Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kur dështon politika - mbetet urata
E premte, 21.04.2023, 06:58 PM
KUR DËSHTON POLITIKA – MBETET URATA
“Le
të bashkojmë zemrat dhe zërat për paqë në botë”
(Antonio Guterres)
Nga
Frank Shkreli
Kur dështon
politika vendore dhe ndërkombëtare për të sjellur paqë në botë, qoftë edhe
Organizata e Kombeve të Bashkuarara (OKB) në Nju Jork, atëherë duhet t’i
drejtohemi me uratë Perendisë që të ndihmojë për të siguruar paqën midis
individëve, komuniteteve dhe shteteve të ndryshme, sidomos në këto kohë të
turbullta për botën. Siç duket kështu
mendon edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres,
se si rrjedhim i dështimit të përpjekjeve të politikës botërore në përgjithësi
-- për të siguruar paqën në këtë planet, atëherë, medoemos, nevojitet ndërhyrja
e një force më të madhe.
Të premtën që
kaloi, Shefi i OKB-së, Antonio Guterres organizoi një ceremoni lutjeje për paqë
në botë me udhëheqës fetarë që u bashkuan me Sekretarin e Përgjithshëm të
OKB-së, pikërisht, për të ofruar – në këtë periudhë fetsash fetare -- lutjet e
tyre për paqë në botë, për “qëllimin tonë më të çmueshëm”, siç e cilësoi Z.
Guterres objektivin për të siguruar paqën në botë, përball konflikteve aktuale
në botë, përfshir agresionin e Rusisë në Ukrainë. Në një njoftim të OKB-së për median botërore
thuhet se, “në një kohë shumë të keqe ndarjesh e përçarjesh në botë, udhëheqës
të feve të ndryshme u mblodhën së bashku, të premtën që kaloi, në Kryqendrën e
OKB-së në Nju Jork, për një moment lutjesh për paqe në botë”. Me këtë rast citohet Sekretari i
Përgjithshëm, i OKB, Guterres, të ketë thenë se ky takim u mbajt në një moment
ibekuar dhe unik, pasi ata u mblodhën aty: të Premten e fundit të Ramazanit,
ndërkohë që të krishterët festuan Pashkët, hebrenjtë shënuan mbarimin e
“Passover” dhe sikët festuan festivalin Vaisakhi. “Madje edhe vet kalendari na dërgon një
mesazh uniteti”, ka theksuar Shefi i OKB-së, Antonio Guterres në atë takim,
duke shtuar se, “Sot, në këtë moment të shenjtë për të gjitha fetë, le të
bashkojmë zemrat dhe zërat tonë për paqë – e që është qëllimi ynë më i
çmueshëm.” Guterres tha në vazhdim se
sot “paqeja në botë është më e nevojshme se kurrë, sepse lufta dhe konfliktet
po shkaktojnë përhapjen e urisë dhe varfëri shkatërruese kudo, ndërkohë që
detyron njëherazi edhe largimin e
detyrueshëm të dhjetra miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre, nga atdheu
i tyre. I gjithë planeti, tha ai, është në një kaos klimaterik, ndërsa edhe
vendet ku mbretëron paqeja, përballen me padrejtësi dhe pabarazi të tmershme,
përfshir polarizimet politike.”
Udhëheqsi i organizatës botërore u bëri thirrje udhëheqsve fetarë që të
“qendrojnë të vendosur në besimin e tyre të përbashkët -- besim që bashkon
mbarë familjen njerëzore.” Ai kërkoi nga fetarët: “Le të bashkohemi si
komunitete dhe si shtete. Le të lutemi të gjithë për paqë në botë.”
Në këtë ceremoni
lutjesh për paqë në botë, që u mbajt në Sheshin e Vizitorëve para Sekretariatit
të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, morën pjesë pjesëtarë të stafit të OKB-së,
anëtarë të komunitetit diplomatik botëror, si dhe vizitorë vendas dhe të huaj,
ndërkohë që udhëheqës-përfaquses të feve kryesore në botë ofruan,
individualisht dhe si komunitete fetare, lutjet e tyre të paqës për njerzimin.
Duke theksuar gjërat që i bashkojnë njerzit anë e mbanë botës, dhe jo ato që i
ndajnë -- fakti se njerëzit me tradita të ndryshme fetare janë të bashkuar në
OKB për tu lutur për paqë në botë -- jep një shembull të fuqishëm për mbarë
njerzimin, u shpreh Dr. Simran Jeet Singh, përfaqsues i fesë Sikh, Drejtor
Ekzekutiv i Programit Feja dhe Shoqëria pranë Institutit Aspen, një organizatë
kjo ndërkombëtare jo fitimprurëse dhe njëri prej pjesëmarrësve në takimin me
Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres.
“Gjëja që më pëlqen në lidhje me këtë takim të përfaqsuesve të feve të
ndryshme në Kombet e Bashkuara, me rastin e këtyre festave fetare, është fakti
se aq shumë komunitete të ndryshme janë duke festuar së bashku. Ata po
pasqyrojnë dhe po theksojnë gjërat e përbashkëta, gjërat që na bashkojnë të
gjithë neve”, tha Dr. Simran Jeet Singh.
Në pëmbyllje të
këtij takimi në Nju Jork, Përfaqësuesi i Lartë i Aleancës së OKB-së për
Qytetërimet (UNAOC), Migel Angel Moratinos, e përshkroi ceremoninë si një
moment të bukur harmonie, "veçanërisht gjatë këtyre kohëve të vështira që
po sfidojnë mbarë njerëzimin." Ai
tha se ceremonia (në Nju Jork) e lutjeve fetare për paqë në botë, demonstroi se
si njerzit anë e mbanë botës, duhet të mobilizojnë aktivitetet e tyre dhe të
veprojnë në solidaritet dhe me respekt ndaj njëri tjetrit. UNAOC, si ent i OKB-së, promovon mirëkuptimin
dhe bashkpunimin ndërkulturor midis komuniteteve dhe popujve. Z. Moratinos, si përfaqsues i lartë i këtij
enti të organizatës botërore, nënvijoi mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të
organizatës që ai kryeson, ndaj përpjekjeve që kanë për synim “ndërtimin e
urave të mirëkuptimit dhe jo mureve të urrejtjes duke shkaktuar ndarje e përçarje”, midis individëve,
komuniteteve dhe shteteve, duke kërcënuar, në këtë mënyrë, paqën në mbarë
botën, është shprehur zyrtari i lartë i OKB-së, Migel Angel Moratinos, duke
mbyllur ceremoninë e lutjeve fetare të organizuar nga OKB-ja, të premtën që
kaloi, në Nju Jork me rastin e festave fetare botërore.
Ndërkaq, edhe Papa
Francesku ofroi lutjet e tija për paqe në botë me rastin e Ditës së Pashkëve
Katolike, javën që kaloi nga Vatikani – përkrah kardinalit shqiptar Ernest
Simon Troshani. duke iu drejtuar “Urbi et Orbi”, qytetit të Romës dhe mbarë
botës. Papa ofroi lutjet e tija,
veçanërisht, për popullin ukrainas dhe atë rus dhe për paqë midis këtyre dy
kombeve. Udhëheqsi i Kishës Katolike ofroi, me atë rast, gjithashtu uratët e
tija për dhënjen fund të dhunës, anë e mbanë botës dhe për paqë midis
individëve, komuniteteve dhe kombeve, në një “frymë besimi” ndaj njëri tjerit
dhe Perendisë, ka thenë Papa Françesku. Me atë rast, Papa 86-vjeçar, në
predikimin e tij tradicional për festën e Pashkëve inkurajoi, “mirëkutimin dhe
besimin midis individëve, popujve dhe kombeve”, duke thenë se festa e Pashkëve
“shëndritë terrin, pesimizmin dhe trishtimin në këtë bote”.
Ditën e Pashkëve,
2023 në sheshin e Shën Pjetrit ishte i pranishëm përkrah Papa Françeskut, edhe
kardinali Shqiptar 94-vjeçar Ernest Simoni, për të festuar Pashkën në mbarë
botën, si edhe për të marrë pjesë në bekimin e përvitshëm Urbi et Orbi – si
përfaqësues i Kombit shqiptar, historia e të cilit në përgjithësi dhe gjymën e
shekullit të kaluar në veçanti nën regjimin komunist nuk ka njohur as paqë as
liri, as për shqiptarët në përgjithësi, as për Ernest Simon Troshanin, si
individ. Historia e
Kardinalit shqiptar ka tronditur botën kur vuajtjet e tija nën komunizëm iu
njoftuan njerëzimit pas shembjes së regjimit komunist në Shqipëri. Ernest Simoni është arrestuar në vitin 1963
dhe gëzoi lirinë vetëm pas 27 vitesh të gjata persekutimi të ashpër komunist të
regjimit enverist. Për shumicën e shqiptarëve, Ernest Simoni është një hero i
cili përfaqëson paqën, lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut, përpara të
drejtave të tija fetare. Regjimi komunist
i Enver Hoxhës e ka konsideruar atë si “armik i popullit” dhe vetëm në vitin
1990, me rënien e regjimit komunist, ai iu rikthye lirisë. Si njeri i lirë, ai
vazhdon të punojë për paqe edhe për të tjerët duke sjellë pajtimin e njerëzve
dhe familjeve të ndara, duke promovuar paqën midis shqiptarëve – gjatë
tranzicionit të pafund nga komunizmi në demokraci -- pa dallim dhe pa hakmarrje
ndaj askujt.
Papa Françesku duke u lutur për paqë në botë, Ditën e Pashkëve 2023, përkrah të ftuarit të tij të posaçëm me këtë rast, Kardinalit shqiptar, Ernest Simon Troshani, i cili i shpallur, “armik i popullit” nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk ka parë ditë të mirë as paqe në jetën e tij.
UN Photo/Eskinder Debebe –Sekretari i Përgjithshëm i
OKB-së Antonio Guterres duke folur në takimin Ndërfetar të Lutjeve për Paqë, në
Kryeqendrën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të premtën që kaloi.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio
Guterres u bëri thirrje besimtarëve anë e mbanë botës që t’i “bashkojnë zërat
në një uratë të përbashkët për paqe në botë”, sidomos gjatë kësaj jave që
përkon me festat e tre feve kryesore monoteiste botërore: Festës së Pashkëve,
Muajit të Ramazanit dhe festës Passover të Judaizmit. “Ky është momenti që të
gjithë të bashkohemi në lutje për paqën në botë”, “le të lutemi për paqë në
komunitetet dhe në vendet tona”, ka thënë Shefi i OKB-së.
Është kjo një
thirrje e Poetit Kombëtar të Shqiptarëve, At Gjergj Fishtës, që pasqyron paqën,
vlerat dhe traditat shekullore të shqiptarëve. “Harmoninë na e bekoi Zoti,
kështu na e la Gjergj Kastrioti…” thotë një kengë popullore. Për fat të keq të
Kombit, këto vlera, këtë traditë dhe paqën me njëri tjetrin, (për të cilën bëri
thirrje OKB-ja) -- paqën për të cilën kanë aq shumë nevojë shqiptarët sot, i ka
sjellur për së mbrapshti politika aktuale shqiptare, “me ndarjet dhe
përçarjet”, për inetersa e tyre personale e partiake, por që për fat të keq po
mbjellin një frymë tragjike mosbesimi në radhët e shqiptarëve ndaj njëri
tjetrit, një mosbesim në të ardhmen e tyre, si individë, si familje, si
komunitet dhe si Komb! Sot, më shumë se
kurrë, shqiptarët kanë nevojë për bashkim të zemrave dhe të zërave për paqë dhe
respekt për njëri tjetrin! Ky ishte edhe
mesazhi i Kombeve të Bashkuara dhe të një grup fetarësh, drejtuar botës, të
premtën që kaloi që të gjithë të punojnë së bashku me “zemrat dhe zërat” e tyre
për paqë në botë dhe në komunitet dhe vendet ku jetojnë.
Frank Shkreli, 12/04/2023