Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Marie Shllaku - Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë!
E shtune, 17.02.2024, 08:59 PM
NË KUJTIM TË MARIE SHLLAKUT – SHKODRANES QË DHA JETËN PËR LIRINË E KOSOVËS – “Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë”!
Në
16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës
Nga
Frank Shkreli
Me 17 Shkurt, 2024, Federata
Pan-Shqiptare Vatra e Amerikës shënoi 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së
Kosovës duke organizuar një festë kushtuar kësaj ngjarjeje historike për
mbarë Kombin shqiptar -- shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e sovran. Në këtë
ditë historike përshëndeti edhe publicisti Frank Shkreli, ish-Drejtor i Zërit
të Amerikës për Euroazinë dhe ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan.
------------------
Përshëndetje të nderuar pjesëmarrës -- Në
shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për Vatrën -- që organizon këtë tubim, në
16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës – më lejoni t’u përshëndes prej së largu me
disa fjalë në këtë përvjetor të shënuar:
Një Ditë Bashkimi për të Gjithë Shqiptarët kudo që janë dhe pa dallim –
në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!
Shpallja
e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të
gjatë e të vështirë prej më shumë se një shekulli për shqiptarët e Kosovës dhe
për mbarë Kombin shqiptar. Si e tillë, kjo datë,
në historinë e shqiptarëve, është një arritje kulmnore dhe një fitore e lavdishme për
mbarë Kombin shqiptar.
Lufta për çlirimin e
Kosovës e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ndërmor në një kohë kur
popullit shqiptar të Kosovës po i rrezikohej vetë identiteti dhe ekzistenca e
tij në trojet e veta mijë-vjeçare. Lufta shekullore e shqiptarëve për
ekzistencë dhe diplomacia në veprim për ndërkombëtarizimin e çeshtjes së
Kosovës -- e udhëhequr me qa sukses nga Presidenti i parë historik Dr Ibrahim
Rugova, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, bëri aq shumë miqë
ndërkombëtarë për çeshtjen e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi, sidomos
këtu në Shtetet e Bashkuara. Diplomacia dhe lufta për çlirimin dhe për
pavarësinë e Kosovës, lehtë mund të krahasohet me arritjet historike të Kombit
shqiptar, siç është Kuvendi i krerëve të gjitha krahinave shqiptare nën
udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbe në Lezhë, në vitin 1444 dhe me
Lidhjen e Prizrenit më 1878, ku përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, me
në krye Abdyl Frashërin, u mblodhën aty në Prizren, në një çast historik për të
shpëtuar tërësinë e tokave shqiptare.
E gjithë ajo veprimtari
diplomatike dhe ushtarake si dhe lëvizjet mbarë kombëtare përfshir mobilizimin
e paparë ndonjëherë më parë në histori të komunitetit Shqiptaro-Amerikan të
dekadave të fundit të shekullit të kaluar që çuanë në festëns e madhe të
Pavarësisës së Kosovës që shënohet sot – i treguan botës se shqiptarët vetëm
donin të udhëhiqnin veten, në liri dhe të pavarur në trojet e veta stërgjyshore
të bashkuar në një shtet të tyre. I treguan botës në mënyrën më dinjitoze se
trojet shqiptare nuk ishin pa zot. Ishte një luftë dhe një qëndresë historike –
e mbështetur ndërkombëtarisht nga miqët e njohur të shqiptarëve –në krye me
Shtetet e Bashkuara, kundër pushtuesve sllavo-komunistë të trojeve shqiptare,
duke shënuar kështu një kapitull të ri në historinë e Kombit Shqiptar –
Pavarësinë e Republikës së Kosovës!
Mbi të gjitha Dita e
Pavarësisë së Kosovës simbolizon bashkimin e shqiptarëve anë e mbanë trojeve
shqiptare dhe përtej. Është një ditë, gjithashtu, që në zemrat tona frymëzon kujtimin
e heronjve dhe heroinave shqiptare të shekullit të kaluar që dhanë jetën për
idealet e larta – për bashkimin e shqiptarëve, me thirrje dhe me luftë e
sakrifica duke flijuar edhe jetën e tyre për pavarësinë, lirinë dhe demokracinë
e të gjithë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve, dhe pa dallim. Liri! -- ishte kryefjala
e Shqiptarëve gjatë gjatë shekullit të kaluar:
Give me liberty or
give me death!" -- Më jep lirinë, ose më jep vdekjen!", ishte thirrja e politikanit dhe oratorit
amerikan Patrick Henry në një fjalim, në Kuvendin e dytë të shtetit
Virxhinia me 23 Mars, 1775 në Kishën e Shën Gjonit në Riçmond të Virxhinies.
“Ma mirë dekë nën dhé m’u kja,
Se për t’gjallë me mbetë nën shkja”. At Gjergj Fishta
--“Kam ardhë me vdekë me ju”!, do tu drejtohej Marie Shllaku komandantëve të
çetave nacionaliste në Kosovë, siç pat deklaruar ajo në gjyqin kundër saj.
--“Kosovë, gjaku im t’u baftë dritë”! Marie Shllkau në sallën e gjyqit në
Prizren, Korrik, 1946.
Marie Shllaku,
Shkodranja që luftoi dhe vdiq për lirinë e Kosovës:
--Megjithëse e haruar
dhe e anashkaluar gjatë shekullit të kaluar komunist, por edhe sot -- në luftë
kundër ripushtimit serb të Kosovës, u shqua heroina Marie Shllaku, gjatë Luftës së
II Botërore. Le të
kujtojmë sot në këtë ditë të Pavarësisë, Marie Shllakun, heroinën e Kombit
shqiptar, të cilën komunistët shqiptaro-sllavë e dënuan me vdekje-pushkatim,
sepse donte Kosovën e lirë, dhe të gjithë shqiptarët të bashkuar në një
Shqipëri etnike.
--Të Kujtojmë Marie
Shllakun, e cila megjithse në moshë të re, u njoh dhe mori mësime e këshilla
nga më të mëdhejt e Kombit të asaj kohe, përfshir At Gjergj Fishtën, ndër të
tjerë, për angazhimet e saja në mbështetje të objektivave për realizimin e
idealit të lartë të bashkimit të trojeve shqiptare.
Të kujtojmë sot, Marie
Shllakun, e cila nën mbikqyrjen e At Gjergj Fishtës kishte mësuar mirë
historinë e Kombit Shqiptar, dhe fliste një dyzinë gjuhësh të huaja.
--Të kujtojmë Marie
Shllakun, pjesëmarrësen në Kuvendin e Drenicës, ku mbajti fjalimin e saj të famshëm
patriotik duke pajtuar, sipas të dhënave, dy udhëheqsit e Luftës së Drenicës,
Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Kuvendi i Drenicës ishte thirrur me qëllimin përfundimtar për
të shpëtuar Kosovën nga komunistët serbo-malazezë-shqiptarë!
--Të kujtojmë Marie
Shllakun, njërën prej heroinave të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës sot, por
edhe si shembull se si duhet të luftohet dhe të mbrohet liria, demokracia e
pavarësia kombëtare, qoftë edhe me flijimin e jetë për këto vlera të mëdha
njerëzore e kombëtare.
--Të kujtojmë, anti-komunisten
e flakët Marie Shllaku, që luftoi për bashkimin
e të gjitha trojeve shqiptare pa dallim –përfshir Kosovë e Çamëri -- Shkodranen
24-vjeçare, Marie Shllakun që për këto veprimtari të saja dhe bashkpuntorçve të
saj, ajo u pushkatua nga komunistët shqiptaro-serbë -- në Prizren në
nëntor të vitit 1946 - KRIMET E KOMUNIZMIT: Marie
Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini
Sipas të dhënave,
ajo u pushkatua në Prizren pas gjyqit që iu bë asaj bashkë me 26 intelektualët
e tjerë të angazhuar me të në veprimtaritë për bashkimin e trojeve shqiptare.
Sigurimi i Shtetit shqiptar, në bashkëpunim me UDB-ën jugosllave vendosën në
atë kohë pushkatimin për Marie Shllakun, 24 vjeç; At Bernard Llupin, 60 vjeç;
Kolë Parubin 41 vjeç dhe Gjergj Martinin, 29 vjeç, ndërsa të tjerët u dënuan me
burg. Këta të 4 ishin nga Shkodra të cilët u dënuan, përfundimisht, për veprimtarinë
e tyre -- martirë të demokracisë, për bindjet e tyre për bashkimin kombëtar –
në ditën e zezë të 15 korrikut, 1946, pikërisht aty në Prizrenin e Lidhjes
Kombëtare të Prizrenit të vitit 1878 -- ndërsa pushkatimi u bë në Nëntor të po
atij viti, sipas të dhënave arkivore. Ndërkohë, sllavo-komunistët ua kanë
tretur varret që as sot nuk dihet se ku i kanë.
Në këtë ditë të
pavarësisë së Republikës së Kosovës, Marie Shllaku – Shkodranja nga Malësia e
Madhe -- uron, ashtu si atëherë, para bishave të egra shqiptaro-sllavo-aziatike
komuniste: “Kosovë, gjaku im t’u baftë dritë”!
I përjetëshëm
qoftë kujtimi i heroinës shkodrane Marie Shllaku me bashkpuntorët e saj dhe i të gjithë atyre heronjve dhe heroinave nga të
gjitha trojet shqiptare të gjitha akohërave, që kanë flijuar jetën për lirinë,
të drejtat dhe pavarësinë që Kosova gëzon sot!
Gëzuar Pavarësia e
Republikës së Kosovës!
U falënderoj për vëmendjen!
Frank Shkreli
Marie Shllaku, At Bernardin
Llupi, Kolë Parubi e Gjergj Martini, të pushkatuar nga shqiptaro-serbët
komunistë në Prizren, në vitin 1946 -- martirë të demokracisë, për lirinë, pavarësinë
dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dhanë jetën për dashurinë e tyre të
pamposhtur për Atdheun në mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe
të trojeve të tyre mija vjeçare!
Marie Shllaku: “Gjaku im Kosovë t’u baftë
dritë”
“Unë Marie Shllaku e lindur me 22 tetor, 1922 në Shkodër. 24-vjeçe. Studente e filozofisë në Romë. Akuzohem se jam marrë me politikë. Kështu, ju po e queni dashurinë time për atdhe. Unë jam në burg se nuk pajtohem që Kosova të jetë nën Jugosllavi. Kosova ashtë pjesë e pandashme e Shqipënisë. Nuk më tremb dënimi me vdekje. Jam krenare që luftova për TY Kosovë! Heret ose vonë do të jesh pjesë e Shqipënisë. Rrnoft Kosova! Rrnoftë Shqipënia Etnike.” Një deklaratë që disa burime ia atribojnë Marie Shllakut.