Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 50-Vjetori i Revoltës Anti-Komuniste në Spaç
E hene, 22.05.2023, 07:00 PM
Ceremonia eshte mbuluar dje nga gazeta e Tiranes Telegraf dhe nga Voa shqip.
50-VJETORI
I REVOLTËS ANTI-KOMUNISTE NË SPAÇ
Nga
Frank Shkreli
Me
pjesmarrjen e Shkëlqesisë së tij
Presidentit të Republikës, Zotit Bajram
Begaj u zhvillua ceremonia
e përkujtimit të 50- vjetorit të revoltës Antikomuniste të Spaçit
me datën 21 Maj, 2023, ora 11:
00 në kampin çfarosës të Spaçit.
Perkujtimi
me rastin e këtij përvjetori ishte një obligim per te nderuar qëndresën, sakrificën, patriotizmin kombëtar
të Shqiponjave të lirisë që
50 vite ma parë, në mes breshërive të plumbave,
mbrojtën identitetin kombëtar -- Flamurin kombëtar
Kuq e Zi përdhosja me yllin bolshevik të stalinizmit! Ishte ky një rast historik për të valvitur flamurin kombëtar mbas 50- vitesh
nga ajo revolte, në nderim të 4 martirve të lirisë që u pushkatuan
në revoltën Antikomuniste të Spaçit nga
regjimi komunist i Enver Hoxhes: Pal Zefi,
Hajri Pashaj, Dervish Bejko e Skender
Daja, por, njëkohësisht, edhe në nderim të mbi 6000 shqiptareve të pushkatuar e të zhdukur
nga diktatura komuniste!
Në vijim shënimi i autorit, në kujtim të këtij përvjetori dhe heronjve të vrarë
nga regjimi komunist i Enver Hoxhës:
Në
këtë përvjetor të revoltës anti-komuniste, unë do kisha shumë për të thënë për
ketë vend çnjerzor këtu në Spaç – por fjalët jo vetëm që nuk mjaftojnë por,
njëkohësisht, janë edhe të tepërta.
Ne kete burg të vdekjes, po t’i mbyllim sytë dhe të
dëgjojmë në heshtje, do ndjejmë britmat e viktimave të pafajshme nga qelitë e
errëta e të izoluara.
Në heshtje mund të dëgjojmë ofshamën e tyre: “Pse na
vratë o vëllazën shqiptarë!?” Ata presin përgjigje prej nesh, ndërsa si
patriotë të mirë, në luftë për liri e demokraci, megjithëse skuqën këto shkëmba
me gjakun e tyre, sot ata bëjnë thirrje për PAJTIM dhe jo për hakmarrje.
Për fat të keq, kjo ofshamë, ende nuk gjenë simpati në
Shqipëri. Ende bie në veshë të shurdhër dhe në sy të verbër. Shqiptarët, pa
dallim bindjesh politike – “të majtë e të djathtë”, si dhe qeveritë dhe
kuvendet e 3-dekadave të kaluara -- po bëhen gjithnjë e më indiferent ndaj
këtyre krimeve të komunizmit dhe simboleve të atij regjimi – siç është Spaçi --
tre dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar.
A është sot Shqipëria, si shtet anëtar i NATO-s, në
nivelin e saj njerëzor e moral që të pakën të përballet me krimet e komunizmit,
të pranojë, zyrtarisht, me ligj, distancimin nga e kaluara e saj kriminale
komuniste, në interes të pajtimit kombëtar, ashtu siç kanë vepruar ish-vendet
komuniste të Evropës lindore e qendrore, dekada më parë?
Indiferenca dhe heshtja zyrtare nga qeveria shqiptare sot ndaj këtyre krimeve kundër njerëzimit,
është e papranueshme në shekullin XXI, në një shtet që e quan veten demokratik
dhe anëtar i NATO-s. Kësaj i thonë të jesh i shurdhër dhe verbër ndaj një
peshe të rendë të historisë – asaj të krimeve të komunizmit!
“Heshtja
ndaj çeshtjeve me rëndësi morale për një komb, është në vetvete një pranim
djallëzor i së keqës”, ka thënë një amerikan i madh i shekullit të kaluar.
“Parimet morale nuk varen nga vota e shumicës. E keqja është e keqe, krimi
është krim, sidomos, atëherë, kur shumica është në rrugë të gabuar”, ka
thenë Kardinali Fulton Sheen.
Sot, viktimat e regjimit të Enver Hoxhës dhe
familjet e tyre kërkojnë të Vërtetën dhe zyrtarizimin me ligj të Kujtesës së
viktimave të krimeve të komunizmit – ashtu që e kaluara kriminale e historisë
së shëmtuar komuniste, si kjo e burgut të Spaçit -- të mos bëhet pjesë
integrale e historisë së brezave të ardhëshëm të shqiptarëve.
Para këtyre qendrestarëve midis nesh – këtyre simboleve
të vërteta të lirisë e demokracisë, të moralit, pajtimit dhe tolerancës – unë
përulëm me respektin dhe falënderimin më të thellë për sakrificat e tyre dhe të
gjithë ish-të burgosurve bashkvuajtës të tyre që kanë dhënë jetën për këto
ideale dhe vlera perëndimore.
Ndërgjegja e jonë kolektive duhej të kërkonte të Vërtetën dhe përballimin me të
kaluarën komuniste. Kërkon dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe kujtimin
e viktimave – siç kanë bërë vendet ish-komuniste evropiane.
Është
një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist në Shqipëri -- të gjallë e
të vdekur -- në mos asgjë tjetër, të paktën, t’u kthehet një pjesë e dinjitetit
të tyre njerëzor si shqiptarë. Çdo viktimë e regjimit
totalitar komunist të Enver Hoxhës, ka të njëjtin dinjitet njerëzor si të
gjithë ne dhe meriton drejtësi, përkujtim dhe njohje nga të gjithë, e sidomos
nga autoritetet zyrtare në vend.
Simpatizantëve dhe nostalgjikëve të komunizmit si dhe
atyre që deklarojnë se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë, unë u them
shkoni në Spaç dhe shikoni “sukseset” dhe anën “pozitive” të komunizmit të
Enver Hoxhës. Të gjithë kanë nevojë të vizitojnë Spaçin. Ashtu siç është
shprehur Ismail Kadare për veprën e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”,
si një vepër që duhet të lexohet nga të gjithë—ashtu edhe në Spaç e gjithë
shoqëria shqiptare ka nevojë të shkojë e të shikojë për veten, “sukseset” dhe
anën “pozitive” të diktaturës komuniste: “Kanë nevojë ata që e kanë jetuar atë
kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të
shtypurit e të nepërkëmburit, e po aq në mos më tepër, ata që shtypën të
tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq e ndoshta më tepër, komunistët.
Shkurt, për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”, ka thenë Kadare.
Unë
shpresoj se edhe në Shqipëri, më në fund, siç ka thenë Vaclav Havel: “E Vërteta
dhe dashuria do të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet”.
Krimet shtetërore gjysëm shekullore të ish-regjimit
komunist kundër bashkombasve këtu në Spaç dhe anë e mbanë Shqipërisë, duhet të
kujtohen dhe të mos harrohen, ashtuqë që kjo histori fatzezë e Kombit të mos
përsëritet më.
Spaçi kurrë më! NEVER AGAIN!
Frank Shkreli