Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: NATO, Rama dhe Liria e Shtypit në Shqipëri
E hene, 04.07.2022, 08:16 PM
NATO, KRYEMINISTRI RAMA DHE LIRIA E SHTYPIT NË SHQIPËRI
Nga
Frank Shkreli
Vetëm pak më shumë
se një javë më parë, me një shkrim modest u jam drejtuar ambasadorëve
perëndimorë në Tiranë – si një kritikë dhe një parlajamërim të radhës – sa i përket përkeqësimit të lirisë së
medias në Shqipëri, Frank Shkreli: Tepër vonë dhe shumë pak, të nderuar
Ambasador në Tiranë | Gazeta Telegraf –
Ja, ditët e fundit, na u shfaq një dukuri tjetër që justifikon edhe një herë
shfaqjen e shqetësimeve të mia serioze dhe të gjithë atyre që besojnë në lirinë
e shtypit, si një vlerë bazë perëndimore e të gjitha të drejtave të tjera të
njeriut, në një shoqëri siç është Shqipëria, një vend i NATO-s dhe një vend që
e quan veten aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në takimin e
NATO-S që sa po mori fund në Madrid të Spanjës, u morën vendime me rëndësi për
transformimin dhe forcimin e Aleancës atlantiko-veriore, vendime të cilat u
përmblodhën me këto fjalë nga Sekretari i Përgjithshëm NATO-s, Jens
Stoltenberg: "Vendimet që kemi marrë në Madrid do të sigurojnë që Aleanca
jonë të vazhdojë të ruaj paqën, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë
popullin tonë dhe vlerat tona. Evropa dhe Amerika e Veriut, qëndrojnë së
bashku në NATO", u shpreh ai. NATO - News: Madrid Summit ends with far-reaching decisions
to transform NATO, 30-Jun.-2022
Të gjithë e dijmë
se në grupin e “vlerave tona”, çdo shtet i vërtetë demokratik dhe anëtar
i NATO-s, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës -- dhe sidomos
Shtetet e Bashkuara të Amerikës – konsiderojnë lirinë e shtypit, si bazën e të
gjitha të drejtave dhe lirive të tjera themelore të njeriut.
Liria e shtypit nuk është se konsiderohet vetëm nga vendet perëndimore si një vlerë bazë e të gjitha drejtave të tjera të tjera të njeriut – por konsiderohet si e tillë edhe në dokumente me rëndësi ndërkombëtare, siç është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut -- Universal Declaration of Human Rights | United Nations -- dhe shumë të tjera. Ia vlen të lexohet rishtas ky dokument nga përfaqsues dhe udhëheqës të vendeve anëtare të OKB-s, për angazhimet që kanë marrë përsipër, secili shtet, për mbrojtjen dhe zbatimin e këtyre të drejtave bazë të njeriut, në vendet e tyre dhe në mbarë botën – sidomos Shqipëria, që me të drejtë trumpeton antarësimin e përkohëshëm aktual në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
I freskët nga
takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Madrid ku u morën vendime me rëndësi
strategjike dhe ushtarako-politike në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë në
Evropë dhe në botë, por edhe në mbështetje të “vlerave të përbashkëta”,
Kryeministri i Shqipërisë, mezi priti që me të këthyer në furrikun e tij, larg
vëmendjes së medias ndërkombëtare, të shprehte urrejtjen ndaj lirisë së medias
në vendin e tij – duke penalizuar një gazetar me tre muaj ri-edukim – vetëm e
vetëm se Kryeministrit nuk i pëlqeu pyetja që gazetari Klevi Muka idrejtoi një
ministrejeje të kabinetit Rama: “Do futesh në riedukim, për 60 ditët e ardhëshme nuk ke të drejtën të më
pyesësh…”, citohet t’i ketë thënë Z. Rama, gazetarit Klevi Muka. Vërtetë,
“riedukim”! Ka kampe “riedukimi” për gazetarët në Shqipëri? Është hera e dytë
që Kryeministri Rama dërgon një gazetar, në atë që marrim me mend se duhet të
jetë “kamp riedukimi”, si dikurë në kampet e komunizmit të Enver Hoxhës, ose në
kampet kineze të riedukimit, ku edhe sot sipas organizatave private dhe
qeveritare, regjimi komunist kinez ka dërguar mbi 1 milion myslimanë dhe
vazhdon të dërgojë gjithnjë në kampe të tilla riedukimi.
Po, ku fillon e drejta e lirisë së të shprehurit (si një
e drejtë universale e të drejtave të njeriut) e gazetarit Muka? Sipas
ish-Kryetares së komisionit që ka përpiluar dikur Deklaratën Universale të
Drejtave të Njeriut, Eleanor Roosevelt, ajo e drejtë për të gjithë njerëzit
fillon, ndër të tjera, edhe në vendin e punës…Fatkeqsisht, për gazetarin Muka,
kjo e drejtë mund të ketë filluar në vendin e tij të punës – pra në konferencën
për shtyp të Kryeministrit Rama -- por
sipas Kryeministrit, e drejta e lirisë së fjalës për gazetarin shqiptar Muka
duhet të marrë fund në, “një ri-edukim për 60-ditët e ardhëshme…”, sepse bëri
një pyetje që nuk i pëlqeu Kryeministrit. Është ky një rast ose një fenomen
shqiptar që nuk e kam hasur më përpara, megjithëse mund të ketë ndodhur në
ndonjë vend autoritar, diktatorial ose gjysëm të lirë. Por që të ndodhë në një
vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për antarësim në Bashkimin Evropian, madje
30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, është pak si e çuditëshme. Se si dhe
pse tolerohet një kryeministër i Evropës post-komuniste të kërcënojë gazetarët
me penalizim “ri-edukimi”, si në kohën e komunizmit, vetëm e vetëm se bëjnë
pyetje legjitime drejtuar një zyrtari të lartë qeveritar, veç një Zot e di?!
1
“Konkurenca midis
demokracisë dhe autoritarizmit është në rritje e sipër”, paralajmëroi në një
konferencë shtypi në Madrid, Sekretari i Përgjithëshëm i NATOs, Jens
Stoltenberg. Duke njoftuar një numër masash strategjike që ai i quajti
“historike”, e që u miratuan në takimin e mbajtur në Madrid, udhëheqsi i NATO-s
shtoi se strategjia e re e kësaj organizate e bën më “të fortë NATO-n, është
jetike për ruajtjen e paqës, për parandalimin e konflikit dhe për mbrotjen e
popujve dhe vlerave tona të përbashkëta, tani dhe në të ardhmen.” Ju garantoj se Sekretari i Përgjithëshëm i
NATO-s, Z. Jens Stoltenberg nuk kishte në mend, si vlerë të përbashkët,
dërgimin e një gazetari në kamp “riedukimi”, sepse pyetja e tij nuk i pëlqente
kryetarit të qeverisë shqiptare.
Në këtë ndërkohë,
Turqia – gjithashtu vend anëtar i NATO-s dhe vend strategjik i Shqipërisë --
ditët e fundit
bllokoi qasjen tek informacionet e shërbimit në gjuhën turke të Zërit të
Amerikës dhe Deutsche Welle-s. Ky është një rast ndryshe nga rasti tipik
shqiptar për të cilin po flasim – por përfundimi është i njëjti për një shtet
autoritar si Turqia, për të cilin liria e fjalës nuk ka asnjë rëndësi për
qeverinë autoritare të atij vendi -- as për individin as për shtypin vendas:
kufizimi dhe shkelja e të drejtës së lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit,
siç pasqyrohet në shumë raporte të organizatave ndërkombëtare, mbështetse të
lirisë së fjalës. Reagimi i Zërit të
Amerikës ndaj vendimit të qeverisë turke ishte i shpejt duke e cilësuar atë si
një shkelje të vlerave demokratike: "Zëri
i Amerikës beson se çdo përpjekje e qeverisë për të mbyllur gojën e mediave
është një shkelje e lirisë së shtypit, që është një vlerë thelbësore e të
gjitha shoqërive demokratike," tha
zëdhënësja, Bridget Serchak, sipas një raporti të shërbimit shqip të VOA-s. E
përmend këtë fakt se autoritarët dhe regjime diktatoriale nuk ndryshojnë shumë
nga njëri tjetri. Në të vërtetë, luftën e tyre kundër të drejtave të qytetatëve
të vet e fillojnë me luftën kundër lirisë së shtypit. Kur ta fitojnë luftën
kundër lirisë së shtypit, është kollaj të shkelen të drejtat e tjera abazë të
njeriut. Historikisht, gjithmonë, liria e shtypit është e para që sulmohet dhe
që zhduket nga autoritarët. Të njëjtën gjë kishte bërë Rusia e Putinit, muaj më
parë, duke bllokuar Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë.
Duke
pasur parasyshë përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri – siç pasqyrohet
edhe nga rasti tipik i fundit midis Kryeministrit Rama dhe gazetarit Muka, që
nuk është i pari I këtij lloji – por edhe nga paralajmërimi, kohët e fundit, i
ambasadorëve perëndimorë në Tiranë se, “Një media e lirë dhe e
pavarur është thelbësore për demokracinë”, lindë pyetja: Cilës botë dëshiron t’i bashkohet Shqipëria e Edi
Ramës -- sot dhe nesër – asaj të NATO-s
dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mbrojnë dhe luftojnë për të drejtën
e lirisë së shtypit, si një ndër të drejtat thelbësore të demokracive
perëndimore, a po me botën e
autoritarëve botërorë, Putinit, Erdoganit dhe Vuçiqit, të cilët sulmojnë e
shtypin fjalën e lirë kurdo dhe kudo, e sa herë u teket për qëllime të veta
personale autoritare. “Fati i të drejtave të njeriut është në duart e të gjithë
qytetarëve dhe komuniteteve tona”, ka thënë Eleanor Roosevelt. Jo në duartë e
ndonjë diktatori, pra!
Në një takim me
përfaqsues të medias në Tiranë pas u këthye nga takimi i NATO-s në Madrid,
Kryeministri Rama akuzoi gazetarin Klevi Muka se pyetja e tij drejtuar
Ministres së Punëve të Jashtme, Xhacka, nuk ishte etike. Me sa pashë unë, askush nuk foli. Asnjë nuk
kundërshtoi ndërhyrjen e Kryeministrit Rama. Ai moment m’u duk si ato gjyqet
komuniste ku dënoheshin kundërshtarët e Enverit. Me të dëgjuar pyetjen krejt
legjitime të gazetarait Muka nëse ajo e ka zbatuar Kodin e ri Etik për
Këshillin e Ministrave për të mos u takuar me biznesmenët pa praninë e dy
punonjësve të administratës, shkelja e të cilit ka pasoja deri në largimin e
saj nga detyra, Zonja Xhaçka i drejtoi sytë kah Kryeministri, i cili me qëllim
të qartë për të intimiduar gazetarët e tjerë në sallë shpërtheu duke thenë se
pyetja nuk ishte etike. Kush e vendos
etikën gazetareske, Z. Kryeministër? Ju përcaktoni se cilat pyetje duhet të
bëhen dhe si të bëhen ato?
Nëqoftse etika
gazetareske si dhe fati i të drejtave të njeriut, përfshir fjalën e lirë të
gazetarëve, mbeten në duar të një personi ose një qeverie, cilado qoftë ajo, e
majtë e djathtë, e lirë apo gjysëm e lirë, siç është cilësuar Shqipëria,
atëherë vaj medet për atë vend. Rasti i fundit i shkëmbimit midis Kryeministrit
Rama dhe gazetarit Klevi Muka e pasqyron këtë fakt, qartë dhe vendosmërisht se
në çfarë gjëndje të mjerueshme është sot liria e medias në Shqipëri. Nga
këndveshtrimi im, duke ditur sjelljet dhe fjalët e Z. Rama gjatë viteve kundër
lirisë së fjalës dhe të drejtave të gazetarëve në veçanti, nuk u habita për
qëndrimin e tij të fundit. Ajo që më çudit është se si në një sallë plot
gazetarë, nuk reagon asnjë. Gazetarët në
atë sallë do duhej të fiknin mikrofonat, t’i sillnin shpinën Kryeministrit dhe
të dilnin nga salla në protestë. Kjo, për
t’i treguar Z. Rama se sjellja e tij karshi profesionit të gazetarëve dhe
lirisë së fjalës në Shqipëri është e papranueshme dhe se nuk do të tolerohet.
Fatkeqsisht, gazetarët shqiptarë të pranishëm në atë konferencë shtypi, treguan
se janë OK me vendimin e Kryeminsitrit Rama që të dërgojë një prej kolegëve të
tyre në kampin e ri-edukimit. Sa e turpshme!
Gjatë karrierës së tij, Kryeministri i Shqipërisë ka treguar, si
udhëheqës dhe si individ, se urrenë lirinë e fjalës dhe sidomos të drejtat dhe
lirinë e gazetarëve në një shoqëri të lirë. Fati i lirisë së fjalës dhe i të
drejtave të gazetarëve duhet të mbrohet në rradhë të parë nga vet gazetarët dhe
nga shoqëria më e gjerë. Nëqoftse shqiptarët dëshirojnë të jetojnë në një vend
vërtetë demokratik, atëherë ata vet duhet të marrin në dorë fatin e lirisë dhe
të demokracisë në vend. Nuk mund të kini demokraci pa liri të vërtetë të
medias! Unë besoj atë që ka thenë dikur
Eleanor Roosevelt se të drejtat dhe liritë e njeriut -- sidomos liria e fjalës
që këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohet si e drejta më
themelore e të gjitha të drejtave të njeriut – nuk duhet të jenë në duar të një
personi, qoftë ai edhe kryeministër – por në duar të gjithë qytetarëve dhe
komuniteteve vendase. Të nënshkruash një dokument të NATO-s në Madrid duke u
angazhuar solemnisht me të gjitha vendet anëtare të Aleancës, “për të mbrojtur
popujt dhe vlerat tona”, ndërsa me të zbritur në Tiranë sulmon lirinë e fjalës
të një gazetari shqiptar – tregon një hipokrizi të nivelit më të lartë!
Nga takimi i
NATO-s në Madrid të Spanjës javën që kaloi
Eleanor Roosevelt,
Delegatja e parë e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara
dhe Kryetarja e Komisionit që përpiloi Deklaratën Universale të të Drejtave të
Njeriut