Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dita e Europës dhe shqiptarët
E premte, 10.05.2024, 07:59 PM
DITA E EVROPËS, 2024 DHE SHQIPTARËT– GËZUAR DITËN E BASHKIMIT EVROPË, QOFTË EDHE PA SHQIPËRI E PA SHQIPTARË!
Nga
Frank Shkreli
9
Maji, 2024, shënon Ditën e Evropës, përvjetorin e Deklaratës Schuman (9 Maj,
1950), 74-vjet më parë, në bazë të cilës është themeluar Bashkimi Evropian (BE)
– enti politik dhe ekonomik evropian që njohim sot. Deklarata mban emrin e Robert Schuman, ish Ministrit
të Jashtëm të Francës dhe ish-Presidentit të Parlamentit Evropian, në bazë të
cilës, fillimisht, çoi në themelimin e një tregu të përbashkët për qymyrin dhe
çelikun evropian me qëllim për të “bërë të pamundur luftën nga pikëpamja
materiale”, por që më vonë e, gradualisht, kjo deklaratë çoi në një bashkim
politik dhe ekonomik më të gjërë. Vendet themeluese të këtij enti të ri politik
dhe ekonomik në kontinetin evropian ishin Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu
dhe Holanda që vendosën themelet e para të një organizate evropiane për një
paqë të qendrueshme dhe për një Evropë të bashkuar. Sot
BE
është një ent politiko-ekonomik prej 27 vendesh anëtare me privilegje dhe
përgjegjësi, sipas traktave në fuqi për antarësim.
Gëzuar
Ditën tënde të Bashkimit dhe Paqës, Evropë – qoftë edhe pa Shqipëri e pa
shqiptarë, në radhët tua. 74-vjetori i Deklaratës së Schumanit, 9 Maj, 2024,
për fat të keq, dhe për më shumë se një shekull tanimë, gjenë Shqipërinë,
Kosovën dhe shqiptarët, ndonëse me dy shtete në Ballkan, gjithnjë të izoluar
dhe të përjashtuar nga Evropa e Bashkuar.
Pothuaj, aq të izoluar e të përjashtuar nga Evropa ashtu si edhe
105-vjet më parë kur At Gjergj Fishta i Kombit shqiptar në Konferencën e Paqës
në Paris (1919) iu ishte drejtuar para-ardhësve përfaqsues të shteteve
evropiane -- “Evropës së qytetnueme” -- siç u është drejtuar ai atyre me pak
ironi në fjalimin e tij klasik mbi të drejtat e mohuara të Kombit shqiptar.
Në
Ditën e Evropës, 2024, po i kujtojmë “Evropës së Qytetënueme”, se 6 Maji shënoi
ditëlindjen e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve Gjergj Kastriotit -Skenderbe –
“Mbrojtësi i Qytetërimit Evropian” – i këtij qytetërimi që shumica e shteteve
evropiane gëzon sot, të bashkuar, të pavarur e të lirë, por pa bashkatdhetarët
modernë të Gjergj Kastriotit -Skenderbe në mesin tuaj, si pjesëtarë të këtij
bashkimi kombesh. “Mbrojtësit të Evropës”– bashkatdhetarët e të cilit i mbani,
sot e kësaj dite, jashtë dhe të përjashtuar nga radhët e bashkimit tuaj.
Megjithëse
kanë kaluar disa shekuj, ia vlen ndoshta që tu kujtojmë evropianëve modernë të
qytetëruar – në këtë ditë kushtuar Ditës së Evropës -- se ata e gëzojnë atë
qytetërim sot, fal fitoreve të Kryetrimit të shqiptarëve, Gjergj
Kastriotit-Skenderbe kundër perandorisë osmane që synonte pushtimin e Evropës
së asaj kohe – fitore të cilat kishin marrë namin anë e mbanë Evropës, duke e
cilësuar Skenderbeun si “Mbrojtësi i Evropës”, por që sot janë pothuaj janë
harruar nga evropianët modernë.
Mbrojtësi
i Evropës -- Me këtë emër, Evropa e njofti dhe e trajtoi gjatë historisë deri
në ditë e sotëme nepërmjet qindra sh në gjuhët kryesore evropiane, poema, filma
e monumente anë e mbanë kontinetit të vjetër.
Vetëm ditën e 6 majit, 2024, të pakën 5-6 monumente u ngritën anë e
mbanë Evropës, nga Italia, në Gjakovë e deri në Hungari, në nder e kujtim të
Gjergj Kastriotit, Mbrojtësit të Evropës dhe Prijsit të Shqiptarëve. “Fat i
vetëm për çdo burr të madh lufte dhe i rrallë për burrat më të mëdhej të çdo
kohe”, do të shprehej dikur, albanologu në zë, At Zef Valentini në një shkrim
për famën e Gjergj Kastriotit në Evropë.
Urime
pra, Evropë ditën tënde 2024, ditën e bashkimit e të paqës, qoftë edhe pa
Shqipëri e pa Shqiptarë në radhët tua, por me shpresën që në një të afërme jo
të largët, të hapësh portat tua për shqiptarët– porta të cilat Gjergj Kastrioti
-Skenderbeu i mbrojti nga hordhitë otomane në kohën e tij. Hapi portat sot
Evropë edhe për Shqipërinë, Kosovën e për Shqiptarët, “si një mundësi e meritim
që shqiptarët të jenë element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të
ndryshme”, të Evropës. (Papa Pali i VI –1968).
Shqiptarët
kanë dashur, historikisht dhe duan të jenë, aktualisht, pjesë e Evropës së
bashkuar e të lirë, jo vetëm gjeografikisht, anëtarë të Bashkimit Evropian –
pro-perëndimor me vlera, sjellje e kulturë, në shtëpinë e përbashkët të quajtur
Evropë.
Evropa
e bashkuar dhe e lirë, në këtë ditë, duhet të shfaq mirënjohjen e saj për
fitoret e Gjergj Kastriotit - Skenderbe, për sakrificat e rënda të shqiptarëve
gjatë historisë, në mbrojtje të dyerve të Evropës dhe qytetërimit evropian nga
sulmet e herë-pas-hershme nga perandoria osmane. Ndërsa, Gjergj Kastrioti-Skenderbe u tregon
shqiptarëve udhën që ata duhet të ndjekin drejtë integrimit të tyre në Evropën
e bashkuar e të lirë.
Në
Gjakovë
Në
Hungari