Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Amerikanizma në shërbim të shqiptarizmës - Peter Çikos, shëmbull i përbashkimit të shqiptarëve
E hene, 13.06.2022, 09:19 PM
AMERIKANIZMA NË SHËRBIM TË SHQIPTARIZMËS
PETER ÇIKOS SHËMBULL I
PËRBASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
Fjala
në konferencën: “Vatra -110 Vjet në Shërbim të Atdheut dhe Komunitetit Shqiptar
në Amerikë”
Nga
Frank Shkreli
Në
historinë e saj 110-vjeçare, Federata Pan-Shqiptare Vatra, me të drejtë,
krenohet me të kaluarën e saj në mbrojtje të interesave kombëtare, në
përgjithësi. Krenare për aktivitetet e shumëta që ka organizuar dhe organizon.
Kanë
qenë dhe janë këto aktivitete që e kanë bërë Vatrën, vatër për të gjithë,
përbashkuese, në përpjekjet e saj për idealin gjithnjë të pa realizuar –
vëllazërimin dhe përbashkimin e shqiptarëve. Por, njëkohësisht, me vazhdimsinë
e saj, Vatra edhe në moshën 110-vjeçare sot po i tregon botës shqiptare dhe
shoqërisë amerikane, ku jetojmë, se megjith sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe Kombi
shqiptar në përgjithësi -- organizime si ky përvjetor, tregojnë se shqiptarët
janë të vetdijshëm të vlerave të veta historike, shpirtërore dhe identitare –
që i ruajnë si trashëgimi e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.
Dëshiroj
që në këtë 110-vjetor -- shkurtimisht --
të nënvijoj rolin përbashkues të Federatës Pan-Shqiptare Vatra -- në bashkpunim
me diasporën anti-komuniste matanë oqeanit dhe me Arbëreshët e Italisë -- duke
marrë si shembull, festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit –
Skenderbe në Vatikan dhe në Romë, prillin e vitit 1968. Le të shërbejë ky si
një mesazh i rëndësishëm simbolik, por jetik për brezin e sotëm të diasporës
shqiptare këtu në Amerikë, për të bashkpunuar për realizimin e “përbashkimit
vëllazëror”, në komunitetin shqiptaro-amerikan, si një porosi e Heroit
Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skenderbe.
Kryesia
e atëhershme e Vatrës me në krye Peter (Chicos) Çikos dhe qindra shqiptarë nga
të gjitha anët e botës, ishin ftuar të merrnin pjesë në celebrimet e organizuara në Romë dhe në Vatikan në prill
të vitit 1968, me rastin e 500-vjetorit
të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeu.
Për nga organizimi dhe pjesëmarrja mbarë shqiptare, ky tubim ka mbetur
një veprimtari e paharrueshme dhe historike e diasporës, organizuar nga
Arbëreshët e Italisë me ndihmën thelbësore dhe nën drejtimin e përfaqësuesve të
diasporës së pas luftës, si Prof. Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij në
Itali.
Ishte
pra prilli i vitit 1968, kulmi i luftës së ftohët. Më vonë atë vit, (në gusht)
ish-Bashkimi Sovjetik do të pushtonte Çekosllovakinë dhe Shqipëria jonë e mjerë
komuniste ishte zhytur në zjarrin vet-shkatërrues të lëvizjes më të turpshme të
shekullit të kaluar për shqiptarët – të ashtuquajturit “revolucion kulturor”
kinez --dhuratë nga Kina maoiste e që kishte për qëllim çkombtarizimin --
zhdukjen e identitetit dhe të historisë së vërtetë të shqiptarëve – në lavdi të
marksizëm-leninizmit ndërkombëtar.
Në
këtë atmosferë të tensionuar kombëtare dhe ndërkombëtare, diaspora anti-komuniste
në Evropë me Arbëreshët e Italisë dhe me Vatrën e Amerikës, vërshuan në Romë e
Vatikan për t’i treguar botës me plot krenari dhe dinjitet-- se pa marrë
parasyshë se ç’po ndodhte në Shqipërinë e Enver Hoxhës në atë kohë –
shqiptarët, si komb ishin të bashkuar rreth Fatosit të tyre trim, Gjergj
Kastriotit-Skenderbe – në një frymë vëllazërimi e përbashkimi, pa dallim feje a
krahine.
“Gjaku
arbënuer njofti nji triumf të papritun n’ato ditë”, do të komentonte
krye-organizatori i celebrimeve të 500-vjetorit të Skenderbeut në Vatikan,
Profesor Ernest Koliqi.
Një
rol të rëndësishëm – historik, mund të thuhet -- në realizimin e këtij,
“triumfi” arbëror, ka luajtur edhe kjo Vatër, 110-vjetorin e të cilës shënojmë
sot. Delegacioni i Vatrës në Vatikan,
përbëhej nga ndër më të mirët e diasporës shqiptare anti-komuniste të asaj kohe
– figura me emër në diasporë, por të urrejtur nga regjimi komunist në Atdhe.
Ja
si e përshkruante Ernest Koliqi praninë e vatranëve në festimet e 500-vjetorit
të vdekjes së Kryetrimit të shqiptarëve: “Nji tubë zojash të ndritshme e
zotnijsh të zgjedhun, përfaqësoi -- në rrethe arbëreshe e shqiptare – Federatën
e mirënjohun që dikur aq hov i dha përpjekjeve për rilindje të Atdheut dhe sot
mban naltë zanin e Shqipnisë në botën perëndimore. Hijet e madhnueshme të Nolit
e të Faik Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë ndër rrjeshtat tonë
kryesinë vatrane, të atyne dy Patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të
Shoqatës. Kishim përshtypjen se drita e
agimeve të reja të Rilindjes atë ditë po reshte mbi Bashkimin e Arbëreshëve me
Shqiptarë. E bashkë me atë dritë, rrezja e bekimit të Perendisë”, do të
shkruante Ernest Koliqi. Pjesëmarrja e
vatranëve në manifestimet përbashkuese të 500-vjetorit të Skenderbeut, Koliqi e
ka cilësuar si një prani që ua, “shtoi shkëlqimin kremtimeve”.
Në
vazhdim të temës së “përbashkimit”, në këtë 110-vjetor të Vatrës, dua të kujtoj
një ish-Kryetar të Vatrës, një shembull të “përbashkimit të shqiptarëve” në
diasporë, të ndjerin Peter Chicos. Jo me fjalët e mia pasi, fatkeqësisht, nuk e
kam njohur, por bazuar në vlerësimet e të tjerëve.
Me
rastin e kalimit të tij në amshim të parakohëshëm, Gazeta Boston Globe
shkruante, ndër të tjera, se Departamenti Amerikan i Shtetit, duke njohur
aftësitë e Peter Çikos si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan,
sanksionoi në vitin 1968 disa simpoziume ndërkombëtare nën drejtimin e tij dhe
të Federatës Pan-Shqiptare Vatra, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar
të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në Romë, në Vatikan dhe në Nju
Jork.
“Atëherë,
për herë të parë”, theksonte gazeta amerikane Boston Globe, “Në Katedralën e
Shën Patrikut në Nju Jork, u mbajtën shërbimet ekumenike fetare Katolike,
Ortodokse dhe Myslimane.” Gazeta shënonte gjithashtu se Peter Çikos ishte
pritur në Vatikan nga Papa Pali i VI me rastin e ceremonive kushtuar
500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skendërbe në vitin 1968, ku ai kishte dhënë
ndihmesën e tij në organizimin e manifestimeve madhështore me atë rast, në krye
të një delegacioni mjaft të madh shqiptaro-amerikanësh, pa dallim feje a
krahine, që mori pjesë në ato ceremoni.
Shqiptarët e mbledhur atje për të përkujtuar dhe nderuar Fatosin e tyre
të Madh, por njëkohësisht, edhe për t’i shpalosur botës një dëshmi të pashoqtë
identiteti dhe dinjiteti kombëtar, bashkpunimi dhe marrëveshje vëllazërore.
Ernest
Koliqi kishte krijuar një respekt të jashtzakonshëm për aftësitë organizuese,
për gatishmërinë dhe prirjet e Peter Çhicos për të frymëzuar dhe bashkuar
diasporën shqiptare në Amerikë dhe më gjërë. “I lindun e i rritun në
tokën amerikane dhe si i tillë i përjashtuem nga ndasitë që ligshtojnë botën
shqiptare, ai drejtoi veprimtarinë e vet dhe të rrethit vatran në harmonizim të
atyne forcave të shpërndara”, ka shkruar Koliqi në një editorial botuar në
revistën Shëjzat, kushtuar jetës dhe veprimtarisë patriotike të Peter Genc
Çikos. “Me dinamizëm amerikan, i përkrahun nga rrethi i vjetër si dhe nga
dashamirë të ri, ia doli qëllimit në skaj. Ai organizoi në Boston e në New York
manifestimet dhe organizimet ma të shkëlqyeshme që njofti diaspora shqiptare
sot e kësaj dite. Mblodhi në nji ndjesi vëllaznore Vatranë, Arbëreshë e
Shqiptarë të mërgatës, pa dallim besimesh e krahinash, kulturash e rrymash
politike.”
Ernest
Koliqi e ka pagëzuar Peter Çikos, si “Unifikuesi”, në historinë e diasporës dhe
të shqiptarëve, në përgjithësi. “Kjo i jep Atij të drejtën m’u quejtun në
historinë e diasporës sonë, Çikos Unjisuesi, ose (Unifikatori) i gjakut të
shprishur”, sipas Koliqit.
Ndërsa
një tjetër eksponent i mërgatës së atëhershme shqiptare, Tahir Kolgjini e ka
kujtuar ish-Kryetarin e Vatrës si një njeri me “Sjellje simpatike, t’urtë, i
cili krijoi marrëdhënie të përzemërta me grupet e ndryshme, pa ardhun ndesh me
programet e tyne”.
Muar
pjesë në 500-vjetorin e përkujtimuer të Heroit Kombëtar në Romë. Shkoi edhe në
gjirin e Arbëreshve në Itali, vizitoi vende të tjera të Evropës, rregulloi në
mënyrë shembullore përkujtimin e Heroit tonë në Shtetet e Bashkueme”, e të
tjera. Për të gjitha këto, sipas Tahir Kolgjinit, “Qëllimi i tij ishte për t’ia
bamë të njohun botës se raca shqiptare ashtë e gjallë kulturalisht dhe
fizikisht. Nderoi Vatrën, nderoi Diellin. Nderoi botën shqiptare. Nderoi edhe
vetveten…Me pak fjalë, ngriti naltë sedrën kombëtare, tue mbajtun në kambë
moralin e shqiptarëve, që ishin të dënuem me qëndrue larg Atdheut.”
Ndërsa
Martin Camaj, një tjetër bashk-kohas i ish-Kryetarit të Vatrës, ka shkruar se e
kishte njohur Peter Çikon si, “Një burrë të rrahun me jetë, realist, me cilësi
të mbara e të nevojshme të një shqiptari të vendosun e krenar -- për të ia pasë
lakmi”. Peter Genc Çikos, ka shkruar Martin Camaj, ishte ndër ata
shqiptarë të cilët i, “Sollën nderimin emnit shqiptar në botën amerikane.”
Ishin
këto ndjenja ndaj një shqiptaro- amerikani si Peter Çikos që i kishin lënë
përshtypje të thella edhe albanalogut të njohur Italian, At Zef
Valentinit. “Me ‘të (Peter Chicos) në
krye të Vatrës kishte hypë breznija e re e Shqiptarëve të Amerikës dhe ashtu kishte
hyr përnjimend AMERIKANIZMA në shërbim të SHQIPTARIZMËS”, do të shkruante At
Zef Valentini.
Ndërsa,
Skendër H. Hasani në një shënim botuar në revistën Shëjzat të Ernest Koliqit ka
shkruar se Peter Genc Çikos, si Kryetar i Vatrës por edhe si njeri dhe si
shqiptaro-amerikan i brumosur dhe i ushqyer me më të mirat e dy kulturave tona
– asaj shqiptare dhe amerikane – i tregoi, “Diasporës shqiptare se ç’rrugë
duhet marrë e si mund të dëgjohet zëri i tyre në botë. Me urtësi e butësi, por
me program të caktuar, ai bëri që të përtrihet me hov roli historik i Vatrës”,
është shprehur ai ndër të tjera.
Unë,
me qëllim solla në vëmendje, në këtë 110-vjetor rolin e ish-Kryetarit të Vatrës
Peter Genc Chicos dhe vlerësimet e punës së tij si vatran dhe si
shqiptaro-amerikan, e mbi të gjitha rolin e tij përbashkues që ai luante në
Vatër dhe në komunitet – si një shembull, mundësisht, për t’u ndjekur e për t'u
kopjuar nga brezi i ri. Peter Genc
Chicos kishte një përparsi të madhe si i lindur dhe i rritur në Amerikë, por me
ndjenja të thella dhe dashuri për Shqipërinë. Ai nuk ishte as pjesë, as viktimë
e ndasive që, historikisht, kanë ligështuar dhe po ligështojnë botën shqiptare
edhe sot, jo vetëm në trojet tona, por edhe këtu në Amerikë.
Periudha
e Peter Chicos si Kryetar i Vatrës ishte me të vërtetë -- siç është shprehur
dikur albanologu italian At Zef Valentini -- një periudhë historike unifikuese
e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Vatrës, një kohë kur në këtë komunitet,
përnjimend kishte hyrë fryma e, “Amerikanizmës në shërbim të Shqiptarizmës”.
Prandaj,
urimi im në këtë 110-vjetor të VATRËS është i thjeshtë dhe I realizueshëm: Uroj
që fryma e Amerikanizmës së Peter Chicos të jetë gjithmonë në shërbim të
Shqiptarizmës, me vatranë si ish-Kryetari i Vatrës dhe unifikuesi i
shqiptarëve, i ndjeri Peter Chicos.
Peter
Chicos ka ndërruar jetë tepër i ri, në korrik të vitit 1970, në moshën
51-vjeçare. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!
E
Vatra rroftë e qoftë sot dhe për jetë të jetës! Ju falënderoj për durimin!
Frank Shkreli
*Fjala me rastin e 110-Vjetorit të themelimit të Federatës
Pan-Shqiptare Vatra: Peter Chicos, shembull i përbashkimit shqiptar –
“Amerikanizma në Shërbim të Shqiptarizmës”, Nju
Jork, 12 Qershor, 2022
KUSH
ISHTE PETER CHICOS: Ishte fillim Korriku i vitit 1970 kur në komunitetin
shqiptaro-amerikan dhe më gjërë u përhap lajmi i zi se, papritmas, kishte
ndërruar jetë nga një goditje në zemër, Peter Genc Chikos (Çikos), Kryetari i
Federatës Pan-shqiptare, Vatra. Si udhëheqës i organizatës më të madhe
shqiptaro-amerikane, Peter Çikos ishte, natyrisht, i njohur në radhët e
komunitetit shqiptar në Amerikë, por ishte gjithashtu i njohur edhe në
komunitetin më të gjërë amerikan ku jetonte e vepronte, sidomos në qytetin
Boston të shtetit Masaçusets.
Gazeta
e njohur amerikane Boston Globe kishte njoftuar vdekjen e para kohëshme, të
Peter Çikos në moshën 51-vjeçare, duke venë në dukje arritjet në jetën dhe
veprimtarinë e tij, përfshirë medaljet që kishte fituar si përfundim i
heroizmit të tij në Luftën e dytë Botërore. Shkruante për detyrat e
ndryshme me rëndësi që kishte kryer në ushtrinë amerikane, përfshirë detyrën e
oficerit zë inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower
gjatë invadimit të Francës, si pjesëtar i Grupit të 6-të të Ushtrisë Amerikane,
ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e
Berlinit. Ndërkohë që largohet me nderimet më të larta nga radhët e
ushtrisë amerikane pas luftës, Peter Çikos me të kthyer në Boston ndihmoi në
themelimin e Shoqatës së Veteranëve shqiptaro-amerikanë dhe fillon një jetë të
re si civil, pa uniformën ushtarake.
Në
një shënim nekrologjik, Gazeta Boston Globe shënonte se me të dalë nga ushtria,
Peter Çikos vazhdoi veprimtarinë e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan,
bazuar në gjurmët që kishte lënë, si shembull babai i tij, Harris (Llambi)
Çikos, njëri prej themeluesve të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në
Amerikë dhe njëherazi Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, një organizatë
patriotike shqiptare, siç e ka cilësuar Vatrën me atë rast gazeta Boston
Globe. Kjo gazetë ndër më të mëdhat e asaj kohe, por që edhe sot
gëzon influencë në Amerikë, shkruante edhe për përpjekjet personale
redaksionale të Peter Çikos në mbështetje të gazetës Dielli, organ i Federatës
Pan-shqiptare Vatra, si dhe për ndihmën financiare që ai jepte për botimin e
gazetës që në atë kohë dilte një herë në javë.
Drejtuesit
e seancave të Konferencës: “Vatra -110-Vjet në Shërbim të Atdheut dhe
Komunitetit Shqiptar në Amerikë”
Peter
(Chicos) Çikos ish-Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare, Vatra, 1969 duke folur
në Hotelin “Americana” në Manhattan të Nju Jorkut në tubimin me rastin e
60-vjetorit të gazetës Dielli – Ish officer i inteligjencës ushtarake në stafin
e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës dhe pjesëtar i Grupit
të VI të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i
Misionit për Kontrollin e Berlinit i Përherëshëm qoftë kujtimi i tij!
Peter
Çikos me Z. Anthony Athanas në Romë/Vatikan, prill, 1968 – 500-vjetori i Gjergj
Kastriotit -Skenderbe
Peter
Çikos, i dyti nga e majta, te varri i Faik Konicës me Mons. Zef Oroshin, Nikoll
Shkoza, Prof. Ernest Koliqi, Ndue Gjomarkaj, Christo Thanas, Dr Ismail
Vërlaci, Ing, Ago Agaj, Sejdi Bytyçi dhe Gjon Buçaj