Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në 18-vjetorin e shkuarjes anë amshim të Presidentit historik të Republikës së Dardanisë, Dr. Ibrahim Rugovës
E hene, 22.01.2024, 08:55 PM
“NË MIQËSI TË PËRHERËSHME ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS!” – Në 18 -vjetorin e shkuarjes anë amshim të Presidentit historik të Republikës së Dardanisë, Dr. Ibrahim Rugovës dhe në kujtim të 35-Vjetorit të vizitës së Tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1989)
Nga
Frank Shkreli
Aktivitete dhe
ceremoni sot në Prishtinë, me rastin e 18-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë e
Presidentit të parë historik, Dr Ibrahim Rugova. Morën pjesë Presidentja e
Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti. Nën
patronatin e Presidencës së republikës së Kosovës Sh.Së.Dr Vjosa Osmani-Sadriu
mbahet, “Akademi Përkujtimore Për Ptresidentin Ibrahim Rugova.
“Kosova ishte me fat
që kishte për prijës njeriun e urtë e vizionar, i cili u shndërrua në simbol të
rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë”, është shprehur Presidentja Vjosa Osmani
gjatë një fjalimi me rastin e një ceremonie përkujtimore me këtë rast.
“Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta
Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e
Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe
humanitetin rezistencë”, është
shprehur Kryeministri I Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri Albin Kurti bashkë me
Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe Ministrin Çeku, kanë vizituar
familjen Rugova, ndërkohë njoftuan që së shpejti do të nisin punimet për
restaurimin e Rezidencës zyrtare të Presidentit Ibrahim Rugova.
Udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës bënë dnerimet e rastit
pranë varrit të Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës në
18-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë.
Ndodh që ky vit shënon gjithashtu edhe
35-vjetorin e vizitës së parë të Presidentit historik të Dardanisë, Dr Ibrahim
Rugovës në Shtetet e Bashskuara të Amerikës, në vitin 1989.
Foto ekskluzive nga vizita e parë e Dr.
Ibrahim Rugovës në Washington -- Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr Engjëll Sedaj në
shtëpinë e autorit në Falls Church, të shtetit Virginia, jo larg Washingtonit
(1989) ku miqët e dashur kaluan dy netë e tre ditë, të shoqëruar nga aktivisti
i komunitetit, Z. Simon Simolacaj. Mysafirët e lartë nga Kosova
erdhën për herë të parë për vizitë në Washington pasi kishin marrë pjesë në
seminarin e organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër
Bogdanit, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në
Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.
Disa ditë pas përfundimit
të seminarit në Universitetin e njohur Fordham, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr.
Engjell Sedaj erdhën me një mik timin, Zotin Simon Simolacaj të më vizitonin në
Washington. Në atë kohë, unë punoja si Këshilltar i Programeve radiofonike
drejtuar botës komuniste në Drejtorinë Evropiane të Zërit të Amerikës.
Dr. Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe
Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor
1989. Ishte kjo vizita e parë dhe takimi im i parë me Presidentin e
ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington, por jo e fundit.
Unë nuk i njihja dhe as
nuk dija shumë as për Dr. Rugovën as për Dr. Sedajn, perveç faktit se ishin dy
intelektualë të dalluar nga Kosova, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare, Zoja
e Shkodrës në New York me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër
Bogdanit. Megjithëkëtë, e prita mirë vizitën e tyre pasi ishte një privilegj
për të patur në shtepinë time dy mysafirë të tillë, të nderuar. Për
më tepër, vizita e tyre bëri të mundur për të biseduar me dy intelektualë të
kalibrit të tyre, mbi gjendjen e atëherëshme në Kosovë, pasi megjithëse punoja
në qënder të informatcionit dhe lajmeve ndërkombëtare, lajmet nga Kosova ishin
të pakëta dhe ato që na vinin në redaksi ishin pothuaj, pa përjashtim, të
ngjyrosura nga propaganda serbe, e cila ia paraqiste botës çeshtjen shqiptare
në Kosovë si donte vetë dhe bota fatkeqësisht e besonte. Zëri i
shqiptarëve në Kosovë nuk ndëgjohej dhe bota e jashtëme nuk ishte aspak në
dijeni të vuajtjeve, torturave dhe krimeve që diktatura serbe bënte mbi
popullësinë shqiptare në atë krahinë.
Në një moment miqësor me
vizitorët e nderuar nga Kosova në Washington, 1989
Kanë kaluar 35-vite, por me kënaqësi e kujtoj atë vizitë dhe bisedat e
paharrueshme me miqtë nga Kosova, të cilët megjithse nuk i kisha njohur më
parë, na shkoi biseda si është më mirë dhe sikur të kishim qenë miq të vjetër,
megjithse isha pak më i ri nga mosha. Pa ditur se si do shkonin
punët në Kosovë dhe për atë vetë si person dhe politikan i ardhëshëm i Kosovës,
pasi në atë kohë ishte vetëm Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, më kujtohet se
shqetësimi i tij kryesor ishte nevoja për sensibilizimin e çështjes shqiptare
në arenen ndërkombëtare, në përgjithësi, por sidomos në Washington. Si
studiues i mirë i historisë dhe atdhetar
i vërtetë që ishte – ai i dallonte mirë miqët nga armiqët e Kombit shqiptar.
Megjithse ishte vizita e parë e tij në Shtetet e Bashkuara, Dr. Rugova ishte
bindur në mendjen e tij se Kosova dhe shqiptarët — në Shtetet e Bashkuara dhe
në Washingtonin zyrtar -- do të gjenin mikun dhe përkrahsin e të drejtave të
shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur c’prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë
nga Presidenti Udrou Wilson, e këtej.
Në mendimin tim, vizita e
parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Nju Jork dhe në Washington – sigurisht pa e ditur
as ai vet këtë gjë në atë kohë — mund të konsiderohet si fillimi i diplomacisë
moderne të Kosoves, ose si fillimi i ndërkombëtarizimit të çështjes së
Kosovës. Koha e tregoi se Dr. Rugova u këthye në Kosovë nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës i frymëzuar dhe me një ndjenjë misioni personal,
megjithëse disa kritikë e ndoshta edhe disa miqë të tij mund të thonë se i hyri
kësaj fushe, me një mungesë dëshire për t’u marrë me politikë.
Historia e mëvonshme
tregoi se megjithë të metat që mund të kishte si njeri dhe si udhëheqës, që
kundërshtarët e tij, pa hesitim ia venin në dukje vazhdimisht disa edhe sot -- jo
vetem Kosova, por i mbarë Kombi shqiptar tashti kishte në Ibrahim Rugovën, një
zëdhenës ndryshe dhe si asnjëherë më parë. Sidomos Kosova, megjithse në
rrethana shumë të vështira, tashti kishte një zë të urtë që dëgjohej dhe
respektohej nga të gjithë bashkbiseduesit e tij ndërkombëtarë.
Ishte një zë që fliste
për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre, për liri dhe demokraci për
popullin e vet dhe si asnjë përfaqsues tjetër i Kombit shqiptar, siç ka
thënë edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton, Ibrahim Rugova
e shpjegonte çështjen shqiptare në një mënyrë të kuptueshme — si nga pikëpamja
historike ashtu dhe njerëzore. Si askush tjetër – para tij ose pas tij — Dr.
Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të Kombit shqiptar dhe
bota filloi ta ndëgjonte dhe më në fund filloi të interesohej për tragjedinë
dhe krimet që regjimi kriminal i Serbisë po bënte në Kosovë, me qëllim zhdukjen
e racës shqiptare nga trojet e veta mijëvjeçare.
Natyrisht, se kushdo që
është takuar me Dr Ibrahim Rugovën sa ishte gjallë, ruan kujtime të
mrekulueshme. Në këtë 35-vjetor të vizitës së tij të parë në Washington,
deshta vetëm të shënoj dhe të ndajë me miqtë e mi disa mbresa, shkurtimisht —
por për mua të paharrueshme — nga ajo vizitë Dr. Rugovës në shtëpinë time në
Washington, me 1989. Ajo vizitë
nuk më harrohet mua as familjes time dhe njohuria ime me të, gjatë asaj vizite,
çoi në një miqësi shumë vjeçare, deri sa ai ndërroi jetë.
Takimi i fundit i autorit
me Presidentin Ibrahim Rugova, në zyrën e tij në Prishtinë, 2005
Respekti im për Dr.
Rugovën e ka zanafillën, pikërisht, në atë vizitë, pasi përshtypjet e mia të
para dhe respekti për këte udhëheqës të madh të Kombit shqiptar, sa ka ardhur e
rritur gjatë viteve. Për mua, arsyeja për këte është se, si asnjë udheheqs
tjetër shqiptar që unë kam njohur, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë
për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Si asnjë tjetër
udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar në
shekullin e XXI, për tu radhitë ndërshmërisht në radhën e kombeve të përparuara
të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj
rruge e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt rrugës së
bashkimit dhe integrimit euro-atlantik të Kombit shqiptar.
Ndër të tjera, e kam
respektuar Dr Ibrahim Rugovën për bindjen e tij se komunizmi ishte rreziku dhe
fatëkeqësia më e madhe që i kishte ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e XX
dhe për faktin se ai besonte që Kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e
ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të
rilindasve të vërtetë.
Ibrahim Rugova fliste
pak. Nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione të qarta për një
të ardhme më të mirë për Kombin e vet, duke i dhenë kështu një emër të nderuar
dhe të respektuar gjakut shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare.
E respektova Dr. Rugovën
sepse ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste – as në mendime as në
veprime — si shumë nga ata të brezit te tij që ishin rritur e shkolluar në atë
sistem ideologjik të huaj. Përkundrazi, Ibrahim Rugova kishte parime
gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga
traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm
se, natyrisht që, trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për tu
përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai
gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave
kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur nderin emrit shqiptar — një
mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën sot dhe për
klasën aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare.
Unë jam sigurt se në këto
dy përvjetorë sot – 18-vite nga kalimi i tij në amshim dhe në kujtim të
35-vjetorit të vizitës së tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Dr
Ibrahim Rugova do të kërkonte nga klasa e sotëme politike Arbërore që,
urgjentisht, të bashkojë të gjitha forcat e veta për të kapërcyer krizat e
vështira aktuale që po pëson Kombi shqiptar, në këtë këthesë të historisë –
sidomos të përballen me zbrazjen tragjike të trojeve shqiptare, para se të
bëhet vonë!
Duke bërë nderimet e mia para arkivolit të
ndjerit President Ibrahim Rugova, Prishtinë, 21 Janar, 2006
*Ribotim i përpunuar dhe
përditësuar -