Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kanë filluar punimet për rehabilitimin e kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës, apel për ndihmë!
E diele, 26.06.2022, 07:07 PM
KANË FILLUAR PUNIMET PËR REHABILITIMIN E KISHËS SË KUVENDIT TË ARBËRIT AFËR LEZHËS
APEL
PËR NDIHMË!
Nga Frank Shkreli
Bëhet fjalë për asgjë më pak se restaurimin
e Kishës ku është mbajtur Kuvendi i Arbërit afër Lezhës -- “Vendi ku u mblodhën
burrat e motit” -- në vitin 1703, sipas studiuesit, nismëtarit dhe
protagonistit kryesor të këtij projekti të rëndësishëm për historinë
mbarëkombëtare të shqiptarëve, Dr. Dom Nikë Ukgjinit. Për hollësi të mëtejshme
për historinë e Kuvendit të Arbërit mund të lexoni linkun e bashkangjitur të
një artikulli nga Dom Nikë Ukgjini -- të fjalës që ai ka mbajtur vitin e kaluar
në Konferencën Jubilare: “Papa Klementi XI dhe Shqipëria”, organizuar nga
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Nunciatura Apostolike në Shqipëri. KISHA E KUVENDIT TË ARBRIT, NË TË KALUARËN DHE SOT – Dielli | The Sun
(gazetadielli.com)
Është e rëndësishme të theksohet se sipas
disa studiuesve dhe historianëve të asaj periudhe, Kuvendi i Arbërit -- që
është mbajtur në vitin 1703, nën drejtimin e Papa Klementit të XI, me origjinë
shqiptare -- është ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kombit
shqiptar, pas Besëlidhjes së Lezhës. Frank Shkreli: Papa Klementi i XI me origjinë shqiptare – mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf
Restaurimi i një monumenti të tillë kulture
të Kombit shqiptar do duhej të tërhiqte një vëmendje më të madhe nga
autoritetet e Qeverisë së Shqipërisë, më saktësisht, të Ministrisë së Kulturës
të atij vendi. Unë nuk e di se cili
është misioni aktual i një ministrie, siç është Ministria e Kulturës e
Shqipërisë, por performanca e saj -- përsa i përket restaurimit, ruajtjes dhe
respektimit të monumenteve të kulturës dhe të historisë kombëtare – nuk është
diçka që kjo ministri mund të thotë se është krenare para shqiptarëve, për
punën e saj në këtë fushë. Në të vërtetë, është një mision i dështuar dhe një
shfaqje e shëmtuar e kësaj ministries a I përket mbrojtjes së identitetit
kulturor e kombëtar të shqiptarëve gjatë shekujve, duke filluar nga momumenti i
Gjergj Kastriotit në Lezhë Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet në nevojtore | Gazeta Telegraf, tek shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta Frank Shkreli/ At Gjergj Fishta, si vlerë kombëtare | Gazeta Telegraf,
e deri tek trashëgimia e Vëllëzërve Frasheri, Frank Shkreli: A është trashëgimia kulturore dhe historike shqiptare në zhdukje e sipër? | Gazeta Telegraf
– e sa e sa të tjera monumente të kulturës dhe të identitetit kombëtar – nga
veriu e deri në jug të vendit – të harruara dhe të lëna pas dore -- nga
autoritetet, detyra e të cilëve duhej të ishte pikërisht mbrojtja e tyre. Kjo
gjëndje nevojitë një ndërhyrje urgjente. Një ndër aktet e para të Kuvendit të
Shqipërisë duhet të jetë që t’i kërkojë llogari Ministrisë së Kulturës mbi
punën e saj dhe pse nuk kujdeset për ruajtjen, restaurimin dhe mbrojtjen e
monumenteve historike të shqiptarëve në territorin e Shqipërisë por edhe anë e
mbanë trojeve shqiptare, sipas mundësive.
Por, fatbardhësisht, në mungesë të ndërhyrjes së
autoriteteve shqiptare të kësaj fushe, ka individë dhe organizata që përpiqen
të bëjnë atë që do duhej të bënin, në këtë fushë, Ministria e Kulturës dhe ente
të tjera qeveritare, përgjegjëse për ruajtjen e monumenteve historike të
vendit. Një rast i ditëve të fundit, që
pasqyron angazhimin e qytetarëve të thjeshtë, në mbrojtje të monumenteve
historike, është ai i përpjekjeve të Dr. Dom Nikë Ukgjinit me bashkpuntorë –
njeriut me pasion dhe vullnet të madh për restaurimin dhe mbrojtjen e
monumenteve historike të kulturës shqiptare, por, fatkeqsisht, me mjete të paka
– por me ndihmën e disa bashkpuntorëve të tij patriotë e të zellëshëm për të
shpëtuar nga shkatërrimi Kishën e “Kuvendit të Arbërit”, afër Lezhës. Duhet
theksuar se ky nuk është projekti i parë që Dom Nika ka marrë përsipër si
individ me bashkpuntorët ë tij të ngushtë një ndërmarrje të tillë,
privatisht. Në të vërtetë janë disa!
Dr. Dom Nika nuk i trembet asnjë nisme. Por – në mungesë
të ndihmës nga entet dhe autoritetet qeveritare të Shqipërisë, Dom Nikë Ukgjini
me kolegët e tij, ka nevojë edhe kësaj radhe, për ndihmë për projektin e
restaurimit të Kishës së “Kuvendit të Arbërit” afër Lezhës. Prandaj po
shpërndahet ky APEL për ndihmë -- ndërkohë që në bashkpunim me dioqezen e
Lezhës, me rektorin Kishës së “Kuvendit të Arbërit”, dom Martin Jaku,
famullitarin te zonës dhe me Atë Karlos Kalero -- kanë filluar tanimë
punimet për rehabilitimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit”. Ndonëse, punimet per momentin janë duke u zhvilluar me ndihmën e
sipërmarrësit, Gjergj Lejqeza, me mbështetjen e banorëve vendas dhe atyre
jashtë vendit, sipas Dom Nikës, pritet edhe ndihma e Bashkisë se Lezhës si
dhe disa mërgimtarëve shqiptarë që jetojnë në Evropë dhe Amerikë. Por kjo nun
mjafton për restaurimin e plotë të Kishës së “Kuvendit të Arbërit” me
rrethinë. Prandaj, edhe për rëndësinë
historike mbarëkombëtare që mbart ky projekt, ky APEL nga nismëtarët e tij, u
drejtohet, sidomos
biznismenëve shqiptarë të suksesëshëm – të shumtë këtu në Amerikë dhe në
Evropë. Ndihma e juaj është një ndihmë
për të shpëtuar historinë dhe identitetin kombëtar të atyre trojeve, para se
t’i shkatërrojë mos kujdesi i njeriut dhe aktet e papritura të natyrës.
Pason APELI i Rektorit të Kishës së Arbërit, Dom
Martin Jaku drejtuar të gjithë besimtarëve dhe
atdhetarëve të gjitha trevave dhe trojeve shqiptare dhe shqipfolëseve kudo që
ndodhen, në këtë rruzull tokësor:
“Të dashur besimtarë, miq të
nderuar të Kishës së Shën Gjonit, Mërqi. Në cilësinë e rektorit të kësaj kishe,
pra, si kujdestar i saj, u drejtohem jo vetëm ju si banorë të fshatit Mërqi,
por të gjithë besimtarëve dhe atdhetarëve të të gjitha trevave dhe trojeve
shqiptare dhe shqipfolëseve kudo që ndodhen në këtë rruzull tokësor: paqë, hir,
drejtësi, mbarësi e begati ju dhe familjeve tuaja kudo që ndodheni. Kisha e
Shën Gjonit asht një vend me simbolikë, histori dhe vlerë të veçantë fetare dhe
kombëtare. Në këtë kishë dhe në këtë vend u thirr dhe u mbajt ngjarja më
madhore dhe vendimtare për fatet e kombit dhe të fesë, Kuvendi i Arbënit ose i
Arbënisë! Ky kuvend i thirrur dhe i mbajtur me 14-16 janar 1703, në Mërqi, më
së pari është vepër e Zotit, të cilit i kjoshim falë, dhe iniciativë e Papa
Klementit të XI, Albani, pra shqiptar. Ai e shpalli dhe e organizoi duke
ngarkuar me këtë detyrë të lartë dhe fisnike, arqipeshkvin e përndritur të
Tivarit, Imzot Vinko Zmajeviq. Vendimet, masat dhe propozimet e këtij kuvendi
sollën një rigjallërim dhe nji ripërtërirje të madhe për kishën dhe kombin
shqiptar i cili lëngonte nën shtypjen e sundimit ottoman”, shprehet Rektori i
Kishës së Arbërit, Dom Martin Jaku, ndërkohë që falënderon me mirënjohje të
thellë për ndihmën bujare, bashkëpunimin dhe mbështetjen e veçantë të
besimtarëve dhe banorëve të fshatit Mërqi, afër Lezhës. Rektori Dom Martin Jaku falënderon edhe
Bashkinë Lezhë megjithëse pret më shumë ndihmë prej saj për përfundimin e këtij
projekti, si dhe shprehje mirënjohje për sipërmarrësin Gjergj Leqejza për
kontributin e tij të veçantë që po jep për restaurimin e Kishës së “Kuvendit të
Arbërit”. Një falënderim të veçantë
Rektori Jaku rezervon për Dom Nikë Ukgjinin, hulumtuesin, studiuesin dhe
restauruesin e këtij projekti të rëndësishëm kulturor, kombëtar dhe fetar.
Është një APEL ky që meriton t’i
bashkohen të gjithë shqiptarët kudo që janë, në bashkpunim e solidarizim me
njëri tjetrin dhe në mbrojtje të kulturës dhe historisë së shqiptarëve, duke
dhënë kontributin, sipas mundësisë, për realizimin e këtij projekti madhor të
historisë mbarëkombëtare.
Ju lutëm lexuesve t’a shpërndajnë këtë APEL
ndihmese që na vjen nga Lezha legjendare, për restaurimin e Kishës së
“Kuvendit të Arbërit” – një ngjarje me shumë rëndësi historike për fatet e
kombit. Ndoshta e dyta pas Besëlidhjes së Lezhës e vitit 1444, që sipas disa
historianëve -- mbi parimet e të cilës -- është mbledhur më vonë Lidhja
Shqiptare e Prizrenit dhe shumë të tjera organizime kombëtare për të shpëtuar
Kombin, gjatë historisë.
Frank Shkreli, 21/05/2022
Ka filluar restaurimi -- Fotot nga Kisha e Shën Gjonit ku është mbajtur “Kuvendi i Arbërit”, 14-15
Janar, 1703.