Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Zef Pllumi – Bashkoni fuqitë mendore për të mirën e përbashkët
E merkure, 10.04.2024, 07:59 PM
AT ZEF PLLUMI THIRRJE INTELEKTUALËVE SHQIPTARË –
BASHKONI
FUQITË MENDORE PËR TË MIRËN E PËRBASHKËT
Në
100-vjetorin e lindjes
Nga
Frank Shkreli
Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe
nepërmjet korrespondetit Pëllumb Sulo në Shkodër njoftoi se ditën e henë u
mbajt në Lezhë edicioni i 8-të i çmimeve të konkursit mbarëkombëtar për
letërsinë, “At Zef Pllumi”. VOA shqip transmetoi se këtë vit konkursi në Lezhë
përkoi me 100 vjetorin e lindjes së françeskanit At Zef Pllumi, autorit të
librit, kryevepra e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, më e njohura ndër veprat
dhe shkrimet e shumta të At Zefit. At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin
e Rencit në Shëngjin të Lezhë në një familje me origjinë nga Shkreli i Malësisë
së Madhe Në konkurs u paraqitën veprat e 28 shkrimtarëve dhe intelektualëve në
kategori të ndryshme, sipas Zërit të Amerikës.
Siç dihet, At Zef Pllumi – si edhe
shumë bashkvëllezer ndët më të mirë e klerit katolikë shqiptar – ka kaluar një
jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica. Prandaj, është shumë me
vend që At Zef Pllumi kujtohet në këso rastesh e përvjetorësh. Ai ishte dhe
mbetet ndërgjegja e Kombit që edhe sot – nepërmjet veprave dhe shkrimeve të
tija lënë pas -- flet dhe dëshmon për krimet e diktaturës sllavo-komuniste në
Shqipëri kundër popullit të vet për pothuaj gjysëm shekulli. Ai gjithnjë flet me
bindje e fakte, me kujtesë, largpamësi dhe këshilla për të tashmen dhe për të
ardhmen e shqiptarëve.
I pyetur me një rast se çfarë këshillash
i jepte popullit shqiptar, At Zef Pllumi është përgjigjur: E porosis për tri gjëra, është përgjigjur
françeskani shqiptar: “Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë
shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni…Kjo ashtë porosia e kjo ashtë përshndetja
për të gjithë popullin shqiptar”, është shprehur frati shqiptar, para se të
ndërronte jetë. Është kjo një thirrje
aktuale e At Zef Pllumit për të gjitha kohërat dhe për të gjithë brezat e
shqiptarëve – dashuria për njëri tjetrin!
Është kjo një thirrje që At Zef Pllumi e bënte, vazhdimisht, sa ishte
gjallë dhe një mesazh drejtuar bashk-kombasve të vet, e që ai e ka theksuar,
vazhdimisht, pothuaj në të gjitha veprat, shkrimet, deklaratat dhe intervistat,
që prej lirimit të tij nga burgjet dhe kampet e regjimit diktatorial komunist
të Enver Hoxhës, me 4 Nëntor, 1989. Është ky një mesazh që ai e ka theksuar shpesh
duke dëshmuar të kaluarën e hidhët, por gjithmonë duke shikuar nga e ardhmja e
Kombit shqiptar – mesazhe e thirrje që ai u ka bërë shpesh, sidomos,
intelektualëve shqiptarë – që pas periudhës së gjatë e të errët të komunizmit,
të bashkojnë, më në fund, “Jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat
për atë idealin e përbashkët që, sot për sot, ashtë vetëm Progresi i Kombit”.
Pas shembjes së Murit të Berlinit, në
muajin Maj të vitit 1993, është promovuar ribotimi i numrit të parë i revistës
së famshme të para luftës të françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”. Në një ceremoni të rastit në Kuvendin Françeskan
ku merrnin pjesë një numër i madh bashkëpunëtorësh, të rinj e të vjetër, të
kësaj reviste të famshme, përshfirë studiues të kulturës, artistë, gazetarë,
intelektualë të fushave të ndryshme, botues dhe të tjerë, At Zef Pllumi,
përshëndeti ribotimin e revistës së famshme shqiptare, Hylli i Dritës. Duke shikuar nga e ardhmja e Shqipërisë
post-komuniste dhe e Kombit shqiptar -- në traditën më të mirë patriotike dhe
atdhetare të françeskanëve shqiptarë për dashurinë ndaj Kombit dhe kulturës
shqiptare, At Zef Pllumi iu drejtua intelektualëve shqiptarë me këtë porosi për
klasën intelektuale shqiptare, e cila fatkeqësisht mbetet edhe sot e kësaj dite
pa u realizuar. Nuk e di nëse intelektualët nga e gjithë Shqipëria të mbledhur
në Lezhë
Ditën e henë për të marrë pjesë në
edicionin e 8-të të çmimeve të konkursit mbarëkombëtar për letërsinë, “At Zef
Pllumi”, menduan fare për porosinë e At Zef Pllumit drejtuar intelektualëve të
Kombit shqiptar, më 1993, që intelektualët
shqiptarë të bashkojnë jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemërat për atë
ideal të përbashkët, që sot për sot, ashtë vetëm Progresi i Kombit, sipas
porosisë së At Pllumit.
“Miq të nderuem, falë
mëshirës së Zotit ia mbërritem kësaj dite. Nata që kaluem qe e gjatë dhe e
vështirë. Liria që u fitue duhet të bije edhe dritën” filloi At Zef Pllumi
fjalën drejtuar intelektualëve shqiptarë të mbledhur aty dhe vazhdoi: “Sot po
jepet rasti, përsëri mbas sa vitesh që bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës” të
japin kontributin e vet në kulturën shqiptare me aq dritë sa mund të lëshojë nji
yllë. Por, ndërkaq urojmë që kultura shqiptare nesër të ndrisë si diell”, ka
shtuar ai, duke nënvizuar optimizmin e tij për të ardhmen. “E ky diell jo vetëm
do të ndrisë, por edhe do të ngrohë të gjithë popullin, në qoftë se
intelektualët shqiptarë kanë me i
bashkue, jo vetëm fuqitë
e veta mendore, por edhe zemërat për atë ideal të përbashkët, që sot për sot
ashtë vetëm, “Progresi i Kombit”- është shprehur frati i Malësisë dhe i gjithë
Shqipërisë. “Ky progres duhet të jetë i gjithanshëm, jo vetëm ekonomik – po ma
tepër mendor, shoqënor dhe kulturor”, ndërkohë që At Zefi theksoi se, “Mendoj
se duhet t’u kujtoj intelektualëve shqiptarë se sado shkencë që të kenë, sado
dije dhe erudicion që të përhapin, kurrë nuk do të mbërijmë në atë nivel
kulturor që na duhet – po nuk patëm dashninë për njani tjetrin. Në rast se
mungon dashunia”, ka theksuar At Zefi. “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim.
Dhe në qoftë se edhe ky do të mungojë, atëherë do t’i referohemi virtytit
të tolerancës. Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë. Xhahillëku ashtë
shkatërrimi i Kombit. Në qoftë se nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don
me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe
liria e mendimit – praktikisht mbërrijmë në përfundimin se nuk duem as Kombin,
as Atdheun”, është shprehur At Zef Pllumi. Ai ka përfunduar fjalën e tij të
shkurtër me atë rast duke u bërë thirrje intelektualëve shqiptarë – që nga
tubimi në Kuvendin e Françeskanëve, në maj të vitit 1993, një Kuvend që sipas
tij përfaqëson shumë rryma të mendimit të lirë shqiptar të – “Marrin shembull
konkret për atë bashkëpunim të inteligjencës shqiptare, që duhet
t’i prijë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë
të Progresit Kombëtar.” (At Zef Pllumi, Hylli i Dritës 2-3, Tiranë,
1993).
Porosia e At Zef Pllumit
në 100-vjetorin e lindjes së tij që i drejtohet edhe sot klasës intelektuale të shqiptarëve, për
bashkpunim, mirëkuptim dhe tolerancë – është më aktuale se kurrë. Është një
thirrje që intelektualët shqiptarë si grup – gjë që nuk ka ndodhur deri tani,
për fat të keq – të bashkojnë fuqitë mendore e intelektuale, me mendje e zemër të
punojnë dhe t[ veprojnë së bashku për të mirën e përbashkët, ashtuqë të jenë
edhe shembull i politikës, duke lëshuar sadopak dritë në rrugën e vështirë tranzicionit
politik drejtë përparimit të Kombit shqiptar. Konfliktet dhe grindjet në jetën
politike, shoqërore dhe intelektuale ndër shqiptarët nuk durohen më. Ato po e
çojnë Shqipërinë dhe shqiptarët drejtë një gremine të pafund, si shtet dhe si
komb. “Shamjet dhe fyemjet nuk i përmban asnji kod njerëzor: janë arma e të
mundurit, e atij që nuk ia del me anë të logjikës të përqafojë fitoren: shamja
e fyemja janë dhunë!”, na porosit At Zef Pllumi në 100-vjetorin e lindjes.