Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Apostulli i lirisë fetare - Dom Simon Jubani
E shtune, 16.07.2022, 07:00 PM
APOSTULLI I LIRISË FETARE DOM SIMON JUBANI:
PROTAGONISTI I NJË EPOKE
TË RE NË SHQIPËRI DHE VIZITA E TIJ NË AMERIKË NË MAJ TË VITIT 1991
Nga
Frank Shkreli
Më 12 Korrik 2011
ka ndërruar jetë Dom Simon Jubani, prifti katolik i cili ka kaluar 26 vjet në
burgjet e Enver Hoxhës. Ai u lirua nga burgu me 13 prill, 1989. Por, ishte 4 Nëntori i vitit 1990, kur prifti
katolik “rebel”, celebroi për publikun meshën e parë, tashmë legjendare, në
Varrezat e Rrmajit të Shkodrës, gjë që as nuk mund të merrej me mend në atë
kohë, pasi feja ishte ende e ndaluar me ligj nga regjimi absurd komunist i
Enver Hoxhës. Kjo meshë e parë, krejt spontane, sipas burimeve të asaj kohe, u
pasua nga një meshë e dytë dhe më e organizuar, me 11 Nëntor, 1990, në të cilën
morën pjesë më shumë njerëz edhe të feve të tjera. Kështu, Dom Simon Jubani u bë nismëtar i
rihapjes së kishave dhe xhamive në Shqipëri, kur regjimi komunist ende nuk
ishte shembur në atë vend të varfër shpirtërisht dhe materialisht. Kleri e Kisha Katolike edhe një herë u bënë
shkëndijë që ndezi dhe i dha hov dhe fuqi fitores së lirisë dhe fillimeve të
vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Prandaj,
kujtojmë sot, njërin prej atyre klerikëve katolikë që luajtën rolin e
sollën ndryshimin, Dom Simon Jubanin në përvjetorin e kalimit të tij në amshim, njërit prej “protagonistëve të pranverës së
lirisë e të demokracisë së Shqipërisë, pas dimrit të egër të diktaturës
komuniste”, siç e përcakton rolin e tij Radio Vatikani.
Po kush ishte Dom
Simon Jubani i cili pas 26 vjet burg, tundi themelet e regjimit komunist ateist
të Enver Hoxhës, në një kohë, kur feja ishte ende e ndaluar me ligj në
Shqipërinë komuniste? Dom Simon
Jubani ka lindur në Shkodër, më 5 mars të vitit 1927. Në moshën 16-vjeçare
filloi Shkollën Apostolike të Jezuitëve. Pas mbylljes së shkollave katolike nga
regjimi komunist, në mars të vitit 1946 ai u regjistrua në Gjimnazin e Shtetit.
Më vonë u transferua në Tiranë, ku kreu një kurs për radio-rontgen. Pasi punoi
pak kohë në spitalin ushtarak të kryeqytetit u mobilizua në ushtri. Pas tre
viteve këthehet në Shkodër, ku është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba.
Në vitin 1957 Dom Jubani emrohet famullitar në Mirditë, ku dhe përfundon i
arrestuar nga regjimi komunist për më shumë se një çerek shekulli.
Dom Simon Jubani
do mbahet mend si prifti i parë katolik që celebroi meshën e parë, publikisht –
ndonëse feja ishte ende e ndaluar me ligj në Shqipëri – me 4 Nëntor, 1990, në
Kapelën e djegur të Varrezave të Rrmajit në Shkodër, ku morën pjesë qindra besimtarë. Ka ndërruar jetë më
12 korrik të vitit 2011, në Shkodër ku edhe është varrosur, pikërisht, në
Varrezat e Rrmajit ku bëri historinë, i përcjellur në atë jetë nga krerët
e komuniteteve fetare, autoritetet vendore dhe përfaqësuesit më të lartë civilë
dhe shtetërorë si dhe nga besimtarë të shumtë.
Siç kam kujtuar edhe herë të tjera për lexuesin, në mars/prill të vitit 1991, si pjesë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, një prej qyteteve që kemi vizituar ka qenë edhe Shkodra, e njohur si kryeqendra e anti-komunizmit në Shqipëri. Me të arrijtur atje, vizituam Kapelën e Varrezave të Rrmajit ku po celebronte meshën për qindra të pranishëm, me ç’rast edhe u përshëndetëm, shkurtimisht, me Dom Simonin, pas meshës. Frank Shkreli: Shkodra në sytë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri – mars/prill, 1991 | Gazeta Telegraf -- Prandaj me këtë shkrim modest deshta të kujtoj Dom Simon Jubanin, jo vetëm për heroizmin e tij përball bishës së egër komuniste dhe për kontributin e tij për lirinë fetare dhe demokracinë shqiptare në përvjetorin e kalimit të tij në amshim më 12 Korrik, 2011 – por në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare po kujtoj edhe vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Maj të vitit 1991, vetëm disa muaj pas meshës së parë publike ç’prej vitit 1967.
Kampioni i
qendresës anti-komuniste në Shqipëri, gjatë një vizite në shkollën “Studio City”
të Kalifornisë, Maj, 1991, Dom Simon Jubani është shprehur: “Amerika është
kampione e demokracisë, e paqës dhe përparimit. Evropa i ka pasur të gjitha
luftërat. Populli Amerikan është popull paqësor. E do paqën…”
Njëri prej
protagonistëve anti-komunistë të lirisë dhe demokracisë shqiptare nuk kishte
pritur shumë kohë pas rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane më 15
Mars, 1991 që të vizitonte Amerikën e lirë dhe të shihte për së afërmi se si
vepron demokracia në këtë vend. Në Maj të vitit 1991, Dom Jubani ka vizituar
Amerikën, si “Protagonisti i një epoke të re në Shqipëri”! Kështu qe paraqitur
Dom Simon Jubani gjatë vizitës së tij, në Universitetin e San Franciscos,
universiteti që me atë rast i ka i akorduar atij edhe Doktoratën e Nderit. Me
atë rast, Dom Simon Jubani -- i mbijetuari i burgjeve të Enver Hoxhës --
vizitoi një numër shtetesh dhe qytetesh amerikane, përfshirë San Franciskon,
Los Angelesin, New Jorkun, Detroitin dhe Washingtonin. Gjatë vizitës së tij
këtu, kudo që shkoi, ai u prit me entuziazëm dhe si hero. Ndërkohë, priftit katolik shqiptar që kaloi
26 vite në bugjet dhe kampete enveriste -- i ishin rezervuar nderimet dhe
pritjet më të përzemërta, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe
nga vet amerikanët, zyrtarë dhe jozyrtarë, të cilët kishin dëgjuar për aktin e
tij guximtar në Shkodër. Shtypi i kohës, si ai amerikan ashtu edhe shtypi i
komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshirë Buletinin Katolik Shqiptar, mbuluan
vizitën e tij gjerësisht. Këto shënime
janë nga burime të ndryshme por edhe nga kujtimet e mia të vizitës së Dom Simon
Jubanit në Amerikë në Maj, 1991.
Në San Francisco,
Dom Simon Jubanit iu akordua Doktorata e Nderit nga Universiteti i San
Franciskos, i treti shqiptar, pas Nën Terezës dhe At Shtjefën Gjeçovit që është
nderuar me atë titull nga i njëjti universitet, me motivacionin: “Për
qëndrimin tuaj të guximshëm në mbrojtje të lirisë së fesë duke paguar një kosto
të lartë me 26 vjet burgim dhe kampe pune. Për përpjekjet tuaja të palodhshme
dhe për thirrjet tuaja për një pajtim kombëtar në Shqipërinë e re
postkomuniste, ashtu që falja dhe drejtësia të kenë mundësi të zëvendësojnë
shtypjet dhe urrejtjet totalitare komuniste. Për bashkëpunimin tuaj ekumenik me
vëllezërit e krishterë dhe për bashkëpunimin tuaj ndërfetar me besimtarët
myslimanë dhe hebrenjtë. Dhe për praninë tuaj profetike këtu në Amerikë, duke
përfaqësuar një numër të madh shqiptarësh, të cilët kanë vuajtur persekutimet
fetare dhe të cilët kanë dhënë jetën për besimin e tyre, për drejtësinë dhe për
paqen”.
I emocionuar nga ky nderim i lartë
nga një universitet amerikan, Dom Simon Jubani nuk mundi të përmbante
entuziazmin dhe kënaqësinë për nderimin që iu akordua atij nga një institute
njohur amerikan, duke thënë, ndër të tjera se, në të vërtetë, ky ishte një
nderim që i bëhej mbarë Kombit shqiptar për vuajtjet nën komunizëm: “Unë nuk
jam ipeshkëv, por një prift i thjesht katundi. Jam përpjekur të jetoj sipas
besimit tim dhe të inkurajojë gjithashtu popullin tim që t’i rrijë besnik
Perëndisë dhe besimeve të veta fetare.
Për këtë aktivitet, unë dhe vëllai im Lazri, gjithashtu prift, kemi
kaluar gjithsejt 62 vjet në burgjet dhe në kampet e punës, në Shqipërinë
komuniste. Vëllai im Lazri ishte me fat, sepse vdiq atje si martir i Kishës.
Por, siç duket, ishte caktuar prej Zotit që unë të jem sot para jush, një
dëshmitar i vuajtjeve dhe martirizimit të katolikëve dhe besimtarëve të tjerë
në Shqipëri. Unë e pranoj me kënaqësi këtë nderim akademik të çmueshëm, jo për
meritat e mia, por në emër të klerit katolik shqiptar dhe të gjithë atyre
besimtarëve të feve të tjera, të cilët gjithashtu kanë vuajtur dhe kanë dhënë
jetën për fe, për drejtësi dhe për liri. Sot, në të vërtetë, ju po nderoni
mbarë Kombin shqiptar”, përfundoi Dom Jubani fjalimin e tij.
Ndërkaq, duke
falënderuar Dom Simon Jubanin për praninë e tij aty, Presidenti i Universitetit
San Francisco, At Lo Schiavo u ka thënë të pranishëmve se prifti katolik
shqiptar ishte, “Një frymëzim për të gjithë ne në këtë universitet, si
dëshmitar heroik i fesë. Për më tepër”, shtoi ai, Dom Jubani, “Është simbol i
feve të shqiptarëve, kështu që besoj se, duke nderuar atë, ne nderojmë
shqiptarët e të gjitha feve, për heroizmin dhe për besnikërinë e tyre ndaj
besimeve të veta gjatë asaj periudhe aq të vështirë për ta. Kam bindjen”, ka
vazhduar presidenti i Universitetit San Francisco se, “Ceremonia e sotme shpreh
unitetin dhe solidaritetin tonë me popullin shqiptar. Ne shpresojmë se liria e
tyre në përgjithësi dhe ajo fetare në veçanti, do të rritet e do të konsolidohet
dhe se besimi në Perëndinë do të përhapet jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë
botës, përfshirë vendin tonë.”
Ndonëse e kishte
konsideruar Amerikën si kampione të demokracisë dhe të lirsë në botë, Dom Simon
Jubani ka shpreheur edhe kritikat e tija ndaj Amerikës, duke thënë se e shihte
këtë vend siç është shprehur ai, edhe si një “vend i paradokseve”.
Megjithëkëtë, gjatë vizitës së tij Washington, Dom Simon Jubani zhvilloi një
numër takimesh me disa udhëheqës të Kongresit dhe pati takime edhe në
Departamentin e Shtetit. Në takimet e tija me zyrtarët e lartë amerikanë, ai
bëri thirrje për ndihma urgjente ekonomike dhe humanitare për Shqipërinë e
vitit 1991. Ndërkaq, Kongresi Amerikan shënoi vizitën e tij në Amerikë me një
kryeartikull në gazetën zyrtare të Kongresit (Congressional Record), me titull:
“Përshëndetje dhe nderim për Dom Simon Jubanin, një mbijetues i guximshëm i
kampeve të vdekjes në Shqipëri! “SALUTE TO FATHER JUBANI, A BRAVE SURVIVOR OF
ALBANIAN DEATH CAMPS”. Miku i Shqiptarëve, deputeti nga shteti Michigan, i
ndjeri William Broomfield, njoftonte kolegët e tij për vuajtjet e Dom Simonit:
“Për 26 vjet, Dom Simon Jubani mbahej në burgjet e Shqipërisë, sepse refuzonte
të mohonte fenë e vet. I izoluar në një dhomë të vogël me viktima të tjera të
atij regjimi shtypës, ai u rrah dhe u mundua nën kushte të rënda dhe shumë të
tmerrshme. Vëllai i tij, gjithashtu një klerik katolik, u helmua nga rojet e
burgut. Dom Jubani mbijetoi dhe u lirua nga burgu në vitin 1989. Sot e mbarë
Shqipëria po çlirohet nga komunizmi…Ashtu siç mori fund tmerri i gjatë i Dom
Simon Jubanit, le të shpresojmë se edhe terri i natës së gjatë dhe pikëllues
për Shqipërinë, të marrë fund me fitoren e lirisë mbi forcat e territ”!
Në këtë përvjetor
të kalimit në amshim të Dom Simon Jubanit dhe të vizitës së tij në Shtetet e
Bashkuara -- në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane -- kujtojmë guximin e Dom Jubanit, mijëra e mijëra
bashkëvuajtës të tij dhe të gjitha viktimat e komunizmit sllavo-aziatik në
Shqipëri, pa dallim feje ose krahine mbarë shqiptare. Gjatë vizitës në Amerikë, Dom Jubani u prit
me entuziazëm dhe me dashuri nga të gjithë, e pa dallim, si përfaqësues i të
gjithë atyre që vuajtën dhe dhanë jetën, vetëm e vetëm, sepse donin të gëzonin
lirinë e fesë dhe liritë e tjera themelore të njeriut. I përjetëshëm qoftë kujtimi i Dom Simon
Jubanit dhe i të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri – të cilat edhe sot
-- 30-e sa vjet pas shembjes së Murit të Berlinit -- vazhdojnë të kërkojnë
drejtësi dhe të VËRTETËN saktë për fatin e tyre të mjerë, 6,000 e më shumë prej
të cilëve nuk u dihen as varret, ku familjet e tyre të mund të vendosnin një
buqetë me lule në kujtim të familjarëve të vet të humbur dhe të harruar nga
shteti dhe qeveritë “demokratike” shqiptare “post-komuniste”.
Për më tepër, jam
i sigurt se në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane, Dom Simon Jubani do të shpjegonte komentin e tij për
“paradokset” e Amerikës, duke bërë pyetjen se si është e mundur që, “Amerika
kampione e demokracisë, lirisë, e paqës dhe përparimit”, siç është shprehur
ai gjatë vizitës në San Francisco në Maj të vitit 1991—sot 30 vjet më vonë ende
Shtetet e Bashkuara nuk i kërkojnë, publikisht, qeverisë dhe shtetit shqiptar që
të dënohen, zyrtarisht, krimet e komunizmit të regjimit barbar të Enver Hoxhës
në Shqipëri. Dhe që Shqipëria, sot anëtare e NATO-s, të distancohet,
zrytarisht, nga e kaluara komuniste duke u përballur me ato krime
anti-njerëzore, ashtu siç kanë bërët të gjitha shtetet ish-komuniste në Evropë.
Dhe që kjo kërkesë të jetë edhe kusht Bashkimit Evropian (BE) për antarësimin e
Shqipërisë në BE. Ky është “paradoksi”,
për të cilin, mendoj unë, fliste Dom Simon Jubani gjatë vizitës së tij në këtë
vend të bekuar, në Maj të vitit 1991. Prandaj, nëqoftse Shtetet e Bashkuara dhe
Shqipëria, vertetë, kanë dicka të përbashket në ketë 100-vjetor, siç
pretendohet nga disa se ndajmë vlera te perbashkëta -- krah per krah -- atëherë t’i tregojmë
shqiptarëve dhe amerikanëve se nder vlerat që dy vendet e dy popujt
ndajnë me njëri tjetrin, është mbështetja për lirinë dhe demokracinë e
vërtetë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe pa dallim,
përfshirë viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre – të gjallë e të vdekur
-- duke dënuar krimet e komunizmit dhe duke u distancuar njëherë e mirë nga ajo
e kaluar barbare. Unë si shqiptaro-amerikan, nuk kam asgjë të përbashkët dhe
nuk ndajë vlera me një qeveri ose persona – qofshin ata edhe përfaqsues
diplomatikë të Amerikës apo të Bashkimit Evropian -- që heshtin në lidhje me
këtë çeshtje.