Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në kujtim të 4 Dëshmorëve të Lirisë të 2 Prillit 1991 në Shkodër
E diele, 23.04.2023, 06:55 PM
NË KUJTIM TË 4 DËSHMORËVE TË LIRISË TË 2 PRILLIT, 1991 NË SHKODËR
Nga
Frank Shkreli*
Ishte 2 Prilli i vitit
1991. Dy ditë më parë me 31 mars, ishin mbajtur zgjedhjet e para “pluraliste”,
pas shembjes së Murit të Berlinit dhe fillimit të “ndryshimit” të sistemit
komunist pothuaj gjysëm shekullor në Shqipëri. Megjithëse vet ato
zgjedhje u mbajtën në një atmosferë pak a shumë të qetë — siç shkruante në atë
kohë edhe gazeta Nju Jork Tajms, Shqipëria — “ky vend i pa fat i
Ballkanit”, dhe “vendi më i varfër i Evropës”, edhe pas këtyre zgjedhjeve,
“mbetet i ndarë dhe i përçarë”. Gazeta e njohur amerikane shkruante në atë kohë
se në muajt fundit rreth 80-mijë të rinjë e të reja ishin larguar nga Shqipëria
dhe se “fitorja e komunistëve” në ato zgjedhje, “do të bënte që edhe më shumë
të rinjë të largoheshin nga vendi”, ndërsa citonte një nga studentët e
Universitetit të Tiranës, i cili nuk dëshironte të identifikohej, se “nuk ka
asnjë arsye që të qendrojë më këtu”.
Sidomos ata shqiptarë,
veçanërisht rinia, që prisnin që zgjedhjet e para post-komuniste në Shqipëri të
31 marsit, 1991 do të sillnin “ndryshimin e madh”, “lirinë e demokracinë” dhe
“Shqipërinë si e gjithë Evropa”, u zhgënjyen për së tepërmi. Përveç mos
kënaqësisë me manipulimet e atyre zgjedhjeve që çuan në fitoren e Partisë së
Punës, përfundimi i atyre zgjedhjeve shkaktoi edhe shpërthimin e revoltave në
disa qytete. Reagimet më revoltuese ndaj fitores së partisë (komuniste) të
Punës erdhën nga Shkodra ku për fat të keq të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë,
pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë katër
dëshmorë të lirisë e demokracisë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu
dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Kjo tragjedi e
30-viteve më parë ka lenë plagë të rënda në familjet e këtyre deshmorëve, për
Shkodrën dhe Shqipërinë pasi 30-vjet më vonë mbetet gjithnjë një prej ngjarjeve
më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe
drejtësi, përfshir identifikimin e individëve përgjegjës për këtë krim, në
radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj
kohe.
Fatkeqësisht, edhe sot në
30-vjetorin e vrasjeve të këtyre deshmorëve të lirisë, ashtu siç ka ndodhur me
shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë
identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime
shtetërore. Nuk është zhvilluar asnjë proces i mirëfilltë drejtësie për ata
që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të
shtënë me armë zjarri kundër njerëzve të pafajshëm dhe të pa armatosur,
pjesëmarrës në një protestë paqësore. Ato të shtëna kundër protestuesve
paqësorë — sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e
ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër, ndërsa jehona e këtij krimi
shtetëror kumbon edhe sot dhe thërret për drejtësi, përgjegjësi dhe ndëshkim –
kumbon nepër koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë,
30-vjet vjetë pas zgjedhjeve të para “pluraliste”.
Fatkeqësisht, shënjat nuk
janë shpresëdhënse për hetime rreth këtij krimi, as sot në këtë 30-vjetor të
vrasjes makabre të këtyre 4 heronjve. Sepse sipas raportit të posa botuar
të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për vitin 2020,
në Shqipëri, “Mosndëshkimi mbetet një problem serioz”, thuhet në atë raport:
“Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin
sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe
personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i
shmangeshin ndjekjes penale.”
Problemi është se kemi të
bëjmë me krime shtetërore dhe jo thjeshtë me “abuzime” nga zyrtarë të lartë të
asaj kohe, urdhër-dhënës për ekzekutimin e katër deshmorëve të demokracisë në
Shkodër, disa prej të cilëve ende gëzojnë poste të larta në institucionet e
qeverisë dhe të shtetit shqiptar, “post-komunist”. Megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste”
të 31 marsit, 1991– më kujtohen shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim
ato ditë në Tiranë — për një fillim të ri historik, për “ndryshimin e madh”,
për varrosjen e diktaturës, për një shoqëri më të drejtë, më të lirë e
demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste. Por, vrasjet
në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga
delegacionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në Tiranë, si një shënjë
ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Në këtë 30-vjetor, mos
zbardhja dhe mos ndëshkimi i këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet
tona sot e asaj dite – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit
2021, se ky krim shtetëror si due krime të tjera të komunizmit, nuk do të
zbardhen, as personat përgjegjës nuk do të ndiqen ligjërisht dhe as nuk do të
ndëshkohen, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha krimet e komunizmit në Shqipëri.
Por ajo që mund të bëjmë
ne njerëzit e thjeshtë kudo është që të kujtojmë, të kujtojmë që të mos
harrojmë dhe të kujtojmë viktimat e pafajshme duke hedhur poshtë gënjeshtrat
dhe duke mbrojtur të vërtetën. Kam zgjedhur që në këtë 30-vjetor të kujtoj
katër heronjtë e lirisë e të demokracisë – këto 4 yje të lirisë,
lule të demokracisë — që
u vranë gjatë protestave anti-komuniste në Shkodër me 2 prill, 199, me fjalët e
këngëtarit të njohur shqiptar, të ndjerit Sali Mani:
Kengë kushtuar 4
Dëshmorëve të 2 prillit, 1991 në Shkodër
Sali Mani – Katër dëshmorët – YouTube
Kur zbardhë drita ditë
për ditë
Dalim heret me vaditë
ma të bukurat lule në
botë
pak me ujë e pak me lotë.
Katër yje të lirisë,
Lulet e demokracisë.
Kush i vrau dora iu
thaftë
Kush i preku zemra iu
çaftë.
A e dini kush i vrau,
Dje i vrau e sot i qau.
Dritë as diell me sy mos
paftë,
Diktaturë zemra t’u
çaftë.
Ndalo ti o dorë mizore
Dorë e zezë konservatore
Pesë dekada na ke vra
S’i le nanat as me kja.
Arben Broci djal ku je?
Shkodër locën gjallë e
ke.
Diktaturat po varrosen,
Diktatorët po groposen.
Po qet shkumbë burokracia
Se u shpalos demokracia
Kush dha urdhër në atë
shtërngatë
Me vra njerëzit
duar thatë.
Ju thaftë goja kush e
dha,
fjalën vrisni kush e tha?
Ti o vrasës urdhërdhanës
Helm tu bafshin gjijtë e
nanës!
Nepër popull plumba ranë,
Katër yje në gjak u lanë.
Fshehu dorën tirania,
derdhi lotë demokracia.
Po renkojnë malet me
gropa,
Korbat sillen rreth e
rrotull,
Në katër rrugë ka mbetë
ai popull.
Diktatura na varfënoi,
E si komb na përçudnoi,
Na dhanë rrugat nepër
botë.
Diktatori vrau e preu
Plot me plagë u mbush
Atdheu
Ju tha zemra kësaj
Shqipni,
Për liri, demokraci.
Kur zbardhë drita ditë
për ditë
Dalim heret me vaditë
Ma të bukurat lule në
botë
Pak me ujë e pak me lotë.
Arben Doci ku të ra gjaku
M’u te dora e Bujar
Bishanakut
Te Besniku te Nazmia,
Gjaku i juaj Demokracia.
Hej, Arben Broci djal ku
je,
Shkodër locën gjallë e
ke.
Diktaturat po varrosen,
Diktatorët po groposen.
*Ribotim