Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në kuadër të 25-vjetorit të kalimit në përjetësi të Shën Nënë Terezës
E marte, 23.08.2022, 08:12 PM
NË KUADËR TË 25-VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË SHËN NËNË TEREZËS:
Nënë Tereza: “E kam në
zemër popullin tem Shqiptar”
Nga
Frank Shkreli
Nënë Tereza: “Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri-tjetrin.”
Shën Nëna Tereze
ose siç e njeh e mbarë bota, thjesht si Nënë Tereza ka ndërruar jetë më 5
shtator 1997. Po e kujtoj këtë date, në kuadër të këtij përvjetori, me një
shënim për një libër që më ka dërguar Do Lush Gjergji, autor i të pakn
25-librave dhe shumë artikujve mbi Nënë Terezen, të cilën ai e ka njohur, siç thotë
edhe vetë, qysh prej vitit 1969. Librin, që më erdhi me postë elektronike,
autori Don Lush Gjergji e ka përgatitur për botim me rastin e 40-vjetorit të
Çmimit “Nobel për Paqe”, dhënë Nënë Terezes, më 10 dhjetor 1979.
Don Lushi pranon
se megjithëse gjatë viteve kur ishte gjallë Nënë Tereza, ai ka kaluar aq shume
kohë me shënjtëreshën shqiptare, ndërsa ka përcjellë pothuaj çdo aktivitet të
Nën Terezës, anë e mbanë botës. Ndonëse
me të drejtë konsiderohet si eksperti numër një i jetës dhe veprimtarisë së
Nënë Terezes – madje shumë e cilësojnë edhe si biografi zyrtar i kësaj bije të
Kombit shqiptar – ai shprehet se nuk është as ai vetë i sigurt nëse e njeh mirë
Nënë Terezen. “Madje edhe pas gjithë këtyre vjetësh, unë nuk jam i sigurt se e
njoh mirë, se e kuptoj dhe mbi të gjitha se mund të jem në gjendje t’ua
përcjell atë të tjerëve, me shkrime dhe me dëshmi”.
Por ama, për një
gjë jemi të sigurt të gjithë: Në një intervistë në Oslo të Norvegjisë, në vitin
1979, Nënë Tereza është shprehur qartë se kush është ajo dhe prej nga
vjen: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë
jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë
botës.”
Don Lush Gjergji
ka shkruar shumë për jetën e Nënë Terezes, ndërkohë që disa prej këtyre veprave
janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja, por librin e fundit kushtuar Nënë
Terezes, me titull të titulluar: “E kam në Zemër popullin tem Shqiptar –
Bisedime me Shën Nënën Tereze” – ia paraqet lexuesit me shpresën që – duke u
mbështetur në përmbajtjen e librit që pasqyron fjalët dhe deklaratat e Nënës
Tereze, përfshirë intervistat – vetë lexuesi mund ta kuptojë më mirë Nënë
Terezen, jetën dhe veprimtarinë e saj si shërbëtore e botës, por edhe si
shqiptare.
Në veprën e tij
për Nënë Terezen, Don Lush Gjergji sjell për lexuesin intervista ekskluzive me
Nënë Terezen, në vende dhe rrethana të ndryshme, përfshirë edhe vizitat e saj
në Kosovë dhe në Evropë. Aty mund të gjejmë edhe fotografi të rralla të Nënë
Terezes e të lexojmë intervista, fjalime dhe porosi të saj ku pasqyrohen,
“Vizione largpamëse dhe profetike që përbëjnë një lloj testamenti shpirtëror
për të gjithë ne”, shprehet autori në parathënien e librit.
Në një prej këtyre
intervistave të vitit 1978, botuar në këtë libër, Nënë Tereza shpreh, “Dëshirën
e saj për t’u kthyer te populli im shqiptar”. E pyetur se si ndihej në
vendlindjen e saj, në Shkup pas aq shumë vitesh mungesë, Nënë Tereza me
mallëngjim dhe dëshpërim përgjigjet: “Mendoj në veçanti për familjen time, për
babain tim të ndjerë, Kolën dhe nënën time Drane, që tani jeton me motrën time
Age në Tiranë si dhe vëllain tim Lazrin, i cili jeton në Palermo. Jam takuar
shpesh me vëllain tim, në Romë, ose në
Palermo, nga që atje kemi një shtëpi për të moshuarit dhe për të varfërit. Nuk
e kam parë nënën dhe motrën time që nga viti 1928, që nga nisja ime për në
misione në Zagreb…”.
Intervistuesi dhe
autori i librit, të lartpërmendur, “Unë gjithmonë E kam në zemër popullin
tem Shqiptar”, Don Lush Gjergji shënon në librin tij, reagimin e Nën
Terezes kur fliste për familjen e saj të ngushtë. Duke folur për familjen e
vet, shkruan ai, “Fytyra e saj u bë hijerëndë madje edhe paksa e pikëlluar nga
që siç më tha ajo, ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të
merrte leje për të hyrë në Shqipëri, për të vizituar nënën dhe motrën, por më
kot!”. E pyetur gjatë një interviste në vitin 1979 nga vet Don Lush Gjergji mbi
gjendjen në Shqipëri, Nënë Tereza pranonte se nuk dinte shumë për Shqipërinë. “Nuk
di se çfarë të them, nga që nuk di se çfarë, në të vërtetë, po ndodh atje.
Nganjëherë kam marrë ndonjë letër nga nëna dhe motra ime, nga Tirana. Ato
shkruajnë vetëm disa fjalë. Ato kanë aq dëshirë të madhe për t’u takuar me mua
dhe me vëllain tim, Lazrin. Atë që unë mund të thosha është se unë lutem shumë
për Shqipërinë që Zoti t’i ndriçojë që të mund të kuptojnë këtë: Nëse duan të
jetojnë në paqe, ata duhet të ta duan njëri tjetrin…”
Dihet se regjimi i
Enver Hoxhës nuk e lejoi Nënë Terezen të vizitonte nënën e motrën në Tiranë sa
ishin gjallë. Pasi ato kishin vdekur, siç dihet Nënë Tereza u lejua, më në
fund, të vizitonte Shqipërinë, në vitin 1989.
E pyetur nga Don
Lush Gjergji, gjatë një interviste në Budapest të Hungarisë në vitin 1989, nëse
ajo kishte ndonjë mesazh për popullin tonë shqiptar, i cili po kalonte çaste të
rënda në atë kohë, Nënë Tereza i përgjigjet duke u shprehur: “Po, unë gjithmonë
bart në zemrën time popullin tim shqiptar dhe i lutem Zotit për paqe dhe
prosperitet, për një të ardhme më të mirë për të. Lutem që lutja t’ju bashkojë
me Zotin dhe me njëri tjetri, me tërë botën.”, është shprehur ajo.
Libri prej 100
faqesh sjellë edhe disa mesazhe të Nënë Terezës, shkruar shqip me dorën e vet,
në të cilat ajo shpreh jo vetëm krenarinë për identitetin e saj, por edhe
dashurinë e vet për shqiptarët, për Kosovën dhe për Shqipërinë e sidomos për
qytetin e saj të lindjes Shkupin shqiptar, në të cilin shprehet se do të
dëshironte të kthehej: “Kjo ka qenë dëshira ime gjithmonë, për t’u kthyer tek
populli im shqiptar, në qytetin tim të lindjes, në Ipeshkvinë tonë
Shkup-Prizren, në mesin e popullit tim dhe të motrave të mia”, ka deklaruar
Nënë Tereza në një intervistë ekskluzive me Don Lush Gjergjin, në vitin 1978.
Ajo kishte mirëpritur edhe lëvizjet në atë kohë për pajtim të gjaqeve në Kosovë
kryesuar nga profesor Anton Çeta, gjë që le të kuptohet se ajo e ndiqte deri
diku edhe situatën në atdheun e të parëve të saj. “Dëshiroj të festojmë së
bashku Pajtimin e mbarë popullit tem Shqiptar”, ka thënë ajo në një mesazh
drejtuar ish-ipeshkvit të Kosovës, Mons. Nikë Prela, duke iu përgjigjur
pozitivisht ftesës së tij që ajo të vizitonte Kosovën, gjë që ajo pranoi të
shkonte në Kosovë. Dhe nga një tjetër shkresë mësojmë se Nënë Tereza nuk e
kishte harruar Kombin e vet – dhe kurrë nuk e kishte mohuar identitetin e saj
dhe origjinën e saj si shqiptare, siç pretendonin atëherë dhe siç e akuzojnë
edhe sot disa kritikë të saj, fatkeqësisht edhe asish që shqiptarë e quajnë
veten, por dhe të huaj, të indoktrinuar nga ideologjia sllavo- komuniste
anti-fetare dhe anti-shqiptare.
“Gjithmonë, shpirtënisht, jam e lidhur me uratë dhe dashni me popullin
tem Shqiptar, sidomos në kohë të vështira…”, është shprehur Nënë Tereza, siç
sugjeron edhe titulli i librit, “E kam në zemër popullin tem Shqiptar”. “Shumë
luti Zotin që paqja e Tij të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona
dhe në të gjithë botën”, ka shkruar me një rast, Nënë Tereza, sipas librit, të
Don Lush Gjergjit.
Në këtë 25-vjetor
të kalimit në amshim të Nënë Terezës, uroj që ajo të jetë me ne sot dhe të
lutet për ne, sidomos në këto kohë të vështira për shqiptarët. Autori Don Lush
Gjergji shkruan se është në rregull admirimi dhe nderimi për Nënë Terezen, por
ai bënë gjithashtu thirrje që, “Nga mendja e saj e ndritur dhe ngritur nga
zemra e saj e madhe—shprehje feje dhe dashurie për Zotin dhe për Njeriun vëlla
e motër – fara që ajo e mbolli në mendjet dhe zemrat tona — ta mbajmë të gjallë
jetën dhe veprën e saj mahnitëse për mbarë njerëzimin, si kujtim dhe frymëzim
në vazhdimësi…Të mos ndalemi vetëm në nderim dhe admirim (të saj) por të
kalojmë në imitim dhe dëshmi duke ushqyer përditshmërinë tonë me vlera dhe
virtyte”. Sidomos, siç do të porosiste
Nënë Tereza, të jetojmë në dashuri dhe pajtim vëllazëror me njëri tjetrin, në
këtë kohë të vështirë mospajtimesh dhe konfliktesh aktuale politike në radhët e
shqiptarëve kudo, veçanërisht në trojet tona. Në qoftë se thirrja e Nënë
Terezes për dashuri me njëri tjetrin mund të duket tepër idealiste dhe jo reale
për mëkatarët e kësaj bote, atëherë të pakën, në këtë 25-vjetor të ndarjes së
saj prej nesh-- të mësojmë diçka nga jeta dhe veprimtaria e saj për tolerancë
dhe bashkëjetesë me njëri tjetrin, pa dallim, si bijë dhe bija të një kombi e
të një gjuhe -- një kërkesë kjo minimale për një shoqëri njerëzore të përparuar
të shekullit XXI, e që e quan veten demokraci moderne.
Në vizitën e parë të Nënës
Tereze në Kosovë, në ipeshkvinë Shkup-Prizren, më 8-13 qershor 1970, u takuan
dy viganat e Kishës dhe të Popullit shqiptar –Nëna Tereze dhe Imzot Nikë Prela.
(Në foto edhe Don Lush Gjergji, prift i ri).