Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kujtojmë Dom Prek Ndrevashaj
E premte, 23.09.2022, 08:00 PM
NË PRAG TË 50-VJETORIT TË THEMELIMIT TË FAMULLISË, “ZOJA PAJTORE E SHQIPTARËVE” NË MIÇIGAN TË SHTETEVE TË BASHKUARA -- KUJTOJMË DOM PREK NDREVASHAJ
Nga
Frank Shkreli
Në një njoftim
paraprak për komunitetin shqiptaro-amerikan në Detroit dhe për publikun e
gjërë, famullitari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield afër
Detroitit, në shtetin Miçigan, i përndershmi Dom Ndue Gjergji ka njoftuar para
disa javësh se kjo famulli do të organizojë festimin e 50-Vjetorit të themelimi
të kishës së tyre. Dom Ndue Gjergji e cilësoi kremtimin e Jubileut të
50-vjetorit të themelimit te saj,(me 8 dhe 9 tetor, 2022) si një gurthemel i
punës, përpjekjeve dhe historisë së saj gjatë 50- dekadave të kaluara. Këto 50
vite kanë qenë vite sfidash të mëdha për famullinë tonë, është shprehur ai.
Kemi pasur probleme, humbje njerëzore, aktivitete të shumta dhe arritje të
mëdha, por falë ndihmës së Zotit tonë Jezu Krishtit, dhe ndihmës dhe
kontributeve tuaja, famullia jonë ka ecur vetëm përpara dhe historia e saj në
këtë 50-vjetor ka qenë e suksesshme”, ka thenë i përndershmi Dom Ndue Gjergji
për famullinë e tij dhe për mbështetsit e bashkpuntorët e Kishës, Zoja Pajtore
e Shqiptarëve, që ai drejton.
Duke iu referuar
themeluesit të kësaj kishe 50-vite më parë, të ndjerit Dom Preke Ndrevashaj,
Dom Ndue Gjergji në njoftimin e tij shprehet se, “E kemi kujtuar në çdo festë
dhe në lutjet tona, edhe sot shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për
themeluesin e kësaj famullie, të përndershmin Dom Prenk Ndrevashaj, emri i të
cilit asht i gdhendun, përjetësisht, me shkronja të arta në historinë e kësaj
Kishe, si dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin Dom Prenkën.
I kujtoj me respekt të gjithë atë brez kontribuesish që janë nda nga kjo jetë,
si dhe jam mirënjohës për të gjithë ju anëtarë të mrekullueshëm të kësaj
Famullie, që në ditë të mira dhe të vështira që kemi kaluar, më keni qendruar
pranë, e që keni qenë energjia, shtysa, motivimi i punës time në këto 25 vite
në drejtimin e kësaj Kishe”, ka shkruar Dom Gjergji në njoftimin paraprak të
programit për kujtimin e 50-vjetorit të themelimit të Kishës Zoja Pajtore e
Shqiptarëve, përsa vijon e ku thuhet se:
“Festa jonë do të mbahet në ambientet e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”
të Kishës tonë me datat 8 dhe 9 Tetor 2022.
Festa konsiston në tri aktivitete madhore:
1-Simpoziumi shkencor mbi jetën e Famullisë së Kishës Zoja Pajtore, ditën
e Shtunë, datë 8 Tetor,
2-Mesha Shenjte kushtuar këtij përvjetori, datë 9 Tetor,
3-Darka Festive Gala e këtij Jubileu, ditën e Diele, datë 9 Tetor.
Do të ketë edhe detaje të tjera për të ciat do të njoftoheni në ditët në
vazhdim.
Do të jenë të ftuar personalitete të larta të Kishës, përfaqësues të
shteteve tona shqiptare, përfaqësues të shtetit amerikan, si dhe figura të
shquara të Diasporës shqiptare.
Ftoj Këshillin e Kishës dhe anëtarët e Famullisë që të punojmë të gjithë
së bashku dhe të përgatitemi në mënyrë që ky Jubile, të jetë një festë e madhe,
e gëzueshme dhe e paharruar për Famullinë tonë dhe komunitetin. Le të jetë ky
përvjetor edhe një frymëzim për brezat më të ri për një jetë të gjatë, të
suksesshme dhe nën dritën e Zotit të Famullisë tonë.
I juaji, Dom Ndue Gjergji”, përfundon njoftimi për publikun dhe median,
në lidhje festimet e 50-vjetorit të kësaj kishe.
Një dokuemntar kushtuar themeluesit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prekë
Ndrevashaj dhe pasuesve të tij të denjë në Miçigan , USA Dokumentar,
Dom Prek Ndrevashaj, Kisha Zoja Pajtore, Zef Pergea, Marash Mirashi - YouTube
Emri dhe vepra e
Dom Prekë Ndrevashaj janë të njohura dhe të vlerësuara nga të gjithë ata
shqiptarë që e kanë njohur, por sidomos në radhët e mijëra
shqiptaro-amerikanëve, në jetën e të cilëve Dom Preka ka luajtur një rol kyç –
përfshir autorin e këtyre rreshtave përkujtimor -- për fatin e tyre dhe të
familjeve të tyre. Në një kohë kur shumë
prej nesh kishim nbetur rrugëve të Italisë dhe nuk dinim kah t’ia mbanin. Ai u nëp mbrojtsi ynë në dhe të huaj. Ai u bë
shpëtimtari ynë. Pa kujdesin e Dom
Prekës, shumë prej nesh do të kishim mbaruar rrugëve të Evropës, pa asnjë
përspektivë as udhëzim, të arratisur nga trojet tona shekullore prej murtajës
së komunizmit. Pasi na ndihmoi të vinim në Amerikën e bekuar, ai këtu u bë për
shumë prej nesh edhe frymëzimi për të përparuar, për të shkuar përpara, duke
mos harruar kurrë se kush jemi, nga vimë dhe kah duhej të shkonim.
Andaj ky përkujtim
– në këtë 50-vjetor të themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve – për të
kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij komuniteti në Miçigan. E tashmja dhe e ardhmja janë në dorë të
pasardhsit të Dom Prekës, Dom Ndue Gjergjit dhe famullisë së tij. E kaluara
është e të ndjerit Dom Prekës. Prandaj,
Dom Ndou me bashkpuntorët e tij po organizon këtë ceremoni, me plot kuptim
fetar dhe kombëtar, por edhe për tu përulur me nderim e respekt para kujtimit
dhe kontributit Dom Prekë Ndrevashaj, themeluesit të kësaj famullie.
Dom Prek
Ndrevashaj, i cili u përket atyre burrave të Kombit, të cilët me besimin dhe me
patriotizmin e tyre, dijtën të frymëzojnë breza të tërë shqiptarësh, drejtë së
ardhmes. Të asaj të ardhme që është sot
është Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve me Dom Ndue Gjergjin në krye. Kjo kishë kur udhëhiqej dikur nga Dom Prenk
Ndrevashj e tashti nga Dom Ndou, i ka dhenë dhe i jep edhe sot këtij
komuniteti, Kombit dhe Kishës katolike shqiptare, në përgjithësi, nam e za, si
një prej qendrave më të njohura fetare e kombëtare, ndër shqiptarët.
Përvjetorët
shënohen dhe shërbejnë si një kujtesë!
Në 50-vjetorin e Kishës Zoja
Pajtore e Shqiptarëve kujtojmë themeluesin e saj, Dom Prekë Ndrevashaj -- jo
vetëm si besimtar e kishtar, por edhe si atdhetar. Për tu përulur me respekt
dhe nderim të madh para kujtimit të tij, që së bashku të shprehim me të gjithë
ata që e kanë njohur Dom Prekë Ndrevashajn – njërin prej klerikëve më të shquar
të Kishës Katolike shqiptare, jo vetëm në në diasporë, por edhe anë e mbanë
trojeve tona.
Dom Prenk
Ndrevashajn, një prej burrave më të njohur që i përket brezit të shqiptarëve,
të cilët me besimin dhe me patriotizmin e tyre dijtën të frymëzojnë shqiptarët
drejtë së ardhmes më të mirë. Një të
ardhme më të mirë, më demokratike dhe më të lirë për shqiptarët, anë e mbanë
trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor, pore dhe në diasporë, përfshir sot
Kishën Zoja Pajtore të Shqiptarëve me Dom Ndue Gjergjin në krye, në 50-vjetorin
e themeliemit të saj. Kjo kishë kur
udhëhiqej nga Dom Prenk Ndrevashaj e tashti nga Dom Ndou i ka dhenë dhe i jep
edhe sot këtij komuniteti, Kombit dhe Kishës Katolike Shqiptare, në
përgjithësi, shpresë e frymëzim për të
ardhmen. I ofron shqiptarëve, jo vetëm besim në Zotin, por edhe gjuhë e
kulturë, atdhetarizëm, nder e tradita. Kjo në traditën më të mirë të klerikëve
shqiptarë, mbrenda dhe jashtë Atdheut, klerikë si Dom Prekë Ndrevashaj, Imam
Vehbi Ismaili, Peshkop Fan Noli e Artur Liolini, Mons. Zef Oroshi e Baba
Rexhepi, ndër shumë e shumë të tjerë përfaqsues të tre feve kryesore të
shqiptarëve.
Pasi jemi në përvjetorin
e kujtimit të Nanës tonë Shën Nenë Terezes – Ajo kujdesej për të gjithë të
varfërit pa dallim. Ajo nuk pyeste –
para se të kujdesej për dike – nëse ishte katolik, mysliman, ortodoks ose
ateist, i pa fe. Është meritë e kësaj kishe – e themeluesit të saj Dom Prekë
Ndrevashajt dhe e famullitarit aktual, Dom Ndue Gjergjit – që ndonëse Kisha
Pajtore e Shqiptarëve -- në thelb dhe në temel -- është një qëndër e krishtër
katolike – kjo ka qenë, është dhe jam i bindur se do të mbetet një qëndër ku
përveç fjalës së Zotit predikohen me zemër e me shpirt ndjenjat e
shqiptarizmës, bashkjetesën, harmoninë dhe vëllazërimin midis të gjithë
shqiptarëve të Amerikës, pa dallim feje a krahine.
Më
në fund, në këtë 50-vjetor të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve të themeluar
nga Dom Prekë Ndrevashaj, i kam boxh, një falënderim të madh personal dhe
mirënjohje të thellë mikut tim dhe mikut
tonë të përbashkët, klerikut të madh të Kishës Katolike Shqiptare, Patriotit të
shquar të idealeve për një Shqipëni me Zotin, të përparuar në qytetërimin
perëndimor – besim ky që pasqyrohej gjithmonë në veprat dhe fjalët e tija -- Dom Prekë
Ndrevashaj.
I kemi shumë
borxhe Dom Prekë Ndrevashaj – mirënjohje për miqësinë dhe ndihmën e dhenë në
kohën më të vështirë për mua personalisht dhe për shumë shqiptarë. Dom Preka më njoftoi me Ernest Koliqin, më
njoftoi prej së largu me Prof. Martin Camaj, se ai në atë kohë nuk ishte në
Romë por në Munich të Gjermanisë dhe me personalitete të tjera të shquara të
emigracionit anti-komunist shqiptar të asaj kohe në Romë dhe në Shtetet e
Bashkuara. Mbi të gjitha, Dom Preka me njoftoi me veprat e At Gjergj Fishtës,
të cilat i ruaj edhe sot si kujtimin më të mirë prej tij -- dhe për të cilin
deri atëherë nuk dijsha asgjë, përveç emrit të Fishtës që kisha dëgjuar në
familje. Siç dihej, emri dhe veprat e Fishtës ishin të ndaluara jo vetëm në
Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, por edhe në ish-Jugosllavinë
sllavo-komuniste të Titos. Shkurtë me i
ra bisedës, Dom Preka ishte njeriu i parë
– që me njerëzit që më njoftoi,
me librat (e ndaluara nga komunizmi) që më dhuroi dhe me këshillat e
porositë që më jepte, më hapi sytë, mendjen dhe zemrën ndaj një bote tjetër,
ndajë fjalës së lirë, lirisë në përgjithsi dhe demkrkacisë perëndimore, krejt
ndryshe nga bota komuniste ku kisha lindur e rritur deri në atë moshë.
Urimet e mia më të përzemërta Dom Ndue Gjergjit dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë për nismën për të festuar 50-vjetorin e kishës dhe për të kujtuar themeluesin e Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prenk Ndrevashaj. Sepse, ju, jo vetëm po kujtoni të shkuarën, por njëkohësisht, ju edhe po ndertoni te ardhmen. 50-vjetori i themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve – është një përvjetor i art – golden aninnversay – që ven në dukje trashëgiminë e lenë pas nga Dom Prekë Ndrevashaj, por që shënon edhe arrijtjet dhe sukseset e udhëheqsit aktual të kësaj kishe Dom Ndue Gjergjit dhe antarëve të famullisë, në përgjithësi. Urimet e mia më të përzemërta për këtë jubile historik. Uroj që të vazhdoni lumnisht si deri tashti në veprimtarinë tuaj fetare dhe atdhetare – si përherë, në dobi të Kishës dhe të Kombit.
Unë
kam nderin dhe privilegjin të jem ftuar në këtë ceremony m 8 dhe 9 tetor, port
ani për tani po dërgoj edhe me nal të këtij shkrimi edhe njëherë, urimet e mia
Dom Ndue Gjergjit dhe famullisë, që kështu po kujtoni e përjetoni trashëgiminë
e mikut tonë të përbashkët – mikut të shumë shqiptarëve, pa dallim feje a
krahine, Dom Prekë Ndrevashajt. Sepse kështu nderoni veten dhe trashëgiminë e
Dom Prekës me të cilën pasurohet shpirti i kësaj famullie e i këtij komuniteti
dhe njëkohësisht rritet bujaria dhe begatohet edhe shpirti i kombit.
Bekimet e të Madhit Zot, sot dhe përgjithmonë! Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin Shqiptar, ndër shekuj!
Dom Prekë
Ndrevashaj me Nenë Terezen në Kishën Zoja Pajtore Shqiptarëve
Autori me Dom
Prekë Ndrevashaj dhe Dr. Elez Biberaj -- gjithashtu mik i Dom Prekës -- duke
dalur nga ndërtesa e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, 1985. I përjetëshëm
qoftë kujtimi i tij!
Në
zyrën e Dom Prekës në Romë, (njëkohësisht edhe strehimi im si refugjat në Romë,
1970) -- Dom Gjeto Radi me lahutë, Dom Preka me fyell dhe autori me çifteli, (me Dom Gjeto
Radin) viti 1970.
Dom Prek ndrevashaj me mikun dhe bashkvendasin e tij
dukagjinas., Prof. Dr. Martin Camaj
Nga e djathta,
Imam Vehbi ismajli, Dom Jak Gardini, Dom Prekë Ndrevashaj dhe Padër Andre
Nargaj
Me
autor Zef Pergega Me autor Ndrek Guri
Kisha Zoja Pajtore
e Shqiptarëve në Southfield tël shtetit Michigan