Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kujtojmë Prekë Calin e Malësisë së Madhe
E merkure, 27.03.2024, 08:59 PM
KUJTOJMË PREKË CALIN E MALËSISË SË MADHE
Pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës,
25 Mars, 1945
Nga
Frank Shkreli
“O ti kangtari i kangve kreshnike,
Merre lahuten tashti njiherë
Na i thuej trimnitë e doket fisnike
Na i kujto të parët se e kishin për
nder:
Deken m’e ba sikurë me le
Të huajve nën thunder mos me iu nënshtrue”
–
(Ndoc Vulaj, Lufta e Kelmendit, botuar
në 1999 nga Shtëpia Botuese, “Gjergj Fishta”)
Në këtë ditë të 25 marsit kujtohet
Kreshniku trim i Malësisë së Madhe, nderohet dhe përkujtohet Heroi trupmadh, me
një forcë të jashtzakonshme atdhetare dhe morale, kreshniku i maleve tona,
burrin e shquar për trimëri, për vepra heroike dhe fisnikëri – Prekë Calin –
‘Nderi i Kombit’. Prekë Calin, të parin e Kelmendit, i cili bashkë me malsorët
gjatë gjithë jetës së vet luftoi në mbrojtje të Atdheut. Fillimisht, kundër
perandorisë osmane, pastaj kundërshtoi zgjerimin djallëzor territorial të Malit
të Zi, në kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa ka mbrojtur në përgjithësi
integritetin territorial të Shqipërisë në takimet me komisione evropiane. Dhe,
në fund të jetës së tij, ka kundërshtuar me vendosmëri instalimin e komunizmit
sllavo-aziatik të Enver Hoxhës në Shqipëri – përpjekjet për të cilën edhe është
pushkatuar në këtë ditë, 79-vite më parë.
Kujtojmë Prekë Calin, bashkëpunëtor i
qeverisë së Fan Nolit, Prekë Calin e internuar në Gjirokastër nga Ahmet Zogu si
kundërshtar i tij dhe Prekë Calin e pushkatuar nga regjimi barbar komunist
Hoxha-Shehu.
Përkujtojmë Prekë Calin, të cilit as
varri nuk i dihet. “Vërtetë, jam malësor
pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin
komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 mars, 1945, krah për krah,
me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë, pasi i torturuan
dhe i munduan deri në vdekje.
Ky është Prekë Cali “Prijsi i
Popullit”, “Piramida e kufirit shqiptar”, “Kreshniku i Vermoshit” dhe i krejt
Malcisë së Madhe dhe mbarë Shqipërisë. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam
SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e
dënoi atë me vdekje me 25 mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14
anti-komunistë të tjerë malësorë, pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje.
Dom Ndre Zadeja, meshtar, poet e atdhetar i flakët, martir i parë i Kishës
Katolike shqiptare gjatë persekutimeve barbare të periudhës komuniste.
Sot, përkujtojmë Prekë Calin, Malësorin
dhe Shqiptarin e madh, i cili për vite me rradhë luftoi dhe kundërshtoi synimet
e armiqve të Kombit shqiptar si edhe vendimet e padrejta të kancelarive të
Evropës, në dëm të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.
Përkujtojmë Prekë Calin, mbrojtësin e
kufijve të vendit dhe të tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare
nga kthetrat e synimeve grabitqare të shovinistëve sllavë.
Përkujtojmë Prekë Calin e Selcës së
Kelmendit, bartësin e traditave dhe virtyteve më të shenjta të malësorit e të
shqiptarit: të atdhedashurisë, nderit e burrënisë, të mik-pritjes e bujarisë,
gjithmonë sy-patrembur ndaj armikut.
Përkujtojmë Prekë Calin, i cili gjithë jetën ia kushtoi, jo vetëm, mbrojtjes së
integritetit tokësor të Shqipërisë, por edhe lirisë e demokracisë, dhe i cili sakrifikoi
edhe jetën duke kundërshtuar vendosjen e komunizmit ndërkombëtar në Shqipëri.
Harresa e vrasjeve të patriotëve
shqiptarë si Prekë Cali nga regjimi komunist enverist dhe anashkalimi i tyre
zyrtar nga historiografia shqiptare duhet të shqetësojë ndërgjegjen e çdo
shqiptari.
Në vend të harresës do duhej të përkujtojmë
Prekë Calin, atdhetarin dhe anti-komunistin, i cili para se të pushkatohej nga
regjimi i Enver Hoxhës, pyetjes së Mehmet Shehut se pse nuk bëhej me komunistët
shqiptarë, se ashtu do ta mbyllte historinë e tij me shkronja ari -- Prekë Cali
është përgjigjur: “Zotëni, faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleatë me anmikun tonë
shekullor, Serbinë”.
Prandaj, sot le të përkujtojmë Prekë Calin e Malësisë së madhe, për bindjen e tij se komunizmi ishte gjëja më e keqe që po i kërcënohej Shqipërisë dhe i cili me burrat me të njohur të Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe i bëri një qëndresë të fortë këtij sistemi sllavo-aziatik – i huaj për shqiptarët për nga historia dhe identiteti — sllavo-aziatik me prejardhje, kriminal në shpirt për nga natyra e morali, një regjim që iu imponua shqiptarëve nga armiqtë më të përbetuar të Kombit.
Përkujtojmë Prekë Calin, i cili para se
t’i rrëxohej trupi i tij vigan nga plumbat e mitralozit të komunistëve të Enver
Hoxhës, bërtiti me zërin e fuqishëm të malësorit: “Rrnoft Shqipënia, Rrnoft
populli shqiptar. Herët ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.
Përkujtojmë pra, Prekë Calin – edhe si
simbol i gjakut të derdhur në shenjë nderimi e respekti edhe për
bashkëluftëtarët e tij, disa prej të cilëve u pushkatuan gjithashtu në të
njëjtën ditë me të, si edhe për mijëra martirë të tjerë nacionalistë
anti-komunistë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, të burgosur e të
internuar për pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.
Prandaj edhe njëherë le të shënojmë kujtimin e këtij burri të madh duke
shpresuar që, më në fund, të peshohet mirë dhe me të drejtë e Vërteta Historike
e cila është aty për t’u zbuluar dhe, vetëm asaj t’i jepet
arsyeja. Ashtuqë, heronjve si Prekë Cali, përfundimisht, t’u kthehet
lavdia, nderi dhe vendi që u takon në historinë e Kombit shqiptar të gjithë
patriotëve të vërtetë si Prek Cali.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Prekë
Calit. Nder e lavdi, veprës dhe qëndresës së tij anti-sllave dhe
anti-komuniste, në shekuj!
Vasel Shkreli, shqiptaro-amerikani me
origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe me këngën kushtuar Trimit të
Kelmendit, Prekë Cali
Vasel Shkreli -- PREK CALI
(youtube.com)