Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ish-Presidenti George W. Bush, mik i përhershëm i shqiptarëve!
E hene, 19.06.2023, 07:30 PM
ISH-PRESIDENTI GEORGE W. BUSH: MIK I PËRHERËSHËM I SHQIPTARËVE!
Nga
Frank Shkreli
Është një thënje
anglisht që thotë se, “Once a friend, always a friend”, që shqip përafërsisht
mund të përkthehet se një “mik i vjetër mbetet gjithmonë mik”.
Në një njoftim të
portalit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë thuhet se
Ish-Presidenti i Amerikës, George W. Bush është takuar me një grup studentësh
nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët punojnë gjatë verës në Shtetet e Bashkuara,
në bazë të një programi të Departmentit Amerikan të Shtetit për të punësuar
studentë ndërkombëtarë për sezonin e verës në Amerikë. Ky grup studentësh shqiptarë që pasqyrohen në
foton më poshtë, të botuar në portalin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, janë
takuar me Presidentin Bush në vendin e punës së tyre – një restorant në
Kennebunport të shtetit Maine – që siç duket është restoranti i preferuar i
Presidentit Bush në atë qytet, ku familja Bush ka një shtëpi verore.
4h ·
Dërgesë speciale nga Presidenti Bush! Studentët nga Shqipëria dhe Kosova që
po punojnë gjatë verës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë marrë një
surprizë të veçantë kur ish-Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, i bëri një
vizitë së fundmi! Presidenti Bush u ndal në një nga restorantet e tij të
preferuar, The Clam Shack në Kennebunk, Maine, ku studentët po punojnë si pjesë
e programit të punës verore dhe udhëtimit të Departamentit të Shtetit.
Studentët u kënaqën me takimin me ish-presidentin, i cili gjeti kohë për një
foto me grupin jashtë (restorantit) The Clam Shack.”
Sa bukur, studentë
nga Shqipëria dhe nga Kosova që po punojnë në Amerikë gjatë verës, takohen me
ish-Presidentin George Bush në një restorant në mahallën ku ai kalon verën, në
Kennebunkport të shtetit Maine. Sa e vogël është bërë kjo botë! Një foto e
studentëve shqiptarë me një president të Amerikës i cili bëri aq shumë për
shqiptarët, sidomos për Kosovën. Ishte gjatë asaj vizite në Tiranë, 16-vjet më
parë, që George W Bush deklaroi se “mjaft është mjaft” -- sa i përkiste
zvarristjes së zgjidhjes përfundimtare të çeshtjes së Kosovës -- se Kosova
duhej të njihej, ndërkombtarisht, si shtet i pavarur. Ishte kjo deklaratë e
fortë e Presidentit Bush nga Tirana që, më në fund, vuri në lëvizje proceset
që, një vit më vonë, çuan në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës
dhe në njohjet ndërkombëtare.
Në të vërtetë, ky
muaj shënon 16-vjetorin e vizitës së Presidentit George Bush në Shqipëri. Data
10 Qershor, 2007 është dita dhe viti që shënohet në histori kur Presidenti
George W. Bush u bë presidenti i parë në historinë e marrëdhënieve
amerikano-shqiptare që vizitoi Shqipërinë post-komuniste.
Ish-Presidenti i
Shteteve të Bashkuara, George W. Bush me një grup studentësh shqiptarë nga
Kosova dhe nga Shqipëria në Kennebunport të shtetit Maine –Foto: US Embassy
Tirana
Presidenti George
W Bush gjatë asaj vizite në Shqipëri,
16-vjet më parë -- ashtu siç kishte premtuar presidenti demokrat i Amerikës,
Woodrow Wilsoni 100-vjet më heret se zërin e tij do e përdorte në mbrojtje të
Shqipërisë nga armiqtë e saj -- edhe Presidenti republikan i Amerikës, George W
Bush, pothuaj një shekull më vonë, përball pothuaj të njëjtëve armiq të Kombit
shqiptar – deklaroi nga Tirana, gjatë një konferencë shtypi me
ish-Kryeministrin e vendit, Z. Sali Berisha se: “Mjaft është mjaft – Kosova
është e pavarur”. Duke shprehur kështu
moskënaqësinë e tij ndaj bisedimeve të pafund rreth pavarësisë së Kosovës.
Media amerikane e kohës, e cila i pat bërë një jehonë të madhe vizitës së
Presidentit Bush në Shqipëri 16-vjet më parë, interpretonte deklaratën e
Presidentit amerikan si një deklaratë drejtuar Rusisë dhe aleatëve të saj në
Ballkanin Perëndimor, që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës.
Gjatë asaj vizite
u vendosën gjithashtu edhe themelet e antarësimit të Shqipërisë në NATO.
Shqipëria mori ftesën për antarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, në takimin
e nivelit të lartë në Bukuresht më 2008 dhe më 1 prill, 2009, Shqipëria u bë
anëtare e plotë e NATO-s. Nuk besoj të
ishte një zhvillim i rastit – që pavarësia e Kosovës është njohur nga SHBA dhe
shtete të tjera perëndimore në shkurt të vitit 2008, ndërsa Shqipëria u bë e
anëtare e NATO-s, një vit më vonë. Meritë e Presidentit Bush dhe Tiranës
zyrtare të asaj kohe.
“Sot është një
ditë e mrekullueshme për vendin tonë. Ka ardhur të na vizitojë miku më i madh e
më i nderuar që kemi në botë – i të gjitha kohërave, presidenti i Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, udhëheqsi i botës së lirë”, citohej nga FOX-news e
Amerikës, Kryeministri i Shqipërisë, në atë kohë, Z. Sali Berisha.
Kjo foto më lartë
e ditëve të fundit e ish-Presidentit George Bush me studentët shqiptarë në
shtetin Maine të Shteteve të Bashkuara vetëm pasqyron -- nepërmjet këtyre të
rinjve shqiptarë -- edhe njëherë, ndonëse simbolike por kuptimplote, miqësinë
dhe admirimin e shqiptarëve, përfshir këta të rinjë shqiptarë, kudo dhe pa
dallim -- për Shtetet e Bashkuara. Ndërsa me bërjen pozë duke dalur në
fotografi me këta të rinjë shqiptarë – e ardhmja e Kombit shqiptar --
Presidenti George W Bush tregon edhe njëherë vërtetësinë e asaj thënjës së
vjetër amerikane: Once a friend, always a friend.” Miku i vjetër, gjithonë mbetet mik!
Uroj dhe shpresoj
që kjo gjeneratë e shqiptarëve që përfaqësohen në këtë foto me Presidentin
George Bush, të vazhdojnë t’i konsiderojnë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane si
të shënjta dhe të pazevëndsueshme midis dy kombeve tona – e mbi të gjitha të
mos harrojmë miqtë e vjetër – siç është Presidenti George W Bush.