Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Zbrazja e trojeve shqiptare sot dhe rreziku i brendshëm aktual
E diele, 16.07.2023, 06:59 PM
ZBRAZJA E TROJEVE SHQIPTARE SOT DHE RREZIKU I BRENDSHËM AKTUAL
(Me rastin e promovimit të librit të Z. Rrustem R. Berisha --
“Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”, mbajtur
në sallën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në
Nju Jork)
Nga
Frank Shkreli
Përshëndetjet e
mia autorit të Rrustem R. Berisha për veprën,
“Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” dhe
Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej” për organizimin e këtij tubimi,
pikërisht, këtu në sallën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja
e Shkodrës” në Nju Jork.
Të
nderuar pjesëmarrës – Pres me kënaqësi që të lexoj librin – them librin, por në
të vërtetë është vepër tre vëllimesh – mbi këtë subjekt jashtzakonisht të
rëndësishëm për historinë e Kombit shqiptar – jo vetëm nga përspektiva
historike – sado e hidhët që është ajo. Por edhe për nga gjëndja aktuale në
trojet shqiptare.
Trajtimi
i zbrazjes së trojeve – me forcë ose vullnetarisht, është edhe një subjekt
aktual që ka të bëjë me largimin në masë sot nga trojet shqiptare, një gjëndje
reale dhe e rrezikshme që kjo zbrazje, aktualisht, përben për të tashmen dhe
për të ardhmen e Kombit shqiptar.
Titulli
i veprës së Rrustem Berishës është, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i
trojeve shqiptare 1800-1999”. Një
periudhë kjo që për më shumë se një shekull ka sjellur në trojet shqiptare
tragjedi dhe gjenocid – me pasoja të tmershme për racën shqiptare -- jo vetëm
sa i përket dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta, por edhe për efektet që
politikat serbo-malazeze kanë patur dhe kanë në zhdukjen eventuale të
identitetit kombëtar të shqiptarëve nga ai rajon i Evropës – të cilit sot i
referohemi si Ballkani Përendimor. Në
mungesë të leximit të kësaj vepre, paraprakisht, unë do kufizohem vetëm në një
diskutim të përgjithshëm të këtij fenomeni fatkeq historik për Kombin shqiptar
edhe në ditët e sotëme. Për më shumë se
një shekull, kanë vazhduar shpërnguljet me forcë të shqiptarëve nga trojet e
veta -- që autori me të drejtë e cilëson si gjenocid serbo-malazez, shpesh në
bashkpunim dhe marrëveshje edhe me Turqinë e asaj kohe.
Por
sot, largimin në masë të shqiptarëve nga Shqipëria dhe nga Kosova e cilësojmë
si “zbrazje” të tokave shqiptare. Një
term pak më i “butë” ndoshta se fjala “gjenocid” – për kohën e sotëme “moderne”
të lëvizjes së lirë të njerëzve, se sa dëbimi me forcë i shqiptarëve nga
regjimet serbo-malazeze, gjatë dekadave. Ta quajmë si të duam: përfundimi,
fatkeqsisht, për shqiptarët, është i njëjti: trojet shqiptare, në të kaluarën
janë boshatisur, detyrimisht, dhe me forcë e kërcënime, si pjesë e politikave
të regjimeve nacionaliste-fashiste-komuniste, gjenocidale serbo-malazeze, por
edhe greke. Mos të harrojmë kurr;
Çamërinë martire!
Sot,
shqiptarët me dy shtete të tyre, nuk kanë qenë kurrë më të lirë dhe nuk kanë
gëzuar asnjëherë më shumë të drejta se sa gëzojnë sot, anë e mbanë Ballkanit
Perëndimor. Atëherë çka po ndodhë dhe pse po zbrazen sot trojet
shqiptare?! Fakti është se gjatë viteve
të fundit, Shqipëria prinë me largime masive shqiptarësh drejtë Evropës
Përendimore dhe Amerikës, e ndjekur nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare në
Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e tjera.
Është
një fenomen që më ka shqetësuar për një kohë të gjatë. Për pothuaj një dekadë,
jam munduar, në mënyrën time, me disa shkrime modeste, të shprehi shqetësimet e
mia për largimin masiv të shqiptarëve nga trojet shqiptare, sidomos nga Shqipëria
dhe nga Kosova, por jo vetëm. Kam
shprehur shqetësim, jo vetëm për numrin e madh të largimeve të shqiptarëve
gjatë viteve të fundit, një fakt i provuar edhe nga anketat e botuara vitet e
fundit nga agjenci ndërkombëtare, sipas të cilave shqiptarët anë e mbanë
trojeve tona -- shprehen se po të kishin mundësi do të largoheshin aty për aty,
me një përqindje marramendëse nga vendlindja.
Vetëm si një
pasqyrim, për të treguar se sa serioz dhe i rrezikshëm është ky fenomen sot –
zbrazja, pra e tokave shqiptare në Evropën jug-lindore. Sipas raporteve të
ndryshme ndërkombëtare, që botohen nga koha në kohë, Shqipëria zë vendin e
tretë në botë për numrin më të madh të qytetarëve të saj që dëshirojnë të
emigrojnë duke përmendur një shifër marramendse mbi 56% e popullsisë shqiptare,
po të kishte mundësi të largohej. Sot,
kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe për Shqipërinë, (bazuar në lajmet e
fundit në lidhje me këtë subjekt. Mjafton të lexoni kryeartikujt e kohëve të
fundit në median shqiptare: “Shifrat e
Eurostat për largimin e 700 mijë shqiptarëve në dekadën e fundit…”, “Shqipëria e katërta në botë, rekord për largimin e të
arsimuarve…”, “Shqetësim largimi i të rinjve shqiptarë”, e tjera si këto.
Ndërsa, nuk besoj
që as Kosova të jetë në një gjëndje më të favorshme sa i përket emigrimit,
ndërsa ente të njëjta ndërkombëtare kanë cituar shifra nga 35% e më lartë të
shqiptarëve të Republikës së Kosovës që do dëshironin të iknin nga vendi, po tu
jepej rasti. Pak a shumë, të njëjtat shifra shqetësuese shënohen edhe sa i
përket largimit masiv të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi, Preshëvë, e
tjera.
Përball kësaj
situate të krijuar sot, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një tragjedi
kombëtare në rritje, të përmasave të pa para ndonjëherë: zbrazjen e trojeve
shqiptare në kohë paqeje – hiç më pak e rrezikshme se ç’ishte gjenocidi
serbo-malazez gjatë shekullit të kaluar që përshkruet në veprën e Z. Rrustem
Berisha, ndërkohë që, siç duket, askush nga autoritetet e larta në Prishtinë
dhe Tiranë, nuk e çajnë kokën për këtë tragjedi kombëtare.
Emigrimi masiv i shqiptarëve sot është një
pasqyrim i pakënaqsive masive të shqiptarëve me qeveritë e tyre dhe një
paralajmërim serioz për klasën politike shqiptare, në të gjitha trojet
shqiptare, e cila ka dështuar mizorisht të merret me këtë problem
mbarëkombëtar, para se të jetë tepër vonë.
Në asnjë rast, me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk është diskutuar
seriozisht ky fenomen i tmershëm për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe të
Kombit. Jo vetëm politikanët e karrierës, të cilët janë shkaku kryesor i këtij
fenomeni dhe i kësaj gjëndjeje tragjike, por as media vizive as ajo e shkruar
-- pjesëtarë aleancash të ndryshme politike në pushtet -- nuk e gjejnë të
arsyeshme që, nga koha në kohë, të programojnë debate serioze publik në lidhje
me këtë çeshtje.
Historia e
emigrimit të detyruar të shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar, për të cilën
shkruan autori Rrustem Berisha, në veprën e tij, “Gjenocidi
serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”. njeh, fatkeqsisht,
shumë shpërngulje tragjike të detyruara me forcë të shqiptarëve nga Kosova dhe
Maqedonia në bazë të marrveshjeve midis Serbisë e Turqisë, por edhe nga trojet
e tjera, pa harruar, natyrisht, as shpërnguljen me forcë të shqiptarëve nga
Çamëria, si pjesë e politikës gjenocidale greke për spastrimin etnik të
shqiptarëve nga Çamëria e zona të tjera.
Për fat të keq,
sot duket sikur planet e kaluara gjenocidale anti-shqiptare serbo-malazeze të
Çubrilloviqit dhe më vonë të Millosheviçit për shpërnguljen e shqiptarëve nga
trojet e veta, me dashje ose pa dashje, po i zbatojnë vetë shqiptarët me
politikat e tyre anti-kombëtare.
Ndryshimi është se për këtë fenomen tepër shqetsues për Kombin,
shqiptarët nuk mund të fajësojnë komunizmin, as serbo-malazezët, as grekun, e
as turkun, por vetëm politikat e tyre çkombëtarizuese.
Po t’i detyronte
dikush tjetër shqiptarët që të largoheshin sot nga trojet e veta, siç bënin
serbo-malazezët më heret, të gjithë shqiptarët e Amerikës do ishim rrugëve të
qyteteve amerikane dhe të Evropës, por dhe korridoreve të kancelarive
perëndimore për të kërkuar drejtësi për shqiptarët dhe për t’i thënë stop
shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre, me forcë ose me detyrim.
Sot, shqiptarët
jetojnë në paqë, në dy shtete që e quajnë veten demokratike dhe kontrollojnë
fatin e tyre si kurrë më parë. Shqipëria, anëtare e NATO-s me shpresë për tu
bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe Republika e Kosovës, gjithashtu me
ambicje për t’iu bashkuar një ditë integrimeve euro-atlantike.
Atëherë ku tjetër
dhe si të kërkojmë drejtësi dhe zgjidhje për ndalimin e zbrazjes së trojeve
shqiptare përveç – në Tiranën e Prishtinën zyrtare. Pikërisht, sot atje duhet
të kërkohet drejtësia dhe përgjegjësia për këtë pakënaqsi të theksuar të një
numri kaq të madh të shqiptarëve me jetën e tyre në vendlindje – e të cilët si
të vetmen zgjidhje për një jetë më të mirë për veten dhe familjen, konsiderojnë
marrjen e rrugës për në mërgim. Trojet
shqiptare, sot për sot, nuk përballen me konflikte e trazira si në disa pjesë
të botës, ku lufta, uria, tragjeditë natyrore, shpërnguljet e detyruara dhe
sëmundjet, e bëjnë jetën e njerzëve tepër të vështirë dhe të pamundur që të
vazhdojnë të jetojnë në vendet e tyre.
Ata që sot janë në
krye të Kombit shqiptar – nëqoftse ndonjëri prej tyre ndjenë ndonjë përgjegjësi
sado pak të vogël politike, morale e kombëtare -- duhet të pyesi veten se çka i
shtynë shqiptarët që të largohen nga trojet e veta në një numër aqë të madh, në
rritje e sipër dhe njëherazi të kërkojnë zgjidhje politike mbarë kombëtare për
ngadalësimin e shpërnguljës së shqiptarëve, në përmasa kombëtare që rrallë herë
janë parë në të kaluarën.
Zbrazja e trojeve
shqiptare është një problem mbarë kombëtar dhe si i tillë, nevojitë zgjidhje
mbarëkombëtare. Por, për fat të keq, shqiptarët kudo, janë të zhgënjyer me
klasën politike të tre dekadave të tranzicionit “post-komunist” – dhe kjo është
një prej arsyeve që shqiptarët, pa dallim, po largohen masivisht nga trojet e
veta për një jetë më mirë dhe për një drejtësi dhe për mundësi më të mira
jetese për veten e familjet, në botën perëndimore. Shqiptarët janë të qartë me atë që duan për
veten dhe për familjet e tyre. Ata duan të jetojnë e të rrisin familjet e tyre
në një shoqëri të lirë e demokratike të llojit perëndimor – larg trashëgimisë
sllavo-komuniste majtiste gjysëm shekullore, fryma e të cilës dallohet kudo në
shoqërinë dhe në zhvillimet politike shqiptare -- si në Shqipëri ashtu edhe në
Kosovë. Është e qartë se nëqoftse liderët aktualë shqiptarë nuk do të sigurojnë
drejtësi, të drejtat bazë të njeriut -- lirinë e demokracinë e vërtetë në
trojet shqiptare, shqiptarët e të gjitha trojeve do t’i kërkojnë diku tjetër
këto të drejta dhe mundësi për një jetë më të mirë, qoftë edhe me largimin e
përhershëm nga trojet stërgjyshore.
Interesat personale dhe partiake të elitës politike
shqiptare – “një pjesë e dobët e Kombit që kembëngul në pushtet”, siç e cilësoi
atë kolegu i im Astrit Lulushi, në një shkrim të ditëve të fundit, por edhe konfliktet politike sot po shkatërrojnë
harmoninë e brendshme shoqërore të botës shqiptare, në përgjithësi, dhe po
nxisin armiqtë e Kombit që të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare
kurdoherë që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur pej vet
shqiptarëve, për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave
mbarë-shqiptare.
“Rreziku i përmbrendshëm”, do ta quante At Gjergj Fishta.
Gjëndja aktuale politike, mosmarrveshjet dhe konfliktet në radhët e politikës
shqiptare në Ballkanin Perëndimor, përbëjnë rrezikun më të madh që i kanoset sot Shqipërisë, Kosovës
dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, pasojë e të cilit është edhe zbrazja
masive e trojeve shqiptare të viteve të fundit.
Rrezik më të madh afatgjatë– të brendshëm ose të jashtëm për Kombin, sot
për sot -- nuk ka se zbrazja e trojeve shqiptare – shkaktuar nga vet politika
shqiptare.
Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe
ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe
ekonominë, favorizohet mbi të tjerët – sidomos në një shoqëri të varfër siç
është bota shqiptare – përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo
vetëm brenda trojeve shqiptare, por dhe në marrëdhënie me të tjerët. Ndërsa me
një harmoni të brendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e brendshme dhe të
jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do
të mund të përballen më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të
përbashkët interesash kombëtare, që do duhej të qëndronin mbi të gjitha interesat
e tjera politike, partiake dhe ekonomike. Ky është edhe hapi i parë drejtë
kufizimit dhe kontrollimit të zbrazjes së trojeve shqiptare në Ballkan.
Problemet e mëdha politike, sidomos grindjet dhe
mosmarrveshjet në radhët e klasës politike “post-komuniste” shqiptare, qoftë në
Kosovë, qoftë në Shqipëri, korrupsioni
në nivelet më të larta qeveritare që po lulëzon anë e mbanë trojeve shqiptare,
sfidat e mëdha ekonomike dhe shoqërore – politikat çkombëtarizuese si një trashëgimi
e doktrinës kriminale komuniste sllavo-enveriste prej gjysëm shekulli, të
gjitha këto së bashku paralajmërojnë një rrezik të brendshëm, me pasoja aq të
këqia për të ardhmen e Kombit shqiptar – përfshir zbrazjen masive të
shqiptarëve nga trojet stërgjyshore.
“Shqiptarët, të ndrydhun nën
nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej
të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët, se shofin kurrë atdheun
e vet të lirë e të pamverme”, do të shkruante At Gjergj Fishta 100-vjetë më
parë. Sot, ndonëse të lirë me dy shtete
të pavarura, shqiptarët për fat të keq, në përgjithësi, kanë humbur shpresën
për një jetë më të mirë, të lirë e demokratike në trojet e veta dhe janë të
zhgënjyer, thellësisht, nga klasa aktuale politike shqiptare, anë e mbanë trojeve
shqiptare.
Nëse dikush është kureshtar e pyet se
ç’do të thonte Fishta me “rrezik të përmbrendshëm”, që i kanoset Shqipërisë,
Kosovës e shqiptarëve, shikoni zhvillimet e ditës së enjtë në parlamentet
shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, një shpërthim grushtat e shtyrjesh
njëkohësisht, sikur dikush të jepte urdhër: tani!, si dhe (mos)-komunikimet
midis dy kryeministrave shqiptarë më heret. Aty e gjeni përgjigjen. Politika
shqiptare dhe marrëdhëniet ndër-shqiptare janë, pikërisht, aty ku i do armiku,
ka thënë At Gjergj Fishta: të ndarë e të përçarë. Çoroditjet ndër-shqiptare, si
ato të javës së kaluar, midis dy shteteve shqiptare, vetëm kënaqin Beogradin e Moskën. Kjo është edhe një arsye
shtesë që shqiptarët po largohen, masivisht, nga trojet e veta. Nevojitet, pra,
një reflektim serioz mbarë-kombëtar mbi këtë urgjencë kombëtare, para se të
jetë tepër vonë!
Zhvillimet politike deshtake,
konfliktet dhe mosmarrveshjet ndërshqiptare të tre-dakadave të ashtuquajturit
“tranzicion politik, post-komunist”, në Shqipëri dhe në Kosovë, e kanë
tronditur aq thellë ndërgjegjen kombëtare, sa që një shumicë dërmuese e
shqiptarëve – të zhgënjyer nga politikat aktuale anti-kombëtare të liderëve të
sotëm shqiptarë -- me dhëmbje në zemër dhe me lotë në sy --
kanë vendosur, më në fund, të marrin rrugët e botës për një jetë më të mirë e
më të lirë, për një jetë normale. Duke
refuzuar t’i nënshtrohen pushtetit – të një pjesë e dobët e Kombit që
këmbëngul në pushtet”, e që po shkatërron
trojet shqiptare me korrupcion dhe me politika çkombtarizuese – shqiptarët të lodhur nga politikat shkatërruese
kombëtare, sot po braktisin trojet e të parëve, drejtë Evropës dhe Amerikës. Për fat të keq, ky është një problem i
vjetër për Kombin shqiptar – siç sugjeron edhe titulli i veprës së Z. Rrustem
R. Berishës, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare,
1800-1999” – por është një problem aktual që kërkon dhe që duhet të zgjidhet
nga vetë shqiptarët sot në nivel mbarë-kombëtar, me vetdije identiteti
kombëtar, për hir të mbijetesës në trojet e veta historike të këtij kombi të
lashtë e krenar – iliro-arbëror.
Zoti qoftë me Kombin shqiptar në këto
kohë të vështira!
Autori i shkrimit duke folur me e rastin e
promovimit të tre vëllimeve të veprës, “Gjenocidi Serbo-Malazez dhe Pushtimi i Trojeve
Shqiptare, 1800-1999”, me autor Rrustem R. Berisha në Sallën “Nenë Tereza”, të
Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Nju Jork 15 Korrik, 2023
Rrustem R. Berisha, autori i tre vëllimeve:
“Gjenocidi
Serbo-Malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare, 1800-1999” – duke iu drejtua me
video nga Kosova pjesëmarrësve në promovimin e veprës së tij, në Sallën “Nenë
Tereza” të Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, Nju Jork, 15 Korrik,
2023.