Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Shtjefën Gjeçovi në 75 vjetorin e Arkeologjisë Shqiptare
E shtune, 11.11.2023, 07:59 PM
AT SHTJEFËN GJEÇOVI NË 75-VJETORIN E THEMELIMIT TË ARKEOLOGJISË SHQIPTARE
Nga
Frank Shkreli
“Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me
ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e
kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e
besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër, i patën prej etërve tanë,
Pellazgëve”. At Shtjefën Gjeçovi
Ditën e mërkurë, në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e
Shkencave të Shqipërisë filloi punimet “Konferenca Arkeologjia shqiptare në
75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva”, organizuar nga
Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve
të Kosovës, njofton Gazeta Telegraf e Tiranës. Çelet Konferenca “Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin
e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva” organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës | Gazeta Telegraf
Sipas artikullit
të mësipërm, me këtë rast, përshëndeti edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, Në fjalën e tij përshëndetëse, Z. Gjinushi
theksoi, sipas gazetës Telegraf, se gjithçka filloi nga viti 1948. Çdo gjë u
“institucionalizua si kërkim i specializuar me mbështetje shtetërore në vitin
1948…”, ndërkohë që “brenda dy dekadash u kapërcy romantizmi shkencor”, citon Gazeta Telegraf, Gjinushi, i cili përmend emrat e disa
arkeologëve të kohës komunizmit, pa dyshim për meritat e tyre në fushën e
arkeologjisë shqiptare. Më ra në sy se Z. Gjinushi nuk përmendi At Shtjefën
Gjeçovin, françeskanin shqiptar i cili konsiderohet nga shumë ekspertë, të brendshëm
dhe të jashtëm, si babai i arkeologjisë shqiptare – “I pari arkeolog shqiptar”,
e ka cilësuar Gjeçovin At Zef Pllumi në librin e tij Françeskanët e Mëdhej”. At
Zef Pllumi shprehet se mund të thuhet se At Gjeçovi, “pa dyshim që
kurrnji udhëtar i shkencës nuk e përshkoi mbarë Shqipninë që nga Veriu deri në
Jug ma shumë se ai”. Siç duket Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Z. Gjinushi
e konsideron punën dhe veprimtarinë e At Shtjefën Gjeçovit si një “romantizëm
shkencor” që duhej, jo vetëm të “kapërcehej”, sipas tij, gjatë kësaj
konference, por që edhe të zhdukej e të mos përmendej në vazhdimësinë e
historisë “shkencore” të komunizmit. Çdo gjë filloi nga ne, nga viti 1948,
thotë Gjinushi me shokë – ne jemi fillimi, ne vazhdojmë të jemi!
Por për fat të
mirë, gjithçka nuk është e humbur se Z. Gjinushi e pa të arsyeshme të
“kapërcente” emrin e At Shtjefën Gjeçovit në konferencën kushtuar 75-vjetorit
të themelimit të Arkeologjisë Shqiptare. Sepse sipas përshkrimit tek Gazeta
Telegraf në atë konferenncë mori pjesë e përshëndeti edhe Kryetari i Akademisë
së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, Akad. Mehmet Kraja. Gazeta Telegraf shkruan se Akademiku Kraja
shprehu respekt për të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë zbuluar se në këtë
hapësirë, edhe përkundër furtunave dhe erozioneve të mëdha, toka flet
shqip! Ai foli për arkeologjinë në
Kosovë -- në trojet dardane -- ku sipas tij ajo ka kaluar periudha të errëta,
periudha kur dëshmia për vazhdimësinë iliro-shqiptare ndëshkohej herë me
plumba, si në rastin e (At Shtjefën) Gjeçovit, ose me helmim, si në rastin e
antropologut hungarez Nemeshkeri, i cili supozohet se u helmua, pasi dërgoi një
raport paraprak se Nekropoli Mesjetar i Vërmicës dëshmonte për një popullsi
josllave, me vazhdimësi nga shekulli II para epokës së re, V dhe VI në mesjetën
e hershme dhe më vonë në shekujt IX-XI. Kjo vazhdimësi iliro-shqiptare në
ish-Jugosllavi konsiderohej armiqësore, aq sa që mund të ndëshkohej edhe me
vdekje. Në lidhje me këtë, sipas Telegraf, Akademiku Kraja theksoi kontributin
e “At Shtjefën Gjeçovit, themeluesit të arkeologjisë shqiptare”, siç e cilësoi
ai.
“Prifti françeskan
Shtjefën Gjeçovi-theksoi akad.Kraja, sikundër e dini, ka lindur në Janjevë, ku
më pas, gjatë kohës që unë mbaj mend, jetonte një komunitet i krishterë
katolik. Shtëpia e tij e lindjes gjendet atje edhe sot, vetëm se pushteti
jugosllav -- ku ishin të përfshirë edhe një numër kosovarësh -- nuk e desh
Shtjefën Gjeçovin, të cilin jo vetëm që e vrau më 1929, por nuk i bëri as
nderimet që i takonin një burri mendjendritur, i cili la trashëgimi dy
monumente të pavdekshme: themeloi arkeologjinë shqiptare dhe kodifikoi
veprën më të rëndësishme të trashëgimisë zakonore shqiptare, Kanunin e Lekë
Dukagjinit”, ka thenë Kryetari i Akademisës ë Shkencave dhe Ar teve të
republikës së Kosovës Dr. Mehmet Kraja.
Dr Kraja njoftoi
të pranishmit – ndoshta një lajm që ata të Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, përfshir Z. Gjinushi-- nuk donin të dëgjonin me rastin e
75-vjetorit të Arkeologjisë Shqiptare.
“Ju bëjë me dije, ka thënë Kraja se “Akademia
e Kosovës do të kërkojë zyrtarisht nga institucionet e Kosovës, që viti 2024, i
cili bie në 150 vjetorin e lindjes së Shtjefën Gjeçovit, të shpallet zyrtarisht
si “Viti i Gjeçovit”. Kjo është më e
pakta që mund të bëjmë në respekt të atij që i pari ndër shqiptarët dëgjoi
zërat nga thellësia e tokës sonë që flet, ka citohet (nga Gazeta Telegraf), të
ketë thenë Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së
Kosovës. Uroj që ky njoftim i përmasave
kombëtare nga Dr Mehmet Kraja të mos ketë ra në veshë të shurdhë të akademikëve
të Tiranës zyrtare. Por që vitin që vjen, me rastin e 150-vjetorit të At
Shjtefën Gjeçovit të kujtohet së bashku në Prishtinë dhe në Tiranë “Emëri i
këtíj njeriu të rrallë”, siç e ka cilësuar Faik Konica.
Ka
mundësi që Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe enti akademik e
shkencor që ai kryeson të kenë zgjedhur që me këtë rast të anashkalojnë emrin e
At Shtjefën Gjeçovit – të cilin disa ekspertë dhe akademikë e quajnë themeluesi
i Arkeologjisë Shqiptare – vetëm e vetëm se ishte prift katolik. Se emri, puna
dhe veprimtaria e At Shjtefën Gjeçovit, në sytë, mendjen dhe në përgatitjen e
tyre shekncore marksiste-leniniste, mund të jetë një “romantizëm shkencor” që
duhet të “kapërcehet” në minimum ose të zhduket fare nga kujtesa, në maksimum.
E
vërtetë se At Shtjefën Gjeçovi – për veçse ka qenë prift katolik dhe arkeolog,
ai, sipas Dr Syrja Pupovcit, duhet të shikohet dhe të vlerësohet edhe si,
mësues e arsimues , puntëror i kulturës dhe shkencës, për kohën në të cilën ka
jetuar. “Shtjefën Gjeçovi i ka dhënë kontribut të rëndësishëm kulturës
kombëtare dhe shkencës dhe ka lënë në trashëgimi vepra që do të mbeten edhe në
të ardhmen gurrë e pashterrur për studime”, ka shkruar pedagogu dhe akademiku i
njohur nga Kosova, Dr. Syrja Pupovci (1937-1998)
Ndërsa
një admirues i deklaruar i At Shtjefën Gjeçovit, Faik Konica i madh është
shprehur kështu për Gjeçovin:
Bir i përulët i
Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i
kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim,
asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish
Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot
mbaròn shqípja dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të
kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e
atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të
mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën
dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.”
“Sicilidò prej
nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një
lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”.
“Po, At Gjeçovi
është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke
u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e
shënjtëruar të Shqipëtarësisë.” -- Faik
Konica --Kujtime mbi At Gjeçovin -- Gazeta “Dielli” e organizatës Panshqiptare
Vatra, 18 Mars 1930, nr. 5156, fq. 2.)
Françeskani At
Shtjefën Gjeçovi, “themeluesi i arkeologjisë shqiptare” ishte dhe mbetet
pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit shqiptar, të
cilat u bënë për ‘të vlera shpirtërore dhe qëndrese deri në frymën e fundit.
“Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin
shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë…”
Kryetari i
Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, Akademik Mehmet
Kraja duke folur dje në Tiranë me rastin e 75-vjetorit të krijimit të
Arkeologjisë Shqiptare.
Foto
nga konferenca dy ditore me rastin e 75-vjetorit të krijimit të Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë, Tiranë.