E marte, 15.10.2024, 12:51 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Zëri i Amerikës organizoi pritje për kolegët, miqtë dhe bashkpuntorët e Dr. Elez Biberajt

E diele, 07.01.2024, 08:53 PM


ZËRI I AMERIKËS ORGANIZOI PRITJE PËR KOLEGËT, BASHKPUNTORËT DHE MIQTË E DR. ELEZ BIBERAJT

ME RASTIN E DALJES NË PENSION

Nga Frank Shkreli

Të ënjtën që kaloi, Zëri i Amerikës organizoi një pritje për familjen, kolegët, miqët dhe bashkpuntorët e Dr. Elez Biberajt me rastin e daljes së tij në pension pas 43 vjetë shërbimi në detyra të ndryshme me rëndësi në Zërin e Amerikës: Shef i Shërbimit në gjuhën shqip, Drejtor i Euro-Azisë dhe për një periudhë Drejtor i Përgjithëshëm (në detyrë) i Zërit të Amerikës.  Frank Shkreli: Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë dhe fjalës së lirë, në Zërin e Amerikës del në pension | Gazeta Telegraf.  Z. Biberaj, për disa vjetë, fillimisht, ka punuar gjithashtu edhe në Drejtorinë e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA).

Në ftesën e Zërit të Amerikës për pritjen e organizuar nga kolegët e Z. Biberaj thuhej gjithashtu se Dr. Biberaj – përveç detyrave të larta – ai ka mbështetur dhe ka këshilluar e ndihmuar qindra gazetarë të cilët kanë mbuluar lajme dhe ngjarje nga më të ndryshmet, duke filluar nga Lufta e Ftohtë e deri tek shembja e komunizmit. Përfshir fillimet e demokracisë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore, luftërat në Ballkan dhe integrimin e vendeve të Evropës Lindore në institucionet euro-atlantike, si dhe autoritarizmin rus putinist në rritje dhe pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia, ndër të tjera zhvillime, kombëtare dhe ndërkombëtare që ka mbuluar Zëri I Amerikës nën mbikqyrjen e Elez Biberajt. Ne nderojmë dedikimin e tij ndaj misionit të Zërit të Amerikës në promovimin e lirisë dhe të demokracisë duke furnizuar audiencat anë e mbanë botës me lajme dhe infoirmacione të sakta, objektive dhe të balancuara, thuhej mëtej në atë ftesë.

Në atë takim të veçant, me rastin e daljes në pension të Elez Biberajt, folën zyrtarët më të lartë të Zërit të Amerikës, të cilët falënderuan Z. Biberaj për punën e tij prej më se 4 dekadash duke venë në dukje arrijtjet dhe kontributet e tija të mëdha. Folën dhe personalitete të tjera të ftuar, përfshir edhe ambasadorë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Të pranishëm ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë në Washington Z. Ervin Bushati, i cili, shkurtimisht, përshëndeti të pranishmit dhe i uroi pension të mbarë, Z. Biberaj. Z. Drilon Zogaj, Këshilltari i Ambasadës së Republikës së Kosovës, në kryeqytetin amerikan, përfaqësoi vendin e tij në atë takim.

Edhe unë me shumë kënaqësi pranova mundësinë të thoja, shkrutimisht, dy tre fjalë duke përshëndetur të pranishmit dhe Elezin në këtë ditë kaq me rëndësi në jetën dhe karrierën e mikut dhe kolegut tim prej një gjysëm shekulli.  Kisha gjithashtu edhe një porosi nga miku dhe bashkpuntori i ngusht i Elezit gjatë dekadave, Profesorit tonë të nderuar, Z. Nick Pano, që në emër të tij t’i uroja Elezit pension të mbarë:

“Përshëndetje të gjithëve. Është vërtetë kënaqësi që gjëndem në mesin tuaj në këtë ndërtesë-kryeqendër të Zërit të Amerikës me fame botërore ku edhe unë kam kaluar vitet më të mira e më të bukura të jetës dhe karrierës time. Gjithmonë vij këtu sikur në shtëpinë time. Por sot, vërtetë, është një rast i veçantë për mua të jem këtu me ju për të marrë pjesë në këtë pritje madhështore për të festuar të gjithë së bashku pensionimin e Elez Biberajt, pas 43 vitesh shërbim dhe arrijtjesh jetësore.

43 vite më parë, ai filloi së punuari në Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, për t’u larguar për një kohë të shkurtër tek Drejtoria e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA). Por për fat të mirë, Elezi vendosi të kthehej tek Zëri i Amerikës në detyrën e shefit të Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, i bindur, më në fund, se Zëri i Amerikës ishte vendi i duhur i punës për të dhe se ai ishte personi i nevojshëm për Zërin e Amerikës.  43 vite më vonë, arritjet dhe sukseset personale dhe kontributet e tija ndaj Zërit të Amerikës, qeverisë amerikane, dhe audiencave në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe anë e mbanë botës -- janë të shumëta për tu numëruar, prandaj as nuk do përpiqem të bëjë një gjë të tillë, sepse Elezi do më thotë se nuk kemi të bëjmë me sukseset e tija, por kemi të bëjmë me misionin. Me misionin e Zërit të Amerikës!

Por, megjithkëtë po ia lejojë vetes të them këtë për Elez Biberajn. Dua t’u kujtoj se kur Presidenti Xhon Kennedy ka vizituar Zërin e Amerikës në 20-vjetorin e themelimit më 1962, ai ka thenë me atë rast se: “Zëri i Amerikës bartë një barrë të madhe përgjegjësie. Kjo përgjegjësi e madhe e Zërit të Amerikës, për të thënë të vërtetën, nuk është e lehtë…”.  Dua t’u them me bindje se shumë pak njerëz e marrin këtë përgjegjësi -- për të cilën ka folur John Kennedy 6 dekada më parë – aq seriozisht sa Elez Biberaj.  Elezi e jetonte dhe kryente çdo ditë këtë besim dhe prëgjegjësi me përkushtim, diçka që i ka siguruar vetes, gjatë 4 dekava të punës së tij – respektin e audiencave radio-televizive si dhe të kolegëve me të cilët ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe.  Një ikonë e vërtetë dhe një prej heronjve të gazetarisë së ushtruar nga Zëri i Amerikës në këtë ndërtesë dhe nga korrespondentët dhe gazetarët e VOA-s, anë e mbanë botës, për 80-vjet nga themelimi i VOA-s.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Elez Biberaj ka besuar dhe ka vepruar bazuar në thenjën e ish-gazetarit të ndjerë amerikan Eduard Murrow dhe njërit prej ish-shefave të Zërit të Amerikës, se “Nuk mund të mbrohet liria anë e mbanë botës, n[qoftse nuk përfillet mbrenda vendit tonë.”  Me këtë besim të patundur në lirinë dhe të drejtat e njeriut, Elez Biberaj ia ka kushtuar jetën dhe karrierën e tij lirisë së fjalës dhe të shtypit, lirisë dhe demokracisë në përgjithësi, si vlera të pazëvëndsueshme amerikane për mirëvatjen e një shoqërie normale, për të gjithë popujt anë e mbanë botës, përshir botën shqiptare, të cilës i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij për pothuaj gjysëm shekulli.

Dr. Elez Biberaj duke mbajtur fjalimin e rastit

Kam një porosi nga miku ynë i përbashkët, Profesori i njohur dhe i nderuar, Nick Pano që edhe në emër të tij t’ju përcjell urimet e tija për pensionimin tuaj, ndërsa shpreh keqardhjen për pamundësinë për të marrë pjesë në këtë pritje sot.  Profesori Pano shpreh respektin e tij për arritjet e jashtëzanokshme personale dhe profesionale, duke përfshir edhe kontributet e Elezit në fushën e studimeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Për më tepër, Profesori Pano – historian dhe specialist i shkencave politike -- veçanërisht shprehet për kontributet e Elez Biberajt gjatë karrierës së tij në detyrat e ndryshme e të rëndësishme tek Zëri i Amerikës: “Jam krenar dhe mirënjohës për qëndrimet tua parimore gjatë përiudhës që ke shërbyer në detyrën e Drejtorit të Zërit të Amerikës (në detyrë). Admiroj cilësitë aq të dukëshme në jetën tënde profesionale dhe private”, i është drejtuar Profesori Nick Pano, kolegut dhe mikut të tij, Elez Biberajt, në ditën e pensionimit të tij, duke përmbyllur mesazhin e tij me këto fjalë andmiruese: “Në përmbledhje, i dashur Elez, ju keni nderuar familjen tuaj, duke bërë krenar ata dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, vendin tonë (Amerikën) ku jetojmë, si dhe Kombin Shqiptar. Jam krenar që të kam njohur si mik dhe si koleg për pothuaj 5 dekada, përfundon mesazhin e tij Profesor Nick Pano, drejtuar Elez Biberajt me rastin e pensionimit  nga Zëri i Amerikës, pas 43 vitesh shërbim.

Pa e zgjatur më tutje, as unë do të dija të them gjë më shumë as më mirë se Profesori ynë i nderuar Nick Pano. Edhe unë jam krenar për arrijtet tua, duke të falënderuar për miqësinë dhe bashkpunimin profesional gjatë dekatave.

Urime dhe çdo të mirë në pension!

Drejtori John Lipmann duke i dorëzuar Z. Biberaj dekoratën për Arritje Karriere

I kënaqur dhe i lumtur me veten, familjen dhe me karrierën e tij

Autori me Profesorin Nick Pano, njëherazi mik dhe bashkpuntor i ngusht i Dr. Elez Biberaj gjatë dekadave.

Në një moment reflektimi pas ceremonisë festive në Washington të enjtën që kaloi

Të lumtë Elez! Job well done, my friend!

Kujtim nga festimi i pensionimit të Dr. Elez Biberaj

Washington DC, 14 Dhjetor, 2023



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora