Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Wilsoni, Fishta, Noli dhe aktualiteti politik në Shqipëri
E enjte, 04.07.2024, 07:57 PM
105-VJETORI I KONFERENCËS SË PAQËS: WILSONI, FISHTA, NOLI
DHE
AKTUALITETI POLITIK NË SHQIPËRI
Nga
Frank Shkreli
Ky
vit shënon 105-vjetorin e Konferencës së Paqes që filloi në Paris në janar të
vitit 1919 dhe që kulmoi me nënshkrimin e Traktatit të Versajës, më 28 qershor,
1919. Lufta e Parë Botërore kishte marrë fund në nëntor të vitit 1918, por
përfundoi zyrtarisht me nënshkrimin e Traktatit të Parisit qershorin e vitit
1919.
Janë
dy arsye që shqiptarët duhet ta kujtojmë këtë përvjetor: Një, është roli i presidentit
të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilsonit, si përfundim i
takimit të Fan Nolit me ish-presidentin amerikan, para se Wilsoni të nisej për
të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe arsyeja tjetër është
pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në atë konferencë, përfshirë At Gjergj
Fishtën. Ky 105-vjetor shënon fjalimin
historik të At Gjergj Fishtës mbi të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta
autoktone -- një fjalim ky, që deri më sot, as Evropa as bota nuk kanë dëgjuar
një fjalim të tillë mbi “Shqiptarët dhe të Drejtat e tyre”, nga asnjë
përfaqësues tjetër shqiptar – as në nivel kombëtar as në ndonjë konferencë
ndërkombëtare – gjatë 105-viteve të kaluara.
“Një
zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të
Shqipërisë.” Presidenti Wilson ishte i
pari president i Shteteve të Bashkuara, i cili në politikën e jashtme amerikane
të kohës, ka theksuar rolin ndërkombëtar si mjet për krijimin e një rregulli të
ri botëror, ndërkohë që kishte shpallur hyrjen e Amerikës në Luftën e Parë
Botërore, si një përpjekje – sipas tij – për të bërë botën, “të sigurt për
demokracinë”. Ndërhyrja amerikane bëri
që lufta të përfundonte në favor të aleatëve dhe janarin e vitit 1918. Administrata
e Wilsonit i paraqiti Kongresit të Shteteve të Bashkuara, objektivat amerikane
të përfundimit të luftës, duke njoftuar, “14 Pikat”. Në bazë të njërës prej këtyre pikave, me
mbarimin e luftës do të krijohej Lidhja e Kombeve, në bazë të së cilës, të
gjitha kombet – të mëdha e të vogla – do të gëzonin garanci të përbashkëta për
pavarësinë politike dhe integritetin territorial të tyre.
Fan
Noli ishte takuar me Presidentin Wilson, para se presidenti amerikan të shkonte
në Paris për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Noli ishte i bindur se
Shqipëria, në personin e Wilsonit, kishte një mbështetës të fortë. Në një
fjalim të vitit 1918 botuar në gazetën Dielli, me titull, “Borxhi që Shqipëria
i ka Amerikës”, Peshkop Noli shpreh bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara do të
përkrahnin pavarësinë e Shqipërisë. Duke shprehur besimin se Amerika do të
dilte fituese dhe se fitorja e Amerikës, sipas Nolit, do të ishte edhe një
triumf për demokracinë anë e mbanë botës.
Noli
për takimin e tij me Wilsonin: “Unë kam pasur nderin të takoj këtë njëri të
madh, me një rast historik.”
Ai
ishte i patundur në besimin e tij se kushtet e paqes do të vendoseshin, sipas
Nolit, nga “Një arbitër i botës, i cili është i drejtë, d.m.th., nga presidenti
Woodrow Wilson”, ka thënë Noli, duke theksuar: “Kushtet e tija njihen mirë prej
të gjithëve… që secili popull duhet të ketë të drejtën të zgjedhë vetë
sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë”.
Në shkrimet e tija, Noli ka rrëfyer se Presidenti Wilson kishte ftuar me
një rast, përfaqësues të grupeve etnike, përfshirë edhe Nolin si përfaqësues
i komunitetit shqiptaro-amerikan, për t’u takuar me presidentin Wilson në Mount
Vernon, jo larg kryeqytetit amerikan.
Duke u kthyer nga Mount Vernon për në Washington, Noli kujton se, iu
afrua presidentit Wilson për t’i folur për hallet e Kombit shqiptar duke i bërë
apel Wilsonit që, të “shpëtojë një racë heroike por të pa-mbrojtur”. Sipas
Peshkop Nolit, Presidenti amerikan Wilson u përgjigj pa hezitim: “Unë do të kem
një zë në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të
Shqipërisë.” Sot e dijmë se ashtu edhe
ndodhi, megjithëse kërcënimet ndaj Shqipërisë dhe territorit të saj, nga
fqinjët grabitqarë, nuk pushuan as pas Konferencës së Paqes.
Gjendja
politike në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore ishte tepër e paqartë. Fqinjët
e saj, serbët, grekët dhe italianët mezi prisnin të ndanin copa-copa, mes tyre,
Shqipërinë. Në të vërtetë, përfaqësuesit diplomatikë të fuqive të mëdha
evropiane kishin rënë dakord që Shqipëria të ndahej duke i dhënë nga një pjesë
të saj, Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë.
Kjo marrëveshje u arrit pa i pyetur shqiptarët dhe pa marrë parasysh
dëshirat e Shqiptarëve, por dhe në mungesë të kryenegociatorit diplomatik
amerikan në atë konferencë. Por një vit më vonë, Kongresi i Lushnjës, në Janar
të vitit 1920, vendosmërisht hodhi poshtë marrëveshjen e armiqve të shqiptarëve
për të ndarë midis tyre Shqipërinë, copa copa, sikur të ishte plaçkë, ndërsa u
paralajmëruan fqinjët dhe Evropa se shqiptarët do të luftonin në mbrojtje të
integritetit territorial të vendit.
Në
atë atmosferë pasigurie për Shqipërinë dhe për shqiptarët, në Mars të vitit
1920, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Wilson ndërhyri për të bllokuar
zbatimin e marrëveshjes anti-shqiptare të Parisit dhe menjëherë vendosi të
pranonte përfaqësuesin diplomatik shqiptar në Washington, duke afirmuar, në
këtë mënyrë, mbështetjen e Amerikës për pavarësinë e Shqipërisë. Ndërsa, nga
fundi i atij viti, Lidhja e Kombeve njohu sovranitetin territorial të
Shqipërisë, duke e pranuar atë si anëtare të plotë të organizatës botërore,
megjithëse fatkeqësisht me kufij të cunguar e të sakatuar. Prandaj, në këtë 105-vjetor të Marrëveshjes
së Paqes në Paris, me 28 qershor, 1919 -- megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë
-- të kujtojmë rolin e Woodrow Wilsonit, këtij burrështetasi të madh amerikan,
zëri i të cilit, në Konferencën e Parisit ishte vendimtar për ruajtjen e
pavarësisë së Shqipërisë, por jo vetëm.
Të kujtojmë, gjithashtu edhe Fan Nolin, për kontributin e tij, siç ka thënë
edhe vet, “Për kauzën njerëzore dhe qytetërimin botëror, me aqë sa kemi
mundësi.”
Gazetari,
shkrimtari dhe historiani Ilir Ikonomi në librin e tij të fundit, “Fan Noli
Apostulli, Vëllimi i Parë”, shkruan, se para se Wilsoni të nisej për në Paris,
me 4 dhjetor, 1918, Arkimandrit Fan Noli me priftërinjt e tjerë ortodoksë
shqiptarë u mblodhën në Boston dhe hartuan një memorandum ku, sipas Ikonomit,
argumentonin se pse Shqipëria duhej të ishte shtet i pavarur, me qëllim “që të
hidheshin poshtë pretendimet e epirotëve se të krishterët ortodoksë shqiptarë
duan bashkim me Greqinë.” (Ilir Ikonomi,
Fan Noli, Apostulli, Vëllimi i Parë, faqe 353). “Shqiptarët thuhej në
Memorandum nuk pretendojnë të jenë aq të përparuar e të rafinuar sa kombet
perëndimore të Evropës, por ata me të drejtë nuk durojnë asnjë insinuatë se
qëndrojnë më poshtë se çdo komb tjetër ballkanik…Kleri katolik në Shqipërinë e
veriut i përbërë nga dy kryepeshkopë, katër peshkopë dhe mbi 300 priftërinjë
është më i shkolluari në të gjithë Ballkanin…shqiptarët në më pak se 30 vjet
dhe në rrethanat më të vështira e kanë kultivuar gjuhën e tyre dhe kanë nxjerrë
poetë e shrimtarë të fuqishëm, si At Gjergj Fishta, Andon Zako dhe Faik bej
Konica, me të cilët nuk mund të krahasohet dot asnjë autor modern i Ballkanit”. (Ilir Ikonomi, Fan Noli, Apostulli, Vëllimi i
Parë, faqe 353).
Të
kujtojmë me këtë rast pra edhe At Gjergj Fishtën, i cili si anëtar i
delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, 105-vjet më parë mbajti
fjalimin historik – para përfaqësuesve të disa vendeve më armiqësore të kohës
ndaj interesave shqiptare — që mbetet sot e kësaj dite si ndër fjalimet -- në
mos fjalimi më klasik në oratorinë shqiptare mbi, “Shqiptarët dhe të Drejtat e
tyre”.
Është
ironik fakti se 105-vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, kur Shqipërisë i
kërcënoheshin rreziqe të shumta nga armiqtë e jashtëm – sot rreziku më serioz
që i kanoset Shqipërisë – siç e ka cilësuar edhe Gjergj Fishta – është dhe
mbetet edhe mbi tre dekada
post-komunizëm zyrtar -- “Rreziku i Përmbrendshëm”, megjithëse, ashtu si në
kohën e Fishtës: “Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të
vetin, ka nji ushtri, nji financë, e ma tepër, ka nji vijë kufijsh të njoftme
ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se
Shqypnia ashtë e lirë dhe e pamvarun”.
Është
ironik fakti se 105-vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, kur Shqipërisë i
kërcënoheshin rreziqe të shumta nga armiqtë e jashtëm – sot rreziku më serioz
që i kanoset Shqipërisë – siç e ka cilësuar edhe Gjergj Fishta – është dhe
mbetet edhe mbi tre dekada
post-komunizëm zyrtar -- “Rreziku i Përmbrendshëm”, megjithëse, ashtu si në
kohën e Fishtës: “Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të
vetin, ka nji ushtri, nji financë, e ma tepër, ka nji vijë kufijsh të njoftme
ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se
Shqypnia ashtë e lirë dhe e pamvarun”.
Por,
për fat të keq, edhe sot, kur kufijtë e Shqipërisë janë të sigurt, falë
aleancave ndërkombëtare siç është anatarësimi në NATO dhe në organizata të tjera
ndërkombëtare të sigurisë së përbashkët, rreziku më i madh ndaj interesave
kombëtare të shqiptarëve, vazhdon të jetë, “rreziku i përbrendshëm”, si pasojë
e konflikteve të brendshme aktuale politike, për të cilin ka paralajmëruar
dikur At Gjergj Fishta, e që tingëllon aq aktual edhe sot. Ndonëse dikur ishin
fuqitë armike ato që kërcënonin interesat kombëtare e territoriale të
Shqipërisë, sipas Gjergj Fishtës, janë vet shqiptarët, pikërisht, ata që
përbëjnë rrezikun më të madh ndaj interesave afat-shkurta dhe afatgjata të
Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
“Bota
duhet të bëhet e sigurt për demokracinë. Paqeja në botë duhet t’u besohet
themeleve të besueshme të lirisë politike.” Woodrow Wilson