Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Nikki Haley i bashkohet Institutit Hudson
E shtune, 20.04.2024, 07:56 PM
NIKKI HALEY, ISH-GOVERNATORE, ISH-AMBASADORE, KANDIDATE DERI KOHËT E FUNDIT PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARA DHE “NUSJA SHQIPTARE” * I BASHKOHET INSTITUTIT TË NJOHUR KONSERVATIV “HUDSON” NË WASHINGTON
Nga
Frank Shkreli
Në
një njoftim për media ditën e henë, Instituti i njohur konservativ, Hudson, në
Washington tha se Nikki Haley, ish-governatore e shtetit Karolina e Jugut dhe
ish-ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara,
do i bashkohet këtij instituti amerikan në zë si promovues i politikave
konservative të mbrendshme dhe të jashtme si dhe i sigurisë kombëtare.
Në
njoftimin e Institutit Hudson me këtë rast citohet Nikki Haley të ketë thenë
duke pranuar emërimin, se “Kur politikanët tanë dështojnë të identifikojnë
armiqtë tanë si të tillë, ose kur dështojnë të vlerësojnë rëndësinë e aleancave
tona, atëherë bota është më pak e sigurt”, duke shtuar se “kjo është arsyeja se
pse puna e Institutit Hudson është aq e rëndësishme”, në këtë kohë. Instituti
Hudson, vazhdon të citohet ish-ambasadorja dhe ish-kandidatja për presidente,
“Beson se populli Amerikan duhet të ketë faktet për problemet dhe politikanët
duhet të gjejnë zgjidhjet, në mbështetje të një të ardhmjeje të sigurt, të lirë
dhe të begatë. Mezi pres që t’u bashkohem kolegëve në Istitutin Hudson, që në
parttneritet me ta, të mbrojmë parimet që e bejnë Amerikën vendin më të mirë në
botë”, është shprehur, Zonja Nikki Haley.
Ndërsa
Presidenti i Institutit Hudson, Z. John P. Walters e priti Zonjën Haley me
fjalë të ngrohta duke thenë se, “Nikki është një udhëheqse e sprovuar dhe
efektive si në fushën e politikës së brendshme ashtu edhe të politikës
ndërkombëtare. Në një periudhë ngjarjesh politike të pakontrollueshme dhe
konfliktesh, Nikki Haley ka vazhduar të jetë mbrojtëse e patundur e lirisë dhe
mbështetse e bindur dhe efektive e sigurisë dhe begatisë amerikane. Jemi
krenarë që ajo po i bashkohet Institutit Hudson”, ishin fjalët e Presidentit të
Institutit Hudson, duke mirëpritur Nikki Haley-n në radhët e këtij instituti
shkencor, një ndër më të njohurit,
botërisht. Në të kaluarën si edhe tani shumë personalitete të njohura të
politikës amerikane kanë qenë bashkpuntorë të Institutit Hudson, përfshiur
Henrz Kissingerin, ish-Zevendës presidentin Dan Quale, ish-Sekretarin Amerikan
të Shtetit Mike Ppmpeo e të tjerë.
Ambasadorja
Nikki R. Haley i bashkohet Institutit Hudson, një ent konservativ me fame
botërore që merret me politikat e brendshme dhe të jashtme të Shteteve të
Bashkuara
Gjatë
fushatës për president si kandidate e Partisë Republikane, Nikki Haley ka
promovuar një politikë të jashtme amerikane të fortë dhe vendimtare përball
krizave globale siç është lufta Rusi-Ukrainë, luftimet Izrael Hamas e të tjera
konflikte ndërkombëtare. Qendrimi i saj ishte në contrast të plotë me qendrimin
e ish-presidentit Donald Trump i cili kembëngulë për të mbajtur Shtetet e
Bashkuara jasht konflikteve ndërkombëtare. Ishte Shkurti i vitit që kaloi, kur
Zonja Haley shpalli kandidaturën e saj për presidente të Shteteve të Bashkuara,
por në fillim të muajit që kaloi ajo njoftoi anullimin e fushatës së saj për
detyrën numër një në vend – pasi në përballim me ish-Presidentin Trump, ajo
humbi 14 nga 15 zgjedhjet në shtetet që mbajtën votime në të ashtuquajturën
“super Tuesday”, në fillim të Marsit.
Megjithkëtë, sipas njoftimeve në media, Nikki Haley është shprehur se
ndonëse anulloi fushatën e saj si kandidate e Partisë Republikane për
President, ajo nuk e ka ndër mend të heshtë në lidhje me çështje të rëndësishme
të politikës së brendshme e të jashtme dhe sigurisë kombëtare.
Siç
duket, Haley ka zgjedhur si platformë institutin e njohur Hudson në Washington
për të vazhduar të “përdor zërin e saj për të folur në mbështetje të çeshtjeve
me rëndësi, në të cilat ajo beson”, siç është shprehur ajo me rastin e
anullimit të fushatës për president fillim muajin e kaluar. Deri më tani, Zonja
Haley nuk ka mbështetur Z. Donald Trump, kandidat i Partisë Republikane për president.
*“Nusja
Shqiptare” – Nikki Haley ka thenë më heret në takime me grupe
shqiptaro-amerikanësh, kur ajo shërbente në Nju Jork se ajo është e martuar me
një biznesmen amerikan me origjinë shqiptare. Në atë kohë ajo është angazhuar,
publikisht, duke premtuar se do të punonte për rritjen e numrit të njohjeve --
nga vendet anëtare të OKB-së -- të Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i
pavarur.
Nikki
Haley me bashkshortin Michael, në ditën e inaugurimit të saj si governatore e
shtetit Karolina e Jugut, 2015.