Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gëzuar 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane
E merkure, 22.06.2022, 09:44 PM
KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN DHE 100-VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPËRI-AMERIKË
GËZUAR 100-VJETORIN E
MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, PËR SHEKUJ TË SHEKUJVE!
Nga
Frank Shkreli*
Përshëndetje të
nderuar bashkombas, anëtarë dhe simpatizantë të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane,
“Skenderbej”.
Me këtë emër të të
Madhit dhe të Përgjithmonshmit të Kombit, sot dhe çdo ditë, ju kujtoni Gjergj
Kastriotin – Skenderbe – Kryetrimin e Kombit shqiptar, udhëheqsin e luftërave
heroike kundër perandorisë osmane. Por, përveç luftëtarit dhe meritave të tjera
të shumta -- në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë
dhe Shteteve të Bashkuara – kujtojmë gjithashtu Skenderbeun edhe si
Kryediplomatin e të gjitha kohërave të Shqiptarëve – themeluesin e institucioneve
diplomatike të shtetit shqiptar dhe promovuesin e marrëdhënieve me shtetet
evropiane perëndimore të kohës së tij.
Dihet fati i mjerë
ushtarak dhe diplomatik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve -- pas vdekjes së
Skenderbeut – por ja ku jemi sot. “Qe, pra sot po ka Shqypni; Qe, pra sot po ka
Shqyptarë”, do të thoshte At Gjergj Fishta.
Por duhej të vinte
liria dhe pavarësia që të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri,
ashtu që të lulëzonte shteti shqiptar, që të zhvillohej diplomacia por edhe
lidhjet e ngushta midis dy kombeve tona.
Ky vit shënon 100-vjet diplomaci me shtetin më të fuqishëm në botë sot –
mikun e madh historik të shqiptarëve: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si rezultat i
kësaj diplomacie – vetëm në 30-vitet e fundit, përfitimet për shqiptarët janë
të dukshme – kishim vizitën e parë historike të një Presidenti Amerikan në
detyrë, Z. George W Bush, në Shqipëri.
Kemi Shqipërinë në NATO, aleancën më të fuqishme ushtarake që ka njohur
ndonjëherë bota dhe kemi Shqipërinë vend-kandidat për antarësim në Bashkimin
Evropian.
Kemi Kosovën e
lirë e të pavarur, në miqësi të perhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
siç shprehej dikur Pesidenti historik i saj, Dr. Ibrahim Rugova. Kemi arrijtje
dhe suksese historike të pafund në fushën e të drejtave të njeriut dhe në
trajtimin e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, në Ballkanin Perëndimor, bazuar
në të drejtat universale të njeriut.
Të gjitha këto
realizime historike në interes të Kombit shqiptar sot për shqiptarët në Ballkan
– si asnjëherë më parë në histori -- janë rezultat i një angazhimi serioz
diplomatik, politik dhe ushtarak të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të
Washingtonit në Evropën Perëndimore, për të ndihmuar Shqipërinë, Kosovën dhe të
drejtat e shqiptarëve në trojet e veta shekullore. E gjithë kjo, falë
diplomacisë amerikane të këtyre 30-viteve të fundit. Merreni me mendë se ku do ishte Shqipëria dhe
shqiptarët sot, po të kishte pasur zhvillim normal marrëdhëniesh me një qeveri
normale dhe pa ndërprerje të lidhjeve diplomatike Shqipëri-SHBA, për pothuaj
gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?!
Sidoqoftë, 100
vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të
Amerikës dhe Shqipërisë është një moment i vecantë për të gjithë ne dhe
shumë i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona. Një
përvjetor -- simbol miqësie dhe bashkpunimi midis dy popujve dhe shteteve tona
–pas një armiqësie absurde 50-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës
kundër Shteteve të Bashkuara.
Roli i Diasporës
Pas pothuaj një
gjysëm shekulli komunizëm, 15 marsi i vitit 1991 shënon edhe lidhjet e
para, komb me komb, në pothuaj një gjysëm shekulli. Unë me disa
shqiptaro-amerikanë të tjerë kemi patur nderin dhe privilegjin të ishim të
pranishëm në ceremoninë historike të vitit 1991 në Departamentin Amerikan të
Shtetit në Washington, për nënshkrimin e “Memorandumit të Mirëkuptimit”, i cili
rivendosi, zyrtarisht, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona.
Me atë rast tepër
emocional për të gjithë ne të pranishmit, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i
Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Z. Rejmond G.H. Saitz, ka venë në
dukje rolin e mërgatës shqiptare në Amerikë në ruajtjen e këtyre marrëdhënieve
duke u shprehur se: “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e
hershme të këtij shekulli, kur Presidenti
Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri
shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me
origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë
këtyre viteve.”
15 Marsi, 1991,
ishte një ditë kënaqësie e jashtëzakonshme shpirtërore për mua dhe për të
gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë kudo, por sidomos për komunitetin
shqiptaro-amerikan. Ishte një ditë kur, më në fund, flamuri i Kombit
shqiptar u vendos në platformën e flamujve të shteteve të botës në Departmentin
Amerikan të Shtetit në Washington. Ishte një ditë, kur Shqipëria
komuniste, më në fund, iu përgjigj thirrjes -- ndonëse me ngurrim por e
detyruar nga ndryshimet gjeopolitike të kohës në Evropë, thirrjes që Shtetet e
Bashkuara i përcillnin publikisht, pothuaj, çdo vit Tiranës zyrtare, për të
rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Washingtonin.
Delegacioni i parë
i Departamentit Amerikan të Shtetit – pjesë e të cilit isha edhe unë -- arrijti
në Tiranë, pas një gjysëm shekulli, një javë pas rivendosjes së marrëdhënieve
diplomatike midis dy vendeve duke qëndruar në Shqipëri, si fillim, për dy javë,
në mars/prill, 1991.
Vizita ime në
Shqipëri me delegacionin e parë të Departmentit Amerikan të Shtetit ishte një
moment emocionesh të mëdha. U përlota
dhe u emocionova shumë, pikërisht, në momentin kur për herë të parë vendosëm
flamurin amerikan në makinën tonë diplomatike me të cilën udhëtuam anë e mbanë
Shqipërisë. U përlota nga mallëngjimi,
se më në fund Flamuri i vendit tim të adaptuar, Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, po valvitej tani i lirë në tokën e të parëve të mi, ku për pothuaj
një gjysëm shekulli, flamuri amerikan ishte i ndaluar dhe urrehej si një simbol
armiqsor nga një regjim -- ndër më të egrit e diktaturave të komunizmit
ndërkombëtar – që ishte regjimi i Enver Hoxhës.
Prandaj, porosia
ime sot në këtë tubim të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, është që
100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të shërbejë si
një moment reflektimi për atë periudhë të zezë në histori. Që të të bëhet ç’mos
për t’i ruajtur ato si sytë e ballit dhe për t’u dhënë këtyre marrëdhënieve një
hov edhe më të madh përpara. Me qëllim për të rifituar kohën e humbur nën
regjimin komunist, por edhe për të siguruar që një gabim i tillë historik
katastrofik për interesat e shqiptarëve, të mos ndodhë më kurrë.
Rivendosja e
marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane dhe kultivimi i tyre ka qenë një objektiv,
për të cilin kanë punuar shumë breza shqiptaro-amerikanësh – nga të gjitha
trojet shqiptare -- gjatë 100-viteve të kaluara. Le t’i kujtojmë ata
patriotë sot dhe t’i falënderojmë se – sepse megjithë dështimet – për shkak të
refuzimit të regjimit komunist -- për t’i rivendosur ato marrëdhënie gjatë
dekadave të shekullit të kaluar, këta patriotë shqiptaro-amerikanë, nuk u
dorëzuan kurrë as nuk u tërhoqën asnjëherë nga ideja e miqësisë së fortë
amerikano-shqiptare, megjithë propagandën anti-amerikane që vinte nga Tirana e
kuqe. Një fjalë e urtë kineze thotë se,
“kur pin ujë, mendo për ata që kanë hapur pusin”.
Uroj që të gjithë
shqiptarët kudo, e që kanë përfituar nga këto marrëdhënie, si individë, si
familje por dhe i mbarë kombi shqiptar, të kujtojnë -- në këte përvjetor të
rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona -- të gjithë ata
vizionarë shqiptaro-amerikanë që nuk pushuan kurrë se punuari për këto
marrëdhënie diplomatike. Ata u përpoqen tërë jetën e tyre për të angazhuar
Shtetet e Bashkuara për bashkpunim me kombin shqiptar, dhe jo për izolim e
armiqësi me Amerikën. Fatkeqsisht, disa prej këtyre patriotëve shqiptarë të
këtij komuniteti, ende sot -- në këtë 100-vjetor të marrëdhënive diplomatike
Shqipëri-SHBA -- dhe 30-vjet pas rivendosjes së këtyre lidhjeve në Mars, 1991,
ata ende konsiderohen si armiq e tradhëtarë në Atdheun e tyre të origjinës,
vetëm e vetëm, se kundërshtonin regjimin e Enver Hoxhës. Kësaj politike
anti-kombëtare duhet ti vijë fundi, njëherë e mirë.
Diaspora shqiptare
në Amerikë e ka treguar, historikisht, se është ndër ambasadorët më të mirë që
mund të ketë pasur dhe ka Kombi shqiptar gjatë dekadave, duke filluar nga Noli
e Konica e deri në ditët e rivendosjes së marrëdhënieve me 15 mars, 1991. Le të
kujtojmë në këtë 100-vjetor se në mungesë të marrëdhënieve normale diplomatike
shqiptaro-amerikane gjatë komunizmit, komuniteti shqiptaro-amerikan, me
dinjitet dhe plot atdhedashuri, ka mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë
dhe të shqiptarëve, ndërkohë që ka luajtur rolin jo-zyrtar të ambasadës dhe të
ambasadorit të kombit shqiptar në Washington.
Edhe ky brez i
komunitetit shqiptaro-amerikan sot në këtë 100-vjetor -- si individë ashtu dhe
si organizata -- ka përgjegjësinë e vet që ashtu siç kanë bërë brezat e
mëparshëm të komunitetit tonë këtu në Amerikë, të luftojë që këto lidhje midis
Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar të mos preken kurrë më nga diktatorë, parti
ose regjime anti-amerikane shqiptare në të ardhmen. Këto marrëdhënie
100-vjeçare nuk janë pronë as meritë e vetme e ndonjë kryeministri a
presidenti, e madje as edhe e ndonjë ambasadori të vetëm. Ato janë lidhje
historike në interes të përbashkët të dy kombeve tona! Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane
janë të shënjta, në interes madhor të çështjeve kombëtare që nuk duhet të
lejohen kurrë të jenë subjekt abuzimesh, manipulimesh as përfitimesh të
përkohëshme personale ose partiake nga autokratë të caktuar ose individë të
papërgjegjëshëm, nga cilado palë qofshin.
Si
shqiptaro-amerikanë, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane, sot kemi shumë arsye për të celebruar të gjitha arritjet
që përmenda më lartë në fushën e marrëdhënieve dypalëshe dhe që me entuziazëm
dhe shpresë të presim dhe të shkojmë drejt zhvillimeve edhe më të mëdha, në të
ardhmen, në dobi të marrëdhënieve midis dy popujve tanë.
Më në fund, ju
falënderoj për durimin dhe për respektin që kini treguar ndaj meje, duke më
ftuar të jem së bashku me ju në këtë përvjetor të shënuar për dy kombet tona të
dashura. Gëzuar, pra, të gjithëve 100-vjetorin e marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane, për shekuj të shekujve! Urimet e mia më të përzemërta të
gjithëve!
Frank Shkreli
*Fjala në tubimin e SHOQATËS SHQIPTARO-AMERIKANE,
“SKENDERBEJ”, në kuadrin e 100-Vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike: SHTETET E
BASHKUARA TË AMERIKËS-SHQIPËRI
*Autori ka marrë në ceremoninë e 15 Marsit,
1991 të nenshkrimit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis
Washingtonit e Tiranës dhe anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan
që, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit, shkoi në Tiranë për të vendosur
kontaktet e para midis dy vendeve, në pothuaj 50-vjet.
Shoqata Shqiptaro-Amerikane Skenderbej Inc. | Facebook
Autori duke folur
me rastin e manifestimit të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej”, kushtuar
100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqiptaro-Amerikane
Përfaqsues të
Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, në ceremoninë e emrimit të rrugës,
“Gjergj Kastrioti - Skenderbeu”, në Bronx të Nju Jorkut, Maj, 2022