duhej të kalonte një gjysëm shekulli të një historie fatëzezë -- për shqiptarët dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare të diktaturës së egër komuniste sllavo-aziatike – pa marrëdhënie normale diplomatike midis dy vendeve tona.

Por, më në fund, u shemb Muri i Berlinit dhe lindi shpresa e rivendosjes së lidhjeve midis dy popujve tanë.  Edhe po të donte Amerika të “harronte” Shqipërinë, ishte komuniteti shqiptaro-amerikan ai i cili gjatë dekadave nuk e lejoi Amerikën tonë të dashur që të harronte Shqipërinë, as Kosovën, as shqiptarët kudo.  Këto “Marrëdhënie nuk ishin harruar kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare”, është shprehur ndihmës Sekretari i Shtetit, Raymond Seitz në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, në mars të vitit 1991.

Kam nderin dhe privilegjin të them, se një prej këtyre shqiptaro-amerikanëve isha edhe unë, kur për herë të parë, shkela në tokën e të parëve të mi, me delegacionin e parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara me 20 mars, 1991, vetëm 5 ditë pas nënshkrimit, në Departamentin e Shtetit në Washington, të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy popujve tanë, pas pothuaj një gjyësm shekulli komunizëm.

Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk mund të anashkalojmë assesi vizitën historike të Presidentit George W Bush në Tiranë, 15-vjetë më parë. Edhe kjo vizitë ishte në vazhdën e shprehjeve të një miqësie të veçantë nga Amerika, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, përfshir Kosovën.

Ashtu siç kishte premtuar presidenti demokrat i Amerikës, Woodrow Wilsoni 100-vjet më parë se zërin e tij do e përdorte në mbrojtje të Shqipërisë nga armiqtë e saj, edhe Presidenti republikan i Amerikës, George Bush pothuaj një shekull më vonë, përball pothuaj të njëjtëve armiq të Kombit shqiptar – deklaroi nga Tirana, gjatë një konferencë shtypi me ish-Kryeministrin e vendit, Z. Sali Berisha se: “Mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur”, duke shtuar se nuk mund të ketë bisedime të pafund rreth pavarësisë së Kosovës, do e citonte Presidentin Bush, gazeta e njohur Nju Jork Tajms.  Media amerikane e kohës, e cila i pat bërë një jehonë të madhe vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri 15-vjet më parë, interpretonte deklaratën e Presidentit amerikan si një deklaratë drejtuar Rusisë dhe aleatëve të saj që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë asaj vizite u vendosën gjithashtu edhe themelet e antarësimit të Shqipërsië në NATO.  Shqipëria mori ftesën për antarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht më 2008 dhe më 1 prill, 2009, Shqipëria u bë anëtare e plotë e NATO-s. Nuk besoj të ishte një zhvillim i rastit – që pavarësia e Kosovës është njohur nga SHBA dhe shtete të tjera perendimore në shkurt të vitit 2008, ndërsa Shqipëria u bë e anëtare e NATO-s, një vit më vonë.

“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë. Ka ardhur të na vizitojë miku më i madh e më i nderuar që kemi në botë – i të gjitha kohërave, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëheqsi i botës së lirë”, citohej nga FOX-news e Amerikës, Kryeministri i Shqipërisë, në atë kohë, Z. Sali Berisha.

Në këto dy përvjetore me shumë rëndësi për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, ne shqiptarët, pa dallim dhe kudo qofshim, me të drejtë shprehim miqësinë dhe admirimin tonë ndaj Amerikës, duke filluar nga Presidenti Wilson, ish-presidenti Bill Clinton, i cili ndërhyri për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga regjimi terroristo-komunist serb i Millosheviçit, e deri tek Presidenti George Bush i vjetër, i cili me “paralajmërimin e Krishtlindjeve” të dhjetorit, 1992, njoftoi Millosheviçin se agresioni serb në Kosovë do të sillte ndërhyrjen ushtarake të njëanshme të Shteteve të Bashkuara.  Dhe Presidenti George W.  Bush i ri, i cili nga Tirana bëri thirrje për pavarësinë e Kosovës duke deklaruar se, “Mjaft është mjaft”.

Të gjithë këta dhe shumë, shumë të tjerë -- politikanë të dy partive kryesore amerikane, përfshir senatorë e kongresmenë, zyrtarë vendas, shtetërorë e federalë – i janë gjëndur afër komunitetit shqiptaro-amerikanë, Shqipërisë, Kosovës dhe fatit të shqiptarëve kudo dhe kurdoherë dhe pa dallime politike.

Në ditët e sotëme -- ndërsa festojmë këto dy përvjetorë të rëndësishëm në marrëdhëniet tona – vihet re një debat se kush është më “pro-amerikan” ose më “anti-amerikan”, se tjetri.

Etiketimi midis shqiptarëve si “pro” ose “anti-amerikanë”, nuk i shërben interesave kombëtare të shqiptarëve as miqësisë shekullore midis dy vendeve tona. Sa i përket Amerikës, të gjithë shqiptarët, pa dallim, janë pro-amerikanë – në këtë jubile 100-vjeçar të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA dhe në 15-vjetorin e vizitës historike të Presidentit George W. Bush në Tiranë.

Urimi dhe shpresa ime është që kjo miqësi e veçantë midis dy kombeve tona të vazhdojë me shekuj, për sa të jetë jeta!

Gëzuar 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dhe miqësinë e përherëshme midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Mirë u dëgjofshim!

Frank Shkreli*- ka qenë anëtar i delegacionit të Departmentit të Shtetit në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri pas pothuaj një gjysëm shekulli ndërprerjeje të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri -- nga regjimi komunist i Enver Hoxhës

*Fjalim i mbajtur nepërmjet videos drejtuar mbledhjes së Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë në Tiranë, 14 Qershor, 2022 – në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Presidenti John F. Kennedy - Unë jam qytetar i Berlinit Frank Shkreli: Kanë filluar punimet për rehabilitimin e kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës, apel për ndihmë! Frank Shkreli: Tepër vonë dhe shumë pak, të nderuar ambasadorë! Frank Shkreli: Gëzuar 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane Frank Shkreli: 60 vjet nga themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane në New York Frank Shkreli: Amerikanizma në shërbim të shqiptarizmës - Peter Çikos, shëmbull i përbashkimit të shqiptarëve Frank Shkreli: Takimi i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me Richard Cheney Frank Shkreli: Shkodra në sytë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri, 1991 Frank Shkreli: 'Rasti Simon Mirakaj' - Pasqyrë e një politike të pamoralshme dhe të korruptuar Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti me një rrugë të tijën në New York Frank Shkreli: Lamtumirë nga Amerika e largët! Frank Shkreli: Prishtina përqafon të madhin Ernest Koliqi Frank Shkreli: Dalip Greca ndërroi jetë, humbje e madhe për gazetarinë Frank Shkreli: Një fotografi vlen më shumë se 1000-fjalë Frank Shkreli: Florida nderon viktimat e komunizmit, ndërsa Tirana e socialistëve refuzon të dënojë gjenocidin serb Frank Shkreli: Për kombin shqiptar rruga e Gjergj Kastriotit është rruga drejt perëndimit Frank Shkreli: Panamaja inauguroi shtatoren e Nënë Terezës Frank Shkreli: Kujtoj Ambasadorin Lublin Dilja Frank Shkreli: Kështu i duam shqiptarët Frank Shkreli: Nënë Tereza në Amerikë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora