Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Adem Demaçi - E para është fjala e lirë
E merkure, 21.06.2023, 08:18 PM
ADEM DEMAÇI: “E PARA ËSHTË FJALA E LIRË - HAPI I DOMOSDOSHËM DREJT DEMOKRACISË
Nga
Frank Shkreli
ADEM DEMAÇI: “Në
Librin e shenjtë thuhet: ‘E para ishte fjala’. Në kohën tonë mund të themi: “E
para është fjala e lirë” -- si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt
demokracisë”.
Në fjalimin e
Presidentes së Republikës së Kosovës, të mërkurën që kaloi para Parlamentit
Evropian në Strasburg, Vjosa Osmani kujtoi dy figura të njohura të historisë
kombëtare moderne të shqiptarëve; Dr. Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin, të dy
fitues të Çmimit Sakharov, të përzgjedhurur nga Parlamenti i Evropës. Frank Shkreli: Liri, Pavarësi, Demokraci s’ishin vetëm fjalë
të shqiptuara me pasion nga Rugova, por janë dhe vizion i popullit të Kosovës |
Gazeta Telegraf
Në vitin 1991,
Parlamenti Evropian i ka dorëzuar Adem Demaçit Çmimin e lartë, Sakharov -- për
integritetin e tij në kundërshtimin e një regjimi autoritar – ish-regjimit
diktatorial komunist jugosllav. Duke
cilësuar Çmimin si një nderim ndaj popullit të Kosovës, Demaçi ka deklaruar,
ndër të tjera, me atë rast se, “Liria e
fjalës është hapi i parë jetik drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog
nuk ka të vërtetë dhe pa të vërtetën, përparimi nuk është i mundur”, është
shprehur ish i burgosuri i regjimit komunist jugosllav, Adem Demaçi. Sakharov Prize 1991: Award ceremony Adem DEMACI (Demaçi),
Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)
Aktivisti i të
drejtave të njeriut dhe shkrimtari shqiptar nga Kosova, Adem Demaçi, në moshën
55 vjeçare mori çmimin prestigjioz, Sakharov të Parlamentit Evropian, për
përkushtimin e tij, ndaj të drejtave të njeriut dhe si mbrojtës i lirisë së
fjalës. Duke folur me rastin e marrjes së Çmimit Sakharov në vitin 1991, Demaçi
u ka thenë parlamentarëve evropianë se, “Duke më nderuar mua, ju po nderoni
popullin e Kosovës, një popull paqëdashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të
mëdha”. Në atë kohë, Demaçi ushtronte,
nën rrethana shumë të vështira, detyrën e Kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen
e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Për shkak të shkrimeve dhe pikëpamjeve të tij
politike, 28 vjet të jetës ai i kaloi nëpër burgjet ish-jugosllave.
Adem
Demaçi duke folur në Parlamentin Evropian, 1991
Në fjalimin para
parlamentarëve evropianë, Demaçi ka theksuar nevojën për lirinë e fjalës, si
diçka të domosdoshme për demokracinë, ndërsa ka denoncuar dhunën dhe shkeljen
brutale të drejtave të njeriut nga regjimi serb në Kosovë. Fjalimi i Demaçit në
Strasburg në vitin 1991 konsiderohet ende si një prej fjalimeve më historike në
Kosovë dhe në trojet shqiptare – në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të
drejtave të njeriut, në përgjithësi.
Ishte pra rëndësia që ai i kushtoi lirisë së fjalës dhe lirisë së të menduarit,
si tema më e rëndësishme e fjalimit të tij me atërast, ajo që tërhoqi atëherë
dhe sot vëmendjen e atyre që e dëgjuan por edhe kur lexohet sot ai fjalim është
tepër aktual për botën shqiptare, pasi liria e fjalës dhe e shtypit të lirië,
mbetet ende një sfidë që po pengon zhvillimet demokratike në trojet shqiptare –
megjithë shmebjen e komunizimit zyrtar mbi 30-vite të kaluar. Demaçi e pat filluar fjalimin e tij para
Parlamentit Evropian duke cituar Biblën: “Në Librin e shenjtë thuhet: “E
para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet, ka shtuar ai; “E para është
fjala e lirë, si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. “Pa fjalë të lirë s’ka dialog, pa dialog nuk mund të
zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progress”, u ka thënë Adem Demaçi parlamentarëve evropianë në vitin
1991, në mbrojtje të lirisë së fjalës, si një e drejtë bazë e njeriut, pa të
cilën nuk funksionon demokracia:
“Zoti Kryetar,
zonja e zotërinj deputetë, falë fjalës së lirë ju e zbuluat të vërtetën e
hidhur për shqiptarët në Jugosllavi. Pikërisht se fjala e lirë e shpartallon
errësirën, flak tutje mjergullën dhe çjerr të gjitha maskat. Të gjithë
pushtuesit e puçistët, punën e parë që e bëjnë është robërimi i fjalës. Prandaj
të gjithë ata që janë ithtarë të fjalës së lirë, të gjithë ata që janë, të them
me një fjalë pak si poetike – dashnorë të fjalës së lirë, kanë qenë e janë të
përndjekur, të dënuar e të burgosur, të ekzekutuar e të masakruar nga robërues
të fjalës së lirë.
“Por, zoti Kryetar
dhe Ju, zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian, do të guxoj të them
se edhe ju të gjithë jeni dashnorë të Fjalës së Lirë dhe prandaj më keni ftuar
që në këtë sallë të mrekullueshme ta dëgjoni edhe tingullin e Fjalës së Lirë
Shqiptare. Mirëpo, më vjen keq që nuk kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzuar
e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi”. Adem Demaçi i ka cilësuar “dashnorët e fjalës
së lirë”, si individët më të pasionuar ndaj lirisë së fjalës, si “dashnorët më
të flakët në botë”, e si të tllë, “ata janë të pathyeshëm e sypatrembur”, u ka
thënë Demaçi parlamentarëve evropianë më shumë se 30-vite më parë.
Demaçi ka cilësuar
ish-disidentin dhe ish-akademikun e kohës sovjetike Andrei Sakharov, emrin e të
cilit bartë Çmimi që iu akorduar Adem Demaçit nga Parlamenti Evropian – si një
“dashnor i fjalës së lirë”. Që sipas tij,
“Njëri nga këta dashnorë të panumërt të fjalës së lirë ishte edhe akademiku
Andrej Sakharov, të cilin as izolimet, as syrgjynosjet, as acari i Siberisë nuk
qenë në gjendje ta ndanin atë nga fjala e lirë. Fjala e lirë e këtij kolosi e
kampioni të humanizmit, hapi rrugën e Lirisë për shumë njerëz e shumë popuj në
Perandorinë Sovjetike. Sakharovi ndërroi jetë me fjalën e lirë në gojë. Ai
vdiq, por fjala e lirë nuk i tradhton kurrë dashnorët e vet, ajo mbetet
përgjithmonë me ta dhe i bën ata të pavdekshëm”, ka theksuar Adem Demaçi.
Adem Demaçi
përfundoi fjalimin e tij të 4 dhjetorit, 1991 me
një apel dreejtuar deputetve të Parlamentit Evropian:
Më lejoni që ta
përfundoj fjalën time me një mendim të thellë të një miku tim të sinqertë që
thotë: “Logjika e blloqeve, bllokon logjikën”. Prandaj ju thërras juve dhe
gjithë botën; le t’i flakim tej të gjitha blloqet, ato raciale, fetare,
kombëtare e ideologjike dhe midis popujve e njerëzve të ndërtojmë rrugë të
bashkëpunimit, të respektimit të interesave të ndërsjella, të hapim shtigjet e
dashurisë e të harmonisë gjithënjerëzore, që ta krijojmë një botë në të cilën
të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të
barabarta njerëzore e kombëtare”, përfshir këtu edhe botën shqiptare, e
sdidomos botën shqiptare sot! Sa ishte gjallë,
Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e
përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të
kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”. “Askujt nuk i shërben
urrjetja”, -ka këshilluar Adem Demaçi.
“Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të
jemi vet krijuesit e lirisë sonë. Faktori i brendshëm është elementi
parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së
dytë. Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë
për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë. " (Adem Demaçi)
Adem
Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të
drejtave të njeriut. Ai kaloi 28-vjet në burgje të ndryshme të
ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të
shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve. Mbi të gjitha, konsiderohet,
gjerësisht, se Adem Demaçi mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes
dhe urrejtjes kombëtare.
Adem Demaci gjatë jetës së tij njihej si kundështar i madh i regjimit komunist serbo-jugosllav. I quajtur edhe si “Mandela i Ballkanit”, Demaçi i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij promovimit të tolerancës dhe pajtimit etnik në Kosovë dhe në Ballkanin Perendimor.