Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kryengritja Anti-osmane e Malësisë së Madhe
E diele, 07.04.2024, 07:59 PM
KRYENGRITJA ANTI-OSMANE E MALËSISË SË MADHE
Gjergj Fishta: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me trimëri”
6
Prill, 1911
Nga
Frank Shkreli
Sipas
lajmeve të fundit, mësohet se Presidenti i Republikës, Z. Bajram Begaj po
viziton Malësinë e Madhe këto ditë për të lartësuar, me praninë e tij si figura
përbashkuese Kombit, kujtimin e – Kryengritjes së Malësisë së Madhe – kësaj
ngjarjeje të madhe historike, që sipas historianëve, për nga rëndësia
historike, ka ndryshuar përgjithmonë historinë dhe ka shënuar për shekuj me
germa ari, kujtimin e këtyre burrave dhe burrneshave malësore, që me trimërinë
dhe guximin e tyre, pas pesë shekujsh robërie otomane, shpalosën Flamurin e
Gjergj Kastriotit- Skenderbeu, në trojet shqiptare.
Në
Malësi shënohet përvjetori i kryengritjes së Malësisë së Madhe, (6 Prill,
1911), ose Kryengritjes së Ded Gjo Lulit, siç njihet ndryshe.Kjo kryengritje e malësoreve kundër Perandorisë Osmane,
perveç se çoi në ngritjen e parë të flamurit kombetar në tokën shqiptare,
c’prej kohës se Gjergj Kastriotit, sipas historianëve, ka një rendësi të
veçantë në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare. Sipas tyre, veprimtaritë
kryengritëse?dhe luftërat e
malësoreve tërhoqën, si asnjëherë më parë, vëmendjen e shteteve evropiane si
edhe të opinonit publik të kohës në Evropë, mbi ato që po ndodhnin në Malësi
dhe në trojet shqiptare. Lëvizja e kryesuar nga
prijsi i Malesisë së Madhe, Ded Gjon Luli dallohet nga lëvizje të
tjera të shqiptarëve për liri, pikërisht, nga jehona e amdhe që bëri lufta e
malësorëve në ato vite, anë e mbanë Evropës.?Ndërsa, kryengritësve të
Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit e Shkrelit iu bashkuan edhe shumë
përfaqsues patriotë nga krahina të tjera të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare.
Është
meritë e kryengritjes së Malesise së Madhe fakti se kjo lëvizje nuk ishte e
lokalizuar, por kishte qellime mbarëkombetare, gjë që gjeti ndihmen dhe
përkrahjen edhe të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët me patriotë të
tjerë të kohës, duke parë luftën serioze të Malësorëve për liri e pavarësi,
shkuan në Podgoricë, ku përpiluan Memorandumin për t’ua dërguar fuqive të mëdha
të asaj kohe, përfshir Perandorinë osmane, e që përmbante, ndër te tjera,
kërkesat e Shqiptarëve për një Shqipëri, me administratë, gjuhë e buxhet të
vetin. Por, edhe që Shqipëria të drejtohej nga një guvernator shqiptar. Memorandumi në fjalë, në të vertetë, ishte një pasqyrim, jo
vetëm i kërkesave të Malësorve, por edhe i të gjithë shqiptarëve. Nënshkrimi i përfaqësuesve të malësorëve të kërkesave të
shpallura e në Memorandum i benë kryengritsit Malesorë t’i paraqiteshin botës
së atëhershme si përfaqsues edhe të kërkesave por edhe të aspiratave të mbarë
Kombit shqiptar për liri e pavarësi, pas pesë shekuj robëri. Lufta për liri e Malësorëve, në fillim të shekullit të
kaluar dhe ngritja e flamurit te Skenderbeut ne Deçiq që pasoi, ishte simbol i
vellazërimit të kombit shqiptar rreth një
Flamuri të vetëm dhe tregoi se Shqiptaret kishin një Atdhe të vetëm e të
përbashkët, që dëshironte liri dhe dritë, për të dalur nga errësira?shekullore e robërisë osmane. Si
rrjedhojë e këtyre ngjarjeve në Malësinë e Madhe, gazetat anë mbanë Evropës,
ndoshta për herë të parë, shkruanin për Shqipërinë si një entitet, jo më si një
frazë e zbrazët gjeografike, por flisnin për një popull që ishte në prak të
lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e
pushtimit robërues turk. Për më tepër, Kryengritja e Malësorve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi
edhe kryengritjet e tjera anti-osmane në Kosovë dhe
anë e mbanë trojeve shqiptare, ose vilajeteve të asaj kohe, duke çuar, më në
fund, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor, 1912. Kjo, falë
sakrificave dhe derdhjes së gjakut të dëshmorëve si Ded Gjo
Luli me Malësorët, të cilët luftuan dhe vdiqën për idealin e shenjtë të lirisë,
pavarësisë dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve
në trojet e tyre shekullore.
Malësorët
e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të
Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Në të njëjtën kohë, ata
ishin vijues të traditës së tyre shekullore për rezistencë ndaj okupatorit! Kur
ekzistenca e këtij kombi të lashtë ishte në rrezik nga pesha e pushtimit të
gjatë por edhe nga konjukturat politike të kohës, nën shembullin e heronjve
antikë të atyre trojeve, në skenën e përgjakshme të Ballkanit, në Malin Deçiç,
ngjitet Dedë Gjo Luli si fuqi shpirtërore, patriotike e pse jo edhe ushtarake e
një populli që do t’i thonte lamtumirë së keqes 5-shekullore otomane, një herë
e përgjithmonë.
Me
pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me Flamurin kuq e
zi në dorë, ai do t’i përcillte shqiptarëve dhe botës mbarë, porosinë e Gjergj
Kastriotit -- Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, se këto
troje kanë identitet kombëtar: shqiptarë
dje, shqiptarë sot, shqiptarë përgjithmonë!
Dedë
Gjo Luli ngjitmas me fatin historic të Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira,
rrugë që më në fund e çuan atë dhe malësorët e tij drejt Bratilës së Deçiqit,
majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e
atdhedashurisë, rruga e cila e çoi, eventualisht dhe për fat të keq, drejt një
vdekjeje prej martiri që pushtuesit e trojeve shqiptare ia kurdisën në vitin
1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë një gremine tjetër.
Në
panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një,
burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do
t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar
i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 Mars
të vitit 1911, e që kulmoi me ngritjen e Falmurit shqiptar me 6 prill, 1911, e
ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua, kryengritje pas
kryengritjeje, deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Shtizë e atij
flamuri ishte Dedë Gjo Luli!
Një
meritë tjetër e këtyre burrave në krye me Ded Gjon Lulin, është se
kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë Kombit në çastin kur mendohej se raca
shqiptare po jepte shpirt e ndarë dhe e përçarë, e harruar nga bota
perëndimore, e lakmuar dhe e pushtuar nga armiqtë shekullorë të tij. Dedë Gjon
Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se
shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët;
lakmues të tokave shqiptare, nëpër kancelaritë e Evropës, bërtisnin duke thënë
se nuk kishte komb shqiptar. Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli
i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet, që paralajmëruan
Pavarësinë kombëtare të shqiptarëve një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e
kombit, që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, më në fund,
kishte zot.
Memorandumi
dhe kryengritja e malësorëve, mund të konsiderohet edhe fillimi si fillimi i
përpjekjeje, që sot do ta quanim, “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, që
pasqyronte dëshirën e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, për bashkim, për liri e
pavarësi, anë e mbanë trojeve të veta shekullore. Ishte pra një mesazh i
fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot, se shqiptari dëshiron të jetojë në
shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, pa ndërhyrje dhe influenca nga jashtë, në
paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane.
Në
botën aktuale shqiptare të korrupcionit e konflikteve politike, koncesioneve
ekonomike, publiko-private, të interesave të shumë llojshme personale e
partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë së
vepruari kundër interesave shqiptare, është mirë të kujtohet me këtë rast se
kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill,
1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare dhe jo për interesa personale
as partiake. Kryengritja e malësorëve nuk ishte një ndërmarrje për përfitime të
përkohëshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë
për jetë a vdekje, për mbijetesën e identitetit kombëtar të shqiptarëve,
pavarësinë dhe lirinë e kombit shqiptar. Si e tillë, kryengritja e Malësisë së
Madhe që shënohohet sot kishte qëllime dhe objektiva të interesit
mbarë-kombëtar për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave, vetive e
karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e
tjerë: dashuria për Atdheun, nderi,?besa dhe burrëria
shqiptare!
Me shpresë për ditë më të mira e të bukura për Malësinë e Madhe dhe për të gjithë shqiptarët: Gëzuar 6 Prillin, Malësisë së Madhe dhe mbarë Kombit shqiptar!
Presidenti i Shqipërisë, Z. Bajram Begaj me Kryetarin e Bashkisë Malësia e Madhe (në të tretin mandaat), Z, Tonin Marinaj –Kryetari i Bashkisë, Malësia e Madhe z.Tonin Marinaj ka mirëpritur të Premten në Malësi të Madhe presidentin e Republikës z.Bajram Begaj, n[ një vizitë e cila i shërben bashkëpunimit institucional por edhe forcimit të lidhjes ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Gjatë takimit me intelektualë, shkrimtarë dhe përfaqësues të institucioneve, si Presidenti Bajram Begaj ashtu edhe Kryetari Tonin Marinaj, ndanë të dy të njëjtin qëndrim për rolin e rëndësishëm që ka çdo individ për t’i shërbyer vendit të tij dhe për të lartësuar emrin e kombit tonë, duke ndjekur edhe shembullin e figurave të shquara që ka nxjerrë treva jonë ndër shekuj, thuhet në portalin e Bashkisë Malësia e Madhe (Për më shumë të dhëna nga vizita e Presidentit Bajram Begaj në Malësinë e Madhe vizitoni portalin e kësaj bashkie.
https://www.youtube.com/watch?app=desktop&v=lvXZ6Igmldo