Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 'Rasti Simon Mirakaj' - Pasqyrë e një politike të pamoralshme dhe të korruptuar
E merkure, 01.06.2022, 08:55 PM
“RASTI SIMON MIRAKAJ” – PASQYRË E NJË POLITIKE TË PAMORALSHME DHE TË KORRUPTUAR
Nga
Frank Shkreli
Pa
dashur të futem në hollësi se si e tek ndodhi
“rasti” Simon Mirakaj i ditëve të fundit -- përfundimi është se dy
“demokratë”, Gazment Bardhi e Enkelejd Alibeaj, në bashkpunim me socialistin
Taulant Balla, rrëxuan kandidaturën e Z. Simon Mirakaj si anëtar të Autoritetit
për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944÷1991,
(AIDSSH) – me pretendimin se kandidatura
e tij ishte nënshkruar nga Sali Berisha.
Siç
dihet, Simon Mirakaj rrjedhë nga njëra prej familjeve më të njohura dhe më të
vuajturat nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Vetë Simoni ka vuajtur burgjet
dhe kampet e internimit për gati një gjysëm shekulli – pothuaj rritë e plakur
në internim, larg nga vendlindja e tij.
Për
Simonin, vëllain e tij Sokolin dhe mbarë familjen Mirakaj – të internuar e të
burgosur, në disa zona të Shqipërisë,
por edhe për ata anëtarë të familjes Mirakaj të arratisur në perëndim, përfshir
babain, të parin e familjes, të ndjerin Palë Bib Mirakaj, të cilin e kam njohur
si një prej burrave më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan -- gëzimet
në jetën e tyre familjare ishin të paka dhe mjerimet në internim sikur nuk
mbaronin kurrë.
Madje
as në ditët e sotëme, 30-vjet “post-komunizëm”, fatkëqësitë po e ndjekin
Simonin. Duket sikur njollosja e familjes Mirakaj nga regjimi i Enver Hoxhës,
po e ndjekë atë edhe sot. Siç tregon
edhe rasti i fundit që ka të bëjë me një rast përjashtimi politik të ditëve të
fundit. Simon Mirakaj po persekutohet
për herë të dytë, 32 vite pas “rënies” së diktaturës, e cila e internoi dhe e
burgosi për pothuaj një gjysëm shekulli. Sipas lajmeve, deputeti socialist,
Taulant Balla pranoi kërkesën e “demokratit” Gazment Bardhit, me miratimin e
“demokratit” tjetër, Enkelejd Alibeaj, për të rrëzuar kandidaturën e Simon
Mirakajt si anëtar i (AIDSSH).
E
gjetën pretekstin e rastit për të përjashtuar një ish-të përndjekur të
komunizmit, duke mos votuar emrin e Simon Mirakajt, si anëtar të Autoritetit
për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944÷1991.
Fajin
e ka Saliu! Sali Berisha, në kompetencën e tij si deputet paska nënshkruar
rekomandimin e kandidaturës së Simon Mirakajt për anëtar të Autoritetit të
Dosjeve. Por për inatin dhe urrejtjen që kanë këta djema ndaj Z. Berisha, sipas
gjykimit të tyre, Simon Mirakaj duhet të “paguaj”, se Berisha është “non
grata”. Kush më mirë se Simoni, një ish-
i përndjekur për tu përdorur si anëtar i një klase të shoqërisë, për të cilët
as qeveria as shteti nuk çajnë fort kokën për ta as për familjet ose
sakfrificat e tyre – për të dërguar një mesazh më domethënës. Ky regjim dhe këta përfaqsues të Kuvendit
shqiptar e përdorën rastin e Simon Mirakës për t’u “futur lepurin në bark” të
tjerëve, duke i paralajmëruar të gjithë se po të merreni me Sali Berishën, as
bukë nuk do hani – duke i hedhur në rrugë të madhe, pa punë. Do hani bar!
Kriteri, pra, për refuzimin e kandidaturës së Z.Mirakaj si anëtar i
(AIDSSH), ku ka punuar për 5 vitet e fundit, ishte nënshkrimi i Sali Berishës
në mbështetje të Z. Mirakaj, krejtësisht brenda të drejtës së tij si deputet i
Kuvendit të Shqipërisë-- Jo more, jo, ata nuk e morën këtë vendim kundër Z.
Mirakaj, me premisën se ai nuk mund të bënte punën, por sepse e mbështeti Sali
Berisha.
Në
një program televiziv, Z. Mirakaj tha se ai vet vlerëson lirinë mbi të gjitha
duke u shprehur se, “E kam për nder që ka firmosur lideri historik i PD, Sali
Berisha. Liria (ime) i ka rrënjët hershëm tek Kryengritja e Malësisë së Madhe,
Kryengritja e Postribës, më pas revolta e Spaçit, familjet e internuara, të
syrgjynosurit nëpër burgje.”, ka thenë Simon Mirakaj, në një reagim në
televizion.
Z.
Mirakaj njihet si një ish i internuar i regjimit komunist në
Shqipëri, i cili jetoi në internim për 44 vite. I ati i tij është arratisur nga
Shqipëria pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, ndërsa familjarë të tjerë
janë pushkatuar për shkak të mospajtimit dhe rezistencës së tyre ndaj
komunizmit.
Mënyra
se si u morën përfaqsuesit e kësaj klase politike me votën kundër
kandidataturës së Simon Mirakajt, një i përndjekur dhe i internuar i regjimit
komunist, më kujton një thenje të Vladimir Leninit, të cilin po e parafrazoj të
ketë thenë se, ne duhet të veprojmë, të flasim e të shkruajmë me një gjuhë që
përhap sa më shumë urrejtje, neveritje dhe përbuzje në popull, sidomos ndaj
atyre që nuk pajtohen me ne.
Nxënës
të mirë të Leninit janë – përafqsuesit e klasës politike e tranzicionit
“post-komunist”, në Shqipëri!
Fatkeqësisht, jo vetëm shpresa e humbur për demokracinë atë vend, por më
duket si një gjeneratë e humbur, nga pikëpamja politike, për të ardhmen e
Shqipërisë dhe të kombit!
Shikoni
fytyrat e këtyre tre liderve të rinjë politikë.
Këta nuk janë përfaqësues të elitës së vjetër post-komuniste. Mund të
jem gabim, por në vitin 1990 – me shembjen e Murit të Berlinit -- këta duhet të
kenë qenë në shkollë të mesme, ndoshta.
Me fjalë të tjera jo të regjur në komunizëm si disa të tjerë, por
fatkeqsisht sot sillen si komunistë pa librezë, ndërsa me fjalë dhe vepra
përhapin urrejte, neveritje dhe përbuzje, sidomos ndaj aytre që nuk pajtohen me
ta. Sali Berisha me të drejtë ose pa të
drejtë, është i zoti të mbrojë veten prej këtyre politikanëve të rinjë, por
pyetja është kush e mbron Z. Simon Mirakaj
dhe shumë të tjerë si ai, ish-të përndjekurit dhe ish-të internuarit e
regjimit komunist. Si nuk del një nga këta polikanët e ri “modernë”, që e
quajnë veten, “pro-perëndimorë” e veçanërisht “ pro-amerikanë” e të pyes, more
çfarë përfaqësie kanë ish-të përndjekurit e regjimit të Enver Hoxhës në
qeveritë shqiptare dhe në entet shtetërore në përgjithësi, këto 30-vitet e
fundit. Sa sish ka sot në qeverinë aktuale???!!! Çfarë mundë të bëjmë që
qeveria të duket sa më përfaqsuese që të jetë e mundur, duke mos përjashtuar
asnjë grup, siç janë të përndjekurit e komunizmit.
Po
diplomatët perëndimorë në Tiranë, shohin gjë se çfarë po ndodhë me këtë shtresë
të shoqërisë shqiptare, krejtësisht të përjashtuar nga jeta politike e
vendit. A është kjo vlerë perëndimore të
mbyllni sytë ndaj përjashtimit të 50% të popullsisë së një vendi nga jeta
politike. Do lejohej një gjë e tillë në
cilindo vend anëtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, që ju përfaqësoni në
Tiranë, siç ndodhë në Shqipëri? Pse
tolerohet deri në këtë shkallë, keqtrajtimi dhe përjashtimi nga jeta politike e
vendit e ish të përndjekurve politikë të regjimit diktatorial të Enver
Hoxhës. Është detyrë e juaj , të nderuar
përfaqsues të Perëndimit demokratik, që një vend aleat si Shqipëria të jetë
edhe një aleatë vlerash që ndajmë me atë vend, për ndryshe cili është ndryshimi
midis këtij regjimi dhe ish-regjimit të Enver Hoxhës që ka burgosur, internuar,
ose në një mënyrë ose një tjetër përjashtonte më shumë se gjymën e popullsisë
nga jeta politike dhe shoqërore.
Për
Simon Mirakaj si dhe për shumë e shumë të tjerë, kundërshtarë të komunizmit, të
përjashtuar atëherë, të përjashtuar edhe sot. Për ta, situata nuk ka ndryshuar
shumë.
Ç’na
duhet të festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, kur në
Shqipëri edhe sot pas 30-vjet tranzicion kemi të bëjmë me regjime që me dashje
ose pa dashje kanë përjashtuar dhe izoluar gjysmën e popullësisë nga
pjesëmarrja në jetën e vendit. Në rastin e Simon Mirakajt, i internuar dhe i
persekutuar, vetëm e vetëm se babai Palë Bib Mirakaj ishte shtetas amerikan,
madje një shtetas shembullor amerikan.
Sjellja zyrtare e tre përfaqsuesve të klasës aktuale politike ndaj
emrimit të Simon Mirakaj për anëtar të (AIDSSH)
-- djalit të një shtetasi amerikan -- për nga mënyra se si u zhvillua
ditët e fundit – vetëm e vetëm se mendon ndryshe -- është absolutisht e
papranueshme. Kjo nuk është vlerë
amerikane!
Simon
Mirakaj është mësuar të vuaj persekutimet dhe përjashtimet. Ai di edhe të
mbijetojë. Me ndihmën e Zotit, Simoni do
të dijë edhe të triumfojë mbi të keqen. Fatkeqësia është se me një klasë
politike si kjo aktualja – moralisht e korruptuar dhe ideologjikisht e hutuar
–por kam drojë se Shqipëria nuk do të mund të triumfojë mbi të keqën e
trashëgimisë së regjimit të Enver Hoxhës dhe nostalgjikëve të tij.
Z.
Simon Mirakaj duke folur me rastin e promovimit të tre vëllimeve të autorit,
“Demokracia nuk pret”, 11, Shtator, 2018 në Tiranë. Uroj që Z. Mirakaj dhe mijëra ish-të
përndjekur e të burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndonëse gjithnjë
të përjashtuar dhe të lënë pas dore, të mos humbasin besimin në demokracinë dhe
vlerat e verteta të lirisë dhe demokracisë perëndimore.