Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gjekë Marinaj, poeti erudit po pushton botën me poezinë e tij
E merkure, 10.08.2022, 07:56 PM
GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO-AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
Nga
Frank Shkreli
Nga
Korea e Jugut, në Kazakistan, nga Rumania në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
dhe në shumë vende të tjera të botës, njihet emri, ndihet zëri, përkthehen dhe
lexohen veprat dhe sidomos poezitë e poetit, shkrimtarit, përkthyesit dhe
kritikut letrar shqiptaro-amerikanit të shquar nga Malësia e Madhe, Z. Gjekë
Marinaj.
Dr.
Gjekë Marinaj ka lindur në fshatin Brrut të Kastratit në Malësi të Madhe në
vitin 1965. Është larguar nga Shqipëria në qershor të vitit 1991 për të
emigruar në Shtetet e Bashkuara. Është i
njohur, botërisht, tanimë si poet, shkrimtar, përkthyes, kritik letrar dhe
themelues i Teorisë së Protonizmit – një formë kjo e kritikës letrare që ka për
qëllim të promovojë paqën dhe të menduarit pozitiv. Ndër të tjera detyra, Dr. Marinaj, është
drejtor i Shtëpisë Botuese Mundus Artium Press dhe Redaktor i revistës Mundus
Artium. Aktualisht, Dr. Marinaj jep
mësim në Richland College të shtetit Teksas. Është autorë i dyzina librave në
gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Gjekë Marinaj është gjithashtu themelues
dhe ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Dr. Gjekë Marinaj vazhdon të jetë afër
komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
të cilën ai ka themeluar dy dekada më parë – siç ishte rasti i festimit të
20-vjetorit të themelimit të saj në Nju Jork, fund vitin e kaluar. Frank Shkreli/ Kronikë nga komuniteti
shqiptaro-amerikan: 20-vite krijimtari letrare në Amerikë | Gazeta Telegraf –
Zotit Marinaj mban gjithashtu titullin e lartë, “Ambasador i Kombit”, nga
Republika e Shqipërisë.
Duke
marrë parasysh veprat dhe punën e palodhëshme të poetit e shkrimtarit
shqiptaro-amerikan, Gjek Marinaj, është gjithmonë një kohë e përshtatëshme dhe
plot arsye për të shkruar për arritjet e tija si poet, shkrimtar, edukator,
activist I komunitetit, e tjera. Por, po
përdor sot rastin që të njoftoj lexuesit shqiptarë në diasporë, në Shqipëri, në
Kosovë dhe anë e mbanë trojeve tona, për dy dekorata ndërkombëtare, dorëzuar kohët
e fundit, Dr. Gjekë Marinajt -- njëra nga Rumania e tjetra nga Kazakistani.
Në
një njoftim për media e datës 7 gusht, 2022 (Press release), botuar në një
numër portalesh anglisht në internet -- Awards in Kazakhstan, Romania Celebrate
Gjekë Marinaj's Literary Achievements - Digital Journal -- thuhet se, “Si pjesë
e misionit të vazhdueshëm të zhvillimit të diplomacisë kulturore nepërmjet
letërsisë, Dr. Gjekë Marinaj PHD, është dekoruar me dy çmime të rëndësishme –
një në Azinë Qendrore dhe tjetri në Evropën Lindore. Në Maj të 2022, Dr Gjekë Marinaj, një poet,
shkrimtar, përkthyes dhe kritik letrar Shqiptaro-Amerikan banues në rrethinën e
qytetit Dallas të Shteteve të Bashkuara është dekoruar nga ente letrare dhe kulturore në Republikën
e Kazakistanit dhe Rumanisë.”
Për
arritjet në fushën letrare të Dr. Gjekë Marinajt, dekoratat iu dhanë atij si
shpërblim për kontributin e tij ndaj letërsisë moderne botërore. Në qytetin Turkestan të Kazakistanit,
këshilltari i Bashkisë së qytetit Ansar Abdikulov i dorëzoi Dr. Marinajt,
dekoratën për shkrimet e tija dhe për kontributin e tij në fushën e kulturës
botërore. Prezantimi i çmimit u zhvillua
në një veprimtari të organizuar në Sallën e Asambleve të Muzeut Rajonal,
"Uly Dala Ely", thuhet në njoftimin për median. Zhibek Iskakova,
kryeredaktore e revistës "Kazakistani i mrekullueshëm-2050", u spreh
në ceremoninë e rastit se "Gjekë Marinaj është poeti për të cilin po pret
bota. Unë besoj se asnjë shpërblim nuk është i barabart me kontributin që ai i
ka dhënë e i jep letërsisë moderne botërore. ... Ai është me të vërtetë një
poet që ka pushtuar botën me krijimtarinë e tij", është shprehur Iskakova.
Duke
pranuar dekoratën në Kazakistan, Gjekë Marinaj falënderoi përfaqsuesit e atij
vendi për vlerësimin e veprave të tij duke thënë se, “Kjo ceremoni dhe ky çmim,
janë dëshmi se letërsia e vërtetë ka fuqinë magjike të na bashkojë, nga një
kontinent në tjetrin, nga një vend në tjetrin, nga një kulturë në tjetrën, nga
një dashuri për njerëzimin, në tjetrën. Ky nderim ka një kuptim të thellë për
mua”, shtoi poeti me origjinë nga Malësia e Madhe, “sepse vjen nga Kazakistani,
një vend ky që duket sikur ka më shumë oksigjen të lëshuar në ajër nga fjalët
letrare sesa nga të gjitha gjethet e pemëve.
Dhe është kënaqësi të kesh një filxhan ajër të pastër dhe një gotë me
poezi të freskët me ju sonte, në nderim të dashurisë tonë të përbashkët për
letërsinë dhe për të gjithë njerëzit në botë, të cilët mund të përfitojnë prej
saj."
Ndërkaq,
në Rumani, sipas të njëjtit njoftim për media, Dr. Gjekë Marinaj u dekorua me
çmimin e lartë që jepet në emër të shkrimtarit të njohur të Rumanisë, Paul
Iorgovici (1764-1808), nga Këshilli i zonës administrative Caras-Severin, njëra
prej institucioneve më të rëndësishme politike dhe administrative të rajonit të
Maleve Banat të Rumanisë. Edhe kjo dekoratë rumune është një shpërblim që u
jepet figurave të shquara – rumune dhe të huaja -- të fushave të kulturës,
letërsisë dhe artit. Dekorata iu dorëzua
Profesor Dr. Gjekë Marinajt nga Profesoresha e Clara Maria Constantin e cila
tha se “ishte një nder i madh për të gjithë banorët e krahinës Caras-Severin
për të pritur një person të këti kalibri, ndaj të cilit planeti ynë i ka borxh
atij për punën që ka bërë.” Ndërsa një
folës tjetër në atë tubim, Prof. Dr. Cornel Ungureanu, e cilësoi vizitën e
shkrimtarit e poetit shqiotarao-amerikan Gjekë Marinaj në atë qytet “si një
ngjarje historike që na bën të pranishëm në hartën e letërsisë evropiane.”
Dr.
Marinaj, nga ana e tij, e cilësoi dekoratën rumune, si një prej “papritshmërive
më të mëdha të jetës time profesionale dhe një prej nderimeve më domethnëse të
karrierës time”, shtoi poeti Marinaj. Shkrimtari shqiptaro-amerikan theksoi
gjat[ fjalës së tij se “Rumania ka provuar gjatë gjithë historisë së saj se
shpirti dhe fryma e saj kanë kanë të gjitha gjërat e nevojshme për të kultivuar
një kulturë dhe art të mrekullueshëm, Rumania,vendi i shkrimtarëve të mëdhej si
Vasile Alecsandri, Mihai Eminescu, Constantin Lucaci dhe Ana Blandiana”, është
shprehur, ndër të tjera Z. Marinaj gjatë pranimit të dekoratës së tij letrare
në Rumani.
Sipas
shumë burimeve mediatike amerikane dhe ndërkombëtare, Dr. Gjekë Marinaj është
emëruar disa herë për Çmimin Nobel në Letërsi. Por në këtë ndërkohë, Profesor
Marinaj po grumbullon çmime dhe dekorata nga mbarë bota. Vitin që kaloi, poeti,
shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptaro-amerikan është dekoruar me njërin prej
çmimeve letraro-kulturore më prestigjioze të Koresë së Jugut, “Çmimin Letrar
Ndërkombëtar Changwon KC”, duke theksuar “kontributin e madh jetësor dhe etikën
kulturore në letërsi”, të Dr. Marinajt – duke theksuar se ai gjithmonë, “i
vendos njerëzit në qendër të punës së tij, frymëzon paqën përmes poezisë dhe
këndon për përmirësimin dhe sjelljen e shpresës në botë”.
Prej
nderimeve dhe dekorimeve të shumta gjatë viteve nga të gjitha anaët e botës
dallohen, ndër të tjera, Çmime Kombëtare Letrare nga qeveria dhe Shoqata e
Shkrimtarëve të Vietnamit, Çmimin “Autori Ndërkombëtar” të Italisë, Çmimin
“Poeti i Botës” të Uzbekistanit, Çmimin “Poet Botëror” të Bengalit Perëndimor
dhe Çmimin shumë prestigjioz “ISISAR” (Shoqata Ndërkombëtare për Studime
Ndër-Kulturore dhe Kërkime) për kërkimin e paqës përmes letërsisë.
Shumë
individë dhe ente të ndryshme prestigjoze shpesh kanë venë në dukje poezinë
protestuese, “Kuajt” të Z. Marinajt, botuar në Shqipëri, në vitin 1990, si një
protestë ndaj regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, që detyroi poetin
të ikte në Amerikë.
“Tërë
jetën duke vrapuar rrimë / Shohim veç përpara / Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
/ Ne nuk kemi emër / Të gjithëve kuaj na thonë. / Nuk qajmë, / Nuk qeshim; /
Heshtim, / Dëgjojmë; / Hamë atë ç’na japin, / Ecim nga na thonë, / Asnjë nga ne
s’është mendje hollë. (…) “Kush qe kalë mbreti, / Posti qe i lartë,/Kush qe
kalë princeshe./I bënë shalë të artë,/ Kush qe kalë fshatari,/Pat samar me
kashtë,/ Kush qe kalë i egër,/ Tërë jetën fjeti jashtë,/ Po qemë dhe mbetem
kuaj, para njeriut!” (Gjekë Marinaj “Kuajt”, 1990)
Po,
kush është ky intelektual erudit malësor i përmasave botërore? Prof. Dr. Gjek
Marinaj është vërtetë intelektual, poet e shkrimtar, që tashti e njeh bota. Një
intelektual i ushqyer me dituri dhe kulturë të vërtetë. Një intelektual -- siç e përcaktonte Ernest
Koliqi intelektualin – i cili urren çdo sundim absolut. Një njeri i cili beson
se ka një farë fuqie intelektuale për të marrë pjesë në caktim drejtimesh që
vlejnë për kombin dhe për botën, në të cilën jetojmë. Intelektuali
shqiptaro-amerikan me origjinë nga Malësia e Madhe, Gjek Marinaj, siç sugjeron
edhe poezia e tij “Kuajt”, nuk duron diktatura as diktatorë. Por, është një
intelektual shqiptaro-amerikan i cili “i vendos njerëzit në qendër të punës së
tij, frymëzon paqën përmes poezisë dhe këndon për përmirësimin dhe sjelljen e
shpresës në botë”. Një intelektual, i cili,
“Në zemër të vet dëshiron lirinë, e vetmja që lejon mendjen krijuese t’i
shërbejë kombit dhe njerëzimit për një bujarsim shpirtënuer”, për veten dhe për
të tjerët. (E.Koliqi). Ashtu siç bënte vite më parë poeti dhe shkrimtari i
madh, Martin Camaj, një erudit tjetër i Malësisë së Madhe, duke iu drejtuar
bashkombasve të vet me thirrjen për bashkim, “Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!
Frank Shkreli/ Një thirrje nga shkrimtari i lartësive, Martin Camaj: “Afrohuni
shqiptarë!” | Gazeta Telegraf – ashtu edhe një tjetër poet i madh i ditëve tona
nga Malësia e Madhe Gjekë Marinaj, (Mos më ik larg”), me poezinë e tij e ka
këthyer botën në një fushë veprimi për fuqinë magjike të poezisë së tij, për të
bashkuar njerëzimin, “nga një kontinent në tjetrin, nga një vend në tjetrin,
nga një kulturë në tjetrën, nga një dashuri për njerëzimin, në tjetrën.”
Lartë
e më lartë intelektuali ynë, Prof. Dr. Gjekë Marinaj, eruditi malësor
shqiptaro-amerikan që më veprimtarinë tënde letrare po pushton botën! Jemi
krenarë për ty dhe me ty për veprat tua të njohura dhe të vlerësuara tanimë anë
e mbanë botës. Vepra, me të cilat jo vetëm po frymëzon paqë e shpresë për
njerëzimin por që, njëkohësisht, me kulturën tënde perëndimore, të rrënjosur
thellë në traditat dhe doket bujare shekullore të malësorit -- të gërshetuara
në veprimtarinë tënde letrare dhe njerëzore -- po i sjellë nder e lavdi edhe
emrit shqiptar në botë. Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!
Profesor
D. Gjekë Marinaj, themeluesi dhe ish-Kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve
Shqiptaro-Amerikanë vazhdon të jetë i interesuar në zhvillimet kombëtare dhe
kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Dr. Marinaj me një grup pjesëmarrsish në 20-vjetorin e themelimit të
Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Dhjetor, 2021 – Salla Illyria,
Nju Jork
Autori me poetin dhe shkrimtarin disident, Z. Visar Zhiti, simbol i qendresës antikomuniste. Nga Malësia e Madhe, Prof. Dr. Gjekë Marinaj, themelues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, edhe ky i arratisur nga komunizmi –Nju Jork, Dhjetor, 2021