Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Amerika dhe kujtimi i Viktimave të Komunizmit
E diele, 17.12.2023, 08:58 PM
AMERIKA DHE KUJTIMI I VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT –NJË PROCES I VAZHDUESHËM
Nga
Frank Shkreli
Isha duke lexuar
lajmet më të fundit në portalin e Museumit kushtuar Viktimave të Komunizmit në
botë dhe në faqen e Fondacionit kushtuar Viktimave të Komunizmit Ndërkombëtar –
të dy këto ente -- me qëndër në Washington DC.
Pashë se kohët e fundit ato ishin vizituar nga shumë turistë – të
thjeshtë por edhe nga disa personalitete politike ndërkombëtare dhe të fushave
të tjera -- që vijnë në kryeqytetin amerikan. Por, duke qenë se i ndjeki këto
punë, “gjuha më shkon aty ku të dhëmb dhembi” dhe mua gjithnjë më shkon mendja
tek Shqipëria dhe tek refuzimi arrogant i klasës politike të (dy forcave
kryesore politike) të atij vendi, që për më shumë se tre dekada refuzojnë të
përballen (përveç fjalëve boshe) me të kaluarën brutale komuniste të saj, e
sidomos me fatin e keq -- sot e kësaj dite -- të viktimave të regjimit komunist
(të gjallë e të vdekur) të Enver Hoxhës – njërit prej regjimeve më çnjerzore
komuniste në botë – viktima që gjithnjë janë, kryesisht, të përjashtuar nga
jeta politike dhe shoqërore e Shqipërisë “demokratike” dhe anëtare e NATO-s.
Për kujtesë të
lexuesit, unë kam shkruar shpesh për kujtesën që u bëhet viktimave të
komunizmit, anë e mbanë botës, por edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, përfshir
edhe shtetet individuale, anë e mbanë Amerikës, megjithëse në këtë vend nuk ka
pasur kurrë një regjim komunist dhe si rrjedhim falë nderës Zotit, as viktima të
komunizmit. Ndonëse, Amerika ka ndihmuar
në shembjen e Murit të Berlinit 35 vite më parë – këtu në Amerikë, komunizmi
nuk konsiderohet as tani, si një “çeshjte e mbyllur”, ndërsa kujtohen gjithnjë
në vazhdimësi rreth 100-milion viktimat e komunizmit, gjithmonë me qëllimin që
një masakër e tillë në nivel botëror, të mos përsëritet më, në historinë e
njerëzimit.
Ndërsa vizitat e
politikanëve shqiptarë të të gjitha ngjyrave në Washington, kur kanë vizituar
gjatë dekadave dhe vizitojnë aktualisht kryeqytetin amerikan, mundohen që me
çdo kusht të marrin fotografi me ndonjë personalitet amerikan -- madje edhe
duke paguar shuma marramendëse -- jo se besojnë në vlerat e sistemit amerikan –
por më së shumti për të treguar se sa “pro-amerikan” na qenkan, ose për të
bindur dike se këta na paskan “mbështetjen e Amerikës”, për të qeverisur vendin
e vogël e të varfër ish-komunist, të quajtur Shqipëri. Për fat të keq, këtyre
fotografive skandaloze të politikanëve shqiptarë në Amerikë, kam drojë se heret
ose vonë, do ua shoh sherrin, jo vetëm Shqipëria, por edhe Amerika! Presim dhe shohim!
Por ndryshe,
politikanë të huaj në vend që të marrin foto me perosnalitete amerikame, ata
preferojnë të fotografohen duke kujtuar viktimat e komunkzmit, ndryshe nga
klasa politike shqiptare, pa dallim – të cilës nuk do të ia dijë fare për
krimet as për viktimat e komunizmit në Shqipëri -- dhe viktimave të komunizmit
në botë, jo se jo. Frank Shkreli: Një muze i ri në Washington, kushtuar 100 milionë viktimave të komunizmit në botë | Gazeta Telegraf
Frank Shkreli: Hipokrizia shqiptare me viktimat e komunizmit | Gazeta Telegraf
–
Fatbardhësisht, ka
të tjerë përfaqësues ndërkombëtarë dhe amerikanë që nuk i harrojnë viktimat e
komunizmit në botë, qoftë edhe kur qëndrojnë, zyrtarisht, në Washington. Ka
mjaft raste që vizitorë të lartë ndërkombëtarë -- në agjendën e tyre në
kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, përfshijnë një vizitë në Muzeun e ri në
Washington, kushtuar viktimave të komunizmit botëror. Sipas portalit të Muzeut
të Viktimave të Komunizmit në Washington, ishte Ministrja e Kulturës e
Rumanisë, Raluca Turcan ajo e cila vizitoi, kohët e fundit, Muzeun e Viktimave
të Komunizmit në kryeqytetin e Amerikës me delegacionin e saj. Ministrja rumune
bëri një turne të galerive të Muzeut, ndërsa u takua edhe me Presidentin e
Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, Ambasadorin Andrew
Bremberg, ku biseduan mbi rëndësinë e kujtimit të viktimave të komunizmit anë e
mbanë botës, veçanërisht në Rumani dhe se si të kujtohet më së miri kjo histori
mbi rreziqet e komunizmit, ashtuqë të mos përsëritet më.
Mendova me vete, a
do të ishte reale të mendoja se në vend të ministres rumune ose
ish-Kryeministrit të Australisë – dy vizitorë të huaj të kohëve të fundit në
Muzeun e Viktimave të Komunizmit në Washington – nëse mund të ishte një
minister/e ose një
kryeministër/ish-kryemistër i Shqipërisë që të bënte një vizitë të tillë në
Muzeun e viktimave të komunzmit në Washington. Nuk ma merr mendja!
Ministrja e Kulturës e Rumanisë, Raluca Turcan në Muzeun e Viktimave të Komunizmit botëror në Washington DC.
Ditët e fundit
Muzeun e Viktimave të Komunizmit në Washington e vizitoi edhe ish-Kryeministri
i Australisë dhe anëtar aktual i Parlamentit të atij vendi, Scott
Morrison. Ai u takua me zyrtarët e lartë
të Muzeut dhe të Fondacionit kushtuar Viktimave të Komunizmit kudo në botë. Ata
biseduan për misionin e këtyre dy enteve të rëndësishme në Kryeqytetin e
Shteteve të Bashkuara si dhe për rëndësinë që ka kujtimi i viktimave të komunizmit
anë e mbanë botës.
Ish-Kryeministri i
Australisë dhe anëtar aktual i Parlamentit të atij vendi, Scott Morrison,
vizitoi ditët e fundit Muzeun e Viktimave tël Komunizmit botëror në Washington
DC, në kujtim të tyre
Ish-Kryeministri i
Australisë dhe anëtar aktual i Parlamentit të atij vendi, Scott Morrison, (në
mes) me zyrtarët e Muzeut kushtuar Viktimave të komunizmit në Washington
Ndërkaq, njoftohet
se, ashtu siç kanë bërë më heret një numër shtetesh të tjera amerikane edhe
shteti Wisconsin, sot më shumë
se 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, ka vendosur që në solidaritet me
viktimat e gjenocidit komunist ndërkombëtar, të kujtojë dhe të dënojë,
zyrtarisht, krimet e komunizmit duke miratuar një rezolutë nga të dy dhomat
legjislative të atij sheteti, sipas të cilës caktohet 7 Nëntori si dita e
kujtimit të viktimave të komunizmit.
“Ka ardhur koha që shteti Wisconsin të kujtojë miliona
njerëz që humbën jetën nën regjimet komuniste”, ka shkruar njëri prej
sponsorizuesve të kësaj rezolute (Rick Gundrum). “Komunizmi nuk ka asgjë të
përbashkët me me parimet amerikane të lirisë së fjalës, tregut të lirë
kapitralist dhe as me parimet dhe vlerat e demokracisë”, është shprehur ai. “Ne
duhet të sigurojmë që krimet e kryera nga regjimet komuniste si dhe personat që
ishin viktima të gjenocidit komunist të mos harrohen kurrë”, ka thenë
përfaqsuesi i shtetit Wisconsin, Rick Gundrum.
Ndërsa sponsorizuesi tjetër i rezolutës, Senatori Knodl i
shtetit Wisconsin është shprehur, “Se ne nuk duhet të lejojmë kurrë më që
komunizmi të ngrejë kokën e tij të shëmtuar. Komunizmi është një ideologji
totalitare që ka shkaktuar vetëm vdekje dhe vuajtje për popujt që ka
nënshtruar. Kjo ditë përkujtimore, kujton më shumë se 100-milionë njerëz që
janë vrarë nga regjimet komuniste anë e mbanaë botës. Me këtë rast kujtojmë
gjithashtu edhe miliona të tjerë që janë persekutuar, burgosur, dhe
skllavëruar. Është e rëndësishme që të kujtojmë vikitmat e komunizmit dhe të
luftojmë për liri e demokraci kudo në botë”, ka thenë ligjvensi i shtetit
Wisconsion, Kendl, me rastin e miratimit të rezolutës për të caktuar në atë
shtet 7 Nëntorin si ditën e kujtimit të viktimave të komunizmit në botë – në
përputhje me një numër të madh shtetesh tjea amerikane që kanë vendosur tanimë
që 7 Nentori të jetë dita që kujtohen viktimat e komunizmit botëror.
Po Shqipëria, kur do bëjë një gjë të tillë?! Kur do
kujtojë viktimat e komunizmit enverist, zyrtarisht, dhe kur do dënojë krimet e
komunizmit në atë vend?! Po viktimat e komunizmit në Kosovë, për të cilat nuk
flet askush. Kur do të kujtohen ato?!
Merrni shembull nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shumë vende
të tjera ish-komuniste dhe jo-komuniste. Nostalgjia ndaj komunizmit nuk ka të asgjë
të përbashkët me lirinë dhe demokracinë perëndimore as me vlerat amerikane.
Dënoni krimet e komunizmit dhe kujtoni viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe në
Kosovë.
Dy dhomat e
legjislatutës së shtetit Wisconsin që miratuan, ditët e fundit, rezolutën për
të caktuar 7 Nëntorin, si ditën pëkujtimore të viktimave të komunizmit në botë,
në përputhje me disa shtete të tjera amerikane që kanë bërë tanimë një gjë të
tillë, në nderim të viktimave të komunizmit në botën mbarë.