Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në 25-Vjetorin e Zërit të Amerikës – 13 Maj, 1976
E merkure, 31.07.2024, 07:59 PM
NGA HISTORIA E MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQPTARE
Në
25-Vjetorin e Zërit të Amerikës – 13 Maj, 1976 –
Thirrjet e zyrtarëve të lartë amerikanë të asaj
kohe: “Qeveria amerikane dhe populli
amerikan shprehin edhe njëherë interesimin e tyre tradicional për popullin
shqiptar”.
Nga
Frank Shkreli
Gjatë dekadave të
luftës së ftohtë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara, nepërmjet zyrtarëve të tyre
më të lartë, kanë bërë vazhdimisht thirrje, duke shfaqur gatishmerinë e
Washingtonit zyrtar për miqësi dhe marrëdhënie normale diplomatike me
Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Shpesh, zyrtarë të lartë të Shteteve të
Bashkuara kanë dërguar mesazhe popullit shqiptar për “forcimin e miqësisë së
vjetër”, gjatë viteve të luftës së ftoftë, nepërmjet valëve të Zërit të
Amerikës. Thirrjet amerikane për miqësi me Shqipërinë binin në veshë të shurdhër
të Tiranës zyrtare komuniste të viteve 70-ta e 80-ta, të shekullit të kaluar. Ishte
gjithashtu koha fatzezë kur shqiptarët dënoheshin nga regjimi komunist, thjesht,
se dëgjonin Zërin e Amerikës.
Këto deklarata të
zytarëve më të lartë amerikanë, tregojnë të vërtetën se nuk ishte Washingtoni
zyrtar – “imperializmi amerikan”, ai që kishte izoluar Shqipërinë nga bota,
ashtu siç pretendonte shpesh regjimi barbar i Enver Hoxhës, por ishte ai regjim
diktatorial sllavo-komunist i cili nuk dëshironte të kishte lidhje as miqësi me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte regjimi i Enver Hoxhës ai që donte të
mbante larg perendimit, Shqipërinë dhe shqiptarët, një popull të zenë rob, si
rrjedhim, edhe larg vlerave të lirisë e të demokracisë.
Ky vit shënon
73-vjetorin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe
(13 Maj, 1951), pasi ishin ndërprerë, përkohësisht. Ishte kjo një përpjekje tjetër e Washsingtonit zyrtar, për
të mbajtur sado pak gjallë lidhjet e Amerikës me Kombin shqiptar. Me këtë rast ia vlen, për hir të së vërtetës,
të sjellim nga arkivat e Zërit të Amerikës, një thirrje të tillë për miqësi me
Shqipërinë, nga zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara – transmetuar në një
program të veçantë të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe me 13 Maj, 1976, si
një shembull i atyre përpjekjeve për të treguar gjithnjë interesim për fatin e
shqiptarëve nga zrytarët amerikanë, megjithse regjimi komunist enverist hidhte
poshtë çdo nismë amerikane për marrëdhëie normale midis dy vendeve tona. Në atë kohë Zëri i Amerikës transmetonte në të
dy dialektet. Talat Karagjozi nga Gjirokastra, Frank Shkreli nga Malësia e
Madhe dhe Leonora Malo nga Himara morën pjesë në përgatitjen e këtij programi (13 Maj, 1976), atëherë kur Enver Hoxha
dënonte shqiptarët se dëgjonin Zërin e Amerikës.
---------------------------------
Leonora Malo: 25 vjetë si sot, dmth. Në datën 13 Maj, 1951, Zëri i Amerikës rifilloi
transmetimet e saj në gjuhën shqipe, të cilat kishin filluar gjatë Luftës së
dytë Botërore dhe kishin marrë fund me mbarimin e asaj lufte. Me këtë rast ju
sjellim sot një bisedë mbi qëllimet dhe përmbajtjen e këtyre transmetimeve, siç
janë venë në dukje, në hollësi, nga zyrtarët e qeverisë së Shteteve të
Bashkuara:
Talat Karagjozi: Kur Zëri i Amerikës rifilloi programin e saj në gjuhën
shqipe, Ministri i jashtëm i Shteteve të Bashkuara që shërbente në atë kohë, i
ndjeri Dean Acheson bëri një deklaratë e cila u përfshi në programin ose në
transmetimin e datës 13 Maj, 1951 drejtuar popullit shqiptar. Ndërmjet të
tjerave, i ndjeri Acheson ka thënë këto:
Frank Shkreli: “Me këtë rast ndiej nji kënaqësi të posaçme t’i drejtoj
popullit shqiptar këtë mesazh në emën të qeverisë së Shteteve të Bashkueme dhe
të popullit amerikan. Tue rifillue programet e Zërit të Amerikës në gjuhën
shqipe, qeveria amerikane dhe populli amerikan shprehin edhe njiherë
interesimin e tyne tradicional për popullin shqiptar. Në këtë mënyrë përtriten
sot lidhjet që na bashkojnë. Miqësia jonë e vjetër duhet të forcohet tashti dhe
të pajiset me nji kuptim ma të thellë. Sepse kjo miqësi ashtë nji përfundim i
natyrshëm i faktit se Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë qenë shumë afër
luftës së popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi. Gjatë vjetëve, qeveria
amerikane dhe populli amerikan kanë shikue me dashamirësi dhe me simpati dhe
kanë ndihmue në këtë luftë tue e dijtun se lufta për liri pasqyron aspiratat tueja të vërteta. Nga fillimi i
këtij shekulli, shumë patriotë shqiptarë erdhën në këtë vend dhe gjetën liri të
plotë për të punue për nji Shqipëri të pamvarun. Në Konferencën e Paqës në
1919, kur Presidenti Wilson u interesue personalisht në themelimin e nji
Shqipnie të pamvarun, qeveria amerikane përkrahu përpjekjet e patriotëve
shqiptarë.
Por këto ngjarje i
përkasin historisë. Sot e tutje, Zani i Amerikës do t’ju flasë mbi gjëndjen e
tanishme dhe të ardhshmen. Qeveria amerikane dhe populli amerikan u paraqesin
përshëndjet e tyne dhe Zani i Amerikës ju mirësardhë në radhët e ndëgjuesve të
saj.”
Talat Karagjozi: Këto janë fjalët që tha i ndjeri Dean Acheson 25-vjetë më
parë. Gjatë vjetëve, pas asaj deklarate, zyrtarë të tjerë amerikanë kanë bërë
deklarata të njëllojta. Ndërmjet tyre, ish-Ministri i Jashtëm, Zoti William
Rogers dhe ish-nën-Ministri i jashtëm, Zoti Keneth Rush.
Frank Shkreli: Ish-Ministri i Jashtëm Zoti Rogers në raportin e tij mbi politikën e
jashtme shqyrtoi përmirësimin e marrëdhanieve diplomatike me të gjithë kombet,
tue përmbledhun kombet komuniste dhe në fund të raportit të tij, ai shtoi këto
fjalë: “Mungesa e marrëdhanieve diplomatike me Republikën e Shqipnisë ishte në
fundin e vitit 1973, nji punë e pambarueme në përpjekjet tona për marrëdhanie
normale me të gjithë vendet, pa marrë parasysh ndryshimet. Por drejtimi i
masave, si në politikën e Shteteve të Bashkueme, ashtu edhe në politikën e
Shqipënisë, premtojnë se do të vendosen marrëdhanie normale në të ardhshmen.”
Kjo deklaratë u
pasue nga nji deklaratë që bani në të njajtin muej, nën-Ministri i jashtëm
Keneth Rush. Në prill të vitit 1973, në një fjalim mbi politikën e jashtme që
mbajti në Akademinë Detare të Shteteve të Bashkueme në qytetin Annapolis, mbasi
radhiti masat e marra ose ato që parashikoheshin të merren në lidhje me përmirësimin
e marrëdhanieve me pjesën tjetër të Evropës Lindore, Zoti Rush tha këto: “Vetëm
me Shqipëninë nuk ashtë shënue ndonji përparim i dukshëm. Përball zgjanimit të
lidhjeve tona me gjithë vendet e tjera të Evropës duket si nji gja anakroniste
që Shqipëria të dëshirojë të funksionojë në nji izolim të tillë. Shqipnia
vazhdon të përdor kundër nesh nji gjuhë përbuzëse të nji periudhe të maparshme.
Nëse dëshiron të rifillojë marrëdhaniet, ne nuk e dimë. Nëqoftse dhe kur të
dëshiroj nji gja të tillë, Shqipnia do të na gjejë gati t’i përgjigjemi”.
Talat Karagjozi: Me që jemi duke bërë fjalë për pëvjetorë, dëshirojmë të
përmendim këtu fjalëtqë përdori i ndjeri President Kenedi mbi misionin e Zërit
të Amerikës, kur ky ent celebroi 20-vjetorin e tij me 26 Shkurt, 1962.
Presidenti Xhon Kenedi mbajti nji fjalim në të cilin ai tha se Zëri i Amerikës
zën një vend me rëndësi dhe luan në rol kyç në shtjellimin e jetës amerikane
dhe pastaj deklaroi edhe këto:
Frank Shkreli: “Ajo që jemi tue ba në këtë vend, çfarë jemi, çfarë dëshirojmë të jemi,
përban dhe pasqyron të vërtetë nji eksperiencë të madhe me llojin ma të
vëshitrë të disiplinës së vetvetes dhe
kjo ashtë organizimi, mbajtja dhe zhvillimi i përparimit të nji qeverie të
lirë. Dhe kjo ashtë detyra e juaj si drejtues dhe si pjesëmarrës të Zanit të
Amerikës që t’ia kallxoni këtë gja të gjithë botës. Ne konkurojmë me burime të
tjera informatash me ata që janë kundërshtarët tonë, e të cilët thonë vetëm të
mirat për vehten e tyne. Zani i Amerikës duhet të thotë të mirat dhe të këqiat
e Amerikës. Dhe ne shpresojmë se e keqja dhe e mira shkoqiten dhe shoshiten së
bashku nga njerëz me gjykim të mirë, që kanë mendjehollësi dhe shije -- se do
të kuptojnë përpjekjet që jemi tue ba në këtë vend. Ne kërkojmë qarkullimin e
lirë të informatave tej-për-tej kufijve kombëtarë dhe oqeaneve, tej-për-tej
perdeve të hekurta dhe mureve me gurë. Ne nuk kemi frikë t’i besojmë popullit
amerikan tue i paraqitun faktet që nuk janë të pëlqyeshme, (as nga) mendimet
dhe fillozofitë e hueja që i paraqiten këtij populli dhe as nga vlerat
konkurues që mund t’i paraqiten popullit amerikan. Nji komb që ka frigë të
lejojë popullin e vet të gjykojë të vërtetën dhe gnjeshtrën në nji treg të
hapët, ashtë nji komb që ka frigë nga populli i tij.”
Talat Karagjozi: Kjo është pjesa jetike e sistemit amerikan, përfundoi i
ndjeri President Kenedi fjalimin e tij, që mbajti në 20-vjetorin e
transmetimeve të Zërit të Amerikës. Ai shtoi se Zëri i Amerikës do të vazhdojë
të përmbushë këtë detyrë siç bëri ditën e parë të transmetimeve kur ia kushtoi
veten e saj së vërtetës.
Leonora Malo: Dhe ndërkohë që programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe celebrojnë përvjetorin e tyre të 25-të, ne shpresojmë të vazdojmë të aderojmë pa asnjë devijim në këtë kushtim ndaj së vërtetës, siç jemi përpjekur të aderojmë karshi saj gjatë 25 vjetëve të kaluara.
*Radio program i transmetuar nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe 13 Maj, 1976
Dean Acheson, ish-Sekretar i Shtetit
Arkitekt i Luftës së Ftohtë –
“Duke rifilluar programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, qeveria amerikane dhe populli amerikan shprehin edhe njiherë interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar.”
Uilliam Roxhers, ish-Sekretar i Shtetit
Arkitekt i Luftës së Ftohtë –
“Mungesa e
marrëdhanieve diplomatike me Republikën e Shqipnisë ishte në fundin e vitit
1973, nji punë e pambarueme në përpjekjet tona...”
Presidenti Xhon
Kenedi
“Zëri i Amerikës
duhet të thotë të mirat dhe të këqiat e Amerikës”.
Kenneth Rush
“Nëse dëshiron të rifillojë marrëdhaniet, ne nuk e dimë. Nëqoftse dhe kur të dëshirojë një gjë të tillë, Shqipëia do të na gjejë gati t’i përgjigjemi.”
Talat Karagjozi nga Gjirokastra (në
foto) Frank Shkreli nga Malësia e Madhe dhe Leonora Malo nga Himara morën pjesë
në përgatitjen e këtij programi (13 Maj, 1976) kur Enver Hoxha dënonte
shqiptarët se dëgjonin Zërin e Amerikës.
Autori në hyrje tek “Zëri i Amerikës si vizitor, në vitin 2020 – “Zëri i Amerikës ka mbi supe një përgjegjësi të madhe si mbartës i së vërtetës. Barra për të thënë të vërtetën nuk është e lehtë të mbartet…”. Kështu është shprehur, ndër të tjera, Presidenti Xhon Kenedi në fjalimin e tij me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës, në kryeqendrën e VOA-s, 26 Shkurt, 1962. Për 30 vjet në detyra të ndryshme tek Zëri iAmerikës, por dhe gjithë jetën time si gazetar e publicist, jam munduar ta mbroj të VËRTETËN si një përgjegjësi morale dhe si një barrë dhe detyrë shoqërore!