E marte, 23.07.2024, 09:17 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Edhe të mundur ata triumfuan mbi të keqen

E hene, 08.07.2024, 07:56 PM


VINCI, VINCIMUS – EDHE TË MUNDUR ATA TRIUMFUAN MBI TË KEQEN

Në Shkodër përurohet busti i Kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqi

Nga Frank Shkreli

“Ata”, idetë e të cilëve triumfuan kundër së keqës, ishin mijëra e mijëra të pushkaktuarit, të persekutuarit, të burgosurit e të përndjekurit, të vuajturit nepër kampe komuniste të përqendrimit, me dekada, siç ishte Kardinal Mikel Koliqi. I dënuar tri herë për pothuaj 40-vjet burg e kampe pune, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – por i mbijetuar i atij regjimi barbar, që robëroi një popull të tërë për pothuaj gjysëm shekulli, ndërsa zhduki nga faqja e dheut ajkën intelektuale shqiptare -- mijëra kundërshtarë të atij regjimi – ndër më të mirët e Kombit.  Por, megjithë vuajtjet e mundimet, idetë e tyre për një Shqipëri të lirë e demokratike, pro-perendimore, triumfuan, më në fund, kundër të keqës së shekullit XX: komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik -- dhe regjimit barbar të Enver Hoxhës -- pjellë e keqe e të cilit ishte komunizmi shqiptar.

Një ndër këta të mbijetuar të regjimit komunist në Shqipëri, pra, ishte edhe Mikel Koliqi – i emëruar kardinali i parë shqiptar nga Papa Gjon Pali i II, me 26 Nentor të vitit 1994, në Vatikan – “një prift sy pa trembur dhe heroik”, i dalluar për vepra të larta trimërie dhe vetmohimi, citim i Papa Gjon Palit II, nga nekrologjia e gazetës së njohur amerikane, Nju Jork Tajms, me rastin e kalimit në amshim të Kardinalit shqiptar, në moshën 94-vjeçare, me 28 Janar,1997.  Mikel Cardinal Koliqi of Albania Dies at 94 - The New York Times (nytimes.com)

Ndërkaq, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, nepërmjet korrespondetit të saj Pëllumb Sulo, njoftoi nga Shkodra se “Në këtë 30 vjetor të shpalljes së Kardinalit të parë shqiptar Mikel Koliqi, mbrëmjen e së shtunës, në sheshin përpara Arqipeshkvisë dhe Famullisë, “Zoja e Shkodrës” në Shkodër, u vendos busti i tij, vepër e skulptorit Pjerin Kolnika.”

Gjithashtu, Zëri i Amerikës transmeton nga Shkodra se, në atë ceremoni përuruese ditën e shtunë, mori pjesë Arqipeshkvi i Shkodër- Pultit, imzot Angelo Masafra dhe historiania Nevila Nika. Ata vlerësuan “Kardinal Koliqin si një ndër figurat më të shquara të Kishës Katolike Shqiptare, njeriu që u bë simbol i vuajtjeve dhe persekutimit gjatë diktaturës komuniste, klerik katolik, muzikolog dhe publicist, që u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie, vite këto që i kaloi në burgjet dhe kampet e punës të regjimit komunist”, theksohet në lajmin përmbledhës të ceremonisë, njoftoi Zëri i Amerikës nga Shkodra.

Kardinal Mikel Koliqi midis Papa Gjon Palit të II dhe Mons Rrok Mirdita, ish-Kryeipeshkvit të Tiranë-Durrësit

“Kardinali Mikel Koliqi ndër figurat më të ndritura të Kishës Katolike Shqiptare -- simbol i persekutimit të katolikëve dhe i popullit shqiptar gjatë regjimit komunist”, është shprehur Arkipeshkvi Shkodër-Pult, Angjello Massafra, në fjalën e tij gjatë përurimit të bustit të shtunën që kaloi në Shkodër. “Dëshmitar i gjakut të martirëve derdhur për fe e Atdhe nën rrethana rrënqethse e tejet tragjike në diktaturën komuniste, ateiste në Shqipëri. Jeta dhe vepra e Kardinal Koliqit ishte dhe është për të gjithë shqiptarët shembull i testamentit shpirtëror e kombëtar. Pra, një udhërrëfyes për të gjithë ne se si duhet punuar, të bashkuar në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendit dhe me një përkushtim me përvujtëri duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore, shpirtërore, kulturore e kombëtare e fetare”, përfundoi fjalën e tij vlerësuese për jetën dhe veprimtarinë e Kardinal Mikel Koliqit, Arkipeshkvi i Shkodër-Pultit, Angjello Massafra.  Kjo ceremoni në Shkodër kushtuar përurimit të bustit të një prej klerikëve më të vuajtur nga regjimi komunist dhe më të njohur të Kishës Katolike Shqiptare, njëkohësisht, edhe vëllai i Poetit e shkrimtarit të madh Ernest Koliqit, i cili ka vdekur në mërgim si kundërshtar i komunizmit, na bën të besojmë se gjithçka në këtë botë, ndryshon e përtrihet dhe se e mira, kryesisht, triumfon mbi të keqën.

Kujt do ia merrte mendja, para shembjes së Murit të Berlinit, se pas pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm, në Shkodër – në qytetin e “muzeut të ateizmit” dikurë, do ndërtohej busti i Kardinalit Mikel Koliqi, pjesëtarit të një prej familjeve më të njohura anti-komuniste në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë.

Kjo ceremoni e mirëseardhur -- ndonëse e vonuar dhe jo e plotë në shumë aspekte, e të shtunës që kaloi -- tregon se brezat e shqiptarëve, heronjtë e vet, të vërtetë do i nderojnë dhe respektojnë ndër shekuj, ndërsa diktatorët barbarë të gjitha ngjyrave, sidomos ata komunistë – do harrohen dhe e vërteta historike, do të triumfojë, gjithashtu, heret ose vonë. Urojmë dhe shpresojmë që kujtimi i heronjve të vërtetë të Kombit, siç është kujtesa nepërmjet ndërtimit të bustit të Kardinal Mikel Koliqit në Shkodër – do të frymëzojë brezat e ardhëshëm të shqiptarëve për një bashkim dhe bashkpunim më të mirë kombëtar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora