Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Me origjinë nga Vukli i Kelmendit në karrigën e gjykatësit në Amerikë
E marte, 02.05.2023, 07:29 PM
ME ORIGJINË NGA VUKLI I KELMËNDIT TË MALËSISË SË MADHE NË KARRIGËN E GJYKATSIT NË AMERIKË
Nga
Frank Shkreli
Në shkrimet e mia
modeste në të kaluarën – duke shënuar raste suksesi në fushë të ndryshme të
jetës tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam përpjekur të pasqyroj
individë me preardhje shqiptare që e kanë dalluar vetën në fusha të ndryshme si
në politikë, ekonomi, financa, arsim, kulturë e tregti, e të tjera.
Vazhdimisht, kam bërë thirrje dhe vazhdoj të inkurajoj -- në atë mënyrën tëme –
sa më shumë rininë shqiptaro-amerikane, të shkolluar në këtë vend që të
angazhohen sa më shumë në të gjitha aspektet e jetës amerikane, sidomos në
ekonomi, politikë e drejtësi. Për fat të mirë, komuniteti shqiptaro-amerikan ka
një numër të konsiderueshëm histori suksesi në të gjitha fushat, përfshir edhe
avoketën të diplomuar, në rritje e sipër, në universitetet më të njohura
amerikane dhe të angazhuar në sistemin e drejtësisë të këtij vendi. Disa herë
kam pasqyruar edhe fillimet sado të rralla – disa të suksesshme e disa jo aq të
suksesshme – të shqiptaro-amerikanëve në përpjekjet e tyre për t’u angazhuar në
proceset e politikës amerikane, në nivel vendor, shtetëror dhe federal. Unë jam
i bindur se është vetëm fillimi dhe është një fillim që premton, kur të merret
parasysh numri i madh i shqiptarëve që kanë kërkuar strehim këtu në Shtetet e
Bashkuara pas shembjes së komunizmit dhe çlirimit të Kosovës. Këtu në Shtetet e
Bashkuara, diaspora e tre dekadave të fundit, përbëhet nga Shqipëria, nga
Kosova dhe nga mbarë trojet shqiptare, që për fat të keq dhe si rrjedhojë e
politikave dështuese në dy shtetet shqiptare, numri i shqiptarëve që po
largohen nga vendlindja për në botën perëndimore, po rritet gjithnjë, edhe këtu
në Amerikën e largët. Shumë prej tyre, kanë përfunduar në punë të shumë të mira
dhe po konkurojnë me më të mirët në Amerikë, për të dhenë kontributin e tyre
për zhvillimin e komunitetit tonë dhe të shoqërisë ku jetojnë.
Megjithë një
komunitetet të madh, pra dhe shumë të përgatitur shqiptaro-amerikan -- nga
pikëpamja e arsimit të lartë dhe zotërimit të gjuhës anglisht -- gjatë gjithë
kësaj kohe, nuk kisha dijeni për ndonjë rast që një shqiptaro-amerikan të jetë
zgjedhur në detyrën e gjykatsit, të pakën në këtë rajonin veri-lindor të
Shteteve të Bashkuara ku jeton shumica e shqiptarëve në Amerikë. Jam shumë i
kënaqur të njoftoj lexuesit se, më në fund, mund të themi me krenari se kemi
një gjykatës shqiptaro-amerikan i zgjedhur me vota dërmuese, nga zgjedhësit e
zonës Pleasantville të rajonit Westchester të shtetit Nju Jork. Me 3 Prill, 2023 bëri betimin John (Gjon)
Vukeli, i zgjedhur nga votuesit e Westchesterit në Nju Jork me 21 Mars, 2023,
si gjykatës në Pleasantville – me sa dimë, i pari shqiptaro-amerikan në një
detyrë të tillë të lartë të drejtësisë, të pakën në këto anë. Zgjedhja e tij në detyrën e gjykatsit këtu në
Amerikë, besoj se shënon vetëm fillimin e shqiptaro-amerikanëve, që zgjedhin
këtë fushë të veprimtarisë së tyre – si gjykatës në sistemin amerikan të
drejtësisë në nivel të ndryshme rajonale.
Gjykatsi i ri i
posa zgjedhur shqiptaro-amerikan, John (Gjon) Vukelj rrjedh nga një familje e
njohur anti-komuniste nga Vukli i Kelmendit të Malësisë së Madhe – asaj
diasporës anti-komuniste shqiptare të arratisur nga regjimi komunist
enverist. Familja e Sokol Dedës, babait
të gjykatsit të ri shqiptaro-amerikan, nuk qe pajtuar me regjimin komunist të
Enver Hoxhës dhe si pasojë familja e tij e pësoi shumë keq sa që është detyrua
të arratisej nga vendlindja për të shpëtuar jetën e vet dhe të familjes së tij,
ndërkohë që familja e Sokol Dedës është vendosur në Bronks të Nju Jorkut, si
shumë bashkathdetarë të tjerë refugjatë politikë nga malet tona -- më shumë se
një shekull më parë -- për të kërkuar lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut.
Në fjalimin e tij
me rastin e betimit në detyrën e re, Gjykatsi shqiptaro-amerikan me origjinë
nga Vukli i Malësisë së Madhe, duke pasur parasysh historinë dhe vuajtjet e familjes
nën komunizëm në Shqipërinë e pas Luftës së dytë botërore, shprehu krenarinë
për origjinën e tij nga Kelmendi i Malësisë së Madhe dhe mirënjohje për strehimin që Amerika i kishte ofruar familjes së tij dhe dhe për mundësitë që ky
vend i ka ofruar atij për të arritur karrierë që gëzon sot si gjkatës I
zgjedhur. Ndër të tjera, gjykatsi shqiptaro-amerikan, John (Gjon) Vukli https://www.youtube.com/watch?v=bX3VG2hRtIY
– foli,
shkurtimisht, për jetën, karrierën dhe për familjen e tij të vuajtur dhe të
përsekutuar nga komunizmi: “Mësimet më
të rëndësishme që mund të nxjerr nga kjo përvojë e fushatës politike është se
ne jetojmë në një vend të mrekullueshëm. Ne, si individë, nuk jemi dakort për
çdo gjë, por mendoj se të gjithë ne dëshirojmë të kemi të njëjtat gjëra, të
drejta dhe mundësi të barabarta në jetë.
Fushata për këtë detyrë, më ndihmoi të kuptoj se nëqoftse i trajton
njerëzit me respekt edhe ata do të respektojnë ty. E gjithë kjo përvojë do të
jetë e vlefshme për mua ndërsa filloj dtyrën e re si gjykatës”, theksoi John
Vukelj gjatë fjalimit, pasi bëri betimin në detyrën e re. Ai u tha të
pranishëmve se kishte edhe diçka tjetër për të ndarë me ta dhe me të tjerë që
mund të jetojnë jasht komunitetit, ku ai do të shërbejë si gjykatës. “Kam edhe
diçka tjetër për të ndarë me ju”, vazhdoi ai.
Krenar se është shqiptar -- “E kam fjalën për komunitetin shqiptaro-amerikan. Nuk
e di nëse ka pasur gjykatës shqiptarë amerikanë më parë, qoftë këtu në Nju Jork,
qoftë anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ndoshta, po, ndoshta jo. Por, unë jam
shumë i vetdijshëm për mbështetjen që kam marrë nga komuniteti
shqiptaro-amerikan ç’prej kohës që kam njoftuar vendimin për të shpallur
kandidaturën time për gjykatës të kësaj zone adminstrative. Komuniteti
shqiptaro-amerikan ishte plot krenari për kandidaturën time dhe unë gjithashtu,
si pjestar i këtij komuniteti, jam krenar që jam shqiptar”, theksoi ai në
fjalën e tij përshëndetse pas betimit. Gjykatsi i ri ndau me të pranishmit disa
të dhëna mbi origjinën dhe historinë e familjes së tij: “Prindërit e mi kanë
emigruar në Shtetet e Bashkuara. Vëllëzrit e mi dhe unë kemi lindur këtu në
Shtetet e Bashkuara. Në familjen tonë kemi folur shqip, kemi dëgjuar muzikë
shqiptare dhe kemi marrë pjesë në një grup kërcimtarësh pranë Kishës Katolike
shqiptare në Nju Jork. Duke u rritur në këtë vend, mësuam për persekutimet ndaj
përindërve të mi, familjes dhe popullit tonë në Shqipëri. Mësuam për
vështirsitë me të cilat prindërit e mi dhe paraadhësit tanë ishin përballur,
gjë që I detyroi të arratiseshin nga vendi i të parëve për tu vendosur në
Shtetet e Bashkuara. Kjo histori
padrejtësish, vuajtjesh dhe persekutimesh të prindërve dhe të para-ardhësve
tanë, më ka ndihmuar të përvetësoj një përspektivë në jetë dhe më ka nxitur për
të vazhduar studimet në degën e drejtësisë. Unë dhe vëllëzrit e mi jemi
përballur me sfidat, me të cilat përballen të gjithë ata të brezit të parë
emigrantësh në këtë vend, përfshir sfidën se si të, “nderosh Atdheun e të
parëve, dhe njëkohësisht, të bëhesh pjesë e këtij vendi të adaptuar? Përgjigja
ndaj kësaj pyetjeje më ishte bërë e qartë që në fillim nga prindërit e mi shumë
të mençur”, u tha Z. Vukelji pjestarëve në ceremoninë e betimit të tij. “Ata
depërtuan atë mjegullën që i rrethonte, duke na dhenë ne fëmijve të tyre,
këshillat dhe vlerat më të mira amerikane: studjo shumë, pastaj edhe pak më
shumë, shumë më shumë e ashtu me radhë… Sot mendoj për babain tim, Sokol Deda
Vukli. Jam i sigurt se ai është duke shikuar nga lartë dhe jam i bindur se e
ndjenë veten shumë krenar në këtë ditë ditë…”, tha ai.
Më në fund,
gjykatsi i ri shqiptaro-amerikan John (Gjon) Vukli, bir i Sokol Dedës -- i një
familjeje fisnkie e bujare, por edhe trime e patriotike nga Vukli i Kelmendit
kreshnik të Malësisë së Madhe, që nuk u përkul kurrë para padrejtësive,
falënderoi të gjithë ata që votuan për të, ndërsa shprehu krenarinë e tij me
rezultatet e votimeve në favor të tij.
Me këtë rast, ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij të thellë për
ndihmën e familjes, miqëve, komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi,
përfshir dhe personelin e gjykatës ku do punojë ai për punën e tyre, ndërsa u
zotua se do t’i shërbejë me përkushtim komunitetit Pleasantville të rajonit
administrativo-juridik Westchester të shtetit Nju Jork. Si një hap i parë në
këtë drejtim, ai ka vendosur që angazhimet dhe premtimet që u ka dhënë votuesve
gjatë fushatës elektorale, të vazhdojnë të jenë të postuara në portalin e tij,
si një kujtesë për votuesit se cilat ishin premtimet e tija dhe nëse dhe si do
t’i zbatojë ato premtime gjatë mandatit të tij në detyrën e re. Përgjegjësi
ndaj votuesve dhe respekt për mbështjen e tyre, bazuar në premtimet e bëra!
Një hap i parë por
i rëndësishëm për gjykatsin e ri shqiptaro-amerikan drejt një karriere të
frutshme e të suksesshme. Urime shqiptaro-amerikanit John (Gjon) Vuklit dhe
përparime të shpejta atij në nivele edhe më të larta në fushën e drejtësisë dhe
të gjykatave shtetërore e federale në Shtetet e Bashkuara. Lartë e më lartë!
Gjykatsi
shqiptaro-amerikan John (Gjon) Vukli me origjinë nga Kelmendi i Malësisë së
Madhe
Prindërit e
gjykatsit të ri shqiptaro-amerikan John Vukli.
Nëna Gjystja dhe i ndjeri babai Sokol Deda Vukli, nga Vukli i Kelmendit
të Malësisë së Madhe, i Lahutës dhe i Xhubletës -- Sokol
Deda Vukel - VENDIT TIM - kendon Vasel Shkreli - YouTube – Kangë me lahutë nga lahutari
shqiptaro-amerikan, Vasel Shkreli kushtuar Sokol Dedës dhe familjes së tij.