E premte, 08.11.2024, 10:48 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Jimmy Carter mbushi 100 vjet, i pari President i Amerikës që ka vizituar Shqipërinë post-komuniste

E enjte, 03.10.2024, 06:40 PM


ISH-PRESIDENTI I SHTETEVE TË BASHKUARA

XHIMI KARTER MBUSHI 100-VJET – I PARI PRESIDENT I AMERIKËS QË KA

VIZITUAR SHQIPËRINË POST-KOMUNISTE NË SHTATOR, 1993

Lidhjet e tij me Shqipërinë dhe Kosovën

Nga Frank Shkreli

Me 1 Tetor, 2024, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter festoi 100-vjetorin e lindjes, duke u bërë këlshtu ish-presidenti i parë i këtij vendi që arrinë këtë moshë.  Zoti Carter ka shërbyer si Presidenti i 39 i Shteteve të Bashkuara -- nga vitit 1977-1981 – fitues i Çmimit Nobel për Paqë në vitin 2002, me motivacionin, “Për përpjekjet e tija të palodhura, prej dekadash, për gjetjen e zgjidhjeve paqësore ndaj konflikteve ndërkombëtare, për avancimin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, si dhe për promovimin e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore”, në botë.

Në 100-vjetorin e lindjes, Presidenti Carter mori urime nga personalitete nga mbarë bota si dhe, natyrisht, edhe nga Shtetet e Bashkuara. Një ndër ta, Presidenti aktual i këtij vendi, Joe Biden, mik i vjetër i sh-Presidentit Carter, shprehi me këtë rast, admirimin e tij për arrijet dhe për karakterin e 100-vjeçarit Jimmy Carter.  Duke i uruar atij 100-vjetorin e lindjes, Zoti Biden e cilësoi Z. Carter, “një forcë morale e kombit tonë dhe botës.”  Duke venë në dukje mbështetjen e tij, qysh heret, si një senator i ri në kohën ku Carter ishte president i këtij vendi, Joe Biden theksoi në mesazhin e tij, se kjo ishte pikërisht, arsyeja që ai e kishte mbështetur atë gjatë mandatit të tij dhe më vonë. Sepse, “Ju jeni një zë prej guximtari, bindjeje, dhembëshurie , por mbi të gjitha mik i dashur i imi dhe I familjes time…Vizioni juaj shpresëdhenës për vendin tonë, angazhiami juaj për një botë më të mirë dhe besimi juaj i patundur në mirësinë njerëzore, vazhdojnë të jenë një dritë udhëzuese, për gjithë ne”, është shprehur Presidenti Biden në mesazhin e tij, drejtuar ish-Presidentit Carter me rastin e 100-vjetorit të lindjes.Top of Form

Në fushatën e tij për president në vitin 1977, Jimmy Carter ka premtuar ndryshime të mëdha në bërjen e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ishte koha e komunizmit, kulmi i Luftës së Ftohtë dhe qëllimi i tij ishte një moral i ri të jetë pjesë e zhvillimit të diplomacisë amerikane, në nivel ndërkombëtar -- me një përqendrim të theksuar për mbrojtjen dhe promovimin e të Drejtave të Njeriut, anë e mbanë botës.

Lidhjet e tij me Shqipërinë dhe me shqiptarët nuk kanë qenë, ndoshta aq aktive gjatë mandatit tët tij, për shkak të faktit se Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënje diplomatike me regjimin komunist të Enver Hoxhës.  Pasardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë, siç dihet, u angazhuan më vonë, në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor – përfshir ndërhyrjen ushtarake të NATO-s – që përfundoi në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.  Por, edhe Jimmy Carter – siç ka ndodhur me disa paraardhës të tij dhe sidomos me pasardhës të tjerë të tij, në Shtëpinë e Bardhë gjatë dekadave -- ka lenë gjurmët e tija në historinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë, por edhe me Kosovën.  Për vet faktin se ish-Presidenti Carter ishte i pari president i Amerikës – ndonëse jo në detyrë -- që ka vizituar Shqipërinë.  Ka qenë shtatori i vitit 1993 kur Jimmy Carter ka vizituar për ditë Shqipërinë. S’do mend se subjekti kryesor i bisedimeve të ish-presidentit amerikan me udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë së asaj kohe – Presidentin Sali Berisha dhe Kryeministrin Aleksandër Meksi – ishte Kosova dhe konflikti i atëhershëm në ish-Jugosllavi – pjesë e të cilës ishte edhe Kosova në atë kohë.  Sipas një raporti të kohës, nga agjencia e lajmeve United Press International, (UPI) në një konferencë të përbashkët me ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, Presidenti Carter ishte shprehur se ishte e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të “Demontronte forcën dhe të përdorte të gjitha masat e mundshme për të mënjanuar dhunën.”  Sipas agjencisë së lajmeve UPI, ish-presidenti Carter është shprehur se, “Washingtoni do të ishte kundër çdo agresioni ndaj popullitzbatimin e të tdrejtave të njeriut anë e mbanë botës – do të Kosovës”.  Me atë rast, Jimmy Carter ka premtuar se Fondacioni Carter – një ent ky që mbikqyr zbatimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën, do të mbikqyrte situatën në Kosovë.

Sipas agjencisë së lajmeve UPI, ish-presidenti Carter ka thënë, me atë rast, se Fondacioni i tij, së bashku me Presidentin Ibrahim Rugova, kishin analizuar gjëndjen e rëndë në Kosovë. Gjatë asaj vizite, Jimmy Carter, si presidenti i parë që vizitonte Shqipërinë – është takuar me zyrtarët e lartë të shtetit e të qeverisë dhe me disa anëtarë të opozitës.  Natyrisht se, Jimmy Carter u interesua për gjëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe kritikoi ashpër monopolin e qeverisë mbi radion e televizionin në vend.

Një lidhje tjetër e ish-presidentit Carter me Shqipërinë dhe shqiptarët, sidomos me komunitetin shqiptaro-amerikan ishte edhe avokati shqiptaro-amerikan i njohur, i ndjeri Bardhyl Tirana, familja e të cilit ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore dhe i cili në vitin 1976 ka shërbyer si bashkëkryetar i ceremonisë së inaugurimit të ish-presidentit Jimmy Carter.  Në administratën e Presidentit Carter, Bardhyl Tirana ishte Drejtor i Mbrojtjes Civile në Departamentin e Mbrojtjes, që me rekomandimin e tij sot është një agjenci federale më vete: Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave, FEMA, rekomandim dhe sot trashëgimi e shqiptaro-amerikanit, Bardhyl Tiranës.  Falë bashkpunimit dhe përvojës së tij politike gjatë shërbimit të tij në administratën e Jimmy Carter, Bardhyl Tirana i përdori shumë bukur lidhjet e tija me ish-Presidentin Carter ndërsa gjatë viteve më vonë ai u angazhua për çështje që kishin lidhje me Shqipërinë dhe Kosovën dhe kontriboi në një numër organizatash të komunitetit shqiptaro-amerikan ndër të cilat edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) për të cilin ofroi rregullisht falas shërbimet e tij ligjore. Më kujtohet kur isha drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan Bardhyl Tirana më telefonnte shpesh duke pyetur për nevojat tona dhe duke ofruar ndihmë të llojllojshme, në atë kohë.

Angazhimi i tij me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe komunikimet e mia me Bardhyl Tiranën, zhvilloheshin, më dukej mua, në frymën e politikës së ish-bosit të tij dhe të fjalëve të Presidentit Jimmy Carter: “Pasi ne jemi të lirë, nuk mund të jemi kurrë indiferent ndaj fatit të lirisë kudo tjetër në botë. Sensi ynë moral na detyron qart që të preferojmë ato shoqëri të cilat ndajnë me ne respektin e palëkundshëm për të drejtat indivuale të njeriut.”  Thirrja e ish-presidentit Jimmy Carter pothuaj 50-vjet më parë për zbatimin e një strategjie në mbrojtje të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës, është bërë tanimë gur-themeli i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara -- trashëgimi e ish-Presidentit Jimmy Carter që kujtohet edhe sot me respekt në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Ish-Presidenti Carter duke folur në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me 4 shtator, 1977 – Kritikat e tija ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës, shënoi një ndryshim strategjik në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. (Jimmy Carter Library)

Jimmy Carter dhe Bardhyl Tirana – “Njeriu i Carter-it”, që reformoi Mbrojtjen Civile të Shteteve të Bashkuara

Presidenti Jimmy Carter në 100-vjetorin e lindjes, (1Tetor, 1924)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora