Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: A po përjetësohet e keqja e komunizmit në Shqipëri?
E merkure, 25.10.2023, 06:58 PM
A PO PËRJETËSOHET E KEQJA E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI?
Nga
Frank Shkreli
Ky vit shënon
40-vjet nga fjalimi – ndoshta ndër më të rëndësishmit e ish-Presidentit Ronald
Reagan, (para Shoqatës Kombëtare të Protestantëve Amerikanë në qytetin Orlando
të shtetit të Florida, me 8 Mars, 1983), mbi “perandorinë e së keqës”, duke iu
referuar ish-Bashkimit Sovjetik. Jam përpjekur që edhe në të kaluarën ta kujtoj
atë fjalim të famëshëm dhe historik të ish-presidentit Ronald Reagan, për
rëndësinë që kishte atëherë e që ka edhe sot – katër dekada më vonë pas
shembjes zrytare të komunizmit. Pasi ky fjalim konsiderohet, nga historianët e
sotëm, si fjalimi që inkurajoi shumë lëvizje anti-komuniste anë e mbanë Evropës
Lindore/Qendrore, që më në fund çuan në ndryshimet politike dhe rrëximin komunizmit zyrtar ndërkombëtar në Evropën
Lindore e Qëndrore, me shembjen e Murit të Berlinit në vitin 1989. Frank SHKRELI/ 30-vjetori i fjalimit mbi perandorinë e së keqes dhe fuqia e së vërtetës | Gazeta Telegraf
–
40-vjetë më parë,
një president i Shteteve të Bashkuara, për herë të parë, e kishte cilësuar
ish-Bashkimin Sovjetik dhe ideeologjinë komuniste që ai përhapte anë e mbanë
botës, si një “perandori të së keqës”, si një superfuqi që nuk ishte, thjesht,
si një kundërshtare politike në nivel ndërkombëtar, por mbi të gjitha, dhe në
thelb, ishte një regjim immoralm barbar dhe kriminal -- përgjegjës për vrasjen
e mbi 100-milionë vetave në Evropë dhe anë e mbanë botës.
Fjalimi i
ish-Presidentit Reagan ishte një shenjë e qartë për Amerikën dhe botën se,
Shtetet e Bashkuara kishin marrë një qendrim të prerë moral se nuk do të
toleronin më agresionin sovjetik komunist, anë e mbanë botës. Si rrjedhim,
gjatë viteve që pasuan, Shtetet e Bashkuara shtuan ndihmat për forcat
anti-komuniste, anë e mbanë botës, përfshir lëvizjet anti-komuniste në Evropë,
siç ishte Lëvizja Solidarnost e puntorëve polakë, me në krye Lech Walesën. Sivjet, këtu në Shtetet e Bashkuara,
40-vjetori i fjalimit historik i ish-presidentit Reagan mbi “perandorinë e së
keqës”, është shënuar me ekspozita, dokumente, fotografi e tregime mbi Luftën e
Ftohtë, mbi përpjekjet dhe luftën për shembjen e komunizmit ndërkombëtar
40-vjet më parë kur ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan në
emër të demokracisë dhe të vlerave amerikane kishte vendosur të merrte një
qëndrim të prerë moral mbi komunizmin – “moral clarity” -- për të luftuar
komunizmin dhe trashëgiminë e tij deri në zhdukje -- duke thenë se nuk mund të
kishte “détente” as bashkjetesë me një regjim dhe ideologji kriminale që kishte
pushtuar botën për disa dekada.
40-vjetori i
fjalimit të Presidentit Reagan mbi “perandorinë e së keqës”, duke iu referuar
ish-perandorisë komuniste sovjetike, përveç se kujtohet nga përspektiva
historike duhet të jetë, njëkohësisht, edhe pjesë e eksplorimit të pasojave të
komunizmit dhe trashëgimisë së kësaj ideologjie imorale, barbare e kriminale,
edhe në ditë e sotëme. Ndërsa shumica e
ish-vendeve komuniste të Evropës lindore e qendrore – sot anëtare të Nato-s dhe
të Bashkimit Evropian – kryesisht, i
kanë luftuar dhe vazhdojnë t’i luftojnë pasojat e komunizmit në shoqëritë e
tyre, ndërsa janë distancuar nga e kaluara e tyre komuniste dhe ndërkohë që
kanë dënuar, zyrtarisht, krimet e “perandorisë të së keqës” komuniste sovjetike
dhe të regjimeve të tjera komuniste – Shqipëria aktuale, 40-vjetë pas fjalimit
të famshëm të Presidentit Ronald Reagan dhe 30 e sa vjetë pas shembjes së Murit
të Berlinit – nuk e shqetësohet fare as nga e kakzara e saj enevriste, as nga
krimet e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës. 40-vjet pas paralajmërimit të Presidentit
Ronald Reagan mbi të këqiat e komunizmit në botë Shqipëria, jo vtëm që nuk
përballet me të kaluarën e saj komuniste dhe as nuk dënon krimet e komunizmit,
siç ka bërë shumë heret shumica e ish-botës komuniste, sdiomos në Evropë.
Përkundrazi, Shqipëria u duk ditët e fundit – jo vetëm një vend i Evropës që
nuk është përballur me të kaluarën e saj kriminale të komunizmit dhe as që ka
dënuar të këqiat dhe krimet e komunizmit në territorin e vet. Në vend të kësaj, Shqipëria e sotëme duket se
po përpiqet të mos i bashkohet botës së qytetëruar duke dënuar krimet e
komunizmit – por po punon seriozisht dhe me vendomsëri për të ruajtur dhe për
të përjetësuar trashëgiminë dha pasojat e komunizmit të regjimit diktatorial
enverist në jetën e përditshme politike, shoqërore dhe kulturore të vendit,
duke filluar nga politika, drejtësia, akademia, shkollat dhe universitetet…
Gjatë takimit të
nivelit të lartë të liderëve të rajonit dhe udhëheqësve të Bashkimit Evropian
(BE), në Tiranë, kohët e fundit, pjesë e samitit historik të Procesit të
Berlinit, autoritetet më të larta zyrtare të Tiranës u folën mysafirëve të vet
me krenari për objektet e diktatorit -- për “piramidën e Enverit”, për “vilën e
Enverit”, madje në ditëlindjen diktatorit, se si këto objekte tani po
“këthehen” në përdorime të dobishme për Shqipërinë, madje për botën – për
“atistët botërorë” të cilët do përdorin vilën 31 të Enverit, për të bërë vepra
arti, pikërisht në shtëpinë ku planifikoheshin vrasje, krime kundër njerëzimit
dhe barbarizma kundër shqiptarëve, kundërshtarë të keqës komuniste. Po “shëndërrohen” në qendra arti e
teknologjie për brezat e ardhëshëm, “si një mesazh domethënës i triumfit të lirisë mbi
shtypjen, i së ardhmes mbi të shkuarën”, u shpreh Kryeministri Rama, me atë
rast.
Në mendimin tim dhe në mendimin e
shumë shqiptarëve, objektet e pagëzuara me emrin e diktatorit, si “vila e
Enverit” ose “piramida e Enverit”, nuk do të përçojnë kurrë mesazhin “e
triumfit të lirisë dhe shtypjes”, siç deklaroi Kryeministri i Shqipërisë, Edi
Rama para mysafirëve të lartë evropianë në Tiranë disa ditë më parë. Këto objekte, do të njihen siç njiheshin në
kohën e Enverit edhe gjatë regjimit komunist, “të Enverit”. Si rrjedhim, emri i
diktatorit komunist do kujtohet nga brezat e ardhëshëm, kurdo që të përmendet
vila e tij dhe piramida – gjoja si qendra arti e teknologjie. Unë e shoh këtë
propapagandë të flliqtë nga autoritetet e Tiranës zyrtare, që iu servir
evropianëve gjatë vizitës së tyre ë Tiranë -- si një përpjekje të dëshpëruar
nga ana e tyre për të zbutur kujtesën ndaj të kaluarës komuniste dhe krimeve të
Enver Hoxhës për pothuaj një gjysëm shekulli në Shqipëri. Në të vërtetë, është
një mesazh i qartë IMORAL se shëndërrimet e objekteve të Enver Hoxhës, në
qëndër të Tiranë, në objekte arti e teknologjie – nuk i shërbejnë as lirisë as
demokracisë dhe nuk janë mesazhe të triumfit të lirisë mbi shtypjen, siç
pretendoi Kryeministri i Shqipërisë. Por
është një vërtetim i qëndrimeve IMORALE të kësaj klase politike dhe drejtësie
të re shqiptare, që 40-vjet pas paralajmërimit të ish-Presidentit amerikan,
Ronald Reagan mbi perandorinë e së keqës komuniste sovjetike dhe pas 30-e ca
viteve të shembjes së Murit të Berlinit – që Shqipëria, në të vërtetë, po
përejtëson atë të keqe komuniste, kriminale duke u përpjekur ta zbutë kujtesën
e komunizmit – një sistemi politik një partiak të dështuar dhe një ekonomie,
gjithaahtu të dështuar dhe të korruptuar.
Vendimi i autoriteteve shqiptare në
Tiranë për të shëndërruar ish-objektet e Enverit në objekte arti, teknologjie
dhe kulture nuk është një qëndrim MORAL i prerë, për t’u distancuar, njëherë e
mirë nga e kaluara komuniste dhe nga krimet e Ever Hoxhës -- para Kombit
shqiptar dhe para Evropës – por është një zbutje e asaj kujtese të tmershme për
shumë shqiptarë, që në të vërtetë paraqet një dështim MORAL dhe një mungesë
karakteri.
Morali dhe karakteri i atyre që e
quajnë veten liderë të një vendi ose kombi – pasi udhëheqës ka pak në këtë botë
– janë karakteristika të rëndësishme sepse përcaktojnë të tashmen dhe të
ardhmen e një Kombi. Veprat dhe fjalët e juaja, gjatë 33 viteve të ashtuquajtur
post-komunizëm, tregojnë se ju, si klasë politike e atij vendi, pa dallim, kini
vendosur që në përjetësi të kujtohet Enver Hoxha në Shqipëri. U lumtë, t’a
gëzoni!
PS- Oh, gati harrova. Pasi qenkeni në
këtë gjëndje të gëzueshme shpirtërore për të rinovuar objekte të diktatorit,
deshta t’u kujtoj autoriteteve të Tiranës se pasi qenkeni të gatëshëm të bëni
rinovime të objekteve të Enver Hoxhës për qëllime arti e kulture, e të cilat i
njoftuat, pikërisht, në ditëlindjen e Enverit – a ka mundësi që nëse kini fonde
shtesë nga rinovimi i objekteve të Enverit – qoftë edhe nga ndihmat e
fondacionit prestigjioz francez "Art Explora – t’i ndani mënjanë ca lekë
për shtëpinë e Gjergj Fishtës.
Jam i vetdijshëm se gjatë tre
dekadave të fundit të tranzicionit post-komunist, klasa politike shqiptare ka
ruajtur një distancim të madh nga At Gjergja Fishta dhe veprat e tij, por jo
nga e kaluara komuniste dhe nga krimet regjimit enverist.Megjithëkëtë, sa për
informacion, po ju kujtoj se ditëlindja e Fishtës ishte me 23 Tetor. Po ua them
këtë vetëm si kujtesë, nëqoftse dëshironi ta përdorni ditëlindjen e Poetit
Kombëtar, si shkak për të bërë ndonjë punë të mbarë për Kombin shqiptar!