Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Marjana Bulku - Një Jetë Disa Histori
E merkure, 15.05.2024, 08:20 PM
MARJANA
BULKU - NJË JETË DISA HISTORI
“Një
jetë me dinjitet i ndriçon historitë personale duke i shndërruar ato në
universale”
Nga
Frank Shkreli
Ditën
e shtunë me 18 Maj në ora 1:00 pas dreke do mbahet promovimi i librit “Një Jetë
Disa Histori” me autor Marjana Bulku në sallën e “Producers Club Theatres” në
zemër të Manhatanit në Nju Jork. Ndonëse i ftuar nga Zonja Bulku për të marrë
pjesë në promovimin e veprës së saj më të fundit – për arsye familjare -- nuk
mund të marr pjesë – në këtë rast gëzimi e shpërblimi për kolegën, gazetarën
dhe publicistën e njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjërë. I
kërkoj ndjesë Marjanës për mos pjesëmarrjen time, por nuk mund t’i iksha
përgjegjësisë profesionale që të mos i them dy tre fjalë me rastin e promovimit
të kësaj vepre publicistike të kolegës tonë të nderuar.
Libri
i autores Marjana Bulku, "Një jetë disa histori" është një botim
publicistik me intervista, profile shqiptaro-amerikanësh, esse dhe refleksione
letraro-gazetareske të autores. Ky publikim ka si qëllim të sjellë bashkë
individualitete shqiptare të cilat udhëve të integrimit kalojnë, përvoja dhe
sfida të përbashkëta, shumë prej të cilave janë iluminuese për të tjerët sot
dhe nesër, thuhet në njoftimin e botuesit.
“Shqiptarët
e Amerikës janë një galeri e pasur kulturore, historike, akademike, politike e
tjera…” shprehet autorja në parathënjen e librit “Një Jetë Disa Histori”,
ndërsa shton se vendosi të krijojë këtë “muzeum” të disa prej
shqiptaro-amerikanëve, intervistat dhe profilet e cilëve përfshihen në këtë
vepër, emra të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe më
gjërë. Por, autorja shprehet se qëllimi i saj me këtë botim, është diçka që
shkon përtej emrave të përveçëm të pasqyruar këtu. Ajo pretendon se përtej
emrave, në komunitetin shqiptaro-amerikan ekziston një “galeri e pasur vlerash
dhe kontributesh, projektesh ambicioze, botime e shkrime, takime e ngjarje të
cilat gjejnë gjurmë jo vetëm pse ndodhin
në kontinentin e demokracisë ku hedh sytë dhe ëndërrat shpresa e tërë botës por
sepse sejcila prej historive mbart kaq shumë sakrifica dhe përpjekjet, e madje
edhe sukses…”.
E
vërteta është se personalitetet shqiptaro-amerikane të pasqyruara në këtë
vëllimin “Një Jetë Disa Histori”, të autores Marjana Bulku janë vetëm disa prej
shumë të tjerëve -- personalitete shqiptaro-amerikane, dashamirë të vlerave dhe
veprave të dobishme por edhe të bukura për botën tonë amerikane dhe shqiptare.
Merita
e Zonjës Bulku me botimin e këtij libri është se ajo pasqyron disa prej
shqiptaro-amerikanëve që ajo ka menduar se me zgjuarsinë dhe me vullnetin e
punës së tyre këtu në Shtetet e Bashkuara janë dalluar në jetën amerikane ku na
ka hedhur fati. Disa para më shumë se një gjysëm shekulli dhe të tjerët të
ardhur më vonë. Persona të cilët me punën e tyre në jetën e përditshme
amerikane dhe në komunitetin tonë këtu, por edhe para të huajve – secili në atë
mënyrën dhe fushën e vet -- japin prova të aftësisë krijuese dhe prodhuese të
racës shqiptare jashtë trojeve arbërore – shpesh nën rrethana jo të kollajta.
Këta
janë njerëz modestë, shumë prej të cilëve i njoh edhe personalisht, të cilët
duhen admiruar dhe që meritojnë mirënjohje prej të gjithë neve,
shqiptaro-amerikanë, që me jetën dhe veprimtarinë e tyre “kanë ndikuar, përmes
historive të tyre, në historinë tonë të përbashkët kombëtare.”
Si
të tillë, këtyre bashkombasve tanë të përzgjedhur “me shumë kujdes”, sipas
autores, si komunitet duhet tu rrimë afër, t’i mbështesim dhe t’i inkurajojmë,
sidomos këta të brezit të ri, kur, sipas mundësive, veprat e tyre e nganjiherë
edhe jeta i kushtohet çeshtjes kombëtare, mbi dhe përtej punëve të përditshme
që bëjnë, për të mbajtur familjet e veta në këtë vend.
Si
shpërblim, në minimum, të gjithë e kemi për detyrë të përfillim nismat e tyre
në dobi komunitetit dhe të çeshtjes së përgjithshme kombëtare megjithse larg
atdheut.
T’i
ndihmojmë dhe t’i nxisim ata që të ushtrojnë profesionet e tyre, përherë e më
shumë e më mirë, sidomos edhe në fushën e vlerave dhe të lulëzimeve
shpirtërore, kulturore e kombëtare në këtë oqean të madh që e quajmë Amerikën
tonë të dashur.
Të
admirojmë punën e tyre të fituar me përvojë e mundime e shpesh, fatbardhësisht,
të kurorzëuar me sukses.
Marjana
Bulku, me librin më të ri të saj, “Një Jetë Disa Histori”, bën pikërisht këtë
shërbim. Një botim me vend dhe në kohën e duhur rrëfimesh nepërmjet pyetjesh
shumë dimensionale në lami të ndryshme, mbi jetën dhe veprimtarinë e disa
shqiptaro-amerikanëve, duke paraqitur, nepërmjet tyre, me shumë hijeshi
shprehëse, fuqitë krijuese të racës shqiptare, qoftë edhe këtu në mërgimin e largët.
Duke rritur kështu, njëkohësisht, edhe pasuritë dhe vlerat kombëtare në dobi të
të mirës së përbashkët – duke qenë të bindur se fjala dhe kultura e lirë, jo
vetëm kontribojnën si mjet lartësimi personal e kombëtar, por nganjëherë mund
të jetë edhe më e fortë se pushka.
Më
në fund, dua të shprehi kënaqësinë time kur vërej se personat e intervistuar
ose të profilizuar në këtë vëllim të “Një Jetë dhe Disa Historive” në mërgim,
pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan – përfshir në një hark individësh të
përzgjedhur nga autorja, por që janë me prejardhje nga viset dhe krahinat më të
ndryshme të trojeve shqiptare – të mërgatës së vjetër anti-komuniste dhe të
mërgatës së pas 90-ave.
Natyrisht,
se kjo tregon paanshmërinë krahinore balancuese të autores, viktimë e të cilës
mund të biem shpesh edhe shumë prej nesh. Mbi të gjitha, autorja njëkohësisht,
dëshmon me këtë vepër, pa paragjykime, se trunku i fisit arbëror, qoftë edhe
këtu në mërgim e larg Atdheut -- shpesh në rrethana jo të volitshme veprimtarie
plot sfida -- gjithnjë ushqehet në rrënjë të gjalla të veprimtarisë së vet, që
madje as mërgimi dhe jeta moderne e shekullit XXI, në këtë shtet-planet, nuk
mund t’i thajë ato. Prandej, le ta
konsiderojmë veprën e autores Marjana Bulku “Një Jetë Disa Histori”, si një
pasqyrë e përkushtimit dhe përpjekjeve të disa antarëve të komunitetit
shqiptaro-amerikan për të ecur përpara, duke ia kushtuar ngritjes së Kombit,
dijen dhe pendën.
Urimet
më të përzemërta autores për këtë vepër që pasqyron disa prej zërave shqiptaro-amerikanë
në fushë të ndryshme të veprimtarive të tyre. Urojmë edhe vepra të tjera nga
autorja e “Një Jetë Disa Histori”, në zbardhjen e arritjeve të komunitetit.
Le
të jetë ky libër i Zonjës Bulku edhe një dëshmi mirënjohejeje e kontributeve të
jetës dhe veprimtarisë së disa shqiptaro-amerikanëve dhe promovimi të shërbejë,
njëkohsisht, edhe si nxitje për brezin e ri të shqiptaro-amerikanëve që të
aktivizohen – me pendë dhe me vepra,
aktivitete të ndryshme të komunitetit ku jetojnë, duke sjellur histori
të reja në të mirë të komunitetit më të gjërë shqiptaro-amerikan dhe në interes
të Kombit – në këtë vend të lirisë e demokracisë.
Urimet
e mia autores Bulku dhe sukses në ndërmarrjen bujare të saj -- për të qitë në
dritë, për aq sa është e mundur, nepërmjet historive individuale --
veprimtaritë e komunitetit shqiptaro-amerikan të Nju Jorkut me rrethe, por jo
vetëm, gjatë viteve dhe dekadave të kaluara.