Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Xhevat Kallajxhi - Abraham Linkolni: Mos u trembni nga e vërteta
E hene, 05.12.2022, 08:00 PM
XHEVAT KALLAJXHI: ABRAHAM LINKOLNI:
MOS U TREMBNI NGA E
VËRTETA
“Armiqësi kundër askujt, mirësi ndaj të gjithëve…”
Nga
Frank Shkreli
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, në bashkëpunim
me Teqen Bektashiane Shqiptare në Amerikë, me rastin e 100-vjetorit të
marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
promovuan librin, “Lincoln”, të ish-Editorit të Diellit dhe të ish-redaktorit
të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Xhevat Kallajxhi. Promovimi u bë më 3
Dhjetor 2022, ditën e Shtunë, në Selinë Qendrore të Vatrës, në Nju Jork.
__________________________
Përshëndetjet
e mia më të përzemërta miqëve e dashamirësve të Xhevat Kallajxhiut,
ish-redaktorit të Gazetës Dielli, i cili për një kohë të gjatë – i vetëm, pa
asnjë ndihmë prej askujt – mbajti gjallë gazetën Dielli. Por u përshëndes dhe falënderoj Vatrën që së
bashku me Teqenë Bektashiane Shqiptare të Amerikës, kujtoni sot edhe një
ish-bashkpuntor dhe koleg timin me të cilin kam punuar në Zërin e Amerikës.
E
quaj me fat njohjen dhe mundësinë që kam punuar tek Zëri i Amerikës me
Xhevatin. Ai ishte një koleg si të tjerët në atë zyrë, por për mua, Xhevati
ishte diçka më tepër, ishte mësuesi dhe këshilltari im – sa i përkiste gjuhës
shqipe por edhe gazetarisë. Ndonëse me një ndryshim të madh moshe, kjo nuk na
pengonte që të komunikonin, por edhe t’i shihnim dhe t’i gjykonim punët me të
njëjtin qendrim.
Unë
kam shkruar edhe herë të tjera për Xhevatin duke theksuar respektin dhe
mirënjohjen që kam gjithnjë për këtë burrë të madh të gazetarisë shqiptare dhe
të Kombit, prandaj po përqëndrohem pak a shumë në subjektin specifik për të
cilin jemi mbledhur sot për të biseduar – duke falënderuar nga zemra Vatrën --
që më ftoi t’i bashkohem këtij kujtimi të mikut tim dhe të shumë
shqiptaro-amerikanëve të brezit të kaluar por edhe të tanishëm -- pa dallim
feje as krahine, të ndjerit Xhevat Kallajxhi.
Xhevati
ishte patriot i madh, njeri i penës dhe adhurues dhe mbrojtës i të vërtetës. Ai
mishëronte, si rradhë kush, atdhedashurinë e tij me gazetarinë, duke përdorur
gazetarinë në mbrojtje të Atdheut, të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve
anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor. Xhevati i përkiste atij brezi antikomunist,
si një veteran i vërtetë i luftës së ftohtë kundër komunizmit ndërkombëtar por
edhe të atij regjimi komunist të Enver Hoxhës dhe krimeve të tija anë e mbanë
Shqipërisë por sidomos në Gjirokastrën e tij të dashur ku kishte lindur e ku
drejtonte para Luftës së dytë Botërore gazetën e njohur të asaj kohe,
“Demokracia”.
Xhevati
përveçse ishte një patriot shqiptar, ishte edhe mirënjohës i madh ndaj
Amerikës, ku ai kishte gjetur strehim dhe liri, si shumë prej nesh, dekada më
parë e deri në ditët e sotëme. Dua të
përmend në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane se
ndjenjat e Xhevatit për lirinë dhe demokracinë amerikane ishin të sinqerta dhe
dashuria e tij për Amerikën ishte madhe.
Vlerat amerikane të lirisë e demokracisë e të drejtave të njeriut,
Xhevati i mbronte shpesh dhe kudo, në shkrimet e tija dhe në biseda private e
takime publike. Xhevati mbronte dhe ekspozonte të vërtetën në lidhje me krimet
e Enver Hoxhës në emër dhe në mbrojtje të komunizmit ndërkombëtar, në punën e
tij tek Zeri i Amerikës dhe në faqet e gazetës Dielli.
Dëshiroj
ta pasqyroj këtë pretendim me këtë fakt, se sa i përkushtuar ishte Xhevat
Kallajxhiu ndaj përhapjes së të vërtetës – në Zërin e Amerikës dhe gazetën
Dielli. Xhevati kishte dalur në pension
nga Zëri i Amerikës në fillim të 70-ave, por pasi nuk kishim staf të
mjaftueshëm, drejtori i atëhershëm i VOA-s shqip, Jozef Paskali e kishte ftuar
Xhevatin të këthehej e të punonte gjysëm dite për Zërin e Amerikës pasi nevoja
ishte e madhe se mungonte personeli i kualifikuar. Kështuqë Xhevati vinte çdo
ditë, punonte katër orë për të cilat paguhej nga qeveria, por qëndronte në zyrë
8 orë sepse detyrohej të priste kolegët e tjerë për tu këthyer në shtëpi, me të
cilët kishte ardhur në punë në mengjes, se nuk kishte makinë që të këthehej vet
në shtëpi. Ashtuqë nga mesdita e deri në ora 5 pas dreke, gjysmën e ditës pra
tek Zeri iAmerikës, ai e përdorte për të përgatitur materialin për gazetën
Dielli, pasi ishte, njëkohësisht edhe redaktor i Diellit gjatë asaj periudhe,
por siç dihet pa asnjë shpërblim.
Ky,
pra ishte Xhevat Kallajxhi, nuk pushonte kurrë, punonte për Amerikën e lirë e
demokratike dhe për Kombin e vet të robëruar nga komunizmi – me pagesë e pa
pagesë – me një kontribut voluminoz në fushën e publicistikës dhe librave madje
edhe poezive.
Nga
kjo veprimtari dua të veçoj tre libra të Xhevatit që tregojnë lidhjet e tija të
ngushta me Shqipërinë e shqiptarët dhe me Amerikën. Libri “Skenderbeu”, libri
për Presidentin Xhon Kennedy dhe vepra për të cilën jemi mbledhur sot këtu,
libri Linkoln. Nuk është e rastit që Xhevati ka zgjedhur, pikërisht, këta dy
ish-presidentë të Amerikës që t’ia paraqsite lexuesit shqiptarë në atë kohë dhe
sot. Si adhurues i lirisë dhe i demokracisë amerikane, por edhe si nacionalist
dhe demorkat i përkushtuar, me këto libra, Xhevati tregon edhe respektin e tij
për vlerat e këtyre dy udhëheqësve historikë të Amerikës, kampionë të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, jo vetëm
për Amerikën – ku sot e kësaj dite konsiderohen nga amerikanët si presidentët
më të mirë të këtij vendi, por të admiruar edhe anë e mbanë botës.
Ja pra, jemi këtu për të folur edhe
për veprën e prpmovuar sot të Xhevatit, libri Linkoln. Presidenti Linkoln. Për të gjithë kohërat, Presidenti Linkoln
bën thirrje, jo vetëm Amerikës, pore dhe mbarë botës -- që të ri-dedikohemi
punës së pakryer që mbetet për tu bërë – duke bashkuar të gjitha forcat, për të
siguruar se “qeveria e popullit, nga populli e për popullin” do të vazhdojë së
funksionuari, anë e mbanë botës.
Sipas Xhevat
Kallajxhiut, “Lincolni mbrojti gjithnjë, në jetën e tij, me vetëmohim kauzën e
lirisë. Foli për të me vendosmëri dhe besim të thellë. Ai që flet për liri në
një mënyrë të tillë, flet për të gjitha kohët dhe për të gjithë njerëzimin. Ai
tha në një rast këto: “Përpjekja për liri duhet të vazhdojë gjithnjë. Kauza e
lirisë nuk duhet të marrë fund në mbarimin e një viti ose në mbarimin e një
shekulli. Në të drejtën e tyre për të jetuar të lirë e të lumtur, të gjitha
racat janë të barabarta. Zemra njerëzore është me ne... Perëndia është me ne...
Gjithë njerëzimi duhet të jetë i lirë”. Këto dhe shumë fjalë të tjera të
skalitura të Lincolnit drejtuar ndërgjegjes së njerëzimit, frymëzojnë kurdoherë
shpirtrat e miliona vetëve për të luftuar me guxim çdo formë të tiranisë”,
shkruan ndër të tjera autori.
Presidenti Linkoln
udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile midis shteteve të veriut e
shteteve të jugut, (Prill 12, 1861 –Maj 26, 1865), e që ishte kriza më serioze
në historinë e Amerikës. Presidenti Linkoln i dha fund skllavërisë dhe luftës
civile dhe në të njëjtën kohë ruajti bashkimin e vendit dhe i tregoi botës se
demokracia mund dhe duhet të përbëjë një formë qeverisje të përhershme. Me një
rast kur foli për demokraci, ai pat thënë se, “Unë nuk dua të jem as skllav e
as pronar skllevërish”. Kjo deklaratë pasqyron qëndrimin e Linkolnit, jo vetëm
karshi skllavërisë fizike, por edhe ndaj asaj politike dhe shpirtërore. “Kjo shpreh
idenë time të demokracisë. Çdo gjë tjetër ndryshe nga kjo, nuk është
demokraci”, ka thënë ai. Dhe me një rast tjetër, ai është shprehur se, “Duke u
dhënë lirinë atyre që janë skllevër, ne sigurojmë edhe lirinë e atyre që janë
të lirë”.
Gjatë
inaugurimit të tij të dytë si president, Linkolni ka ri-theksuar qëndrimin e
vet kundër skllavërisë duke thënë; “Armiqësi kundër askujt, mirësi ndaj të
gjithëve…”. Këto fjalë të Linkolnit, sipas Xhevat Kallajxhiut, autor i
librit mbi jetën e Presidentit Linkoln – “nxorën në dritë edhe një njeri të
zhveshur nga pasionet politike, një njeri të lirë në trup e në shpirt, vëllain
e të gjithëve, i cili si president, qëndroi mbi partitë dhe grupet e interesit
dhe që foli si një përfaqësues i vërtetë i gjithë kombit. Prandaj në ditët
tona”, ka shkruar Xhevati në librin e tij kushtuar Linkolnit, “Kur urrejtja,
smira dhe hakmarrja, duket se janë të vetmet ndjenja që e shtyjnë njeriun të
veprojë, figura dhe jeta e këtij amerikani të madh shëndrit magjishëm”, ka
shkruar autori.
Përsëri
sipas Xhevatit, “për Linkolnin përdoret gjithnjë nofka “i ndershmi Abe”
(Abraham), të cilën ai e fitoi prej drejtësisë dhe ndershmërisë së tij. Në
librin e tij, Kallajxhiu vë në dukje gjithashtu se Linkolni, “kurrë nuk përdori
mashtrimin si mjet për të arritur qëllimet e veta dhe nuk tradhtoi kurrë
idealet, në funksion të përfitimit politik. Në librin e tij për jetën e
Presidentit Linkoln, Xhevati thotë se Linkolni gjatë gjithë jetës, mbrojti të
varfëritë e të nëpërkëmburit dhe me kurajo e vendosmëri mbrojti dhe vuri
kushtet për, “respektimin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga raca, gjuha
apo feja”.
Këtë libër Xhevati
ia kishte kushtuar: “Teqesë Bektashiane Shqiptare në Detroit, e para në Shtetet
e Bashkuara, për kujtim dhe nderim të veprimtarisë së ndritur kombëtare që
zhvilloi në Shqipëri dhe të shërbimit të shquar njerëzor që bën në Amerikë,
këtë vepër modeste ia kushtoj me admirim”. Xhevat Kallajxhi.
Libri “Linkoln”,
në të vërtetë, kishte bërë bujë në diasporën shqiptare të asaj kohe – jo vetëm
në Amerikë por edhe në Evropë. Revista Shejzat e Ernest Koliqit (Viti 6, nr.
5-6, vitit 1962) ka botuar një artikull vlerësues të shkrimtarit e albanologut
të njohur të asaj kohe dhe sot, Karl Gurakuqit, i cili në shkrimin e tij për
librin “Linkolni”, Kallajxhiut shkruante: “Veçanërisht, lipset t’ia dijmë për
nder Xhevat Kallajxhiut që na lëshoi në dorë një libër nga i cili mund të
nxjerrim njoftime të mjafta mbi një ndër fytyrat ma të ndritura të historisë
amerikane, por edhe ndër ma të rrallat e botës, sikurse është Abraham
Linkolni”. Gurakuqi vazhdon vlerësimin e
tij të librit, Linkolni, duke thenë se, “Faqet e librit të Kallajxhiu na japin
një panoramë të virtyteve që e kanë stolisë këtë bir të Amerikës demokrate,
virtyte që i shohim, sidomos, kur populli e zgjodhi si president të Republikës
së hyllëzueme. Në të vërejmë burrin e urtë të shtetit, aty shohim zotësinë e
tij të qeverisjes. Prekim me dorë aftësinë për të tërhjekur turmat popullore,
pse dijti me u dalë zot të dobëvet dhe të mjeruemve. Mësojmë se Linkolni vet
kishte besim në Perendinë e në provaninë e Tij, pa dashjen e të cilit kurrgja
nuk ndodh mbi tokë. “Kâ nji Perendi”, janë fjalët e Lincoln-it dhe, “Ai e
urren padrejtësinë, mëninë e skllavëninë..” ka shkruar Karl
Gurakuqi në revistën “Shejzat” të vitit 1962 duke vlerësuar librin e Xhevat
Kallajxhiut.
Ata që u mohojnë
lirinë të tjervet nuk e meritojnë lirinë për vete dhe drejtësija e Zotit nuk do
t’i lejojë të sundojnë për të gjatë kohë.
“Prej faqeve të monografisë së Kallajxhiu del në dritë se parimet e
Lincolnit në qeverisjen e vendit kanë qenë liria, drejtësia e demokracia, për
të cilat sot më fort se kurrë kâ nevojë bota për të gjetë peshimin e vet të
tronditur nga sistemet diktatoriale absolute.
Libri i Xhevat Kallajxhiut lexohet me ândje si nji roman, si nji histori
pâ pretendime të mëdha, vazhdon Gurakuqi. “Gjuha e përdorun âshtë ajo shqipja e
thjeshtë, e pastër, e rrjedhëshme, që na tingllon në veshë prej shumë
kohësh. Kallajxhiu nuk âsht i panjoftun në
qarqet intelektuale shqiptare: cilido prej nesh emënin e Xhevatit e kâ ndigjue
tash e parë. Duke lexuar librin e tij na del Xhevati i viteve kür ai me
shkrimet e veta të urta e të matuna, zbukuronte faqet e fletores “Demokratija”,
të Gjinokastrës, i së cilës ishte drejtor.
Ndoshta Xhevat Kallajxhiu do të na gëzojë me
ndonji botim tjetër, pse, si po ndigjojmë,
kâ shumë shënime mbi ngjarjet e kohës që i paraprînë katastrofës së vjetit
1944”, ka shkruar ndër të tjera, në revistën Shejzat e Ernest Koliqit, Karl Gurakuqi në vlerësimin e tij të librit
“Linkolni”, të autorit Xhevat Kallajxhi.
Po i përfundoj
këto fjalë modeste për një burrë të madh – me vlerësimet e një personaliteti
gjithashtu të madh të letrave shqipe, siç është Karl Gurakuqi, para pothuaj
65-viteve dhe me fjalët e autorit të librit Linkoln, Xhevat Kallajxhiu, i cili
citon Linkolnin të ketë thenë: “Me besim të thellë ndaj Zotit dhe me ndërgjegje
të pastër ndaj veprës së Tij njerëzore, Linkolni deklaroi një herë se, “Do ta
mbronte të vërtetën dhe të drejtën deri në vdekje”. Dhe e mbrojti. Nuk u ndal
dhe nuk u tremb kurrë. Linkolni e kishte
theksuar qartë se shoqëritë lartësohen vetëm duke u njohur të gjithë
pjesëtarëve të drejtat e barabarta.” Ky është mesazhi i Linkolnit sot edhe për
shqiptarët kudo,që përcillet nepëmjet librit “Linkolni”, të autorit Xhevat
Kallajxhi: Mos u trembni nga e vërteta!
Falënderimet e mia
të gjithë juve për durimin dhe vëmendjen!
Xhevat Kallajxhi,
autor e gazetar – ish-Redaktor në Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe --
Kryeredaktor i gazetës më të vjetër në ekzistencë, gazetës Dielli, organ i
Federatës Pan-Shqiptare Vatra – dhe drejtor i gazetës “Demokracia” në
Gjirokastër, para Luftës së Dytë Botërore.
Udhëheqsi i
Qendrës Bektashiane, Shqiptaro-Amerikane në Detroit të Shteteve të Bashkuara, i
Nderuari Eliton Baba Pashaj duke folur në Vatër, 3 Dhjetor, 2022
Autori me të
udhëheqsin bektashian në Amerikë, të Përndershmin Eliton Baba Pashaj në Vatër
duke kujtuar shqiptarin e madh Xhevat Kallajxhiun dhe Presidentin Abraham
Lincoln, ndër më të mëdhejt e Shteteve të Bashkuara -- në kuadër të
100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare
Autori në Vatër, duke kujtuar bashkpunimin me Xhevat Kallajxhiun në Zërin e Amerikës (3 Dhjetor, 2022)