Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Mbrojtja e lirisë së shtypit, mbron demokracinë!
E marte, 20.09.2022, 08:00 PM
RËNDËSIA E LIRISË SË SHTYPIT PËR DEMOKRACINË DHE PAQËN
Mbrojtja e lirisë së
shtypit, mbron demokracinë!
Nga
Frank Shkreli
15 shtatori 2022
shënoi 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar si e
tillë qysh në vitin 2007, me anë të një rezolute nga Asamblea e Përgjithëshme e
Kombeve të Bashkuara, (OKB) me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet
e demokracisë dhe të lirisë. Në këtë ditë,
njëherazi, u kërkohet shteteve anëtare të OKB-së që të shënojnë këtë
ditë, në mënyra sa më të përshtatshme, duke promovuar vlerat dhe parimet e
demokracisë dhe të lirisë, në vendet e tyre. Sipas OKB-së, Dita Ndërkombëtare e
Demokracisë ofron një mundësi për të shqyrtuar gjendjen e demokracisë në botë
dhe poër të promovuar vlerat demokratike, lirinë dhe të drejtat e njeriut anë e
mbanë botës. Demokracia është po aq
proces sa edhe një qëllim dhe vetëm me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e plotë,
nga bashkësia ndërkombëtare, organizmat qeverisëse kombëtare, shoqëria civile
dhe individët, mund të realizohet ideali i demokracisë dhe lirisë, për të
gjithë dhe kudo, pa dallim, thuhet në njoftimin e OKB-së. Si temë e e këtij
viti për të shënuar 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë është zgjedhur
Liria e Shtypit dhe Demokracia. Liria e
shprehjes është njëra nga të drejtat themelore të njeriut, e mbrojtur nga neni
19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
Në deklaratën e
OKB-ës në këtë përvjetor thuhet se ndërkohë që kriza e COVID-19 ka shkaktuar
sfida të mëdha globale, një krizë e re në Evropë na kujton se parimet tona
demokratike gjënden përballë kërcënimeve të ndryshme, anë e mbanë botës. OKB-ja paralajmëron me këtë rast se, sot më shumë
se kurrë, Demokracia po tkurret, hapësira për debat shoqëror po ngushtohet,
mosbesimi dhe keq-informimi po shtohen, ndërkohë që kërcënimet, kundër lirisë
së gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias vijnë duke u shtuar, nga ditë
në ditë. Prandaj, si përfundim i kërcënimeve ndaj lirisë së medias në botë,
OKB-ja ka vendosur që në këtë 15-vjetor të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë
të përqendrohet mbi rëndësinë dhe rolin që luan liria e shtypit në zhvillimet
demokratike dhe në sigurimin e paqës në botë. Media e lirë, e pavarur dhe
pluraliste, e aftë për të informuar shoqërinë mbi çeshtje të interesit publik,
është një pjesë përbërse e Demokracisë së mirëfilltë. OKB-ja thekson me këtë rast se, gjithnjë e më
shumë, vihet re se gazetarët, anë e mbanë botës, përballen me pengesa të
llojllojshme ndaj lirisë së tyre për të kryer detyrën si gazetarë – gjë që ka
pasoja të rënda për të drejtat e njeriut dhe për zhvillimet demokratike kudo.
Në mesazhin e tij
kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve
të Bashkuara, Antonio Guterres shprehet se “Demokracia nuk mund të mbijetojë pa
lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit.” Kjo është edhe arsyeja që mbrojtja e lirisë
së medias konsiderohet si një pjesë përbërse -- kritike -- për ndërtimin e një
demokracie të shëndosh, ka thënë ai. “Pa lirinë e shtypit, demokracia nuk mund
të mbijetojë. Pa lirinë e të shprehurit, nuk ka as liri të tjera”, theksoi
udhëheqsi i organizatës botërore, ndërsa u bëri thirrje qeverive të mbarë botës
që të “sigurohet liria dhe të mbrohen të drejtat e të gjithë njerëzve, pa
dallim dhe kudo në botë”. International Day of Democracy | Messages | United Nations.
Edhe Presidenti i
Shteteve të Bashkuara, Joe Biden bëri një deklaratë me rastin e Ditës
Ndërkombëtare të Demokracisë -- Statement by President Joseph R. Biden, Jr. on the
International Day of Democracy - The White House --
“15-vjet më parë, shtetet anë e mbanë botës janë bashkuar për të deklaruar
Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë – një ditë kjo për të treguar mbështetjen
tonë të përbashkët për qeverisje përfaqsuese, transparente; për të reflektuar
mbi barazinë, respektin për të të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor dhe
për shtetin e të drejtës”, tha ndër të tjera, Presidenti Biden. Udhëheqsi
amerikan pranoi se vitet e fundit, “demokracia anë e mbanë botës ka pësuar disa
sfida të dukshme”, ndërsa ai fajësoi ata që i quajti “autokratë dhe forca të
tjera, të cilat bëjnë trysni ndaj atyre që luftojnë në mbrojtje të të drejtave
të njeriut dhe të lirive themelore.” Në
15-vjetorin e shpalaljes së Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë nga OKB-ja,
Presidenti Biden shtoi se, “Shtetet e Bashkuara po bashkpunojnë me shtetet e
tjera demokratike në mbarë botën për të zgjidhur sfidat më të mëdha me të cilat
përballet bota”sot, ndërsa përmendi “luftën brutale dhe të pajustifikueshme të
Rusisë kundër Ukrainës”, si një nga ato sfida.
Ndërsa Sekretari
Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë të tijën nga Departamenti
i Shtetit, kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë -- Commemorating the International Day of Democracy - United
States Department of State --
u shpreh se në “Këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, ne theksojmë
angazhimin tonë ndaj demokracisë ndërsa përpiqemi për një botë më
gjithëpërfshirëse, më të barabartë dhe më paqësore. Siç ka theksuar edhe Presidenti Bajden, shtoi
diplomati lartë amerikan, "... ne duhet të fillojmë me diplomacinë e
rrënjosur në vlerat demokratike më të dashura dhe më të shtrenjta të Amerikës,
e që janë: mbrojtja e lirisë, mbështetja e mundësive të barabarta për të
gjithë, respektimi i të drejtave universale, respektimi ndaj sundimit të ligjit
dhe trajtimi me dinjitet i çdo personi… Duke vendosur
të drejtat e njeriut në zemër të politikës sonë të jashtme, Shtetet e Bashkuara
avancojnë respektin për liritë themelore, edhe në nivel global. Ne e dimë se respekti, për të drejtat dhe
dinjitetin e njeriut, është thelbësor për paqën e qëndrueshme dhe begatinë e
vazhdueshme në botë. Ky respekt bazohet në përvojën tonë si shtet demokratik,
ndonëse jo i përsosur, por, vazhdimisht, duke punuar për një shoqëri më të
drejtë dhe më të barabartë”, për të gjithë, është shprehur, ndër të tjera,
Kryediplomati amerikan Antony Blinken me rastin e Ditës Ndërkombëtare të
Demokracisë, me 15 shtator, 2022.
Dita
Ndërkombëtare e Demokracisë e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënohet çdo vit më 15 shtator me qëllim për të rritur
ndërgjegjësimin publik vlerave të demokracisë dhe lirive të njeriut, në
përgjithësi. Veprimtari të ndryshme të sponsorizuara nga ente qeveritare dhe
ente jo-qeveritare zhvillohen anembanë botës për të promovuar demokracinë në
këtë ditë dhe gjatë gjithë vitit. Udhëheqës shtetesh si Presidentët e Amerikës
dhe të tjerë anë e mbanë botës, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, e
shënojnë këtë ditë me deklarata në mbështetje të demokracisë dhe lirive bazë të
njeriut.
Ashtu
ndodhi edhe sivjet. Por m’u duk se përjashtim këtë vit, ashtu si në të
kaluarën, Shqipëria dhe Kosova, bënin pjesë me vendet që nuk e shënuan Ditën
Ndërkombëtare të Demokracisë, zyrtarisht, dhe jo me vendet demokratike si
Shtetet e Bashkuara, ku kjo ditë u shënua nga udhëheqsit më të lartë të shtetit
dhe qeverisë. Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, në deklaratën e tij pranoi
se megjithë përvojën e gjatë demokratike – megjithëse jo të përsosur -- është e
nevojshme që edhe Amerika ta kujtojë Ditën Ndërkomëtare të Demokracisë, si një
angazhim i përherëshëm ndaj vlerave demokratike, përfshir promovimin e të
drejtave të njeriut, përfshir lirinë e shtypit dhe lirinë e të shprehurit për
individët.
Fatkeqsisht,
më duket se, në këtë tranzicion tepër të zgjatur prej 32- vitesh, dielli i
demokracisë së vërtetë shqiptare, të ketë humbur rrugën në vranësirat e jetës
konfliktuale politike të korruptuar shqiptare. Ose të pakën të ketë devijuar
shumë keq nga rruga që duhej të ndiqte në zhvillimin e demokracisë dhe lirive
bazë të
njeriut,
në tranzicionin e pafund “post-komunist” në Shqipëri, e deri diku edhe në
Kosovë. Për fat të keq, paralajmërimi im jo aq i kahershëm se, “Demokracia Nuk
Pret”, vazhdon të jetë aktual sot e kësaj dite, kur bota shënon 15-vjetorin e
Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë dhe lirisë së shtypit, në Shqipëri as nuk
përmendet fjala Demokraci. Në vend të Demokracisë së vërtetë, kemi
autoritarizëm, jo përmirësim të vlerave të lirisë e demokracisë, përfshir
lirinë e shtypit. Por një përkeqësim të tyre – ashtu siç reflektohet në shumë
raporte ndërkombëtare të të drejtave të njeriut -- ndoshta më keq se kurdoherë në këto tre
dekada “post-komunizëm. Kapja e drejtësisë Në 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare
të Demokracisë, jo vetëm që “Demokracia Nuk Pret”, por sipas vlerësimeve të
analistëve të brendëshm dhe të jashtëm, demokracia -- sidomos në Shqipëri --
është në rrezik. Kapja e drejtësisë nga qeveria, nepëmjet një “reforme” që
mbështetet dhe financohet nga ndërkombëtarët, nuk i shërben thellimit të
demokracisë as mbrojtjes së vlerave të lirisë e demokracisë dhe të drejtave të
njeriut për të gjithë shqiptarët, padallim.
“Demokracia nuk
mund të mbijetojë pa lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit”, porositi
Sekretari i Përgjithëshpëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Ditën
Ndërkombëtare të Demokracisë, 15 shtator, 2022.
Demokracia Nuk Pret!
Jo vetëm që Demokracia nuk pret më, por duket se ajo është në rrezik…”Mbrojtja e lirisë së shtypit,
mbron demokracinë”!
Në një demokraci
të vërtetë, qytetarët ushtrojnë pushtetin duke votuar